Isuf Ismaili: Disa përpiqen ta pështyjnë diellin, por pështyma ju bie në fytyrën e tyre

Gjuha letrare shqipe dhe flamuri kombëtar shqiptar na kanë njëjtësuar, na njëjtësojnë dhe do të na njëjtësojnë pikërisht si popull e si komb, si një Shqipëri e tërë e natyrshme, kudo ku shqiptarët kanë gjallëruar e gjallërojnë brez pas brezi, në viset shqiptare të trashëguara nga stërgjyshërit ilirë e arbëreshë.
Dashuria për mëmëdheun, për Shqipërinë tonë të dashur, për flamurin kombëtar i ka mbajtur gjallë e të fortë, të pastër e të shëndetshëm atdhetarisht e njerëzisht shqiptarët patriotë e liridashës, të ndershëm e fisnikë, të sakrificës e flijimit, së pari duke pasur qëllimin e pastër për ta bërë Shqipërinë e natyrshme me krahë e degë të bashkuar cep më cep e pastaj për ta përparuar e zhvilluar, për ta bërë njësoj si dhe shtetet e tjera të zhvilluara evropiane.
Bijtë dhe bijat më të mirë të kombit shqiptar janë përpjekur në forma e mënyra të ndryshme, kanë vepruar ditën dhe natën, kanë luftuar e derdhur gjakun deri edhe në kohën tonë, dëshmitarë të së cilës, pra jemi edhe ne, pikërisht për gjuhë e flamur për liri e drejtësi dhe Shqipërinë e bashkuar. Ky ishte edhe pikësynimi i famëmadhes UÇK. 
Por mjerisht janë dëgjuar e po dëgjohen herë pas here zëra të çjerrë, si një kor korbash kundër gjuhës letrare, për ndryshimin e flamurit, për krijimin e kombit “kosovar”, kundër ribashkimit të drejtë e të natyrshëm të popullit dhe Atdheut tonë.
”Ai që përpiqet ta pështyjë diellin, përpiqet kot, sepse pështyma duke mos arritur diellin i bie në fytyrën e tij”, – thotë: Sami Frashëri. 
Gjuha letrare shqipe nuk mund bëhet sallat variantesh krahinore, sipas dialekteve, a lokalizimeve për t`u copëzuar kështu, sipas qejfeve, dëshirave, prirjeve a kokëfortësive të njerëzve të ndryshëm qofshin këta në Tiranë, në Prishtinë, në Shkodër apo në qytetet të tjera shqiptare.
Gjithashtu, në asnjë mënyrë ajo nuk mund të copëzohet në variante letrare, sipas tendencave politike, kundër njësimit gjuhësor të gjuhës sonë letrare, që i shfaqin njerëz me prirje politike, pa pikëpamje aspak shkencore e kombëtare, të cilët nuk i ha meraku për gjuhën shqipe dhe kulturën shqiptare, po për paratë që i marrin nga padronët e tyre qofshin këta serbë, grekë a të tjerë e që përmblidhen në qarkun e antishqiptar. 

Është mjerim i madh politik e kombëtar, të merret njeriu me tendenca politike antikombëtare kundër gjuhës së njësuar letrare shqipe, kur dihet fakti se rëndom njësimi i gjuhës është edhe shprehje shpirtërore e njësimit dhe bashkimit kombëtar.
Në qoftë se ka synime të të gjithë shqiptarëve atdhedashës, të jetësuara gjer më tani, mund të themi se dritën e jetësimit e kanë parë vetëm alfabeti dhe gjuha letrare shqipe apo standarde. Të tjera synime në rrafshin e tërësisë atdhetare të popullit shqiptar  presin për t`u jetësuar. Por, nuk mund të ecim përpara, në qoftë se kthehemi prapa duke i shkatërruar të arriturat kombëtare. Në qoftë se veprojmë me prapakthim shkatërrues, kësaj i thonë: të luftosh kundër vetvetes.
