Mësues në Diasporë / Vaxhid Sejdiu: Gjuha amtare, detyrim mbarëkombëtar

Vaxhid Sejdiu është një nga mësuesit e gjuhës shqipe më të angazhuar në Zvicër, me mbi 20 vite përvojë mësimdhënie të gjuhës shqipe. Nga viti 1999 është mësimdhënës i rregullt edhe në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” të Kantonit të St. Gallenit: në shkollat e Buchs-it, Sevelen-it, Unterterzen-it, Mels-it, Flumsit, Walenstad-it, në pikat shkollore të kantonit të Glarusit: në Niederurnen, Mitlödi, Netstal dhe  Glarus, dhe në pikat shkollore të Birr-it, Neuenhof-it dhe të Spreitenbach-ut të kantonit të Argaut.

Më 1999 u zgjodh kryetar i Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” për Kantonin e St. Gallenit. Që nga viti 2003 dhe deri me sot është kryetar i Këshillit të Arsimtarëve të LAPSH-it “Naim Frashëri” për Kantonin e St. Gallenit.

Që nga themelimi i Shoqatës “Motrat Qiriazi” (e cila më vonë u shkri në Lidhjen e Arsimtarëve Shqiptarë të Kantonit të St. Gallenit), ai dha një kontribut të çmueshëm në organizimin e mësimit plotësues në gjuhën shqipe dhe në organizimin e aktiviteteve me bashkatdhetarë.

Gjatë vitit shkollor 2019-2020 ka punuar dhe punon në pikat shkollore në Flums, Neuenhof, Spreitenbach, si dhe në Uster, në Volketswil dhe në Rüti, të Kantonit të Cyrihut. Po gjatë kësaj periudhe së bashku me mësuesit dhe veprimtarët e shkollës shqipe arriti të hapë dhjetëra shkolla me mësim në gjuhën shqipe, në kantonin e Zyrihut, Lucernës, Schaffhausen-it etj., duke themeluar një rrjet të suksesshëm të shkollave shqipe në Zvicër.

Vaxhid Sejdiu  lindi më 1961 në Kumanovë ku kreu shkollën fillore dhe gjimnazin. Studimet universitare i ndoqi në Fakultetin Filozofik (sot Fakulteti Filologjik) të Prishtinës – Dega e Letërsisë dhe e Gjuhës Shqipe, ku u diplomua shkëlqyeshëm në vitin 1985, dhe u nderua me mirënjohjen “Student i dalluar” i Universitetit të Prishtinës. Aty kreu edhe studimet pasuniversitare, ku mbrojti punimin e magjistraturës me titull “Poema e sotme shqipe me temë historike”, dhe në vitin 2014 mbrojti doktoratën me temë “Vepra letrare e Din Mehmetit”, dhe mori titullin Doktor i shkencave filologjike.

Cila është historia juaj, e largimit nga vendlindja dhe si ndikoi te ju ky ndryshim?

Në fund të viteve të ‘90, ish- Jugosllavia kishte filluar të rrënohej në të katër anët. Sa më shumë rritej rezistenca kombëtare shqiptare, aq më shumë tërbohej klasa politike jugosllave. Strukturat e shtetit projektonin dhe zbatonin në pikë të ditës, ligje dhe veprime antishqiptare. Në një ambient të këtillë, çdo gjë shqiptare ishte halë në sy për sistemin jugosllav, dhe mbi të gjitha shkolla, gjuha dhe kultura shqiptare. Arsimi shqip edhe pse tepër i kufizuar ishte vënë nën kontroll policor. I madh ishte numri i nxënësve dhe studentëve, duke filluar nga shkollat fillore dhe deri në universitet, që privoheshin nga e drejta e shkollimit në gjuhën amtare. Numri i klasave në gjuhën shqipe ishte i kufizuar dhe fëmijët shqiptarë ishin të detyruar të mësonin edhe në gjuhën sllavo-maqedonase në Shkup, Veles, Prilep, Krushevë, Manastir etj. Në shkollat e mesme mësimi zhvillohej vetëm në gjuhën sllavo-maqedonase. Ata që përfundonin shkollimin, në pamundësi për t`u punësuar në vendlindje, e shihnin rrugën e mërgimit si e vetmja e zgjidhje. Një gjë të tillë e përjetova edhe unë. Familja ime, ashtu sikurse pjesa më e madhe e familjeve shqiptare, ishte “e dërrmuar” ekonomikisht, nuk qëndronte më në këmbë, dhe e vetmja zgjidhje ishte mërgimi, edhe pse ishte rruga më e padëshiruar.

