Shkruan: Mustafë Krasniqi-MA RUAJ NJË VDEKJE, ATDHE

Mustafg; Krasniqi

Fejtoni nr. VIII

Poetët frymëzohen dhe me ngulm shpalosin ndjesinë e tyre të brendshme, e përjetojnë frymëzimin  dhe janë pjesë e kësaj bote shpirtërore.

Padyshim se, këtyre poetëve i përket edhe Sadete Zhitia, sidomos me përmbledhjen e parë të saj “Ma ruaj një vdekje, atdhe” vjen e kompletuar dhe me  një elegancë e shpirt të dëlirë. Vargu i saj shpërtheu natyrshëm, është një varg stilistik që i plotëson të gjitha rregullat e krijimtarisë poetike. Ajo ka një përkushtim për anën estetike të poezisë, prandaj ia shton vlerat asaj.

Megjithatë vë re se kjo krijimtari poetike ka shpërthyer, si një revoltë ndaj kohës, mallit, ikjes, sidomos atëherë ku na e shpalos një tablo historike me pëlcitje malli, loti e dhimbje.

Figura e saj dhe ndjeshmëria për ta zbërthyer në krijimtari nuk vjen vetëm nga lidhshmëria e ngushtë me heroin, kur motra shkruan për vëllain hero, apo për mes nënës dhe babushit të saj, siç na i quan edhe në jetën e përditshme.  Por, poetja e ndjen si nevojë shpirtërore e e morale t’i qaset realitetit dhe atë ta zbërthejë përmes vargut poetik që ta përçojë më tutje porosinë e dëshmorëve, në këtë rast dhe të vëllait të saj hero.

Ky përkushtim i  saj, i Sadetës, jo vetëm se e lidhë afërsia motër-vëlla, po ajo radhitet si një poete që di e të shprehurit e shumanshëm shpirtëror e artistik.

Përpjekjet dhe shtjellimi i motiveve të saja të ndara nëpër cikle janë të një natyre të thjeshtë shpirtërore. Shkruan për vëllain dëshmor, nënën, babushin, për heroin në përgjithësi, për dhimbjen, mallin, e shpesh e hasim edhe figurën e mjegullës, si dhe figura tjera që e dëshmojnë se poezia e Sadetës është një poezi e vlerave, metaforike, e larmishme me figura të tjera letrare si, anafora, simbole, krahasime etj.

  Përmbledhja poetike “Ma ruaj një vdekje, atdhe” përbëhet nga katër cikle, “Nusëri e thyer”, “Në lëmshin e fjalëve të mia”, “Ma ruaj një vdekje, atdhe”, “Nga frika e harrimit gri”.

Kjo përmbledhja “Ma ruaj një vdekje ,atdhe”  është më tepër një përpjekje për ta shfaqur ndjenjën e saj edhe në botën e artit, sikur na shfaqet stoikisht qëndresa e familjes së saj heroike, dhe me këtë ndjen vjen në botën  e artit poetik.

    Frymëzimi thonë se vjen papritmas, e kjo te Sadetja ka ardhur si një erë e lehtë pranë flladit të lisit, lisit të atdheut që dhe është lidhur ngushtë me te, prandaj përmallshëm thur vargje për tokën e lindjes,  sidomos te cikli i tretë dhe poezia “Kosovë” e shohim një paradigmë poetike të saj, se sa e përkushtuar është për atdheun, heroin, familjarët, e në anën tjetër nga malli është e rebeluar.

Dua te jem valë e lumenjve të tu,
përplasmë shkëmbinjve po deshe,
le të mbetem përjetësisht brigjeve të tyre,
Kosovë e imja, me hire perëndeshe

    Atdheu dhe dashuria për të është e madhe ku “loti ngroh dhimbjen me një kujtim të zgjuar”, e përmes këtij meditimi sikur na ofron edhe me të bukurën e vendlindjes së saj, malin, lumin, po ashtu edhe me heroin, nënën babën, po krejt në fund përmes figurës dhe vargut të saj na jep anën shpirtërore dhe atë mallëngjyese, Të tillë njerëz dhanë shumë nga vetja dhe identifikohen me atdheun përmes protagonistëve që i trajtojnë në vepër si për heroin, familjarët, veprimtarët, ndaj pashmangshëm paraqet fytyrën reale të nënës, babushit dhe të vëllait hero, të shokëve dhe shoqeve heroina. E tillë është edhe poetja, Sadetja, që me një urtësi pëlcet në vargjet e saj te poezia “malli”.

