DASMA E KORRIKUT

Fehmi Pireva

Tufë Poezish nga autori Fehmi Pireva

Fehmi Pireva është njëri ndër autorët i cili me përkushtim të madh i qaset fjalës artistike, ku përveç poezisë merret edhe me prozë, analiza.

Fehmi Pireva lindi në Lupç të Poshtëm, komuna e Podujevës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen, dy vjetët e para në paralelen e gjimnazit” Sami Frashëri” të Besisë, ndërsa dy vjetët e tjera në gjimnzazin ” Eqrem Çabej” në Prishtinë. Ka mbaruar fakultetin juridik në Universitetin e Prishtinës,”Hasan Prishtina”. Ka qenë veprimtar dhe i përndjekur politik nga regjimi serb, po ashtu ishte i kyçur edhe në luftën e fundit si ushtar i UÇK-së.

Me krijimtari merret qysh herët, nga bankat shkollore, libra e tij të botuara janë:
– Sfidat e Reformës Zgjedhore, analizë,
– Albumi i Hënës, poezi për fëmijë,
– Kjo Mjegull, poezi,
– Piktori i Qiellit, poezi për fëmijë,
– Dashuri e Qelqtë, poezi,
– Prerja e Frikës, roman

VDEKJA E HASAN PRISHTINËS

Vdekja erdhi pabesisht
E paligjshme dhe mizore,
Unë s’ e kam dashur ngurtësinë
Sado i kthyer në përmendore.

Me vete mora kokën e atdheut
Ta shpëtoja në çdo rrezik,
Kisha punë të pambaruara
Kur vdekja erdhi në Selanik.

Me vete mora hartën e grisur
Që shqyhej çdo ditë nga hijena,
Në Stamboll, Sofje dhe Athinë
Trokisja mbi portë tek Vjena.

Më shumë se dhembjet në trup
Nga i pesti plumb tek i pari,
Pesëfish dhembjen e ndjeva
Kur pas shpine godet shqiptari.

Sa herë qu ju më shikoni
Më ngeli në gjuhë për shqiptim,
Fjala të ardhmen tuaj shpëtoni
Arsimim dhe vetëm arsimim!

DASMA E KORRIKUT
(Gruas sime, Suzanës)

Sa herë vijnë dasmat e korrikut,
Kaq shumë kujtime na ngjallin,
S’na shqetësojnë thinjat mbi flokë
As rrudhat që na e mbuluan ballin.

Sa ndryshe ishte dasma e jonë
Liria atëherë ekzistonte në fjalor,
Diku nga larg të solla ca lule,
Por s’patëm ku të bëjmë kurorë.

Sa herë vijnë dasmat e korrikut,
Me melodi, klarinet dhe daulle,
Kujtoj nën vello, sytë e tu të bukur,
Ato pika lotë qe binin mbi lule.

RETË MBI KORFUZ

Me dallgët e detit Jon
Erdhën, vajtën perandori,
Në mozaikun e kohërave
Ndërthuret një histori.

Në një ditë të largët
Ishin a s’ishin këto re,
Më shpejt se sa anijet
Mund të vinte Odise.

Krijesë toke në udhëkryq
Ushtri godisnin me topuz,
Ishin a s’ishin këto re
Që dendur rrinë mbi Korfuz?!

TAKIMI YNË I PARË

Padyshim do ta shkruaj
Kujtesa këtë histori,
Takimi i parë ishte i beftë
I thjeshtë pa ceremoni.

Do të ketë edhe hyrje
Me krah të hapur përqafimi,
Emocione në nivel të lartë
Ngatërrim fjalësh, shenja pikësimi.

Kështu do lindin trillet e para
S’i mbanë dot imagjinata,
Me tjetër diell flisnim ditën
Me tjetër hënë kur binte nata.

Dhe mes nesh një gjë kishte
As s’ishte lumë, as s’ishte mal,
Por, sakaq kthehej si i tillë
Të dy ndjenim, mall, sa mall…!

PRISHTINA NË PIKTURËN E VJETËR

E gjeta një shteg
Pa mëndafsh, pëlhurë,
Zbres te zanafilla
Sokak i vjetër me gurë.

Fëmijëri të largëta…
Buzë një lumi të pa fat,
Ndriçon ditën hëna
As qytet as fshat!

Në sytë e një çuni
Lexon një emër, një fis,
Qiell pa fluturim pëllumbi
Tokën zbardhë një plis.

Tutje rrjedh një çezmë
Etjen shuan qyteti,
Shtëpi pa zot shtëpie
Sundon konti e mbreti.

Fëmijëri të largëta…
Lumi vaj mbi pëlhurë,
Një shteg gjej e dalë
Sokakut pa emër me gurë.

MALL PËR MËNGJESE LUPÇI

Për një mëngjes të hershëm
Sapo hëna iku pas mali,
Si pikon vesa mbi gjethe
Më erdhi të ngritem nga malli.

Kush e di në cilin kilometër
Në ecjen e tij ka hyr lumi,
Si fikun dritat në terasë
Gra të sapo zgjuara nga gjumi.

Dhe fushë e vjetēr e futbollit
Që topi mbi të lozet rrallë,
Ca zëra thonë ” shko në sulm”
Ca “as për mbrotje s’është vallë”?

Gurët e rrugicave sikur flenë
Të lodhur nga shtypja, nën presion,
Ecë leht mbi ta të mos zgjohen
As bus as njeri në stacion.

Dhe këtë heshtje mëngjesore
Nuk dua ta prish asesi,
As kthimin tim para diellit
Ndoshta s’do ta kuptosh ti.

Do të ndiesh erë vese trupi
Sapo u ktheva në dhomë,
E zgjuarjen time do ta kuptosh
Në vargje mëngjesi plot aromë.

MUNGESA JOTE

I zbrazët ka mbetur ky stol
Rri vetëm, si i dehuri pashpresë,
Gjithçka më kthehet si hije
Asgjë nuk plotëson këtë mungesë.

Dhe gjysma pa ty jam unë
Dhe gjysma pa mua je ti,
Nëse këtu retë tani u nxinë
Tek ti mund të bie shi.

Gjysmë është hëna sonte
Një dritë neoni në kthesë,
Sa kohë do mbetesh larg
Tretëm ngadalë në mungesë.

Dhe gjërat me ty kanë shije
Gjithçka që ndjej në këtë botë,
Po vonove tutje do shkrihem
Që gjysma jote të bëhet e plotë.