“ARENA E DHEMBJEVE”

Brahim Ibish AVDYLI

Tufë poezi nga Brahim Ibish AVDYLI

OSHËTIMA E KËNGËS

Është zë i trishtueshëm
mjaft melankolik-

me vetminë e erërave
e stuhitë e dhembjes
në atë degë të pritjes…

Sa e gjerë hapësira
anë e përtej këngës
me atë tel të këputur

derisa nuk i shoh
me bebëzat e fjalëve
përtej mjegullave…

Kënga është bërë
zgjua bletësh
në shpirtin e saj
oshtin dhembja

nëpër tingujt e përhershëm…

TË FSHEHTAT E JETËS

Sa bëhesha gati
t`i merrja fluturat
befas më iknin
të fshehtat e jetës,

zigzageve ecja
përpjetëzave të mendimit
te kulmi i teposhtëzave
rrebtimës së dhembjeve

e nuk kisha kohë
ta qetësoja zemrën
nëpër përplasjet e fjalëve
rrugëve të së drejtës…

Këmbët e ariut
të maleve tona
i sulja nëpër kryeqendra

e freskia e lisave
më mungonte,

athua, si më erdhi kjo jetë
me fshehtësitë që nuk dihet,

mund të them
se kënga lindi me mua
derisa të vdes,

nuk dëgjohet
as kur shpirti vajton…

DALLËNDYSHE KUJTESE

1.

Je hije e gjallë kujtese
që me dhembje fluturon

të gjithë i ndjenë nëpër lotët e mi,

askush nuk të kupton
se diku ke qenë
në këtë botë

dallëndyshe-pupël kujtese
apo shibël e papritur
në pluhur ndjenjash…

2.

Gjallë ke mbetur
nëpër kujtimet e mia-

për inat të cicërimeve
nëpër vendet e vjetra
je kthyer,

burimeve të fjalëve pi ujë të ftohtë
e kthehesh dikur
freskut të gjelbërimit

viseve të lëna
pa dëshirë

i përzënë nga urrejtja
e atyre që i shqetësove…

3.

Çuditërisht
nëpër pupla t`i lanë
copat e grisura
që të tronditin

e askund nuk të pranojnë
nëpër bredhjet e tua

e kthehesh
në një dallëndyshe kujtese

me dridhjet
e këngës së përlotur!…

Dietikon, 07.07.2015

DRITARET E DITËVE

Mëngjeseve
zgjohem e dal përsëri
në dhomë të pritjes

e ulem
para tryezës së kohërave…

Për dritaret e hapura të ditëve
futet shëndetshëm Dielli
e buzëqesh
sikur dëshironte të më përkëdhelë.

Mirë o Diell
pak më ngroh e më jep shpresë
ditët do të sjellin
gjithë të mirat
me rrezet tua të pashmangshme

e unë, vërtet,
do të ik përtej të mundshmes

e do të kthehem
me Diellin e ëndrrave të mia.

ATDHEU I ËNDRRAVE

Atdheu i ëndrrave
sikur është zhdukur

e më është kthyer
për një riatdhesim
Zvicra Konfederale
në vizionet e mia…

Gjatë e kam menduar
me prushin e ndjenjave
të gatuara në shpirt,

e liria është e shpërbërë
ngarend përherë e më larg
viseve të pakthim!…

Ndonjëherë mundohem
thellë të marr frymë-

tashmë buka hahet
aq sa më mjaftojnë të hollat
me pensionin invalidor,

përpiqem të të përqafoj
si një tjetër qenie
Zvicra ime,

me pamjen tënde
imagjinare!…

Rapperswil, 6 qershor 2014

EKZISTENCA E PAQENË

1.

Mëngjeseve
e mbrëmjeve
u kaloj pranë

me mendime të gjymta
të së kaluarës

e të ardhmes së grisur
nëpër duar…

2.

Pak lot më rrjedhin
nëpër fjalët që ikin
papritmas nga e tashmja

edhe të së kaluarës
në betejat e jetës

me fytyrë të deformuar
të së qenmes…

3.

A është e mundur
që t`u kaloj pranë
e të pikëtakohemi
në çdo çast të mundshëm

e ju,
as të më shihni
nuk u rastis,

nuk mendoheni
për gabimet tuaja
të mos rrëshqitni
në humnerën e viteve

e nuk u rastis
as të më falënderoheni
për ndaljen tuaj!