”Shqetësimi” i disa gjuhëtarëve a gazetarëve, se gjuha letrare shqipe e ka shpërfillur fare dialektin e gegërishtes nuk mund të qëndrojë fare, sepse që të dy dialektet e gjuhës shqipe janë pjesë e të njëjtit brumë, ju ngjajnë dy vëllezërve, të cilët kanë të njëjtën nënë, kanë të njëjtin gjak dhe gati të gjitha tiparet e përbashkëta, por natyrshëm kanë edhe disa veçanti. Në qoftë se vëllai nga Toskëria i paraqiti ato veçanti më të qëndrueshme, më të pranueshme se të atij nga Gegëria nuk u bë kiameti, sepse jemi brenda të të njëjtit oborr.
Është një e vërtetë e pamohueshme se dialekti i toskërishtes u paraqit më i konsoliduar nga ana fonetike, morfologjike e sintaksore se ai i gegërishtes, prandaj prej këndej u nis burimi bazë për njësimin e shqipes letrare. Është antishkencore, pohimi i ca gazetarëve a intelektualëve, por edhe i ca ”gjuhëtarëve”, se gjoja njësimi i shqipes letrare u bë mbi baza politike, meqë Enver Hoxha ishte nga Gjirokastra dhe se ai e ka folur toskërishten, prandaj gjoja politika dhe Enver Hoxha paskan bërë trysni të madhe mbi gjuhëtarët, që ata të marrin si bazë të vendosjes dialektin e toskërishtes kur u bë njësimi i gjuhës letrare.
Pohime të tilla janë sa tragjike aq edhe komike. Është shumë e vërtetë, se formimi i gjuhës letrare është dhe akt politik, por gjithnjë në kuptimin e mirë të fjalës dhe aspak me diktat. 

Është mirë të sjellim në vëmendjen e lexuesit disa nga dhënat shkencore të marra nga libri : “Dialektologjia shqiptare”, e botuar në Tiranë, më 1988, autor i së cilës është profesori i nderuar, Jorgji Gjinari dhe nga ribotimi i këtij libri po në Tiranë, në vitin 2000, autorë të së cilës janë dialektologët e shquar: Jorgji Gjinari e Gjovalin Shkurtaj, ku ndër të tjera thuhet : “Shumë të afërta midis tyre janë edhe dy dialektet e gjuhës shqipe. Ndryshimet dialektore humbasin dhe zhduken në shumësinë e elementeve të përbashkëta në sistemin e gjuhës”. 
Është shumë e kuptueshme, që njësimi i gjuhës letrare shqipe është edhe shprehje qartë shpirtërore e bashkimit të popullit shqiptar dhe Shqipërisë së natyrshme me të gjitha degët e pjesët e saj. Pastaj natyrshëm politikanët, administratorët, gazetarët etj., kanë nevojë për një gjuhë të njësuar, për një gjuhë sa më të kuptueshme, të bukur e të rrjedhshme. Gjithashtu të shprehurit e përmbajtjeve politike sa më natyrshëm e kuptueshëm në të gjitha hapësirat shqiptare bëhet nëpërmjet gjuhës së njësuar letrare. Por çfarë i pengon një shqiptari verior për ta folur dhe shkruar gjuhën njësuar letrare shqipe?!
Do të thosha pa hamendje se shkolla, politika dhe mediat kudo në viset shqiptare do të duhej të ishin shumë të përgjegjshme, gazetarët duhet ta shkruajnë  e ta flasin pa gabime gjuhën letrare, kështu do të duhej të ishin shembujt më të mirë, se si flitet dhe shkruhet gjuha letrare shqipe dhe natyrisht duhet ta nxisin përvetësimin e saj. Njëkohësisht, duhet ta zhdukim përtacinë dhe fudullëkun krahinor e lokalist, që nuk do mend, është arkaik dhe fare e panevojshëm. Nuk është e thënë, në asnjë mënyrë që shqiptarët nga Prishtina apo ai nga Shkodra të flasin njëlloj, me theksime të veçanta fonemash siç flasin, fjala vjen, vlonjatët. Por, është e domosdoshmëri, aq sa ka mundësi ta flasim gjuhën letrare sipas rregullave të njësuara gjuhësore, por edhe është frytdhënëse dëshira e mirë për t`ju përmbajtur me përpikëri rregullave të drejtshkrimit, kur shkruajmë. Janë bërë, bëhen e do të bëhen edhe në të ardhmen gabime edhe në të folur edhe në të shkruar, por kur janë dëshira e mirë dhe vullneti për ta përvetësuar gjuhën letrare shqipe, për të mos thënë s`bëhen fare gabime duhet thënë, se ato do të jenë shumë të pakta.

