Mishërimi i së vërtetës historike dhe përkushtimi artistik në romanin, “Guri i Betimit”

Isuf Ismaili

Shkruan: Isuf Ismaili

Në historinë e letërsisë mbeten gjithmonë ata shkrimtarë, që kanë shkruar me një përkushtim të madh letrar, gjuhësor, shoqëror e të njerëzishëm, duke i përmbledhur ngjarjet e së kaluarës, të së tashmes e duke hedhur ide për një botë më të mirë, më të përparuar, për të fituar e vërteta si dhe të drejtat e popujve për mëvetësi e vetëvendosje, për ngadhënjimin e botës ku merr fund shfrytëzimi i njeriut mbi njeriun, për të harmanizuar sa më mirë e sa më shumë jetën njerëzore  etj. Në këtë kurorë të madhe të krijimtarisë letrare, radhitet vepra e profesor, Ahmet Qeriqit. Romanet e tij, krijimet të tij janë pjesë e rëndësishme e kulturës shqiptare, sepse janë krijime që janë mbështetur plotësisht në përvojën e rëndësishme atdhetare, janë krijime që paraqesin  vuajtjet e kalitjet shoqërore e kombëtare, janë të përshkrime dhe përkushtime  të të bëmave  e të heroizmave që kanë shoqëruar të kaluarën – jetën tonë njerëzore si popull e si komb.

Në këtë kohë të mbarsur me shumë probleme e kriza të shumta që po na mbërthejnë,  krijimtaria e mirëfilltë letrare është edhe një bazë e fuqishme letrare e shoqërore për të luftuar anën e shëmtuar të kësaj bote njerëzore, duke e kuptuar sa më mirë, heroizmin e sakrificat, virtytet e larta e njerëzore e kombëtare në shekuj edhe të popullit tonë. Profesor, Ahmet Qeriqi ka arritur  t’i trajtojë ngjarjet e rëndësishme të së kaluarës sonë, duke shquar ato me një përkushtim të përkryer, duke u përshkruar  pas hulumtimeve të shumta të periudhave historike, dokumenteve të mbledhura, krijimtarisë gojore, folkloristike e të përgjithshme shqiptare , por edhe krijimtarisë dhe zhvillimeve e përshkrimeve të huaja.  Ai ka një përvojë të gjatë të punës e veprimtarisë, qoftë shkencore, pedagogjike, psikologjike e shoqërore, gjuhësore, letrare etj.   Ai ka njohje  të thella e jetës shqiptare, prandaj kuvendimet e trajtimet e shëndosha atdhetare e shoqërore që ai i ka bërë e i bën me njerëzit në viset shqiptare e kudo ku ka shkuar, si dhe përkushtimi i tij për  t’i dhënë sa më të plota e sa më besnike ngjarjet, të trajtuara në krijimtarinë letrare e historike janë vlera tepër të çmuara, janë pasuri e madhe e krijimtarisë shqiptare.

Në këtë pasuri të madhe të krijimtarisë së tij letrare e krijimtarisë së përgjithshme shqiptare shkëlqen padyshim edhe romani i tij “Guri i betimit”, i cili përbën një nga veprat më të shquara të  letërsisë e të kulturës sonë më të re si krijimtari, por edhe si një përmendore e gdhendur me mjeshtëri të përsosur artistike, letrare e historike për një periudhë e cila fare pak ose aspak nuk është trajtuar në letërsinë artistike më parë.

Ka periudha të rëndësishme historike e shoqërore për të cilat ne nuk kemi njohuri të shumta dhe nuk i kemi plotësuar dijet tona për të bëmat e njëmendta që kanë ndodhur trojet arbërore, të arbëreshëve trima e të mençur, siç janë ngjarjet e periudhat e së kaluarës para heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.

Tematika dhe përshkrimi i ngjarjeve si dhe lënda e pasur letrare, historike e shoqërore që është paraqitur i takon pikërisht asaj periudhe, të cilën sapo e ceka më sipër. Ngjarjet janë të lidhura e të ndërtuara mirë, të cilat na çojnë në kohën e Perandorisë Bizantine. Kjo perandori dhe kisha serbe ortodokse, synonin jo vetëm që arbëreshët t’i detyronin të ndryshimin fenë e të pranonin fenë ortodokse, por ato synonin që të gjithë arbëreshët të harronin gjuhën, kulturën, ritet e shpirtin e tyre arbëresh, prandaj ato bënin përpjekje t’i asimilonin, bile edhe t’i zhduknin, pra të parët tanë. Ngjarjet zhvillohen në Darenisë e trojet të tjera arbërore, kur edhe Milush Kopiliqi, ( Mirosh Danai ) në  prijësi arbëror futet në çadrën e Sulltanit  dhe godet me thikë atë.

Dhe ja si i thotë prijësi shqiptar sulltanit: “Tani do të vdes i qetë, sepse këtu në tokën time ta varrosa edhe fitoren e përgjakur, Sulltan Murad!” Gjuha e kësaj vepre letrare është e pasur me shprehje përshkrime të shkëlqyera artistike, si dhe disa dialogë janë përshtatur sipas gjuhës së vjetër arbëreshe, gjuhës së shkrimtarëve të letërsisë së vjetër shqiptare. Mund të themi se kjo është një nga veprat më të shquara të letërsisë e kulturës shqiptare edhe për faktin se ka përshkruar artistikisht e ka ndriçuar vërtetësinë e asaj periudhe tepër të rëndësishme të së kaluarës sonë.