4.

E pra,
nuk e di a ekzistoj
në këtë kohë
kur gjurmët më shlyhen

e fjalët e mia
i ndjej
të përsëritura
nëpër gojët tuaja

pa esencën e vet…

E kuptoj
se nuk paskam qenë
as në ekzistencë

me portretin e shkallmuar!…

DIELL E HËNË
I MBAJ MBI VETULL

Kur mendojnë
se tashmë u kërrusa
e të zvarritem,

nga zemra e tokës
çastet i numëroj
pa zë të thekshëm.

Drejtohem dikur
si plep i gjatë i fjalëve
në një varg të gjelbër

e i lëshoj të fluturojnë
zogjtë e pakrahasuar të këngëve.

Djalë malësori jam
pak kryelartë,

shtegtoj nëpër të gjitha plagët
e ua marr
të idhtët nëpër vargje,

ndërroj pak ngjyrë
e thinjem me përplasjet,

në jetë kur erdha
babai i shenjtë i kohëve
më këshilloi

prandaj, kurdoherë
Diell e Hënë i mbaj mbi vetull
Diell e Hënë
i ruaj nën sqetull!…

PËRPLASJET NGA ARESI

Në këtë kohë i kemi
tri përplasje me Aresin,

njëzetë e nënta është e fundit me të keqen
nëpër hajdutlëqet e pisave të Iblisit

edhe gjatë natës përpiqen të ma vjedhin qetësinë !…

Tani i bie prapa Zarës
aty shkolla e parë shqipe i vazhdon rrjedhat e fjalës,
e në anën tjetër është Putini
me kundërshtitë e prapta.

Duhet ta lë prapa fatin e të jem në Kosovë
krahas kërcënimeve të vdekjes,

derisa e shkruaj poezinë
futen për derë të qenies plotë fëmijë
e i ndërrojmë disa fjalë të shqiponjës…

Kisha frikë
ata i ruhen ariut të bardhë të Rusisë,
e pashë se dinin si fluturonin shqipet
deri te Krijuesi i Botës,

Dielli e kishte marrë tërë ditën
në krahët e tij jetëdhënëse,

prandaj, sa të duan le të pëlcasin vetëtimat
nëpër malet dinarike,

Putini le të përpiqet të mi vjedhë popujt për luftë
ai shpirtin e gjenisë nuk mund të ma vjedhë-

poezitë i kam të gatuara në qenien time,

jam ai që përplaset me Aresin
mbi ne ndodhet mileniumi i paqes me Diell

lum ai që ec nëpër shkëlqimin e viteve!…

Autobahn, mbi Zadar të Kroacisë,
29.07.2016

MILIONA STËRKALA TË PIKËLLIMIT

-Me rastin e mbytjes së dhembshme
të Almir Aliut, nga dora kriminele serbe…

Rrathët e vdekjes kanë plasur papritmas
është ngrirë nën dhé buzëqeshja trëndafilore,
nga fundi i nëntokave shpirtërore klith prore Almiri
dhembja e flaktë për Atdheun e kallë galaktikën
e na i shpërndan në miliona stërkala të pikëllimit,
vdekja papriturazi e rrëmbeu në kulmin e gazit fëmijëror
në piramidën e kufomave shekullore të gjenocideve…
Edhe po ta mbulonte deti i shqetësuar tokën anë e përtej
nuk do të na shuante kurrë nga zemra mllefin e sertë,
janë të mbuluar armiqtë tanë me një plaf të shqyer
e krijesën tonë e lanë ta hanë gjallesa të tmerrshme të dheut
atje ku i hodhën mija të mbytur ndër urrejtje

madje edhe foshnjat që sapo kanë ardhur në këtë botë,
sikur duan me çdo kusht të pamundësojnë rriten tonë…
MERYAMUN i themi Aleksandrit të Madh e nuk
është sllav
shqip ka folur e shqip qan e qesh me rritjen ILIRE
Almir Alia mezi pret ta tronditë dheun e etërve të parë
deri te Kokina nëpër bjeshkët e larta të Kumanovës
ku Dielli, Qielli, Retë, lëvizja e Yjeve mateshin ilirisht…
Athua paska tretur o Zot i Madh buzëqeshja jetësore
a mos ka ikur shpirti i tij midis bjeshkëve të dhembjes
nuk e kam tepruar aspak të mbërrij bojliat e viteve
me fuqinë e vogël e kam ruajtur paqen e shenjtë amshore!…

