INTERVISTË ME KRYETARIN E FONDACIONIT “BESA” NË BAVARI Z. ANTON KRASNIQI

Intervistoi: Mustafë Krasniqi

Për lexuesin: kush është z. Anton Krasniqi?

  Anton Krasniqi: Sëpari, më lejoni ta përshëndes lexuesin tuaj dhe juve, që më nderuat me intervistën e fundvitit të vitit 2019! Jam Anton Krasniqi, i lindur në fshatin Nepole, Komuna e Pejës, ku në këtë fshat kam mbaruar shkollën fillore, ndërsa gjimnazin në Pejë.  Pas përfundimit të gjimnazit kam ardhur në Gjermani, në vitin 1987. ku dhe kam vazhduar dhe mbaruar shkollimin, në drejtimin e Ekonomikut. Jam i martuar dhe kam dy fëmijë, që nga mbarimi i shkollës e deri më tani udhëheqë një ndërmarrje gjermane.

– z. Krasniqi, na thuani me pak fjalë në lidhje me shoqatën Fondacioni “Besa” dhe çka ju shtyri ta themeloni këtë Fondacion?

Anton Krasniqi: Fondacioni “Besa”, është shoqata e parë e biznesit shqiptar në perëndim, e cila është themeluar me qëllim të një bashkëpunimi me ndërmarrjet shqiptare në Republikën e Bavarisë. Ky insistim, ka ardhur si i domosdoshëm për komunitetin e biznesit shqiptar, që në këtë kohë nuk ka qenë në rrjetin e përbashkët dhe, duke e parë se ka pasur shumë ndërmarrje shqiptare të cilat punojnë me suksese në drejtimin e tyre, por që ka munguar një bashkëpunim  i përbashkët, në mes të  biznesmenëve shqiptarë. Ta themi të drejtën, në fillim të angazhimit tonë ka qenë një sfidë e madhe, kurse në anën tjetër ishte një interesim tepër i vogël, për një bashkëpunim, çfarë synonim ne. Mirëpo, gjatë kësaj periudhe suksesi i shqiptarëve në bizneset e tyre ishte i madh, por si komunitet ishim jo aq të organizuar në këtë drejtim.

Pra, ne, duke e parë këtë situatë të komunitetit tonë, jo aq i këndshme dhe jo, mirë i organizuar, të mos themi fare! Në vitin 2009 na lindi ideja, të bëjmë diçka në këtë drejtim, në interes të komunitetit tonë për  një bashkësi të përbashkët të biznesit, këtu në Munih. Andaj, më 25 tetor të vitit 2010, morëm iniciativë dhe e formuam shoqatën Fondacioni “Besa”, që dhe është rrjeti i parë në perëndim, ku më vonë të gjitha rrjete tjera të biznesit e kanë marrë si bazë modelin e Fondacionit “Besa”.

Fondacioni “Besa”, në vitin 2012, përmes zëdhënësit të saj Ilir Seferi, i ka ofruar formën e veprimit dhe platformën e vet ish Ministrit të Republikës së Kosovës, z. Ibrahim Makollit, ku dhe është diskutuar për qëllimin dhe detajet e tij. Kjo platformë, është marrë si shembull dhe është shpërndarë nëpër të gjitha Ambasadat shqiptare në Perëndim, nga z. Makolli. Kështu që ne jemi shumë krenarë që kemi arritur platformën tonë, ta vejmë në interes të mërgatës shqiptare, që edhe nëpër vende të ndryshme, ku jetojnë me shumicë shqiptarët, të krijojnë rrjetëzime të tilla biznesesh. Pra, qëllimi i Fonacionit “Besa”, është që të punojë ngushtë me bizneset, të cilat dhe i derdhin mjetet e tyre në këtë fond për të qenë në shërbim të atdheut, kulturës, arsimit shqip, kudo që ka pasur nevojë, në atdhe apo në diasporë, flas në nivel të Bavarisë.

Që nga ajo kohë ka lindur ideja konkrete, që të bashkohemi si biznese dhe të jemi një fuqi ndihmesë për atdheun dhe për kërkesat tona si komunitet shqiptar, që jetojmë dhe veprojmë në këtë land. Ndihmat të jenë të drejtuara në kulturë, arsim dhe sport,  ku diku mbi 70% të shoqatave i ndihmojmë. Po ashtu me ndihmën tonë, të rrjetëzimit të bizneseve, në kuadër të Fondacionit “Besa”, kemi dërguar ndihma në atdhe, ku kemi ndërtuar shtëpi, rinovuar shkolla e ndihmuar spitale me aparatura të duhura,  ku dhe vazhdojmë ta ndihmojmë akoma. Pra, ky ka qenë qëllimi i Fondacionit “Besa”, që në gjirin e tij përfshin shumë biznese dhe ato të suksesshme!

