MDIS-i në plotëni do ta financojë mësimin shqip në diasporë

Ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, njëherësh zëvendëskryeministër, Dardan Gashi, dje ka raportuar për Projektligjin e Diasporës para Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike.

Me këtë rast, ministri Gashi tha se Ligji për Diasporën është produkt i përbashkët dhe si i tillë  do të dërgohet për leximin e parë  në Kuvend.

Gjatë dëgjimeve publike për Projektligjin për Diasporën, temë kyç ka qenë mësimi plotësues shqip në diasporë. Lidhur me këtë, ministri Gashi tha se MDIS-i do ta bëjë financimin e mësimit për bashkatdhetarët tanë, pasi ruajtja e identitetit është me rëndësi për ne si shtet.

Financimi për mësimin shqip në diasporë mund të bëhet prej të  hyrave vjetore nga diaspora, që janë rreth 700 milionë euro, dhe nga përfshirja  në buxhet për vitin 2019 ose 2020.

“Lajm më të mirë për ne nuk ka, nëse  na jepni përkrahjen që bashkërisht të kërkojmë që në leximin e buxhetit  të futet si pikë financimi i mësimit shqip për diasporën. E kemi  numrin e saktë të mësuesve që i kemi në diasporë  dhe i takojmë rregullisht. Para leximit të parë ose mes dy leximeve, mund t’jua sjellim në detaje numrin e mësimdhënësve dhe nevojat që i ka arsimi”, ka thënë Gashi (Marr nga faqja zyrtare e M.Diasporës, takimi më 14 dhjetor).