Vonë kanë ardhur këtu sllavët me djallëzinë e Iblisit
serbët, serpentët, sorbët, shkja, e së bashku me ta
bullgarët
le ta dinë se edhe gurët do t`u përgjigjen ilirisht e shqip
mos të vazhdojnë të gërmojnë jetën nën këmbët tona

Almirat këlthisin tmerrshëm në kokat e mbushura
mjaft më na i keni krasitur krahët e njomë të viteve,

buzëqeshja trëndafilore e Almirit është ngrirë në pezëm
derisa të zhduket Iblisi me hijen e tij të zezë!…

ZOGU QË PRORE DIGJET

Fluturon nëpër kohëra
shekujt i parakalon

flakë që digjet e nuk shteron
plot me dritë

me dhembjen e kalljeve të veta
sikur është mësuar

ku ndalet e pushon
flakën e merr me vete
pa lënë gjurmë

vetëtimë pa zë
të tmerron kur e sheh
qenie e gjallë shkreptin nëpër këngë
e shkrumbin e fjalëve të veta
e derdh prore
nëpër valëvitje

cili mundet nëpër kalljet e flakta
të oshtijë nëpër këngë

në vend se të qajë
duron prushin e dhembjeve të veta…

A jam unë feniksi i çuditshëm
e pyes veten nëpër dallgë,

kur ndalet pushi i kalljeve
është koha e hirit të fjalëve…

A QAN PIRRO BURRI DHE UNË

A qan Pirro Burri
nëpër shekujt e largët
apo pandarë lotoi deri në mbrëmje-

unë dhe ai u biem kryq e tërthor
tokave të shenjta iliro-pellazge…

Hip mbi shpatën e tij
nëpër tehun e viteve
lak e gjak më rrjedhin pa pushim,

jemi më të fortë se graniti
më të mprehtë se era
më të butë se ajri

e zemra jonë
shtrydhet nëpër këngë
kënga është lot, por nuk dëgjohet-

lart në qiell dëgjohet tupani magjik.

I pyes shekujt
a bashkohet toka jonë

kur dhe gjurmët na i pështjellojnë!…

TRAJEKTORJA E ENERGJIVE

Fillojnë nga 11 marsi
nuk e di në cilin vit,

e gjurmët e dritës na përcjellin,

forca më të mëdha na përfshijnë
prej kozmosit

u ruhemi atyre që na godasin
e na plandosin përdhé
me zhdavaritje në çdo drejtim,

nëpër hapësirë
i ruajmë trajektoret e padukshme
të mos vinë kur nuk e dimë,

jemi qenie në formë të njeriut
me ndjenja në çdo lëvizje
themi se po i bëjmë hapat tonë
e për galaktikën janë shumë të vogla,

për shembull
hapi ynë i njëmbëdhjetë marsit
është një pikë e veçantë,

të zanuem kemi qenë nga të zezat
e hapi ynë
është një grimcë në univers…

Tani, nuk e di se ku jemi
në hapësirën e pamatur
as ku kemi qenë e as ku do të shkojmë,

dikur, shkarkohet energjia e jonë
e pastaj
dalim përtej botës!…

Ristorante Pizzeria Seeterasse,
D-Kahl am Mein, 11 mars 2017.

POLIGONI I PËRKOHSHËM

1.

Bota e përkohshme,
Jeta-
poligon i energjive.

zemrën tënde mbeten
të gjitha gjurmët-
vrragët i lënë!…

Drita e madhe është vend i Zotit-
Dielli në zemër.

E ke harruar
nëpër vrapimin jetësor
barkun e nënës!…

2.

Ai që ta ka falur mund të të lë
në dorë të djallit
e të mos kthehet
në atë vend të pistë
që i thonë Zemër.

Shportë e të gjitha hedhurinave
mund të jesh,

Zoti i Madh mund të ta marrë
Dritën e Jetës
kur të dojë

e ky është thelbi i jetës-

meditim
që nuk mund të vazhdojë
pa universin.

3.

Shpirti nuk është
vetëm shenjë e vetvetes-

zemra është
vendi i dritës sate,

energji jemi
që vijmë diku nga lart
e shkojmë diku tjetër-

poligon i përkohshëm
poligon i energjive!…