JETËN NË SHERBIM TË KOMBIT

Bashkëbisedim me Profesor Mustafë Krasniqin


Mustafë Krasniqi, është njëri nder aktivistët kryesorë të Çështjes Kombëtare në Kosovë dhe, tani për Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe, në Bavari.

Isuf Bytyçi: kush është Mustafë Krasniqi dhe cila është veprimtaria juaj e përgjithshme, sidomos në raport me Çështjen Kombëtare Shqiptare? Na tregoni, shkurt, ju lutem!

Mustafë Krasniqi: Së pari më lejoni t’ju përshëndes juve dhe lexuesit tuaj! Ta them të drejtën, deri më tani s’kam dhënë intervistë asnjëherë, për shkak se doja që koha të fliste vetë. Unë, jam Mustafë Krasniqi nga fshati Shipitullë, Komuna e Kastriotit, ish Obiliq. Shkollën fillore e kam mbaruar në fshat, të mesmen në Prishtinë, drejtimin e gazetarisë, po ashtu edhe studimet i kam mbaruar pranë Fakultetit Filologjik në Prishtinë, dega Gjuhë dhe letërsi shqipe, ku dhe kam diplomuar.

Rrjedh nga një familje atdhetare, ku stërgjyshi im, Tahir Krasniqi, që me këtë emër është pagëzuar edhe babai im, që stërgjyshi, pra, është ekzekutuar në vitin 1920 nga makineria serbe-çetnike, ndërsa gjyshi i babës nga Dajtë është varur te tre plepat e Vushtrrisë nga perandoria Osmane, i cili quhej Shaban Kapuçi, shok i ngushtë i Hasan Prishtinës. Ishte në mbrojtjen e Alfabetit të Manastirit, “…ku Shaban Kapuçi me çetën e vet ishte i gatshëm për t’u flijuar për çështjen kombëtare, i cili iu përgjigj edhe me grykë të pushkës, ftesës së Hasan Prishtinës, për mbrojtjen e Alfabetit 

Latin dhe, ishte kundër përpjekjeve të Xhonturqve që kishin për qëllim ndalimin e këtij alfabeti”. Këto të dhëna mbështeten nga historiani Muhamet Pirraku, në shkrimin e tij më e rastin e 100 vjetorit të Kongresit të Manastirit “Roli i Kosovës në zgjedhjen përfundimtare të alfabetit…” nga prof.dr. Muhamet Pirraku.

Më Pastaj gjyshi im, Behram Krasniqi, ka qenë i lidhur me Ajet Haxhiun-Ajet Mjekun; Ramiz Qyqallen etj., të NDSH-së të udhëhequr nga Gjon Sereçi, Ajet Gërguri, si dhe për një kohë e kanë mbajtur në kullën e tyre atdhetarin e shquar Rizah Strellcin.Tradita atdhetar në familjen tonë sikur u mishërua. Nga brezi në brez përcillej tutje, ajo që më ka frymëzuar më tepër, ka qenë nëna ime ndjesë pastë, e cila na fliste me dashuri të madhe për Shqipërinë. Po ashtu babai im ndjesë pastë, që me emrin Shqipëri ka ndërruar jetë. Kur të gjitha këto të shoqërohen në formimin tim, andaj kjo edhe ka ndikuar që t’i rri besnik idealit të paraardhësve të mi për Shqipërinë Etnike – lirinë e atdheut, që më atë që kam mundur dhe ditur kam qenë në ballë të detyrës së shenjtë për atdheun.

Isuf Bytyçi: Mund të na thoni për veprimtarin tuaj konkrete?

