INTERVISTË ME ILIR SEFERI

Mustafë Krasniqi

Intervistoi: Mustafë Krasniqi

“BESA” PËR ATDHEUN

Mustafë Krasniqi: – Kush është Ilir Seferi dhe cila është veprimtaria e juaj?

Ilir Seferi – Me profesion jam Ekonomist në fushën e Hotelerisë dhe Gastronomisë, nënkryetar i rrjetit të parë shqiptar të bizneseve me emrin Besafoundation “Besa”.

Mustafë Krasniqi: – Z. Ilir Seferi, çka mund të na thuani se që kur merreni me  Fondacionin “Besa” dhe cili është misioni i këtij fondacioni?

Ilir Seferi – Me zotëri Anton Krasniqin dhe disa biznesmenë shqiptarë të suksesshëm në Bavari, jam bashkëthemelues i këtij rrjeti të bizneseve, që nga vitit 2010. Misioni i këtij fondacioni është institucionalizimi i sistemuar i shqiptarëve në diasporë. Ne, fillimisht krijuam një kulturë bashkëpunimi në mes të bizneseve tona shqiptare, që ne si biznesmenë kishim këtë qellim: Punët t’i ndanim në mes nesh. Kështu që, nëse dikush nga ne kishte për ta ndërtuar një shtëpi, së pari kontaktonim arkitektët dhe ekspertët e fushave përkatëse, për të ndërtuar një shtëpi. Kuptohej me arkitektë të cilët janë anëtarë të fondacionit “Bsesa”, pra, në këtë formë u rrjëtizua shumë shpejt bashkëpunimi dhe rrjetëzimi i fondacionit.

Vërtet e them edhe me mburrje se, shqiptarët kanë një shpirt ndërmarrësi dhe humanisti, prandaj me këtë vetëdije dhe kulturë krijuam fondin për humanizëm, fond,  i cili shërbeu dhe shërben edhe sot e kësaj dite për t’i mbështetur jo vetëm njerëzit me nevojë, por edhe shoqatat shqiptare këtu në Bavari, të cilat dhe kanë nevojë. Për këto kontribute të humanizmit, shpesh na ngatërrojnë me shoqatat humanitare! Por, në fakt, ne edhe pse veprojmë shumë herë në mënyrë humanitare , ne jemi Garnitura-rrjeti i parë i bizneseve shqiptare.

Mustafë Krasniqi: – përpos që merret  Fondacioni BESA me punë humanitare, me çka tjetër merreni?


Ilir Seferi – Fondacioni Besa është i mirëstrukturuar dhe peshon ne 4 shtylla kryesore: – të Arsimit, Shëndetësisë, Ekonomisë dhe Diplomacisë.  

Të gjitha këto 4 shtylla hartojnë dhe harmonizojnë plane afatgjate dhe afatmesme në dispozicion për vet anëtarët e fondacionit”Besa”, por edhe për udhëheqësit e Republikës së Kosovës. Me lejoni t’i ilustroj disa nga ato.

-Departamenti i shëndetësisë përpos që është kujdesur për shëndetin e bashkëkombësve të atdheut, ka financuar edhe për ata pacientë që duhej shëruar jashtë Kosovës, gjë që dhe ishte një numër i konsiderueshëm. Pra, ne vitin 2012 kemi hartuar dhe negociuar një marrëveshje ndërshtetërore në mes të Ministrisë së Bavarisë, e përfaqësuar nga Klinika Universitare e Augsburgut, Prof Dr. Michael Bayer me ish-Ministrin e Shëndetësisë së Kosovës Ferid Agani. Ky Memorandum bashkëpunimi është nënshkruar me datën 11.11.2013, një dite pasi është themeluar oda e mjekëve të Kosovës.