A qe e lehtë përfshirja në komunitetin shqiptar atje?

Zvicra në fillim të viteve 90-ta ishte bërë destinacioni më i preferuar për shqiptarët që jetonin nën pushtimin jugosllav, të cilët të përballur me sistemin e egër politik kërkonin njëfarë shpëtimi jashtë vendlindjes. Prandaj edhe përfshirja ime në komunitetin shqiptar në Zvicër ishte pjesë e aktivitetit, sepse kishte shumë nevojë dhe ekzistonin një numër i madh i subjekteve të ndryshme shqiptare.

Si ishin të organizuar atëherë shqiptarët dhe a ka ndryshuar ky organizim sot?

Tani, dallimi në mes atyre viteve të vrullshme në shërbim të lirisë dhe kohës së sotme është shumë i madh. Një pjesë e madhe e shoqatave nuk funksionojnë më. Por, edhe aktiviteti i mërgimtarëve në shërbim kombëtar siç ishte dikur nuk është më tani.

Si është lidhja juaj me gjuhën amtare dhe si ka ndryshuar kjo lidhje për shkak të emigrimit?

Asnjëherë nuk më ka vajtur mendja se unë do të largohem nga vendlindja dhe në anën tjetër tërë jetën do të punoj sikur në vendlindje, në profesionin tim shumë të dashur – mësues i gjuhës shqipe, në një ambient shkollor shumë të modernizuar siç është Zvicra, dhe me një numër kaq të madh të nxënësve. T`iu them të drejtën, më se dy dekada jetoj si në vendlindje, si në Kosovë, si në Shqipëri, mu në mes të Zvicrës. A ka kënaqësi më të madhe se çdo ditë të jesh i rrethuar me fëmijë shqiptarë, të cilët dëshirojnë ta mësojnë gjuhën amtare edhe pse të lindur në vend të huaj?

Edhe komunikimi ka ndryshuar shumë, kështu që, jam vazhdimisht në përcjellje të arritjeve qoftë shkencore, kulturore apo politike në trojet shqiptare. E vetmja gjë që mungon është fakti që nuk jam në vendlindje, por me shpirt dhe me mendje përherë.

Po me gjuhën e vendit ku jetoni, si është kjo lidhje?

E përditshme, një komunikim i nevojshëm për punën dhe angazhimin që bëj, sepse janë shumë të nevojshme kontaktet me institucionet vendore – zvicerane, takimet, mbledhjet me karakter ndërkulturor, manifestimet e përbashkëta me komunitetin vendas etj.

Si ka ndryshuar qasja juaj ndaj mësimdhënies, për shkak të vendit ku jetoni? A mund të bëni  një krahasim?

Natyrisht Zvicra, njihet për sistemin e saj arsimor të avancuar. Dhe, unë kam pasur nderin të jem pjesë e këtij sistemi. Po ashtu në vazhdimësi përcjell ndryshimet në lëmin e arsimit, zhvillimet kulturore, të cilat më kanë dhënë mundësinë të njoh nga afër përvojën e mrekullueshme arsimore të shkollave të vendit. Bashkëpunimi me kolegët zviceranë më ka dhënë po ashtu një mundësi të re, rreth arsimit dhe organizimit mësimor.

Ju keni mbi 20 vjet angazhim në mësimdhënie në Diasporë. Si ka qenë kjo përvojë e juaja? Si ka ndryshuar ndër vite interesi i emigrantëve shqiptarë atje për të mësuar shqip?