Mustafë Krasniqi: Do të mundohem të them shkurtimisht diçka për lexuesin tuaj, Si shumë djem idealistë që iu kishin dhënë me shpirt atdheut, ndër ta isha dhe unë, si i ri hyra në radhët e grupeve ilegale LPRK-LPK, madje u radhita në aksionin e pajtimit të gjaqeve, me grupin e studentëve, isha kryetar i KMLDNJ-së për Kastriot, njëherë dhe kryetar i SHKA “Zëri i Kosovës” në fshatin Shipitullë dhe më vonë anëtar i SHKA “Rruga e Lirisë” për Kastriot. Po ashtu isha rreshtuar në rrugën e veprimtarisë kombëtare ku kontributi im nuk u ndal deri më sot. Por, ajo që më bën të ndihem mirë, ishte vendosmëria e atdhetarëve, shokëve, ku në mesin e tyre isha dhe unë në kontributin e dhënë për lindjen dhe suksesin e UÇK-së dhe për vazhdimin e idealit të heronjve për atdheun e lirë. 

Si shumë veprimtarë tjerë isha dhe mbeta i angazhuar në çështjen e bashkimit kombëtar, për Shqipërinë Etnike.

Fillimisht dua të ceku se që nga klasa e tetë e tutje kam qenë jo i qetë, kam grisur disa herë fotot e satrapit, Tito. Flamurin e ish-Jugosllavisë e kam grisur, kam shkruar dhe shpesh parulla “Kosova Republikë”, aty ku kisha mundësi; Ta them të drejtën këtë fuqi kishim edhe nga RTSH, që e ndiqnim me miliona vështirësi. Koha na kishte vu në rrugë të vështira, o të bënim veprimtari atdhetare, o t’i nënshtroheshim pushtuesit. Fati më kishte ndjekur që nga shkolla e mesme të jem në mesin e shokëve dhe shoqeve, si: Hysen Matoshi, Fehmi Pireva, Rexhep Gashi, Zenel Alshiqi, Sanie Ahmeti, Kadri Sherifi,unë dhe tjerë, që shpesh dhe kemi rënë ndesh me njerëzit që mbronin me ngulmë sistemin e bashkim-vëllazërimit, satrapin Tito. Gjithnjë jemi inspiruar nga fuqia atdhetare e heronjve, ku simbol kishim figurën e ndritshme të kombit bacën Adem, pse jo edhe të prof. Xhemail Pllanës, profesor i gjuhës së stilistikës i cili me vështrimin dhe qëndrimin e tij atdhetar na motivonte më tepër ta duam atdheun e lirë.

Isuf Bytyçi: Kur flisni për veprimtarinë tuaj, shoh sikur ju keni qenë njeri me ndikim në organizatë mund të na thoni diçka më tepër?

