BALI MET

Fotografia e Hazir Mehmeti
Hazir Mehmeti

T R E G I M

Nga Hazir Mehmeti

Fotografia e Hazir Mehmeti

Mëngjesi i 22 shtatori ishte i vrerët. Jeta në luftë kishte ndryshuar çdo gjë, mendohej vetëm për shpëtim të popullatës nga ushtarët serb të cilët zbarkonin nga tanke e autoblinda në çdo skutë. Në oborrin e shtëpisë së parë të fshatit, i zoti i shtëpisë, Meti, sapo kishte hapur derën e kotecit nga e cila dolën me ngutë pulat duke u shtyrë njëra me tjetrën drejtë kokrrave të shpërndara mbi tokën e njomur nga lagështia e natës. I fundit doli Brushani, gjeli i tij, të cilin e donte aq shumë. Atij iu duk sikur nata kishte zgjatur ca si tepër sa Brushani, kishte kënduar më shumë se zakonisht me një zë krejt tjetër nga ai i zakonshmi. Nuk mund t’ia ndante sytë se si ai lakonte kokën e ngritur lartë me ata sy që hapeshin e mbylleshin vetëtimë, me atë kaçurrelë të kuqërremtë, i cili me hapa dhëndri ecte drejtë turmës çukatëse.
Ajo për çka ishte droja ndodhi sa çil e mbyll sytë, ushtarët serb u futën në oborr me rrapëllimë, pulat e trembura krrokatën me zëra paralajmërues të tyre. Tytat me egërsi drejtohen drejt tij.
Përtokë! Shtriju për tokë! Shtriju! Çirren barbarët serb.
Ky është oborri im, dhe këtu zot jam unë!, ua ktheu me vendosmëri Bali Met.
Gjithë fshati e thirrshin Bali Met, pak kush në fshat e njihte me emrin Muhamet siç e kishte emrin që në lindje. Kishte dashuri të madhe për njerëzit, i respektonte të gjithë, të madh e të vogël. Ecte gjithnjë me hapa të ngadalshëm e të qetë edhe kur në krah mbante ndonjë shatë apo tërfurk rrugicave mes drithërave të fshatit, ai buzëqeshte dhe përshëndeste me dashamirësi.
Ushtarët fytyrë përbaltur me goditje tinëzare e plandosën Balin Met mbi dhe duke u hedhur mbi trupin e tij posi egërsirat. Vandalet e egërsuar nxorën çdo gjë nga shtëpia të shoqëruar me britmat e fëmijëve e grave ishin trishtim mëngjesi në vjeshtën e kuqërremtë gjithandej fshatit. Gra e fëmijë të trishtuar me rroba gjumi e të zbathur i tubuan skaj oborri.
Bali Met i përgjakur thirri me të madhe: Mos u frikësoni fëmijët e mi! Këtyre do ju vjen shpejt fundi, janë frikacakë e të lig, mos u frikësoni!
Me duar lidhur e Balin Met e nisin drejt Bjeshkës grupi i specializuar i ushtarëve, andej nga marshonte kolona armike për kapjen e Ushtrisë Çlirimtare.
-Ku i ke djemtë, plakush?- çirrej policziu, i cili kundërmonte ndyrësirë pijaneci.
-Në mal janë, në Ushtrinë Çlirimtare, shko e kapi në ua mbajt,- ia ktheu me inat Bali Met me shikim nga Bjeshka.
Një goditje u skuq nga gjaku i trimit që filloi të rridhte fytyrës.
-Ne do t’i kapim si minjtë, një nga një, do i vrasim dhe shkërdhejmë për së vdekuru! E di ti kush jemi ne, majmun!
-Drejt Bjeshkës, -u ndie një zë më tutje.
Bali Met me duar lidhur e vunë para duke e detyruar të thërret emrat e djemve të tij që ishin pjesë e ushtrisë, e cila përfytej me armikun në ofensivën e egër. Gjakësorëve nuk iu kishte mbetur shpresë tjetër vetëm hakmarrja në njerëz të pafajshëm: pleq, gra e fëmijë. Nga larg era sillte tymin e zi luginës drejt bjeshkës bashkë me kundërmimin e tij prej gjithfarë gjësendeve të kallura: shtëpive, stogjeve me sanë, koshave e hambarëve të mbushura me drithë, rrobave e mobileve shtëpiake e çka jo tjetër!