Po e vërtetë, ka më se dy dekada që zhvilloj një punë aktive jo vetëm në procesin mësimor por edhe në organizimin dhe riorganizimin e shkollave shqipe. Një angazhim plus ky, shumë i vështirë, sepse organizimi i shkollave të reja kërkon edhe kohën  e vet. Lirisht mund të themi,  se për të hapur një pikë shkollore nevojiten 3-4 muaj aktivitet, ku përfshihen takimet me prindër, takime të veçanta, por edhe me grupe të caktuara, mbledhje prindërore e kështu me radhë. Por, në këtë rrugëtim jam tepër mirënjohës ndaj bashkëveprimtarëve: mësuesve dhe prindërve shqiptarë, të cilët më kanë mbështetur në këto nisma. Fakt është se prindërit, të cilët janë të interesuar, që fëmijëve të tyre t`ua ruajnë gjuhën amtare nuk mungojnë. Por, çështja është se sa i madh është numri i atyre që regjistrohen. Natyrisht ne synojmë që të përfshijmë sa më shumë nxënës, me qëllim që pastaj ndarjen në grupe ta kemi sa më të lehtë. Synojmë ndarjen e nxënësve së paku në 3 nivele apo 3 grupe, sepse kështu cilësia e mësimit është më e lartë. Brezi i parë i mërgimtarëve shqiptarë ka qenë shumë i interesuar që fëmijët e tyre të ndjekin mësimin në gjuhën amtare, ta ruajnë gjuhën amtare. Ndoshta ishte një periudhë ku përpjekjet për liri e mbanin më lart dëshirën për ruajtjen  e gjuhës dhe kulturës shqiptare. Brezi i dytë më duket më i papërgatitur për këtë mision. Por, nëse edhe me brezin e dytë nuk punohet sa duhet dhe si duhet, jam i bindur se gjërat do të ndryshojnë për të keq. Në kushtet që ne punojmë nuk mjafton të jesh vetëm mësues, por duhet të jesh edhe veprimtar i shkollës shqipe, të kesh kontakte të vazhdueshme me prindërit, sepse brezat ndërrohen dhe numri i nxënësve mund të bjerë. Unë po ju them me përgjegjësi, aty ku është hapur një pikë shkollore dhe ka qëlluar një mësues mirë i përgatitur për këtë lloj mësimi dhe është arritur të formohet një këshill prindëror i përgjegjshëm, mësimi në gjuhën shqipe nuk është ndalur asnjëherë. Janë me dhjetëra shembuj, si: shkollat shqipe në Flums, në Mels, në Buchs etj.

Sipas këndvështrimit tuaj, a ka ndërveprim midis mësuesve të gjuhës dhe kulturës shqiptare në Diasporë?

Ajo që është shqetësuese, është pikërisht bashkëpunimi real mes të mësuesve të mërgatës shqiptare. Mungojnë shumë gjëra: edhe profesionale, edhe organizative. Sot e kësaj dite mungojnë tekstet shkollore të mirëfillta për këtë lloj mësimi. Fëmijët, të cilët lindin dhe rriten në vend të huaj, kanë nga dy orë në javë gjuhën shqipe, dhe nuk mund të përfitojnë shumë nga tekstet shkollore me të cilat mësojnë fëmijët në Prishtinë apo në Tiranë. Në mungesë të teksteve kemi qenë shumë herë të detyruar, që edhe këto tekste t`i përdorim ashtu siç janë, edhe pse kemi qenë të vetëdijshëm, se shpesh nuk i plotësojnë kushtet. Unë, vazhdimisht kam përgatitur edhe njësi mësimore, të cilat ua kam përshtatur strukturës së nxënësve në klasë, ku kam punuar. Dhe fakt është se mësimi i përshtatshëm për moshën dhe nivelin e nxënësve, i ndihmon ata, që të rrisin interesimin e tyre ndaj gjuhës shqipe.

Së fundmi, ju jeni përkushtuar në çeljen e shkollave të reja të gjuhës shqipe. Si ka ndodhur kjo dhe si ka qenë kjo përvojë juaja?