Mustafë Krasniqi. Dua të ndalem te pjesa e dytë e pyetjes, me që është në interes të lexuesit tuaj. Kur folët për ndikim, këtu mund ta them një fakt zinxhiror, që e përcjell në treshe organizatën, kjo që ishte për hir të konspiracionit, “vepro e mos u dikto”. Fillimisht në radhët e organizuara jam futur përmes Bardhyl Mahmutit, ku më vonë kisha fatin t’i njihja shumë atdhetarë, sot dëshmorë të kombit, Si: Afrim Zhitinë, Fadil Vatën, Bajadin Allaqin, kurse të veproja sëbashku me Xhavit Hazirin e shumë dëshmorë tjerë që sot prehen në altarin e lirisë. Kur e them në bashkëpunim me Xhavitin, tregon se lidhjet dhe veprimet i kam pasur drejtpërdrejt me të. Siç u thash më parë isha i lidhur me Bardhyl Mahmutin, po me vrasjen e Shokëve, të Afrim Zhitisë dhe të Fahari Fazliut, që Fahriun nuk e kam njohur dhe me arratisjen e shumë shokëve dhe të Bardhylit, ne kemi mbetur të shpërndarë, nga që lidhjet na u shkëputnë, për këtë me insistimin tim dhe të Këshillit Popullor, që e udhëheqja unë. Morëm një nismë për gjetjen e lidhjeve dhe bashkimin e radhëve, po e ceku edhe atë se isha njëri nga ata djem që m’u besua nga Bardhyl Mahmuti, që ta drejtoja demonstratën e vjeshtës së vitit 1989, sipas udhëzimeve të shokëve që ishin në mesin e demonstruesve, kuptohej përmes Bardhylit. Vrasja, burgosja dhe arratisja e shokëve ishte një goditje e madhe për organizatën, ne si Këshill Popullor, bëmë përpjekje për një demonstratë tjetër në shenj revolte për vrasjen e shokëve ku dhe kisha përgatitur një trakt, po mjerisht për ta shumëzuar nuk kishim mundësi, pasi që teknika e shumëzimit nuk e dinim se në cilin rreth kishte mbetur. Në bashkëpunim me Ramiz Lladrovcin kemi bërë përpjekje për të gjetur teknikë, po dhe lidhjet, kështu që në një ditë Ramizi ma gjenë një numër të telefotit të Bardhyl Mahumutit, i cili kishte arritur të strehohet në Zvicër. Kontakti dhe biseda, përmes telefonit, me Bardhylin, i cili më njoftoi se brenda tri katër ditësh do ta kem në lidhje një shok, kështuqë edhe u bë takimi me Ramadan Avdiun dhe Flamur Shala. Flamur Shalën e kisha dhe shokë, studionim bashkë kurse Ramadanin nuk e njihja në atë kohë.
Që atëherë kemi filluar riorganizimin dhe zgjerimin e radhëve të formimit të Këshillave Popullor dhe të Rretheve, ku tashmë unë isha kryetar i Këshillit të Rrethit të LPRK-së për Kastriot, ish Obiliq dhe Fushë Kosovë, ku ky Këshill numëronte disa Këshilla Popullor. Nëse më lejohej, dua t’i përmend shokët e Këshillit të rrethit të cilët kanë dhënë shumë në proceset e rëndësishme të ilegales dhe të luftës së fundit të UÇK-së, si: Behxhet Kelmendi, Florim (Xhemail) Kelmendi, Ujup Thaçi, Fadil Mirena, Emin Mirena, Isak Qolli, Isaku dhe ishte komandant i njësitit të Bardhit të madh të UÇK-së 114 etj.

Isuf bytyçi: veprimtaria e juaj Konkrete?

