Mustafë Krasniqi – Mbledhja e fundvitit e kryesisë së LAPSH-it në Bavari të Gjermanisë

Bildergebnis für foto mustafë krasniqi
Mustafë Krasniqi

Shkruan: Mustafë Krasniqi – Më 21 dhjetor 2019, në Puchheim të Gjermanisë, në Landin e Bavarisë, kryesia e LAPSH-it në Bavari, mbajti takimin e radhës dhe të fundit për këtë vit. Në këtë takim u analizua dhe u raportua për punën gjashtëmujore, të cilën e bëri kryesia e Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë (LAPSH), për Bavari dhe u shqyrtua situata, për sfidat që do t’i presin në të ardhmën.

   Mbledhjen e hapi kryetari  Milazim Ukaj, ndërsa Raportin e paraqiti sekretari Avdi Kolukaj, kurse Koordinatori, Mustafë Krasniqi, u ndal tek  informimi dhe mundësitë për të qenë më afër bashkëkombësit mërgimtar, biznesit dhe shoqatave që veprojnë në landin e Bavarisë. Ndërsa, për rritjen e numrit të klasave dhe të nxënësve, foli Selim Hoti-nënkryetar, kurse Rexhep Nikqi-arkatar i LAPSH-it u ndal te gjetja e fondeve për pagën e mësimdhënësve.

Mbledhja filloi në orën 11:00  dhe mbaroi në orën 20:00, ku gjatë diskutimeve, analizës së raportit gjashtëmujor, u konstatua se me gjithë vështirësitë, përballjet dhe sfidat, që i pati gjatë këtij viti Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë (LAPSH) ka arritur ta sensibilizojë çështjen e Mësimit Plotësues në Gjuhën Shqipe. Po ashtu u përmend edhe bashkëpunimi i LAPSH-it me dy konsullatat shqiptare në Munih, ajo e Tiranës dhe e Prishtinës, si dhe me Ministrinë e Arsimit e Shkencës dhe e Teknologjisë (MASHT) dhe me Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike (MDIS) të Republikës së Kosovës.

Në fund të mbledhjes, me ftesën e kryesisë së LAPSH-it, ishte i pranishëm edhe kryetari i “Besa Foundation” e.V., z. Anton Krasniqi, i cili dhe është sponzor kryesor i LAPSH-it. Z. Krasniqi u zotua se Fondacioni Besa do të jetë gjithmonë përkrahës i pandashëm i shkollës shqipe, gjë që për këtë kishte ndarë 10 mijë euro, po ashtu dhe do të kërkojmë nga bizneset tjera ta ndihmojnë Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe, thotë z. Krasniqi.

Në emër të kryesisë së LAPSH-it, kryetari Ukaj, e falenderoi “Besa Foundation” e.V.,  kryetarin e saj z. Krasniqin, për ndihmesën që po i jep LAPSH-it. Nga kjo mbledhje u shqyrtua edhe rregullorja e punës së  LAPSH-it, me disa plotësime nga rregullorja e mëparshme, si dhe u formulua shkresa, për t’ju dërgua bashkëkombësve, shoqatave dhe bizneseve në emër të LAPSH-it.