Mall kam për nënën,

për shelgun te bunari

për lulet në oborr

për ato rrudha balli,

kam mall

për të ngrohtën dorë.

Për poeten, dëshmorët janë pjesë e jetës dhe  rrezatim i kombit shqiptar, prandaj ajo shprehet se pa këtë rrezatim s` do të mbijetonte njeriu ynë. Kështu ajo natyrshëm e shpreh idenë, se përmes këtij rrezatimi rrjedhë fuqia e jetës së një populli.

Ajo  ndjehet krenare kur e thekson veprën e heronjve siç janë  Fadil Vata, Fahri Fazliu e shokë të tjerë të vëllait të  saj Afrim Zhitia.  Këta shokë e veprimtarë, atdhetarë e  heronj pata rastin t`i njoh e të veproj në të njëjtën organizatë.

Horizontet morën gjëmën,

re e erë në trok të kalit,

diç shteroi në syrin e nënës

tek niste a soste dasmën e djalit.

Në poezinë e saj kemi të bëjmë me një varg katërsh e të rregullt sipas metrikës dhe rimës AABB, po edhe nga struktura e ndërtimit, përqasja e temës dhe fuqia e vargut janë krejt në rrjedhat e natyrës së një poezie artistike, të përcjellë me një emocion të natyrshëm dhe të kapshëm, ndonëse  hasim edhe te ndonjë varg kur i ik  anës artistike, gjë që kjo është edhe më se normale te krijuesit, e sidomos te krijuesit e ri që vijnë  në botën e artit. Por ajo shkruan me pasion dhe përkushtim të madh

“Me diell nisi  ajo ditë”, – thotë autorja, prandaj këtij vargu i referohet me një shtytje shpirtërore-malli dhe krenarie, sepse nxitja e shtynte që ta nxirrte një varg nga thellësia e shpirtit, jo vetëm pse i shkruante Afrimit vëllait të saj, por edhe sepse në radhë të parë i shkruante heroit të atdheut.

Poetja i rri besnik vargut, qëllimit, rimës dhe figurës, e mbi të gjitha idesë, prandaj ndjehet krenare dhe frymëzuar nga vepra heroike e Afrim Zhitisë dhe Fari Fazliut, të cilët ranë heroikisht, duke luftuar me policinë serbe e jugosllave në “Kodrën e Diellit” në Prishtinë:

në Bregun e Diellit, në Prishtinë

ju luftonit errësirën.

   Përmes kësaj figure të errësirës poetja shpreh se me tërë fuqinë i urren  ata që “po nxijnë, ata që ndiqnin dritën”, sepse drita “Me diell nisi…, me,… dy nëntori”. Apo thotë poetja:

E njoha krismën e revolverit,

e njoha vdekjen,

që ndali kohën për t’u shndërruar

në rënie pavdekësie.

Këtu shquhet një poezi me plot emocione e cila përmes anaforës, krismës, revolverit dhe vdekjes, poetja bukur e përcakton ngjarjen ndaj përmes këtij shtjellimi emocionues i ka dhënë një ngjyrim artistik poezisë. Madje çdo varg i saj është mbushur me një lidhshmëri të qëndrueshme përmbajtjesore. Ajo e ka përjetuar ngjarjen shpirtërisht deri në palcën e shpirtit, prandaj thotë se: “E njoha krismën e revolverit”,-

Mbi ballin qiell të motrës

retë u nxirosën,

terri i natës u bë dhimbje

e mbushi zemrën mos çahej.