Mustafë Krasniqi, Gjatë këtyre viteve kishim edhe aksione konkrete krahas veprimeve politike e propaganduese. Vlenë të ceket se në rrethin ku veproja unë, faktikisht dhe isha kryetar i Këshillit të Rrethit, ndodhën shumë aksione konkrete, sidomos në pengimin e bartjes së rrymës elektrike për në Serbi dhe Mal të Zi, po ashtu bënim përgatitje dhe ushtrime ushtarake. Këto ushtrime i bënim në Prishtinë, ku si përgjegjës të këtyre ushtrimeve teorike kishim Shemësi Veselin, ndërsa ato praktike i bënim në malin Qyqavicë, ku më vonë kisha një grup të lagjes sime në ushtrime teorike. Materialet ushtarake, një pjesë të tyre i kishim nga Këshilli Popullor i Bardhit të Madh, respektivisht nga Isak Qolli. Bënim grumbullimin e armatimit, ndërtonim strehimore dhe zgjeronim këshillat tona, me që ishim të vendosur se lufta ishte në prag dhe nuk kishte rrugë tjetër.
Vlen të theksohet se në mbledhjen e Ujmirit, zë fill të themelohej një ushtri, ndërsa në Kollare të Kërçovës, ku dhe isha i pranishëm edhe unë u mor vendimi që të veprohej me një përkushtim të madh për ndërtimin e një ushtrie që do t’i dalë zot atdheut. Për këtë ishte përcaktuar ideologu i shquar Xhavit Haziri, i cili dhe ishte figura qendrore e lindjes së UÇK-së. Në këtë mbledhje doli dhe GOR, ku me të kthyer nga Kollara kishte aksione të shumta pothuaj në tërë Kosovën. Po ashtu këto aksione u bënë edhe në rrethin tonë ku dhe unë isha i pranishëm në një pjesë të këtyre aksioneve. Për lexuesin tuaj për herë të parë po jap një fakt të rëndësishëm, ku në Korrik të vitit 1993, në Tauk-Bashqe, Këshilli i Rrethit LPRK-LPK për Kastriot, Fushë-Kosovë sipas Xhavit Hazirit, kjo kryesi u nda në dy sektorë: Isak Qolli, Ujup Thaçi dhe Emin Mirena përcaktohen në atë ushtarake, kurse mua më përcakton në detyrën për informim, propagandim dhe atë politik. Për keqardhje në gusht fillojnë arrestimet dhe përndjekjet e shokëve, ku u burgosën shumë shokë nderta edhe Xhavit Haziri, me të cilin isha i lidhur drejtpërdrejt. Përpos burgosjeve kishte edhe përndjekje, ku ndër ta isha dhe unë i përndjekur, që për muaj të tëra kam jetuar në ilegalitet. Me ikjen e ditëve e shihja se jeta në ilegalitet ishte e pamundur të qëndroja në Kosovë, pasi që dhe ishin shpeshtuar maltretimet mbi familjen time nga organet policore serbe, ku vlenë të theksohet se në mungesën time marrin pengë vëllain e vogël, Muhamet Krasniqin. Kështu vendosa të marr udhë për në Shkup, më vonë kam qëndruar në Tetovë për sa kohë, madje kam ikur për në Shqiperi, në Tiranë, më vonë dola në Evropë, ku sot jetoj dhe veproj, në Gjermani.

Isuf Bytyçi:, z. Krasniqi, veprimtarinë tuaj a e keni vazhduar tutje?

Mustafë Krasniqi: Në asnjë qast nuk jam ndalur, isha i angazhuar në propagandim, pas vendosjes sime në shtëpinë e të strehuarve politikë, ku ishin të pranishëm në këtë strehimore mbi 400 veta,që kam organizuar një protestë brenda aty ku qëndronim, në lidhje me situatën në Kosovë. Më vonë kam bërë një peticion, ku ua kam dërguar të gjitha instancave më të larta shtetërore gjermane, po ashtu dhe medieve gjermane. Në një ditë tjetër në qendër të qytetit kam organizuar një protestë tjetër në Lanzberg, duke i falënderuar përgjegjësit e strehimores, policinë dhe përfaqësuesit e kishës, që na përkrahën dhe u solidarizuan me kërkesat tona. Po ashtu edhe në Rosenheim, në një komunë tjetër të Gjermanisë mbajtëm protestë në shenjë të revoltës për shkak të ekzekutimit të familjes së Jasharajve. Ndërsa përmes Afrim Eminit dhe Rexhë Iberdemajt përcaktohem ta përfaqësoj politikisht UÇK-në për Oberbajern, që në Rosenheim të Gjermanisë me një grup veprimtarësh dhe ish të burgosurin e ndërgjegjes, Ilmi Muzaqin kemi vepruar në të gjitha drejtimet për ta ndihmuar UÇK-në, ndonëse kishim sfida të mëdha, nga që dhe shpesh jemi ballafaquar me njerëzit të cilët kishin rënë pre e dezinformimit, se gjoja nuk ka UÇK.

Isuf Bytyçi: Më tregoni ju lutem, z. Krasniqi, cila është veprimtaria juaj profesionale në jetën tuaj, gjatë kohës, që sa kohë jeni në Gjermani?