-Thirr shumë, më shumë, e urdhëronin pa ndërpre Balin Met bishat serbe dhe njëri prej ushtarëve kujdesej për dhunë të vazhdueshme.
Bali Met bëhej sikur thërriste, por nuk dëgjohej më larg se heshtja e tij, kurse në mendje mbante emrat e djemve të tij, Liman, Vehbi, Ruzhdi, Zeçir, Faik, mes të cilëve çuditërisht, tani e ndiente veten komandant dhe merrte forcë. “Nuk pata vajzë! Sa kam pasur dëshirë të kisha të paktën një, por mbesa do lindin dhe do e ia vëmë emrin Liri”, mendonte i lodhur nga rruga dhe goditjet torturuese.
Rrëzë bjeshke, në lugun e Përroit të Bubës, ushtria sillte civil të kapur në shtëpitë e tyre. Skaj përroit me ujë që rridhte i lodhur, tre burra të kapur nga ushtria serbe torturoheshin. Ata me kokë në dhe e duar pas qafe goditeshin deri në alivanosje. E trishtuar masa përcillte sjellën torturuese të ushtarëve serb të cilët shanin e bërtitni me të madhe.
-Të kujt janë armët? Të kujt janë idiot? Ose do tregoni ose do vdisni, ne nuk presim!- ndihej bërtitma e ushtarëve.
Po ti shiftare, i njeh këta tre njerëz? Janë të ushtrisë, të kujt janë armët, ju drejtua ushtari serb me automatikun e gatshëm në dorë.
Bali Met i pa të tre të përgjakurit që po përpëliteshin me jetën, ndjeu dhembje sikur të ishin djemtë e tij edhe pse nuk i njihte, jo pak tre veta, ndoshta më shumë se aq dhe një urrejtje ia përshkoj gjithë trupin duke i dhënë forcë të pa përmbajtur.

Ai e shfrytëzoi momentin për të iu drejtuar atyre derisa ishte afër kokave të tyre përdhe pa mundur t’ua shihte fytyrën.
-Po më dhimbeni o burra! Nga ju kemi kështu, pyeti me dhembje ai.
Të tre burrat e përgjakur nuk mund të flisnin, me hundë e buzë mbi dhe, zëri i tyre i lodhur nuk dëgjohej as deri tek shoku aty një hap pranë.
Ashtu siç dinë barbarët të kurdisin kurthet e tyre, pak metra tutje dukej furgoni me dyer të hapura i rrëzuar anash skaj përroit. Kush e di si kishte ndodhur që të gjendet aty mes malit ku mezi kalojnë dhitë! Ishte kjo një kurdisje armike për të vrarë sa më shumë burra e gra, zaten për atë kishin ardhur.
Bali Met shikoi, sikur iu duk se diku e kishte parë furgonin, iu duk sikur kishte parë edhe armët, iu duk sikur furgoni u bë tanke dhe filloi të ngritët nga balta drejtë lumit që gurgullonte i trishtuar luginës në freskimin e livadheve të etura.
-Mos torturoni njerëz të pafajshëm, armët janë të mijat,- tha i vendosur Bali Met.
Një goditje e re dërmuese mbi shpatullat e gjëra ia përshkoi tërë trupin.
Ushtarët e befasuar u panë në sy njëri- tjetrin, njëri nga të cilët nxori rezervën me fishek nga mbrapa dhe shpejt i vendosi në automatikun e tij.
-Po, armët të kujt janë? Pyeti duke sharë komandanti i revoltuar.
Pa u hamend me vendosmëri Bali Met iu përgjigj: Edhe armët janë të miat, automatiku është imi, dy mitralozat janë djemve të mi, e kishte kuptuar kurthin e përgatitur nga pushtuesit për të pasur pretekst të vrasin sa më shumë njerëz dhe këtë barrë e pranonte ta merrte mbi vetë për të shpëtuar të tjerët.
-Dëgjo, dëgjo, çfarë gënjeshtre, u çirr komandanti, duke iu treguar shokëve me dorë drejtë Balit Met.
-Ky qenka i çmendur, e dëgjoni, s’thotë i çmenduri, të gjitha janë të tijat!
– Po, ia ktheu Bali Met, të gjitha janë të miat dhe nuk jam i çmendur. Këto male janë përplot me armë dhe ushtarë sa nuk numërohen dot!
Të tre burrat e lidhur dhe shtrirë mbi tokë, morën frymë të habitur, ata nuk kishin besim se do shpëtonin, tani ndoshta, një fije shprese instinktivisht ua përshkoi trupin e dhunuar mizorisht.