Këto vargje thjesht burojnë nga shpirti i poetes si vargje margaritarësh, ashtu siç na dalin edhe te kënga popullore e Oso Kukës, kur motra i këndon dhimbshëm vëllait, por forca e poeteshës është më e madhe, duke përmbledhur edhe ndjenjën e dashurisë së motrës për vëllain edhe ndjenjën e krenarisë për veprimtarinë atdhetare dhe akteve heroike të Afrimit në kuptimin parësor, por edhe ka mbështetjen përforcuese në kuptimin e mbarështimit poetik.

Ajo merr guximin ta jetësojë porosinë e të vëllait, se gjëmë e vaj nuk duhet të ketë, por vetëm këngë e krenari, sado që zemra e motrës e ndjen fuqinë e rëndë të dhembjes për vëllain. Megjithatë ajo mbahet si burrëreshë dhe e përcjell porosinë për  qëndruar të patundur. Po këtë fuqie e hasim edhe te poezia “Nëna dhe monumenti”

Nëna përkëdhel djalin me duar

shndërruar në monument trimërie,

si atëherë kur i këndonte ninulla

në djep të bardhë fëmijërie.

Të paska rënë një hënë në ballë, 

dielli me rreze të paska praruar,

flamur i hapur si shqipe me flatra

qiellit të lirë tutje lartësuar!

  Tërë krijimtarinë e poetes e përshkon një ndjenjë, përshtypje, përjetime sikur “ikja mbështjell agimin gri”, apo “në dritare troket një rreze, në zemër zgjohet dëshira e fjetur”. Te poezia “Po ike sërish” përmes figurës së lotit, diellit dhe valëve ka përshkuar ndenjën e saj, siç do të shohim më poshtë:

Ma lër një pikë loti për buzën e tharë,
lërma diellin, gjysmerrësirë të mos bjerë,
të mbytem dua në të çmendurat valë
po s’ më more me vete kur ikën njëherë.

   E sipas anaforës, vargut poetik “hije e hije mbështjellin dhimbjen” na e paraqet anën shpirtërore, e “është ndarë qielli më dysh, paqe e mjegull e dritë njëkohësisht”, apo “degët e shelgut nanurisin nën avujt e tokës së shkriftë” e te poezia “Ajo” shfaqet një frymëzim emocionesh të larta të e rimuar dhe forcë artistike:

Bën buqetë  me të bukurat lule,

seç i vë mbi varr të trimit

pikë e pikë i mbledh dhimbjet 

si petale të kujtimit.

    Ndërsa te poezia  “Vdekja e presidentit” shfaqet një ndërthurje vlerash poetike, si nga vargëzimi, rima, forma dhe shtjellimi i idesë duke arritur ta zbërthejë  në mënyrë të qartë.

“Ka vdekur një president!”është poezi thumbuese, e sidomos te vargu “dhe historia nis e tallet” ka arritur përmes satirës ta zbërthejë jetën shoqërore që ndodhet në shoqërinë shqiptare, ndërsa vlerën ka arritur përmes këtyre vargjeve në poezinë e saj moderne:

            …………………

Pas protokollesh fshihen e shfaqen

trajta politike të shqiptarëve,

dhe historia nis e tallet:

Ka vdekur një president!

Për nga ana e motivit dhe stilistikës përmbledhja “Ma ruaj një vdekje, atdhe” ka arritur një formësim të shprehjes poetike që sajohet me një varg të rregullt e të figurshëm metaforik, ku nëpër cikle gjejmë lirikën, dhe patriotiken.

Lirshëm mund të themi se në poezinë e saj kemi dhe anën filozofike të shprehur me nocionet që kanë dyanshmërinë: lindjen-vdekjen, heroin-tradhtarin, dritën- terrin, ëndrrën-zhgjëndrrën, mallin-gëzimin, lotin-buzëqeshjen, atdheun-mërgimin etj. Të gjitha këto poetja i paraqet në kontekstin e gjerë të lidhshmërisë së qëndrueshme letrare, qoftë përmes vargut melankolik, lirik, metaforik etj.

Me këtë përmbledhje dhe me romaninDy dashuri të vrara dhe një miqësi e përjetshme” autorja ka arritur ta përçojë te lexuesi vlerat njëmendta letrare e artistike, të mishëruara me përmbajtjen e shëndoshë njerëzore dhe atdhetare shqiptare njëkohësisht.