Mustafë Krasniqi: Ta them të drejtën, me të gjitha ato veprimtari të pandalshme, gjeja kohë të merrem me shkrime, analiza dhe krijimtari letrare, ku gjatë kësaj kohës, që sa jam në gjermani, kam të botuara këto vepra:
„Gjarpërinjtë e zinj edhe atje…“; „Lumëgjaku“; „Faqe të panjohura të historisë së NDSH-së (Ramiz Qyqalla dhe bashkëluftëtarët e tij)“; „Lojë Thikash“; „Gjarpërinjtë e zinj edhe atje…“ (ribotim); „Vështrim kritik për poetikën e krijuesve të diasporës“; „Mbrëmja e fundit“; „Eshtrat Pezull“; si dhe në gjashtë libra tjerë bashkautorë, ku në dorëshkrim kam edhe pesë libra tjerë, që presin donatorë për të dalur në duar të lexuesit si: Romanin „Cikloni“; libri historik „Për Shqiperinë Etnike“; ndërsa librin me analiza politike dhe intervista „Kah po Shkon Shqiperia dhe shqiptarët…?“; si dhe monografinë për Xhavit Hazirin dhe një monografi tjetër për heroin e viteve 1908/10 Shaban Kapuçi.

Isuf Bytyçi: Z. Mustafë Krasniqi, a keni bërë përpjekje për ta zhvilluar Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe, aty ku jetoni dhe më gjerë dhe, a keni synim për ta zgjeruar veprimtarinë tuaj në Bavari ?

Mustafë Krasniqi: Po, kjo është më se e vërtetë, përpjekja ime pas lufte ka qenë dhe është vetëdijesimi i mërgatës, mësimi i Gjuhës Shqipe, historisë, kulturës dhe traditave e zakoneve shqiptare. Për mësimin plotësues në gjuhën shqipe, e kam provuar para 7 vitesh, por në atë kohë kur fillova me një vullnet të madh më doli pengesë shëndeti, ku për pesë vite isha në përballje me probleme të rënda shëndetësore.
Deshti fati dhe, jeta fitoi nga vdekja, rifillova aty ku e kisha vullnetin dhe e bëra realitet mësimin plotësues për vitin shkollor 2015/16, ku hapa diku katër klasë me mësim plotësues në gjuhën shqipe. Mësues isha unë, gjë që për këtë i
Falënderoj bashkatdhetarët në përgjithësi dhe miqtë e mi të shoqatës BKAS “Shqiponja” – aktivistët: Bekim Halilin, Nejat Neimin, kryetarin dhe arkatarin e saj. Po ashtu për këto dy vite kam arritur me nxënësit e mi t’i mbaj tri manifestime dhe shumë të suksesshme, po ashtu edhe të jem me nxënës pjesëmarrës në Olimpiadën e organizuar nga Konsullata e Kosovës në Austri, ku ishin të pranishme shkollat; nga Shqipëria, Kosova, Zvicra, Austria dhe nxënësit e mi nga Gjermania.
Unë, jo vetëm që jam i dhënë për ta zgjeruar mësimin plotësues te çdo fëmijë shqiptar, po si kusht i kam vu vetës, se ky projekt, Mësimi Plotësues në Gjuhën Shqipe do të jetë prioriteti im, që shpresoj se edhe përtej Bavarisë ta përhapim këtë projekt.

Isuf Bytyçi: Sa është e fuqishme përkrahja, nga bashkatdhetarët, nga institucionet shtetërore të Kosovës e të shtetit Shqiptar, por edhe nga ato gjermane në raport me këtë përpjekje kaq madhore?

