LETËR NJOFTUESE INSTITUCIONEVE SHQIPTARE

  “Këshilli i Mësimit Shqip për Diasporën”, njofton institucionet përkatëse, Ministritë e Arsimit, Ministritë e Diasporës dhe ato të Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës, Ambasadat dhe Konsullatat e të dy shteteve, se me datën 5 Korrik 2020 u themelua “Këshilli i Mësimit Shqip për Diasporën”. Këshilli u themelua me iniciativën e anëtarëve të grupit të arsimit pranë KKD-së, prof. dr. Sokrat Sinajt dhe prof. dr. Adriana Fishta – Bejko. Ky Këshill përbëhet prej 15 anëtarëve: dr. Adriana Fishta-Bejko (Kanada), dr.Vaxhid Sejdiu (Zvicër), Mustafë Krasniqi (Gjermani), Mira Shehu (Kanada), Miradije Berisha (Austri), Teuta Tabaku (Turqi), Rexhep Rexhepi (Zvicër), Aurela Kondi (Greqi), Armanda Haruni-Amiti (Slloveni), Anila Kadija (Angli), Mimoza Bejkollari-Dako (Zvicër), Dritan Mashi (Itali), Melita Oreskovic (Kroaci), Qemail Zylo (ShBA) dhe Isuf Bytyçi (Gjermani), si dhe nga ky Këshill doli edhe kryesia e tij, në përbërje: kryetar dr.Vaxhid Sejdiu, nënkryetare Mira Shehu, nënkryetar Mustafë Krasniqi dhe sekretare Teuta Tabaku.

Qëllimi i themelimit të këtij Këshilli mbështetet në platformën unifikuese të mbarë Diasporës shqiptare, duke regjistruar dhe përcjellë drejt dyerve të institucioneve tona, shqetësimet rreth rëndësisë së ruajtjes dhe zhvillimit të gjuhës shqipe te fëmijët tanë në Diasporë, me theks të veçantë humbjen e gjuhës amtare te gjenerata e dytë, gjeneratë, e cila dita -ditës po përballet me asimilimin.

Projekti i KMSHD-së ka këto qëllime:

1. Të marrë mbi vete përgjegjësinë (së bashku me institucionet tona përkatëse), që është ëndërr dhe ideal i përbashkët për një mësimdhënie të unifikuar, e të koordinuar, si një faktor i rëndësishëm dhe i domosdoshëm në funksionimin e  mbrojtjes së gjuhës shqipe dhe identitetit kombëtar, kudo që jemi.

 2. Vizioni ynë është që të përfshihemi në hartimin e teksteve dhe zgjedhjeve didaktike për t’i siguruar kompetencat e nevojshme gjuhësore dhe kulturore.

 3. Misioni ynë ka për qëllim mbrojtjen e gjuhës dhe të identitetit kombëtar, të mbështetur në baza të forta didaktike, linguistike dhe ato shkencore.

 4. Si objektiv kryesor, kemi krijimin e një ure bashkëpunimi të qëndrueshme në mes të mësuesve të të gjitha shkollave dhe bashkëkombësve, që jetojnë jashtë kufijve të trojeve shqiptare në diasporë. Kjo, përpjekje jo vetëm që do të ketë rëndësi në themelimin e bashkëpunimit institucional me njëra-tjetrën, por edhe me trojet shqiptare, si faktor i ndryshimit të metodave të mësimdhënies dhe teksteve shkollore.

 5. KMSHD-ë, ka për detyrë të bashkëpunojmë ngushtë dhe institucionalisht, me institucionet tona: Ministritë e Arsimit, ato të Diasporës dhe ato të Punëve të Jashtme, të të dyja shteteve shqiptare, Ambasadat dhe Konsullatat e Republikës së Shqipërisë dhe të Kosovës, për të pasur sukses në mbrojtjen dhe ngritjen e vetëdijes kombëtare për shkollën shqipe në diasporë.

Në emër të KMSHD-së
Dr. Vaxhid Sejdiu – kryetar