-Departamenti i Arsimit është i ngarkuar për ta mbështetur mësimin plotësues në Bavari dhe bashkërisht me Departamentin për Ekonomi, ka hartuar projektin e sistemit dual për profesionnëxënje për Republikën e Kosovës, të cilën pastaj me datën 14 Mars 2020 me kërkesë të Friedrich-Ebert Stiftung, është dashur që ta prezantojmë para Qeverisë së Kosovës, odes Ekonomike, shkollave profesionale dhe kompanive atje.

-Departamenti për diplomaci është i ngarkuar, që të mbajë lidhje me politikën, prej asaj lokale deri te ajo ndërkombëtare. Disa anëtarë tanë janë me vite të tera këshilltarë të deputetëve në Parlamentin Evropian. Shumë-herë kemi pasur mbështetje të europarlamentarëve, Kryetar të Komunave apo edhe kemi organizuar takime të liderëve tanë të Kosovës me ata të politikës gjermane dhe evropiane.

Mustafë Krasniqi: – Zoti Seferi, duket sikur shqiptarët, nuk janë duke bashkëvepruar në Bavari dhe se na tregon përvoja se ne shqiptarët, më të fuqishëm jemi si individë ! Nëse mendoni edhe ju, se po ! A keni ide se si mund të janë më të bashkuar shqiptarët në Bavari ? Por, pse jo, edhe në tërë Diasporën ?

Ilir Seferi – Ne si fondacion “Besa”, kemi bashkëpunim të ngushtë me shumë shoqata në Bavari, gjë që edhe insistojmë, që me të gjitha shoqatat, konkretisht edhe me ato shoqata që nuk janë në rrjetin tonë, të vendosim marrëdhënie bashkëpunimi, apo të jemi një në këtë rrjetëzim. Njeriu në përgjithësi ka nevojë për një njohje prestigji në shoqëri! Ketë e thotë edhe formula e Maslow-it, kjo tek shqiptarët është paksa më e theksuar.

Unë besoj se shumica, ketë vetëm se e kanë arritur qoftë si ndërmarrës, mjeshtër te zanateve, apo edhe në prezantimin e kulturës sonë. Ne, tanimë kemi shansin historik, që në ketë drejtim të na mbështet shteti drejtpërsëdrejti, apo përmes ambasadave dhe përfaqësive konsullore. Përkrahja dhe institucionalizim i diasporës, jo vetëm që duhet të jetë i domosdoshëm, por në fakt krijon urëlidhje të fuqishme dhe të besueshme në ndërtimin e një hierarki të qartë për mërgatën shqiptare, duke mos e anashkaluar, siç kanë vepruar deri më tash. Pra, ky është qëllimi kryesore i fondacionit “Besa”, ku dhe do të bënë përpjekje që në të ardhmen të arrihet institucionalizimi, që tani më, mërgata jonë, të mos ndihet si jetime, pa përkujdesjen e shtetit!

 Ne besojmë se të gjithë duhet të bashkohemi rreth bashkive shqiptare, të cilat pastaj do të ngërthenin te gjitha shoqatat ekzistuese. Ne, fondacioni “Besa” punojmë nën sloganin “Partia ime është atdheu (Shqipëria, Kosova dhe viset tjera ku banojnë shqiptarët në trojet e tyre autoktone)”. Andaj, si shumë bashkëkombës mërgimtarë, mendoj edhe unë se ne në mërgatë –diasporë, nuk do te duhej të ketë parti politike, meqë dhe jemi dëshmitarë se sa herë partitë i kanë futur hundë te bashkëkombësit tanë mërgimtarë, kanë bërë përçarje, çrregullim kur dihet se shumica nga ne nuk marrin pjesë në zgjedhje.