Është i paqëndrueshëm pohimi se nuk mund të përvetësohet gjuha letrare nga të rinjtë shqiptarë të viseve veriore shqiptare, siç është fjala vjen Kosova, kur dihet fakti, se një pjesë e madhe e këtyre të rinjve përpiqen, e disa edhe arrijnë, ta mësojnë mirë gjuhën angleze, madje në rregull edhe nga ana fonetike dhe s`arritkan ta përvetësojnë gjuhën letrare shqipe veç të tjerash pa probleme edhe kur shqiptohen fonemat e natyrshme të gjuhës standarde shqipe! 
Pohime antishkencore dhe antikombëtare për gjuhën, dëgjohen nga Migjen Kelmendi, nga disa gazetarë të cekët, nga disa të vetëquajtur gjuhëtarë e shkencëtarë qofshin tiranas, prishtinas a shkodranë që aspak nuk janë kompetentë të flasin a të shkruajnë për të vënë në dyshim njësimin gjuhësor e letrar të shqipes, madje kështu bëhen edhe shumë të neveritshëm e aq më i neveritshëm bëhet “gazetari” i llastuar Migjen Kelmendi, kur edhe mundohet të japë këshilla, se u dashka që gegërishtja të mësohet në shkolla, me qëllim që të zëvendësohet me shqipen e njësuar!
Përsëri do të sjellim në vëmendjen e lexuesit argumentet shkencore nga dialektologët e nderuar profesorët Jaorgji Gjinari e Gjovalin Shkurtaj, po nga i njëjti tekst, ku ndër të tjera thuhet: “Dialekti pasqyron para së gjithash leksikun e përditshëm dhe u përgjigjet funksioneve më të thjeshta të bisedës së përditshme, kryesisht familjare, në punët e fshatit a të zejeve etj., kurse në gjuhën letrare kombëtare zhvillohen edhe shumë shtresa të reja të leksikut politiko-shoqëror, letrar e artistik, shkencor etj., të cilat rrezatojnë kryesisht jetën moderne e qytetarizmin (urbanizmin) që parakupton edhe një larmi të madhe të funksioneve të komunikimit: gjuha e mjeteve të komunikimit masiv, gjuha e shtetit dhe zyrave, gjuha e botimeve shkencore etj.”

Njerëzit që përpiqen të shkruajnë a të shprehen vetëm me anën e dialektit të tyre, do të kenë pengesa të mëdha e kufizime komunikuese, pa e plotësuar tërësisht atë që është e domosdoshme për t`u thënë apo për t`u shkruar, meqë dialekti përbën e një bote të vjetër kulturore, të kufizuar në kuadrin e një rrethi a krahine. Kush synon të ketë njohje gjithëkombëtare dhe t`i drejtohet të gjithë bashkatdhetarëve padyshim do të zgjedhë si mjet komunikimi gjuhën letrare, që i përket të gjithë kombit. Çmenduri të shumta, qoftë nga Migjen Kelmendi, qoftë nga njëfarë “Zylo shkencëtari” i ashtuquajtur Nexhmedin Spahiu për “kombin kosovar” e ndryshimin e flamurit, qoftë edhe nga të tjerë si këta, dëgjohen herë pas here e që padyshim kanë në themel idetë antishqiptare të cytura nga qarku armiqësor serb, nga qarqe të tjera armiqësore dhe nga rryma interesash ekonomike, politike, demagogjike e tradhtare në viset e tona shqiptare. Ky „shkencëtar“ Spahiu duke i vërtitur fjalët nëpër mjegullën e dendur antishqiptare që është krijuar kudo në viset shqiptare, pa ngurrim e shfaq miopinë e tij, madje duke iu bërë pyetje edhe akademikëve të nderuar e atdhetarë si Rexhep Qoses e atdhetarëve të tjerë, se ç` është kombi e ç` është etnia? 