Z. Krasniqi, Fondacioni i juaj humanitare, është shtri edhe në trojet shqiptare, a mund të na thuani se cilat janë ndihmat konkret?

Anton Krasniqi:   Siç  ceka më lartë, kemi ndihmuar në ndërtimin e shtëpive, për ata që kanë pasur nevojë, spitaleve u kemi ofruar aparatura, kemi rinovuar shkolla e  çerdhe të fëmijëve në Kosovë. Po ashtu kemi pasur një memorandum me Qendrën Klinike Universitare të Kosovës – QKUK dhe me ministrin e shëndetësisë, të Kosovës së bashku me Universitetin e Ausburgut, me qëllim që të vijnë në Ausburg mjekë nga Kosova dhe, të specializohen.

    Z. Krasniqi: kur bëhet fjalë për humanizmin, ju tejkaluat edhe përtej tij, u përkushtuat edhe në vlerat e larat kombëtare, konkretisht u vuat në kontakt me ish-Kryetarin e LAPSH-it z. Mustafë Krasniqin, gjegjësisht, mua, për çfarë biseduat dhe çka premtuat?

Anton Krasniqi: Një pyetje pak sa provokuese, pjesa e saj e parë, ngaqë ne ishim dhe mbetëm borxhlinj ndaj atdheut, kështu që sado që bënim me  vullnetin dhe humanizmin tonë, aq na dukej se nuk po mundemi t’i japim atdheut atë që duhet ta japim, edhe pse ishim të përkushtuar, e nuk kursenim asgjë. Vërtet një pjesë e madhe e bashkëkombësve mërgimtarë, që në atë kohë, akoma edhe sot në shpirt na vlon dashuria për atdheun, ndonëse kjo largësi, larg atdheut, na bën të ndihemi më të dhimbshëm e të përmallshëm, po edhe më humanitarë!

Ndërsa, sa i përket pjesës së dytë të pyetjes, tek vlerat kombëtare, si çdo bashkëkombës edhe ne u vumë në këto përpjekje të bënim atë që mundemi, me sinqeritetin më të madh, t’ju them. Tashmë edhe kur e kemi shtetin tonë të dytë shqiptar na bën edhe më përgjegjës, që krahas atdheut t’i kthehemi vetës, ngaqë shpesh e kemi harruar vetën dhe akoma nuk po e kuptojmë se që në pozitë të vështirë jemi, si mërgatë shqiptare. E them nga fakti se kemi mbetur pezull, e sikur kemi lënë anash, me apo padashje gjuhën shqipe tek fëmijët tanë mërgimtarë. Për fat të keq, te pjesa më e madhe e fëmijëve tanë mërgimtarë, gjuha mëmë-shqipja sikur ka filluar të belbëzohejë, të mos shqiptohej ashtu si duhet! Është një fakt që na shqetëson, gjë që ka edhe dro, se mos po harrohet te gjeneratat e ardhshme, për këtë sikur mungon edhe interesi i dy shteteve tona.

Takimi me z. Mustafë Krasniqi, kryetar i LAPSH-it për Bavari, ishte bërë pas një telefonate që bëmë, ku dhe më ka kërkuar të takohemi dhe të bisedojmë për projektin në fjalë. Projekt që për mendimin tim ishte i qëlluar dhe i domosdoshëm e kombëtar. A ka më vlerë se të luftosh për ruajtjen e gjuhës dhe identitetit tënd, konkretisht për kulturën dhe traditën kombëtare!

Nga ky takim, me z. Krasniqi u njoftova edhe me sfidat dhe qëllimet e LAPSH-it, në Bavari dhe përpjekjet e tij që të jenë institucionale, të veprojë në bazë të rregullave dhe korrikulës së dy shteteve tona shqiptare, që dhe janë hartuar për shkollën shqipe të diasporës! Po ashtu pash angazhimin dhe përpjekjet e z. Mustafë Krasniqit me grupin e tij punues, që dëshironte t’i involvonte të gjithë bashkëkombësit, prindërit që i kanë fëmijët për shkollë, shoqatat dhe bizneset, konkretisht me Fondacionin “Besa”, të jetë një bashkëpunim i përbashkët për aspirimin e jetësimit të projektit në fjalë, këtu në  landin e Bavarisë.