Atëherë, shqiptarët do të duhej të bashkohen vetëm në një qëllim, në avancimin dhe dominimin e shoqërisë sonë, në vendet ku jetojmë, ngaqë përmes këtij bashkimi arrin ta përfaqëson denjësisht shtetin. Kur dihet se suksesi i individit është edhe sukses i Shtetit, e me këtë sukses vlerësohet kultura e shtetit dhe krijon raport ndërshtetëror më të fuqishëm. Por, për këtë duhet edhe të jetë i nxitur mërgimtari e, jo vetëm të ndrydhet si limoni dhe në fund ta hedhim, siç po ndodh me ndërrime të qeverive, premtime gjatë elektoratit, e më pas kur fitojnë betejën e marrjes së qeverisë sikur dhe ju ik mendja, shpesh dhe bëhen injorantë ndaj mërgatës shqiptare.

 Mustafë Krasniqi: – z. Ilir Seferi, sikur na ka bashkuar frika dhe lufta kundër Pandemisë Coronavirusit1 A keni planifikuar ju përfaqësuesit e fondacionit “Besa”, me aksionin “Diaspora në ndihmë të atdheut, gjatë COVID 19 », si ju lindi ideja dhe ky sllogan çka përmban brenda tij?

Fotografia e Ilir Hajzer Seferi
Ilir Seferi

Ilir Seferi – Me datën 11.03.2020, isha ne Kosove, sepse 3 dite më pas kisha prezantimin e sistemit dual të arsimit profesionist. Porsa ateruam në Prishtinë mjeket kosovarë te veshur me maska na kontrolluan se mos kishim temperaturë. Qeveria e Kosovës kishte reaguar më shpejt se ajo gjermane! Duke ua përshkruar situatën anëtareve të kryesisë, vendosëm të krijojmë një shtab emergjent, me datën 14.03.2020. Detyrat e shtabit ishin që ta hartojmë strategjinë e shpejt sipas stilit të zjarrfikësit, “aty ku digjet shuaje”. Meqenëse jemi edhe ne ndërmarrës dhe jemi të prekur e bashkëndjejem dhe u solidarizuam me kolegët tanë në Kosovë të cilëve tanimë u kishte mbetur Malli i prodhuar në magazina, i pashitur. Pra, për këtë vendosëm që t’ua transferojmë lekë të gatshme (Euro keshin/ cash), duke mbështetur prodhimin Made in Kosova.

Ne blejtëm prodhime vendore, për ta ndihmuar prodhimtarinë vendore, por lindi pyetja se çfarë të bëjmë tani me ato prodhime? Për këtë na shkoi ideja të kontaktojmë me kryetarin e Skenderajt, z. Bekim Jashari dhe, fillimisht kërkuam se si mund t’i mbështesim njerëzit, të cilët kanë nevojë sociale.  

Kryetari Jashari, duke parë vullnetin dhe gatishmërinë tonë, ai së pari na tregoi se e kishte organizuar në mënyrë perfekt, duke marrë masa preventive shtabin emergjencës atje. Pra, ne posa u njohëm me gjendjen dhe organizimin, krijuam një pako esenciale dhe i dërguam 100 sosh dhe 10. 000 Kg. Miell.

Për herë të parë jemi ndarë të kënaqur me një institucion vendore, pra, me Kryetarin Jashari. Nga aty kam kontaktuar me klubin e prodhuesve Vendorë të Kosovës “Made in Kosova” dhe kemi hartuar një memorandum – Kontratë bashkëpunimi për lënsimin e kampanjës “BESA PËR KOSOVËN”. Të nesërmen, na është bashkangjitur edhe shoqata  “Germin” dhe kemi bëre një triokontartë për ketë aksion.

 Mustafë Krasniqi: – Cila është ideja, që për ta shtrirë aktivitetin e juaj rreth slloganit «  Diaspora në ndihmë të atdheut, gjatë Covidit 19“ edhe me shoqatat e bizneset tjera në Gjermani dhe përtej saj, të mbarë mërgatës shqiptare në botë?