-Edhe furgoni është imi, – tha me zë të fuqishëm, por këtu nuk e kemi sjell ne, as armët, tha me zë të vendosur Bali Met.
-Shihe, shihe, edhe furgoni qenka yti, po mali e përroi edhe ato janë tuajat, të gjitha tuajat majmun,- iu kërcënua komandanti serb me fytyrën e përbaltur i cili sapo kishte ndërruar fishekët.
Një e krisur, pastaj disa rafalë mitralozi jehuan luginës së Përroit të Bubës sa të dukej sikur plumbat përshkuan gjetheve të ahishtave të vjetra. Dy ushtarë zunë pozicione në të dy anët e përroit. Në fytyrat e tyre një hije e verdhë u ringjall bashkë me humbje të fuqisë e të zërit. Frika nga përleshja me forcën e Ushtrisë Çlirimtare ishte mbjellë qysh moti, për namin e saj ishte dëgjuar deri në vend shtrofullën e tyre aty ku bashkohen kalbësirat buzë Danubit e Savës. Emri i Ushtrisë Çlirimtare ishte bërë tmerr për armiqtë serb, ata mbijnë nga dheu, thoshin nga frika, në qytet e fshat e le më në malet e Tokëlartës ku ishte djepi e kështjella e tyre.
Jehona e krismave mbi luginën e Përroit dëgjoheshin të shoqëruara me shpërthime bombash dhe minash. Armiqtë dukeshin të hutuar dhe sikur humbnin toruan duke kërkuar zgjedhje. Njëri prej tyre pas dha urdhër që tre burrat e lidhur të lirohen, hodhi zjarr nga arma e tij drejt furgonit, flaka filloi të kaploj karrige e gjëra tjera të shoqëruara me re tymi të zi i cili zgjerohej mbi malin e zverdhur. Urdhri ishte i prerë; të tre duhet ecur rrugicës së lakuar drejt luginës dhe po e lakuan shtegun vetëm një hap do të vriten.
Bali Met me duar të lidhura, hundë e gojë përgjakur shikonte se a do vriten të tre njerëzit të cilët u liruan, por shpejt ata u zhduken në kthesën e rrëpirët aty ku fillonin lisat e zabelit.
– Përpara! Ec! Iu drejtua ushtari trup shkurtër e mustaqe të zeza
. -Tani do nisemi drejt bijve tuaj, atje ku janë që t’i kapim si minjtë dhe t’i do kënaqësh me ta! Thirr fort, fort, emrat e djemve, ose po thërrasim ne, por atëherë për ty do jetë vonë!
Drejtimi që ata ecnin nuk çonte lart në male, atje ku një re tymi akoma dukej. Dy ushtarët përcjellës, njëri para e tjetri mbrapa, ecnin me frikë duke mbajtur armët në gjendje gatishmërie. Bali Met i dërmuar nga lodhja mezi kapërcente rrënjë e gurë me sandalet e tija të shtëpisë të cilat nuk mundi t’i ndërronte. Shtegu filloi të ngushtohet kaçubave deri pranë zabelit ku fillonin hijet e errëta në pakufi. Ecjen skaj përroit e përcillte shkëlqimi i uji të kthjelltë në të cilin pasqyrohej qielli me re të brishta ciruse.
Dikur këtu Bali Met kishte luajtur me moshatarët e tij sorras dhe sapo lodheshin e kishin etje vraponin tek Kroi i Bubës, futnin kokën nën rrasën e gurtë, mbaheshin me duar në rrasat anash dhe ngopeshin ujë çelibarë që të binte në ballë. “Ah, sa do doja dhe tani të shuaj etjen aty sikur dikur! S’ka gjë, së shpejti do kthehemi dhe do ta ndreqim kroin ashtu siç duhet, do të jemi të lirë të pimë ujë e pushojmë nën hijet e Ahut ashtu siç dëshirojmë, në arat tona të lira, fushat e malet tona të lira”.
-Krismat përtej zabelit u shtuan bashkë me eksplodimet e fuqishme. Dy aeroplan supersonik dridhen tokën nën këmbë, kurse helikopterët armik shoqëronin tanket me gjithë zhurmët e tyre neveritëse shpatijeve. Ushtari që printe dridhej nga frika dhe mezi ecte rrugicës së rrëpirët e të panjohur. Dy tri herë foli me radio staconin e tij që mbante. Alo komandant, jemi në pikë tre, kahja dhjetë, marrje. Së shpejti do jemi… iu ndërpre radio lidhja. Frikshëm rafalët e mitralozit kositën degët e lisave e shoqëruar me shkundje gjethesh të zverdhura vjeshtake.