Unë, duke e parë gatishmërinë e Krasniqit, që dhe më inkurajonte ideja dhe përkushtimi i tij, iu kam përgjigjur: Ky projekt për ne është një nismë dhe ide e pranueshme dhe me prioritet, pavarësisht se kush është në krye të tij, apo qëndron pas tij. Ne, pas takimit me Krasniqin thirrëm një mbledhje të kryesisë bashkë me anëtarët e Fondacionit “Besa” dhe pas diskutimit dhe trajtimit të kësaj pike erdhëm në përfundim se përpos me mjete financiare duhet ndihmuar edhe përmes afirmimit e formave tjera, që ky projekt të ketë sukses.

Takimet dhe konsultat me z. Krasniqi ishin të frytshme, gjithmonë në frymën e një bashkëpunimi më të gjerë, më qëllim që sa më shumë të ketë fëmijë në shkollën shqipe. Pra, jo vetëm unë po të gjithë anëtarët e këtij fondacioni, kemi shprehur vullnet për ta ndihmuar projektin në fjalë, që ne e shohim si një projekti madhor e të rëndësishëm, për ne shqiptarët në diasporë, konkretisht për bashkëkombësit që jetojnë në landin e Bavarisë, ngaqë përmes këtij projekti e shohim shpresën e fëmijëve tanë për t’u mos u asimiluar.

Si e vlerësuat ju, z. Anton Krasniqi, kërkesën e ish-kryetarit z. Mustafë Krasniqi, kur nga Fondacioni “Besa” kërkoi një anëtar të përhershëm  të jetë në kryesinë e LAPSH-it dhe kë e dërguat, ju që t’ju përfaqësojë dhe cili ishte qëllimi?

Anton Krasniqi: Pas disa takimeve dhe këshillave që kishim me z, Krasniqi, ai na propozoi që në kryesinë e LAPSH-it të jetë një përfaqësues, anëtar i përhershëm , nga Fondacioni “Besa”, me qellim që për së afërmi ta përcillnim punën e LAPSH-it, e cila për mendimin tonë ishte shumë e përkushtuar dhe transparente. Po ne aty vërtet pamë një seriozitet dhe vullnet të z. Krasniqi dhe kryesisë së LAPSH-it! Kjo dhe na inkurajoi më tepër të jemi bashkëpunues. Ne, pas kërkesës dhe insistimit të z. Krasniqi dërguam përfaqësuesin tonë, me qëllim që të jemi sa më afër dhe të njoftohemi me të gjitha sfida e LAPSH-it nga dora e parë, ngaqë vërtet jo vetëm që ishte një sfidë e madhe, por edhe një guxim i madh se si iu kanë qasur këtij projekti madhor, që do profesionalizëm punë dhe veprim, ku e tëra ishte vullnetare.

Ne jemi dëshmitarë, që përpos punës së tyre të palodhshme, kanë pasur dhe pengesa më të ndryshme, por këmbëngulësia e tyre arriti që ta krijojë një bazë të fuqishme të projektit dhe mu për atë, ne jemi të bindur se ndihma jonë në këtë projekt, jo vetëm që është e arsyeshme dhe e domosdoshme, por kemi parë se çdo gjë është transparente.

z. Krasniqi si e vlerësoni punën e LAPSH-it dhe a do të vazhdoni në të ardhmen ta përkrahni?


Anton Krasniqi: Punën e LAPSH-it e vlerësojmë shumë, meqë kemi parë se ka një vullnet dhe punë të madhe e të përkushtuar, sa i përket se a do të vazhdojmë ta ndihmojmë më tutje LAPSH-in, kjo dhe nuk do të  vihet fare në dyshim, ngaqë neve nuk na ka detyruar askush, të jemi sponsorë të LAPSH-it. Këtë e kemi bërë me vullnet dhe për hir të gjuhës shqipe, fëmijëve tanë, që të mos e harrojnë gjuhën e tyre. Pra, ne kërkojmë që të jemi sa më unikë dhe transparentë në këtë drejtim, po që dhe të shtohet numri i nxënësve, që për fat të keq nuk është i kënaqshëm, jo për fajin e LAPSH-it, por që interesi i prindërve është shumë i vogël dhe për këtë kërkoj që të gjithë bashkëkombësit të vetëdijesohemi.

Z. Krasniqi, sa është e organizuar mërgata shqiptare dhe e vetëdijshme për rrezikun, që fëmijët e tyre do ta harrojnë gjuhën, për të mos thënë do të asimilohen?