Ilir Seferi – Qëllimi parësor është që në radhë të parë të mbahet në jetë prodhimi i produkteve kosovare, të cilat pastaj do t’i mbajnë punëtorët në puna, si rrjedhojë e kësaj do të paguhen taksa dhe papunësia nuk do te rritet. Tani e kemi shansin historik që të paktën ne, bizneset, edhe pse jemi edhe vetë duke u përballur me pandeminë dhe krizën ekonomike, të japim shembull se bashkërisht mundemi t’i mbështesim produktet “Made in Kosova”. Tani kur po ju përgjigjem juve, guxoj t’ju them se sot dy herë kam Biseduar me Kryetarin e Unionit te Bizneseve z. Nazmi Viqa, i cili në parim e ka përkrahur idenë që të na bashkangjitet. Gjatë bisedës ai më premtoi që në ditët e ardhshme do të funksionojmë si një trup i vetëm.

Ky bashkëpunim do të jetë shembull dhe një precedent i mirë që të praktikohet edhe nga spektri politik kosovar se si duhet të funksionojë një bashkëpunim pa kushte dhe tejet vëllazërore pa pasur nevoje të diskutojmë se a është veza apo pula më e vjetër.

Mustafë Krasniqi: – z. Seferi , pas kalimit të pandemisë globale, COVID 19, a keni ide tjetër se si ta ndihmoni atdheun, kur dihet se tek atëherë do të ndihet kriza ekonomike?

Fotografia e Janine Mehmeti
Logoja, ndihmoje atdheun

Ilir Seferi – Departamenti e ekonomisë bashkarisht me ekspertët brenda fondacionit është duke e hartuar strategjinë “POST CORONA”, në dispozicion. Thirrja nga Kryeministri aktual drejtuar diasporës, besojmë se është e ngutshme dhe e pamenduar, mire. Ekspertët tanë sugjerojnë që qeveria  të veprojë në dy drejtime;

– Të mos kërkojë lëmosh, por ta shfrytëzojë situatën për huamarrje nga diaspora, duke siguruar, pastaj investime.

-Të shërbehet nga ekspertët tanë që menjëherë pas pandemisë, vendi të riorientohet dhe rindërtojë kapacitete prodhuese, turistike dhe të shërbimeve me shtetet mike, që duan t’i mbajnë gjallë ato, prodhimet e tyre, pra win-win. Tingëllon pak komplekse por është lehtë e realizueshme për shtetin, mirëpo që duhet të konsultohen me ekspertët nga diaspora. Ekonomia i ka disa rregulla te veta, shpeshherë në kriza lindin mundësi, që kësaj radhe Kosova ka pasur mundësi tani të përfitojë prej lidhjes së investitorëve, bashkimin e tregut gjithëshqiptar e, deri te valuta shtetërore dhe makroekonomia. Kam frikë se duke luftuar në mes veti, partitë politike, nuk u ka rënë ndërmend një gjë e tillë dhe kam dro se si po veprojnë, do ta fusin në një kollaps ekonominë e Kosovës.

 Mustafë Krasniqi: – z. Seferi, për lexuesin: çka kuptojmë me moratorium relativ, që jeni duke lansuar këtë ide, si një mundësi bashkëpunimi, për ta tejkaluar së bashku krizën ekonomike në atdhe.

Ilir Seferi – Departamenti i diplomacisë, i Fondacionit “Besa” ka bërë një thirrje te të gjithë Spektri politik Kosovar, që sa të zgjatë pandemia t’i ngrijë aktivitet politike kundër njëri-tjetrit dhe të funksionojë si një trupë. 

Ne kemi bërë Apel për një moratorium Politik, sepse në Luftë kundër një armiku të përbashkët, duhet lënë anash urrejtjet, eventualisht apetitet për karrige. Pastaj do të ketë kohë për rivalitet, por jo në kohën e pandemie. Këtë Kërkesë e kemi bërë, sepse ne nuk e shohim të udhës, që ne të krijojmë një qetësi sociale, kurse ata tërë kohen e bëjnë të kundërtën! Në qoftë se ata vazhdojnë të krijojnë jostabilitet edhe ne do të tërhiqemi në mënyrë që ata pastaj të përballen me recesionin që do ta kaplojë Kosovën. RKS, nuk është anëtare e Bankës Qendrore të Evropës dhe nuk do të jetë i lehtë shpëtimi nga një bankrotim shtetërorë. 