Mustafë Krasniqi: Më duhet ta them të vërtetën, fillimisht projektin që e kisha në mendje e lënsova në letër dhe iu drejtova bashkëkombësve dhe Konsullatës së Kosovës, që vlenë të përmendet se përkrahje kisha nga konsullata e Republikës së Kosovës në Shtutgart, të konsullit Faket Kajtazit, ku dhe u shërbeva me tekstet shkollore për të gjithë nxënësit, po ashtu më vonë me hapjen e konsullatës së Republikës së Kosovës në Mynih, kisha përkrahjen e Konsullit të përgjithshëm, Naser Idrizi, i cili përpos përkrahjes që ma dha, ishin në disa takime, me bashkëkombësit në Rosenheim. Kjo ishte një mbështetje e madhe, gjë që edhe forcë më jepte, që ta kem edhe përkrahjen e bashkëkombësve.
Që nga atëherë kur e shpalosa projektin tim, për mësimin plotësues në gjuhën shqipe në Bavari, sidomos vlenë të përmenduet kontributi konsullit të Republikës së Kosovës, Hamdi Reçicës. Këtë përkrahje e kam edhe nga Ministria e Diasporës-mërgatës. Ministri, Valon Murati, vazhdimisht është në kontakt të vazhdueshëm, gjë qe drejtori Avdyl Lipoveci, i cili përpos që përkrahu projektin tonë, u zotua se do të na ndihmojë me të gjitha ato mundësi që i ka kjo ministri.
Përkrahje kemi nga institucionet përkatëse të të dy republikave shqiptare, ajo e Shqiperisë dhe e Kosovës. Kjo e dëshmon në takimin e fundit të cilin e mbajtëm më 12.11.2016 në Munih me Ministrin Diasporës të Republikës së Kosovës, Valon Muratin dhe drejtorin e kësaj ministrie, Avdyl lipovecin, si dhe me Konsullin e Përgjithshëm të Republikës së Kosovës, Naser Idrizin dhe konsulli Hamdi Reçica, që i pranishëm ishte edhe Konsulli i përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë në Munih, Arten Henku. Edhe nga organet Gjermane, konkretisht të arsimit kemi një përkrahje, nga që vet fakti flet; deri sa janë të gatshëm të na i lirojnë klasët në hapësirën e shkollës për ta mbajtur Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe dhe na i kanë ofruar të gjitha kushtet përpos pagesës së arsimtarëve, të cilën nuk i bënë për asnjë komunitet tjetër në këtë Land.
Nga këto takime doli Këshilli Nismëtar, ku përgjegjës më zgjodhën mua deri në Kuvendin, që pritet të mbahet në muajin shkurt/mars, në pajtim me Ministrin e Diasporës, Konsullin e përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë Arten Henkun dhe Konsullin e Kosovës Hamdi Reçicën, ku dhe përgatisim një deklaratë për shtyp e, më vonë një fletëregjistrim për regjistrimin e nxënësve për vitin 2016/17.

Isuf Bytyçi: Interesimi i qytetarëve nga nisma e deri më tani sa është?

Mustafë Krasniqi: saktësisht nuk mund të them, me që jemi në hapat e parë. Po ajo që dua ta them se pas deklaratës së dhënë për shtyp, sidomos pas publikimit të Formularit për Regjistrim të nxënësve për vitin 2017/18, interesimi i bashkëkombësve është i kënaqshëm dhe aq më tepër është shpresëdhënëse, që kemi edhe një interesim të madh të mësimdhënësve shqiptarë që janë të gatshëm të japin mësim. Kjo dhe më inkurajon, sidomos këmbëngulja e disa qytetarëve që sa më parë të hapen klasët dhe të fillojë Mësimi Plotësues në Gjuhën Shqipe.


Isuf Bytyçi: Cili është qëllimi dhe arsyeja e Mësimit Plotësues në Gjuhën Shqipe, në Bavari?

Mustafë Krasniqi: qëllimi i Mësimit Plotësues në Gjuhën Shqipe është në rend të parë që fëmijtë tanë të mos e harrojnë gjuhën, kulturën, traditën dhe identitetin e tyre kombëtar-shqiptar. Më duhet ta them, për fat të keq, gjuha shqipe me të madhe ka filluar të zbehet tekë fëmijtë tanë, gjë që nëse nuk veprojmë me kohë, në këtë drejtim, jam i bindur se brezi i tretë me shpejtësi do të asimilohet, nëse nuk e mësojnë dhe kultivojnë gjuhën e tyre, fare nuk do ta flasin gjuhën shqipe dhe do ta harrojnë atë, për të cilën ne prindërit e mbajmë përgjegjësinë.

