Jeta në libër” – Ramë Oraca Jeta e munguar.

Emin Z. Emioni

Recension nga Emin Z. Emini: – Sado që titulli “Jeta në libër” të rikujton tituj të shumtë sintagmatikë, që nga librat e shenjtë, të memoareve, librat amëz të jetës, librat e anamnezave, të (auto)biografive, librat për arte, kulturë, civilizim, shkencë, a edhe lloje të tjerë të tyre, dhe, sado që titulli të thërret për të hyrë në një botë tjetër, të mirë e të dëlirët, të bukur e parajsore, siç do ta dëshironin e do ta donin ata që jetojnë në një dimension tjetër, poetët, duhet thënë se asnjë nga këto lloje librash e asgjë nga ajo jeta e ëndërrt e e dëlirtë, nuk do të gjeni në librin poetik, “Jeta në libër”.
Aty, do të gjeni jetën e statujtë me njerëz të statujtë, por edhe jetën e njerëzve të gjallë prej bronzi, që i glacojnë sorrat, bashkë me idealet e tyre. Do të gjeni një atdhe me frymëmarrje të bronztë e me lloj-lloj flamujsh në të, me flamuj flamash të përditshme e të zakonshme, e, deri te flamujt që pikojnë gjak, për ndukur e çndukur me shtizën e tij prej kërrabe, një copë nga mishi e palca e atdheut të shqyer. Ka edhe flamuj të tjerë ngjyrash të ndryshme, ka edhe të bardhë pa asnjë bardhësi, e, të cilët, herë bashkë, herë ndaras valëviten e përbaltën në luftën e përbotshme të qenies njerëzore kundër të zezës.

Fotografia e Ramë Oraca

“Jeta në libër” e Ramë Oracës përthekon tri kohët e realitetit jetësor: të shkuarën, të sotmën dhe të ardhmen, tashti të përkthyer në realitet artistik nëpërmjet një gjuhe poetike të mbushur me figura, simbole, metafora, po edhe me disa subjekte lirike, krejtësisht të veçanta e tashmë të konsoliduara poetike autoriale, që i hasim të përsëritshme përgjatë linjës strukturore dhe përmbajtjesore të vëllimit poetik. Subjektet lirike kanë një itinerar të përbashkët, jo si qëllim, por nevojë, si domosdoshmëri, për të vizatuar jetën tonë në librin e autorit, e cila, përkundër se ballafaqohet me çështje ekzitenciale, na vjen e s’qullët, amorfe e gati e paformë dhe në të cilën dominon gjuha e ironisë, sarkazmës dhe talljes më vetveten. Edhe kur “Jeta në libër” rreket të trajtojë temën e lirisë së individumit dhe lirisë së atdheut, a temën dashurisë si ndjenjë njerëzore, për autorin e saj, ajo, fatkeqësisht jo vetëm që ka marr dimensione tëhuajsimi, por në të shumtën e çasteve është e munguar, thuajse prania e saj nuk na përket ne, thuajse ajo gjendet vetëm në ajrin a vakuumin e
gjokseve të atyre që janë ringjallur në bronz, e të cilët janë memoria jonë shpirtërore, para se gjithash. Përkundër kësaj, kjo memorie bashkë me dashurinë janë brejtur e grimëcuar, përplasur e katandisur në humbëtellat e jetës, si pasojë e një ngarendjeje çmendurake për të kapur majat, për ta zënë kryevendin si vetrealizim, si egocentrizëm, si patologji, ndonjëherë, duke harruar kështu, t’i kthehemi vetës sonë: citat:

kur u ktheva më larg më mbet kufiri me vetveten
ku gjallërojmë me copa jete në xhep të prapanicës

Ky udhëtim i subjekteve lirike, që në këtë rast do të përmendja, janë shtatoret a statujat nga më të ndryshmet, siç fjala vije: ato, të mermertat, të bronztat, statuja e shpresës, statujat me profil gjysmënjeriu, shtatoret e gjalla, statujat me krahë të thyer, shtatoret e dashurisë, apo edhe ndonjë figurë a subjekt tjetër me profil njeriu të konvetuar në njerëz me profil merimangeje, në hije dykëmbëshe, etj, jo vetëm që kapëcenjë nëpër tri kohët e një individi, a kolektiviteti, por edhe pikëtohen në gjithë arealin e gjeografisë kombëtare, të quajtur atdhe, i cili ka dy flamuj në një shtizë, dhe do të bëhemi bashkë aty ku u ndamë, sipas poetit, nesër, citat:

kur s`do të këqyrim në kafe për fatin e atdheut

Ramë Oraca, nëpërmet këtij vëllimi poetik mbetet poet në kërkim të një veçorie: të ëndrrës e cila nuk bëhet pre e dhëmbëve të kohës që e hanë vetveten.
Brenda kopertinave të librit “Jeta në libër” është edhe një libër tjetër i shkruar, por pa shkronja. Është libri i jetës në oxhakun e së cilës, në vend të shkronjave, ka gacëza dashurie, mbuluar me hirin e eshtrave të ekzistencës sonë.
Ramë Oraca na thërret t’i fryjmë hirit të jetës së bronztë e ta shkruajmë bashkë librin e jetës sonë të munguar.