Mustafë Krasniqi: – Sa do të keni shpresa që zërit të fondacionit „Besa“ do t’u bashkohen edhe tjerat shoqata shqiptare, për ta ndihmuar atdheun ? Sa do t’i përgjigjet mërgata shqiptare, ngaqë siç dihet politika e atdheut   e ka injoruar apo lënë anash mërgatën shqiptare, kur dihet se mërgata shqiptare që nga rilindësit e këtej ka qenë shtylla kryesore e shtetformimit dhe shtetndërtimit të Shqipërisë dhe në luftën e fundit Republikën e Kosovës?

Ilir Seferi – Unë jam tejet optimist, sidomos pas një bisede telefonike me Kolegun Viqa, sepse ne mund të fillojmë t’i bashkojmë forcat ne shërbim te atdheut. Shtetet Baltike pas ndarjes nga Bashkimi Sovjetik është menaxhuar nga diaspora, atje dhe shumë shpejt janë rimëkëmbur dhe tani janë anëtar e BE-së. Gjithashtu Kroacia, i ka lënë hapësirë diasporës dhe  ka avancuar shumë shpejt drejt BE-së. Izraeli, komplet këshillohet nga diaspora izraelite.

A nuk janë këta shembujt të mjaftueshëm, që diaspora ta ketë vendin në udhëheqje të shtetit?
Problemi është se në mes të diasporës qe është e mirintegruar dhe spektrit politik kosovar, është krijuar një pabesueshmëri ekstreme. Ky hendek duhet me shumë punë dhe sakrificë të ngushtohet. Diaspora nuk do të arrijë të krijojë parti politike të mirëfilltë në Kosovë, sepse të gjithë janë të mirintegruar pronë partive të ndryshme ku shumë ekspertë do të mund të jepnin kontributin e tyre.

Te gjitha partitë politike e kane të njëjtën përgjigje, kur i pyet se pse nuk ka vende të lira për diasporë në Kuvend të Republikës së Kosovës, siç e ka Kroacia. Nga ta marrim këtë përgjigjeje: nuk na lejon ligji, thonë të gjithë, pavarësisht se cila parti të vijë në pushtet.

Kush i pengon që këto parti në kryesinë e tyre të kenë vende të lira për diasporë?
Unë mendoj se nëse duan një shtet funksional dhe demokratik, me një ekonomi standarde, e cila do të siguronte një stabilitet ekonomik, mbase edhe të renditet në vendet me ekonomi më të mirë, duhej t’i kthehen mërgatës shqiptare dhe për këtë mendoj se është momenti i fundit që partitë politike të ndërrojnë qasje në ketë drejtim! 

 Shansi është i mire por përgjegjësia për dështim u mbetet partive politike kosovare.

 Mustafë Krasniqi: – z. ilir Seferi, para se ta përfundojmë intervistën, a mund të na thoni se ku është zëri i juaj, në lidhje me mësimin plotësues në gjuhën shqipe në Bavari, pa hy në pjesën që fondacioni „Besa“ që është sponsor i vetmi shqiptar që e ndihmoni LAPSH-in në Bavari.

Ilir Seferi – Departamenti për arsim është duke kryer punën, mirë në LAPSH. Për ne është jetike që fëmijët tanë të kenë edukim kombëtar shqiptar. Gjithmonë ka vend për përmirësime. Përgjatë pandemisë, departamenti ynë duke pare se në Kosovë është duke funksionuar mësimi Online, pas pandemisë ndoshta do të ulemi bashkërisht me LAPSH-in dhe të mendojmë se ndoshta mësimi Online do të kishte efikasitet më të madh në arritshmërinë e nxënësve. Këtu më duhet t’u bëjë thirrje prindërve që sa më shumë të angazhohen që fëmijët e tyre ta mësojnë gjuhën e shkruar shqipe. Nga një studim që kam hasur, thuhet se fëmijët që mësojnë dy gjuhë dalin më të aftë në profesionet, që ata pastaj mësojnë!