Pre tre vitesh jetoj dhe punoj  në qytetin Uster, të Kantonit të Zyrihut dhe për shumë gjëra, të cilat nuk kam pasur rastin t’i njoh apo t’i vë në sprovë i kam provuar tani, p.sh.: në Kantonin e St. Gallenit, ne me vite kemi punuar së bashku, dhe çdo mësues që na ka kontaktuar jemi munduar ta angazhojmë qoftë edhe një ditë në javë. Në Kantonin e Zyrihut nuk është e njëjta. Shumë gjëra mbahen dhe organizohen si guaskë e mbyllur, duke i mbajtur shkollat shqipe vetëm për vete. Pra një status – quo që e ka dëmtuar jashtëzakonisht shumë Lidhjen e Arsimtarëve dhe Prindërve shqiptarë në Zvicër (LAPSH), gjatë viteve të fundit ku në më se 15 kantone të Zvicrës, sot nuk ka asnjë shkollë shqipe, asnjë nxënës që ndjek mësimet në gjuhën amtare, në mënyrë të rregullt. Dhe në anën tjetër LAPSH-i thirret si “e vetmja Shoqatë e organizimit të mësimit në gjuhën shqipe” në Zvicër. Po ashtu po bëhen gati 25 vjet të ekzistimit të LAPSH-it në Zvicër dhe sot e kësaj dite nuk ka as dokumente zyrtare të unifikuara, as tekste shkollore të përshtatshme, as libreza dhe as dëftesa, një laramani që shihet kudo dhe një rënie drastike e numrit të nxënësve nëpër shkollat shqipe.

Unë personalisht jam përballur me deformime të këtilla, jam munduar që këto gjëra t’i përmirësojmë, brenda LAPSH-it, sepse unë jam edhe anëtar i Kryesisë së LAPSH-it për Zvicrën, por ka qenë e pamundur. Edhe pse unë dhe kolegët e tjerë kemi arritur të ofrojmë me dhjetëra nxënës në bankat shkollore, nuk na kanë lejuar që të punojmë. Në një situatë të këtillë kemi qenë të detyruar të hapim shkolla të reja shqipe, të cilat LAPSH-i nuk i ka pranuar në gjirin e vet. Edhe pas konsultimeve në prezencë të institucioneve tona diplomatike të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë dhe Ambasadës së Republikës së Kosovës një gjë e tillë nuk është pranuar nga LAPSH-i. Pra një kërkesë, e cila është legjitime edhe me statutin e LAPSH-it, ku në nenin 34 të saj, shkruan se “secili mësues që është i punësuar në LAPSH nëse tubon më shumë se 12 nxënës, mund të hap pikë shkollore kudo në Zvicër”. Në një gjendje të këtillë arritëm ta tejkalojmë situatën me mbështetjen e Ambasadës së Republikë së Shqipërisë në Bern dhe Ambasadës së Republikës Së Kosovës, duke e thyer akullin dhe duke hapur një faqe të re në hapjen e shkollave shqipe në Zvicër. Më 18 gusht 2019 filluam me hapjen e pikës së parë shkollore, në qytezën Volketswil, të kantonit të Cyrihut duke vazhduar një pas një me shkollat e tjera në Uster, Rüti, Effretikon, Wetzikon, Fällanden, Zürich – Grünau, Zürich – Kappeli, Dietlikon, Glattbrug, në Schwerzenbach, në Fehraltorf, Adliswil, Zollikon, Männedorf, Meilen, Brüttisellen, Hori, Bachenbüllach, Hofuri të kantonit të Cyrih-ut etj., si dhe duke vazhduar pastaj edhe në kantonet tjera në Luzern, Schaffhausen etj.

Si e keni ndërtuar marrëdhënien tuaj me nxënësit e gjuhës dhe kulturës shqiptare në Zvicër?