Të mos harrojë ky farë “Zylua i zellshëm”, Nexhmedin Spahiu, të shfletojë literaturën kombëtare dhe shkencore shqiptare, nga cila do të mësojë shumë e të mos bëhet: “gazi i botës” siç thotë populli. Këtij dhe bashkëmendimtarëve e bashkëpunëtorëve të tyre jua dhamë dhe do t`jua japim disa argumente shkencore. Ja një prej tyre po e marrim nga dialektologjia shqiptare:
”Për të dalluar kufirin midis dialekteve të një gjuhe dhe gjuhëve të ndryshme, qofshin ato edhe shumë të afërta duhet pasur parasysh si kriter fakti nëse bartësit e tyre ruajnë apo nuk e ruajnë në ndërgjegjen e vet ndjenjën se i përkasin një kombi e një populli. Në qoftë se bartësit e tyre kanë ndjenjën se i përkasin një kombi, atëherë s`kemi gjuhë të veçantë, por dialekte, në rast të kundërt, kemi të bëjmë me gjuhë të veçantë kombëtare. Për rastin e parë mund të sjellim si shembull dialektet e gjuhës shqipe që shtrihen sot brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, sepse me përjashtim të diasporës, shqiptarët kudo erdhën së bashku në formimin e kombit, kurse për rastin e dytë mund të sjellim si shembull rusishten, ukrainishten dhe bjellorusishten, që u përkasin kombeve të ndryshme”. Siç shihet edhe më sipër argumentet bashkëveprojnë në lidhshmëri me idenë, se shqiptarët e Kosovës nuk mund të kenë asnjë lloj tjetër identiteti e kombi veç atij shqiptar, pra ata ruajnë në ndërgjegjen e tyre se i përkasin të njëjtit komb si edhe shqiptarët e viseve të tjera shqiptare.
Pra, në qoftë se Nexhmedin Spahiu, Migjen Kelmendi e disa të tjerë si këta arrijnë t`ia mbushin mendjen shqiptarëve të Kosovës, se nuk janë shqiptarë, atëherë le të ndërrojnë gjuhë e flamur, himn e komb, por mos të harrojnë se në shpirtin, mendjen e zemrën e të gjithë atdhetarëve, e këta nuk janë pak, kudo në trojet shqiptare, Kosova është Shqipëri, së bashku me të gjitha viset të tjera shqiptare.
Meqë, për Shqipërinë e natyrshme etnike kanë punuar e kanë vepruar shqiptarët dhe se është mbrojtur me zjarr e dashuri të madhe ideja e jetësimit të saj në kohë shumë më të vështira se sot, do të mbrohet dhe punohet e veprohet edhe sot e edhe në të ardhmen, sepse gjaku i bijve dhe bijave më të mira të kombit shqiptar deri edhe në ditët tona, siç qe edhe heroizmi i Komandantit Legjendar Adem Jashari, i Komandant Kumanovës, Ismet Jashari, i Indrit Carës e i gjithë heronjve e dëshmorëve të kombit tonë, si dhe i veprimtarive patriotike siç është vepra e Naim e Sami Frashërit e Rexhep Qoses dhe e të tjerëve i kanë vënë themelet e forta të kësaj Shqipërie në ndërgjegjen tonë, në ndërgjegjen e brezave që vijnë, prandaj ribashkimi do të jetësohet, sepse fundja kjo është edhe rruga e vetme e mbijetesës shqiptare. 
Ja sa me sa kuptim të plotë  bëhet kjo që u tha më sipër e shoqëruar edhe me vargjet e një kënge polifonike, nëpërmes së cilës këngëtari popullor thërret me zë të fuqishëm për bashkim kombëtar:
Sot që tundet rruzullimi, 
është dita vetëm sot, 
feja jonë është bashkimi,
ndryshe mbaruam si komb.