 Me lejoni t’i falënderojë të gjithë mësimdhënësit, konkretisht dhe juve, z Mustafë Krasniqi, ngaqë jeni pionier i arsimit shqip në landin e Bavarisë së bashku me kolegët tuaj, të cilët me sfida të mëdha dhe një  punë vullnetare keni arritur ta krijoni një sistem të mbajtjes së mësimit plotësues. Falë vullnetit dhe këmbëngulësisë së juaj dhe kolegëve tuaj keni arritur dritën e atdheut ta sjellni te fëmijët tanë mërgimtarë, gjuhën e bukur e të ëmbël, gjuhën shqipe!

Ne ju kemi përcjellur, që nga takimi i parë me ju z. Krasniqi kur  më kërkuat në tel. që së bashku të ecim në këtë dritë, që atëher përmes kryetarit tonë, Anton Krasniqit që dhe ju filluat të bashkëpunonit dhe pamë përpos vullnetit, dëshirës dhe këmbëngulësinë e vendosur për shkollën shqipe, kjo dhe na shtyu fuqishëm t’ju mbështesim simbolikisht në këtë drejtim, aty ku kërkohei mundësia jonë. Pa modesti e them, jemi shumë krenar me LAPSH-in në Bavari, ku ka bërë një organizim të mësimit plotësues më të mirë thua në gjithë Gjermaninë, kur dihet se e tëra ka qenë dhe është vullnetare. Pra, falë angazhimit të prindërve në kuadër të LAPSH-it në bashkëpunim me mësimdhënëset, me përkushtimin e juaj na keni nxitur dhe obliguar t’u mbështesim edhe më tepër, që dhe do të jemi deri në fund me ju.

Mustafë Krasniqi: – z. Ilir Seferi,  në fund, keni për të thënë edhe diçka, ju lutem?

Ilir Seferi – Shqiptarët, meqë mburrem pse jam shqiptar, po që një veti e kemi në gjak, e cila dhe nuk është e këndshme aq, ngaqë mendojmë se menjëherë pasi ta mbjellim duhet ta korrim dhe të kemi rezultat të dukshme. Jemi të padurueshëm dhe për këtë mendojmë se nuk mundemi të arrisim deri te rezultati i përgjithshëm. Ngaqë si individ, në botë jemi më të fuqishëm, këtë e them me plotë besim, po më lejoni ta shpjegoj duke u mbështetur në studimin e Harwardit, ku thotë:

“Rezultati është si rrjedhojë e Veprimit, veprimi është si rrjedhoje e emocioneve, kurse emocionet janë si rezultat i mendimeve”.

E unë e them me plot bindje se pashmangshmërisht rezultatit të mirë vjen vetëm atëherë kur njeriu fillon me një mendim të mirë, shpirt të çiltër dhe dashuri ndaj punës, qoftë krijuese, ekonomike, politike dhe shkencore etj. Pra, gjithmonë së pari duhet të mbjellësh pastaj ta korrësh! Gjermanët thonë: “ligji, Shkaku dhe Efekti”.

Për fund e përshëndes lexuesin tuaj dhe uroj që kjo pandemi globale të kalojë sa më shpejt dhe me sa më pak dëme njerëzore dhe ekonomike! Por, njëkohësisht e përshëndes atdheun tim, politikën ditore që të mos na i humbë shpresat, të mos e varfëro popullin për shkak të manive personale e grupore, që po shfaqen si hije e tmerrshme mbi atdheun tonë!