Marrëdhënia ime me nxënësit e gjuhës dhe kulturës shqiptare është një marrëdhënie e veçantë, e një mësuesi që ka përkushtimin jo vetëm me pjesën mësimore, por edhe me edukimin kombëtar, sepse këta fëmijë lindin dhe rriten në vend të huaj. Pra, mësimi i gjuhës amtare i shoqëruar, me rregullat, saktësinë, respektin dhe të gjitha format e mirësjelljes janë njëra anë e medaljes, por unë gjatë këtyre viteve jam munduar që të nxis në shpirtin e tyre të njomë, atdhedashurinë. Pra, nëpërmjet njësive mësimore jam munduar t’ua bëj më të qartë se kush janë ata, dhe si duhet të integrohen në shoqërinë zvicerane, kurse nëpërmjet aktiviteteve të lira ua kam bërë më të qartë rregullat se si ruhet gjuha dhe kultura shqiptare. Një integrim i mirë padyshim është shumë i dobishëm, njohja e gjuhëve të huaja është vlerë shumë e lartë, por mbi të gjitha pa njohjen e gjuhës amtare nuk mund të arsyetohet asnjë hap. Nëpërmjet njësive mësimore jam munduar t’i njoftoj nxënësit e mi, me historinë e popullit shqiptar, gjeografinë shqiptare, përpjekjet e brezave në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës kombëtare, sepse gjuha dhe kultura shqiptare janë vlerë botërore. Jam munduar t’ua dëshmoj nëpërmjet fakteve se pa marrë parasysh nga vijnë dhe çfarë pasaportash kanë ata në rend të parë janë shqiptarë dhe atdheu i tyre është Shqipëria. Jam  munduar nëpërmjet fakteve, që në të ardhmen e tyre gjatë shkollimit, temat e prezantimit në klasë, në shkollën zvicerane të marrin edhe nga gjuha dhe kultura shqiptare, sepse shpalosim çka kemi.  Ne nuk duhet të turpërohemi nga gjuha dhe kultura jonë, por duhet me bindje ta promovojmë atë. Dhe nëpërmjet krahasimit, se si prindërit e tyre e duan dhe ëndërrojnë për atdheun edhe ata duhet ta duan dhe ta ruajnë lidhjen me atdheun, sepse kur shkojnë për pushime në vendlindje, ata nuk janë qiraxhinj apo nuk shkojnë nëpër hotele, por shkojnë në shtëpitë e tyre.

Përse e këshilloni mësimin e gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare për të rinjtë atje?

Përvoja, më ka dhënë gjithmonë të drejtë sepse ato këshilla që ua kam thënë nxënësve të mi para 20 e sa viteve, sot ua thonë edhe kolegët e mi zviceranë. Ata në mbledhjet prindërore vazhdimisht ua tërheqin vërejtjen prindërve shqiptarë që t’i dërgojnë fëmijët në shkollën shqipe dhe ta mësojnë gjuhën amtare. Edhe pedagogët zviceranë e përsërisin vazhdimisht qëndrimin e tyre që prindërit t’i orientojnë fëmijët në mësimin e gjuhës amtare. Pastaj pa njohjen e gjuhës amtare fëmijët në atdhe ndihen si të huaj, nuk mund të merren vesh as me anëtarët e familjes. Dhe një fakt i këtillë është një plagë më shumë në jetën e mërgimtarit shqiptar. Të jesh shqiptar, por pa gjuhë amtare është e rëndë dhe nuk përjetohet lehtë. Prandaj në këtë drejtim duhet të gjithë të punojmë bashkërisht. Unë personalisht jam shumë mirënjohës institucioneve vendore zvicerane për angazhimin dhe bashkëpunimin në sensibilizimin  e prindërve shqiptarë në hapjen e shkollave shqipe. Unë jam mirënjohës ndaj  dhjetëra e dhjetëra kolegëve zviceranë dhe drejtorive të shkollave zvicerane, të cilët pothuajse çdo kërkese që e kemi parashtruar i kanë dhënë mbështetje dhe përpjekje deri në realizim.

Diku ju shpreheni se mësimdhënia është një det përvojash, çfarë vlere ka marrë profesioni juaj në Diasporë?

Tani, profesioni im është begatuar me një përvojë të jashtëzakonshme profesionale i frymëzuar nga një sistem shkollor i avancuar, në të cilin përdoren metodat dhe mjetet  e punës më moderne në arsim. Puna me grupe apo me nivele është përvojë më vete. Krahasimi në mes orëve mësimore në gjuhën shqipe dhe atyre orëve në shkollën e vendit duhet të ketë përafërsisht një drejtpeshim. Në klasat e mia kam prindër dhe nxënës nga të gjitha trojet shqiptare, që në familje flasin të folme të ndryshme, por që në klasë flasin rrjedhshëm gjuhën letrare shqipe. Kjo “Shqipëri etnike” më jep shpresë se gjuha dhe kultura shqiptare në diasporë do të ngrihet në nivelin e dëshiruar.