Isuf Bytyçi: Cilat do të jenë rezultatet, nga mbajtja e Mësimit Plotësues në Gjuhën Shqipe, në Bavari?

Mustafë Krasniqi: Pyetje emocionuese është, nga frika për asimilim, po e ringjallim ndjenjën për rezultatet e pritshme. Pajtohem dhe jam shumë optimist se rezultatet nuk do të na mungojnë, nëse ne dimë ta përçojmë te bashkëkombësi ynë porosinë dhe qëllimin e projektit dhe më lejoni t’iu jap vetëm një fakt; Me festimin e 28 Nëntorit, që mbajtëm në Rosenheim, bashkëkombësit u ndanë të emocionuar me recitimin dhe shqiptimin e fjalës së gjuhës shqipe. Andaj, unë ngul këmbë që duhet të kemi kujdes se që mësimdhënës po ju ofrojmë, nëse ne ju ofrojmë mësimdhënës të përkushtueshëm, mendoj se do të kemi rezultate të dukshme, mbase edhe të shkëlqyera e të arritshme në të ardhmen. E, atëherë nëse ju afrojmë mësimdhënës jo të kualifikuar, me drejtime jo përkatëse kam dro se kjo dhe do të rezultojë negativisht.
Unë do të jem parimor dhe do të kërkoj që mësues të jenë , së pari arsimtarët e gjuhës dhe të letërsisë Shqipe, pedagogë, mësues klasor dhe arsimtarë ( shqiptarë) të gjuhëve të huaja, në mungesë të mësuesve adekuatë. Por unë do të kërkoj që në vitin e ardhshëm ta mbajmë një kurs tri ditësh rreth informimit për mësimin klasor, që kemi të përzier për të gjitha klasët që nga klasa e parë deri tek ajo e 10-ta. Ndërsa, cilat do të jenë rezultatet? Unë them me bindje të plotë se rezultatet do të jenë këto: nxënësit shqiptarë do ta njohin identitetin e tyre, traditën, kulturën e vet, do të dinë ta flasin bukur gjuhën e tyre, do të dinë të shkruajnë dhe të lexojnë bukur në Gjuhën e tyre, që do të kenë mundësi të bëhen përkthyes të mirë, do të kanë mundësi kë kyçen në beznise të ndryshme ndërkombëtare në marrëdhënie tregtare shqiptare me vendet gjermanofolëse si: Gjermani, Austri, Zvicër e tj., do të kanë mundësi të kyçen në diplomaci shqiptaro-gjermane; në ambasada e konzullata gjermanofolëse në marrëdhënie me shtetet shqiptare dhe mbi të gjitha, brenda një kohe të shkurtër do të mësohet gjuha shqipe si gjuhë e huaja, e tretë, pra, në vend të gjuhës spaniolle apo italiane, që përparëitë janë këto; edhe më shpejt e mëson gjuhën Shqipe me të cilën janë duke u rritur edhe se shumë më leht e mësojnë për një notë të shkëqyeshme.

Isuf Bytyçi: Faleminderit , i nderuari, z. Mustafë Krasniqi që gjetët kohë për bashkëbisedim dhe, suksese në jetën dhe veprimtarinë tuaj.

Mustafë Krasniqi:Ju falënderoj edhe juve z. Bytyçi, që më zgjodhët mua për t’ju dhënë juve intervistë. Po ashtu më lejoni që në emrin tim t’ju uroj juve dhe gjithë kombit tim shqiptar, festat e fund vitit, me shpresë që e ardhmja të na gjejë në rrugën e suksesit dhe të realizimit të qëllimeve tona kombëtare, po aq më tepër lus zotin që mërgata jonë një ditë t’ia rikthejë buzëqeshjen atdheut!
Shëndet, dashuri dhe suksese gjithë shqiptarëve, kudo që janë!