LETËR DREJTUAR BASHKËKOMBËSVE SHOQATAVE DHE BIZNESEVE

  Lidhja e Arsimtarëve dhe e Prindërve Shqiptarë në Bavari (LAPSH-ja) ju drejtohet të gjithë bashkëkombësve mërgimtarë që të jeni pjesë e pandashme e projektit, për Shkollën Shqipe, njëkohësisht të bashkuar ta gjejmë rrugën e mundshme për të qenë ky projekt i realizuar dhe i suksesshëm. Projekt, që ka për qëllim të hapë dritën, nëpërmjet gjuhës shqipe, ku për fat të keq sikur ka filluar me të madhe të zbehet gjuha amtare, pra, gjuha shqipe, te fëmijët tanë mërgimtarë.

LPSH-ja, përpos shumë takimesh dhe bisedave, për shqetësimin e përbashkët që e kemi si mërgatë, ka zhvilluar veprimtarinë e vet, në bazë të nevojës dhe kërkesave të mërgimtarëve shqiptarë, për zhvillimin e Mësimit Plotësues në Gjuhën Shqipe.

 Duke u mbështetur në nevojën e domosdoshme shpirtërore e kulturore, ne, LAPSH-ja i drejtohemi çdo bashkatdhetari, shoqatave dhe bizneseve që t’na bashkohen në rrugëtimin, projektin e Mësimit Plotësues në Gjuhën Shqipe nga fakti se, ky projekt pa ndihmën e çdo shqiptari mërgimtar, nuk do të jetë i suksesshëm! Ngaqë inkuadrimi i juaj është shpresë e fëmijëve tanë, Shkollës Shqipe në Bavari, që të mos e harrojnë gjuhën, kulturën, atdheun e të parëve, pra, identitetin e tyre.

Andaj kërkojmë nga ju, përpos bashkëpunimit, këshillave, vërejtjeve edhe anën profesionale si udhërrëfyes, që rrugëtimi i hapjeve të klasave në Gjuhën Shqipe të mos zbehet, por të shtohet aty ku ka fëmijë shqiptarë. Së bashku, të bëhemi promotor të këtij projekti, nga fakti se shkolla shqipe është e drejtë dhe detyrë e të gjithë shqiptarëve, që ta kultivojmë e ta investojmë. Të gjithë të bashkuar në këtë rrugëtim për t’i ruajtur fëmijët tanë nga asimilimi, harrimi i identitetit të qenurit shqiptarë.

Ne, LAPSH-ja, me shpresë dhe arsye i drejtohet bashkëkombësit mërgimtar, biznesit, shoqatave, që së bashku të jemi në interesin të shkollës shqipe. Gjë që ky vullnet, që dhe është vullnet i gjithë mërgatës shqiptare, të reflektoj pozitivisht tek çdo mërgimtar, kurse ngrohtësia e gjuhës shqipe të hynë në shpirtin e çdo nxënësit mërgimtar-shqiptar, po që ne ja ofrojmë shpresën, shkollën shqipe.

Në emër të të LAPSH-së në Bavari, uroj që kjo thirrje të shkojë tek çdo mërgimtarë, që e prek në zemër gjuha e ëmbël, gjuha e bukur e perëndisë, gjuha e atdheut, gjuha më e vjetër, gjuha shqipe!

KRYESIA E LAPSH-it NË BAVARI