Një fjalë të fundit për bashkatdhetarët…

“Shkolla Shqipe” është e të gjithëve, prandaj po e përsëris thirrjen e fundit (Konkursin për vendet e reja të punës) që ua kam drejtuar të gjithë mësuesve, të cilët janë në Zvicër dhe kanë leje qëndrimi në Zvicër, edhe atyre që janë në LAPSH, të paraqiten, sepse për vitin e ardhshëm shkollor 2020-2021 kemi në organizim edhe 33 shkolla të reja. Me qëllim, që të jemi sa më të përgatitur edhe në këtë bashkëbisedim me ju, po e përsëris: Ejani, ta bëjmë shkollën shqipe temë të përditshme, sepse fëmijët shqiptarë ashtu siç kanë nevojë për bukën, ujin, mësimin në gjuhën gjermane, frënge apo italiane, kanë nevojë edhe për mësimin në gjuhën shqipe. Në kuadër të shkollës shqipe jemi 12 mësues, të cilët jemi angazhuar gjatë këtij viti shkollor: Mimoza Dako, Qefsere Sejdiu, Nora Macula, Albulena Jusufi, Liljana Gojani, Ardjan Shaqiri, Isuf Ismaili, Teuta Myrtaj, Renata Balliu, Nermine Shabani, Fatmire Rahimi dhe Sherije Kadriu. Ejani të bëhemi më shumë, sepse kështu kontribuojmë ndaj gjuhës dhe kulturës sonë.

Një porosi për prindërit – bashkatdhetarët…

Për prindërit apo bashkatdhetarët e mi, me të cilët ndajmë “bukën e hidhur të kurbetit” ju drejtohem me fjalët e dijetarit shqiptar, Sami Frashërit: “Shenja e kombit është gjuha, kur një komb e humb gjuhën, ai humb edhe veten”. Prandaj, orientoni fëmijët tuaj drejt gjuhës dhe shkollës shqipe, sepse emrat e tyre të bukur: Flamur, Shqiprinë, Durim, Qëndrim, Gëzim, Besë, Krenare, Vlorë, Berat, Shkodran, Milot, Sarandë, Krutan, Kosovare, Iliridë, Shqipe etj., nuk kanë kuptim pa njohjen e gjuhës shqipe.

Një këshillë për institucionet përkatëse në atdhe…

Ashtu sikurse e thashë më lart se meritë e veçantë në hapjen e shkollave shqipe në Zvicër i takon Ambasadës së Republikës së Shqipërisë dhe në veçanti z. Ilir Gjoni, i cili në çdo kohë ka mbështetur përpjekjet tona, jo vetëm të shkollës Shqipe, por edhe të LAPSH-it. Ai gjithmonë ka qenë në mesin  tonë me këshilla dhe sugjerime për të bërë më të mirën e mundshme. Një gjë të tillë dëshiroj, që në të ardhmen edhe institucionet tona të arsimit të jenë sa më afër aktiviteteve dhe angazhimeve të diasporës shqiptare rreth organizimit të shkollave shqipe.

Edhe diçka që ka mbetur pa thënë…

Duke ju falënderuar për bashkëbisedimin shfrytëzoj rastin që portalit “Diaspora Shqiptare.al” dhe Qendrës së Botimeve për Diasporën, t’iu dëshiroj shumë suksese në aktivitetin tuaj gjithëkombëtar. Dhe në këtë drejtim dua t’ua përkujtoj mediave shqiptare, qoftë atyre të shkruara apo vizuale se edhe ato, e kanë për obligim moral dhe kombëtar, që nëpërmjet informimit të ndihmojnë konkretisht në sensibilizimin e prindërve shqiptarë, që t`i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollat shqipe dhe të mos e harrojnë gjuhën amtare, sepse mësimi i gjuhës amtare nuk është luks, por nevojë dhe mbi të gjitha obligim kombëtar.

(Intervista është përgatitur nga Qendra e Botimeve për Diasporën, pjesë e një cikli intervistash me mësues shqiptarë në Diasporë, të cilët kanë dhënë një kontribut të veçantë në përhapjen dhe ruajtjen e gjuhës shqipe, kulturës shqiptare dhe forcimit të lidhjeve të komunitetit shqiptar në vendin ku ndodhen.)