Anton Krasniqi: Për fat të keq mërgata, në këtë drejtim është shumë pak e gatshme për të dhënë atë që dhe e ka për obligim për fëmijën e tyre, gjuhën shqipe, për të mos thënë është shumë keq. Vërtet është një realitet i dhimbshëm dhe aspak i kënaqshëm me numrin e nxënësve që vijojnë mësimin plotësues, nga njohuritë dhe të dhënat që i posedojmë nga kryesia e LAPSH-it, të cilët bëjnë një punë të madhe, krejt vullnetare. Për këtë dukuri shqetësuese edhe vet kryesia e LAPSH-it e paraqet një situatë alarmante e aspak e këndshme, kur dihet se në Bavari jetojnë diku mbi 100 mijë shqiptarë, e mësimin shqip e vijojnë diku 0,08%! Kjo është shqetësuese, jo vetëm për LAPSH-in, që është e thirrur që ta organizojë mësimin plotësues, por edhe për neve si biznese, e shoqata dhe bashkëkombës duhet të jetë shqetësuese. Këtu edhe gatishmëria e prindërve sikur mungon dhe nuk janë aq të vetëdijshëm se kjo pasojë po i shkakton fëmijëve të tyre, ku rrezikon që përpos gjuhës që po e humbin, po e tretë nga kultura dhe identiteti i të qenurit shqiptar.

Z. Krasniqi si e shihni mundësinë, që edhe bizneset, apo shoqatat tjera të jenë në shërbim të gjuhës shqipe me mësim plotësues?

Anton Krasniqi: Në emrin tim personal dhe të Fondacionit “Besa”, kërkoj nga të gjithë bashkëkombësit, shoqatat dhe bizneset që të jenë pjesë e projektit të LAPSH-it, që dhe është interes i çdo bashkëkombësit, që fëmija i tyre të mos e harrojnë gjuhën shqipe, që ta ndihmojnë. Nuk është e thënë që ta ndihmojnë vetëm me mjete financiare, por ajo që çdo shoqatë e bashkëkombës ka mundësi të jetë pjesë e frytshme e këtij projekti në forma të ndryshme, që nga vetëdijesimi i atyre mërgimtarëve, që i kanë fëmijët për shkollë, e deri te bashkëkombësit tjerë, që nesër do të keni nipa e mbesa për t’i dërguar në shkollën shqipe, që edhe ata të jenë kontribuues në rritjen e numrit të nxënësve. Pra, ky projekt të jetë çështje primare e çdo bashkëkombësi mërgimtar shqiptar, konkretisht i shoqatave, të cilat dhe thirren në interes të bashkëkombësit.

Andaj mbështetja morale dhe investimi i kohës në këtë drejtim, do të ishte shumë i qëlluar, kështu që shfrytëzoj rastin që në emër të Fondacionit “Besa” po edhe në emrin e LAPSH-it t’i ftoj të gjitha shoqatat që funksionojnë në landin e Bavarisë, që ta mbështesin këtë projekt, i cili është në interes të fëmijëve tanë, ruajtjes së gjuhës shqipe. Ky mision që ka marrë përsipër LAPSH-i, është më tepër se patriotik, që do ta quaja një rrugëtim i pandalshëm i rilindësve, për ruajtjen e gjuhës dhe të identitetit, te bashkëkombësit tanë shqiptarë.

-Për fund z. Krasniqi ju falënderoj për këtë intervistë, njëherit dhe ju uroj Krishtlindjet!

Anton Krasniqi: Krasniqi,  Ju falënderoj z. Krasniqi dhe juve dhe i uroj të gjithë komunitetit shqiptar-krishterë, krishtlindjet! Por, gjithë shqiptarëve ua uroj festat e fundvitit, vitin e ri, me një dëshirë të madhe që viti 2020, të na gjejë edhe më të bashkuar, sepse ne si fondacion e kemi një thënie: “Sëbashku, jemi më të fortë!” Kështu, ne si komunitet mund të mbijetojmë dhe ta ruajmë gjuhën, kulturën dhe identitetin tonë shqiptar.

 Z. Kasniqi keni për të shtuar diçka nga ajo që mendoni se ne nuk ju kemi pyetur, por që ju mendoni se duhet ta thoni?-

Anton Krasniqi: Jo! Ju falënderoj shumë për intervistën, mendoj se e kemi thënë atë që duhet thënë, po për fund po e përsëris edhe njëherë: Të bashkuar jemi më të fortë dhe mund të mbijetojmë!