“Ah, ta puthsha grykëhollën, ja mitralozi i Ilazit, ah, Ilaz, Ilaz Ko… kështu flitet me armikun, armikuuunnn. ! Priteni plumbin shkit e shkinës, sa t’ia fus fyshkt martinës! Ngadalë, hej këtu jam komandant! Kam dy zuzar të zënë si minj, eja të ua krisim bashkë. Mitralozat që mora në veprim janë të sigurte”, belbëzoj lodhshëm Bali Met, gjaku i rridhte buzëve dhe hundës rrëke, sytë filluan t’i zënë mjegulla, këmbët nisën të dridhen dhe të humbin kontrollin bashkë me peshën e trupit.
-Ku janë djemtë plaku matuf? Tani do i zëmë të gjallë me dorën tonë, u shfry polici i cili sapo lëshoi pozitën prapa rrënjëve të ahut dhe goditi Balin Met me skajin e automatit mbi krahun e lidhur mbrapa.
-I dëgjon ku janë, tani jeni afër tyre, mund t’i kapeni po ua mbajti, mezi foli Bali Met me gjysmë zëri. Kam pesë djem, të gjithë në male, ata janë ushtarët e mi, unë jam komandant, e kuptoni, komandat dhe zot në këtë tokë shqiptare!
-Krismat e mitralozit u shoqëruan me krismat tinëzare prapa dy lisave shekullor. Bali Met hapi krahët me sytë e tij nga dielli, i shtrirë në barin e tharë të vjeshtës së skuqur, për pak pushim, për pak ëndërr që ruante që nga lindja. Mes retinës së kristaltë zunë pamje dy shqiponja lartë në qiell në vijëzimin e rrugës drejtë gjithësisë. Atje tani iu duk si në ëndërr e vërteta e krismave të dasmës. Në Fushën e Pëllumbit vraponte fitimtar me kalin e tij, atin e tij pullali drejt flamurit me shkabën e zezë që ruhej për të parin e dasmës. “Ah, kësaj radhe fitova! E ndaj me ju miq, sot kemi dasmë”. Në ato çaste u hap fuqishëm Porta e oborrit dhe krushqit hipur në kuaj të bardhë filluan fluturimin në mes të oborrit mbi kalldrëmin e gurtë, rreth bunarit me kovë varur. “Ja, Ja po vjen nusja, zini vend dasmorë, zini vend motra! Përse ti motër fshihesh prapa portës me shaminë e zezë! Sot kemi dasmë, hidhe atë, merre këtë timen, e sheh është e bardhë posi krah engjëlli. I shihni ju engjëjt, ja ku janë! Ata fluturojnë së bashku me pëllumbat mbi oborr. Ja tani janë mbi Livadhin e Madh aty ku zanat vallëzojnë natën për hënë, aty ku dragonjtë mbrehin shigjetat për ndeshje me kuçedrën tinëzare. Ja tani ikën të etura drejt Kroit të Mollës. Shihni si lajnë sy e gushë, shihni si pinë ujin kristal. Po, po, aty ku etjen shuajnë dragonjtë si dikur Milesh Kopili me shenjtërit e tij. Eh, sa mall lirie ka ky dhe! Sot do vallëzojmë të gjithë, sot kemi dasmë! Po ti nënë, si, ti nënë u ktheve dhe tani hedh valle! Po ty të mbuluam me pajën tendë kur unë isha i vogël. Sa kemi vuajtur pa nënë! Eh, sa i lumtur jam që erdhe në festën tonë, nënë!
Hapeni portën, hapeni! Nusja po vjen, e shihni vellon e saj të bardhë! Ua! Sa fustan i gjatë! Përse ngarkuar me aq dhe të kuq e gurë, si ka mundësi kjo ! Ah, po, harrova, rrugë e gjatë, e mundimshme, rrugë e kuqe. Si? Si? Po! Edhe e njelmët! Mos, mos të lutem! Nuk qahet në dasmë, lotët e njelmojnë rrugën! Sot kemi dasmë. Ikën! Ku mbetën! Ka vend për të gjithë në oborrin tonë. Ku është dhëndri, ku? Eh, Bac! E harrove zakonin, ku e ke dyfekun? Dy, jo më shumë! Sa, për dhëndrin! Sa, për nusen! Lirinë!