Një tufë poezi, nga poeti Sylejman Qyqalla

Mustafë Krasniqi: Që në fillim të krijimtarisë poetike të autorit Sylejman Qyqallës, nga përmbledhjet e para të krijimtarisë tij kam përcjellur vlerën e këtyre poezive dhe njëkohësisht kisha nderin të jem redaktor apo recensent në katër librat e tij.

Kjo dhe më mundësoj ta njohë arti dhe vlerën e krijimtarisë së tij krijues, i cili në vete ngërthen motive të ndryshme dhe fuqishëm trajton vargun poetik, përmes ndërtimit dhe figuracionit, duke paraqit sa më thjesht natyrën e gjendjes sociale të njeriut të sotëm.

Sylejmani është nga ata krijuesit, që doli në skenë i vrullshëm me një krijimtari të fuqishme, thjesht tek poezia e tij shohim shpirtëroren, i cili përmes vargut proteston ndaj të keqes që është përplasur padrejtësisht mbi atdheut të tij- shqiptarëve.

Përmes vargut të figurshëm dhe tropeve stilistike, temave me motive të ndryshme dhe thumbimet, që përmes kësaj revolte të pasluftës shprehet kryengritës ndaj dukurive negative.

Te krijimtaria e tij gjejmë edhe liriken e këndshme, monologun dhe drejtpërdrejt dialogun me heroin apo poetët e mëdhenj, si: Me Migjenin shpesh e gjejmë duke biseduar dhe matur kohën, po ashtu revoltën paraqet edhe ndaj atyre që po ja rëndojnë lirinë e atdheut. Syla nuk kursehej as ndaj atyre që ia përplasin rinin dyerve të botës, ngaqë e ndien në shpirt këtë tragjedi kombëtare mërgimin.

Për lexuesin po i sjelli ca poezi të poetit Sylejman Qyqallës

Sylejman Qyqalla - Poezi 01 - YouTube

Shkruan: Sylejman Qyqalla

MORE QENGJ


Eh,more qengji im i butë i ngratë
Gjithmonë fajin ta lënë ty!
Për ujin e turbullt e për shamatë
Gjithmonë të lanë pa mullixhi!

Eh,mor qengj në fund të përroit
Ujin dot s’e ndote asnjëherë!
Ta kanë mësyer ujqrit “e sojit”…
Pos mushkërive-të duan të tërë!

A DËGJOVE, MIGJEN


“Zotni…zotni, të lutem…më fal ndoi sen!”
Pse kaq shumë më therr, më djeg si prush..
Ç’t’u desh dhe në këtë shekull të vish, Migjen?
E sheh…të varfrit-si atëherë…s’ia var askush!

Kokrra e misrit sa një mal, sa një botë
Po…pse erdhe sërish me Lulin e jo vetë?
Opinga po na gërryen,vëlla-si një golgotë…
Sërish, o Migjen…po na nxihen retë.

Luli…as opinga…po as qymyr nuk ka
Zotëriu e zhveshi lakuriq në këtë acar…
A dëgjove, Migjen? Një ushtar nga uria ra
Gjëmës së Lulit…s’i bëri dot ballë.

Fli, Migjen…s’ke ç’të shohësh dot mbi dhe…
Një grusht “kalorësish” pështynë mbi Atdhe!

TË JESH POET


Kurrë vetë s’i kam dashur censurën as diktatin
Po as të çinoj dikë nuk kam dashur kurrë…
Nuk i dua poetët që shtiren “të mëdhenj” në artin
E, pa kuptim…në letër derdhin fjalë, si gurë.

Nuk i dua poetët,që krekosen si bibat
E veten duan ta çojnë në Diell e në Hënë.
Kur nga e vërteta tmerrohen si nga shtrigat
E në poezi, as vetë s’dinë se ç’kanë thënë.

Të jesh poet…jo gjithçmos vetëm të duash…
Kur sulmon bisha…duhet dhe të godasësh!
I pari me qiri e shpatë-fjalën e popullit ta thuash,
Ndaj gjëmës së tij…jo të heshtësh e të gajasesh.

NË DASHURI


Unë s’të solla veç dy tufë trëndafili
Ti e di,moj zemër-unë nuk jam kurnac!
Këputa degën,ta solla në krahë bilbili
Për dashuri-kurrë s’kam qenë përtac!

Nuk të solla lule veç dy tufë,e di ti
Mes degësh,ta vura peshqesh zemrën.
Në nektar-si engjëj jemi unë e ti
Ndaj,për ty,s’do ta pushoj këngën.

SHTEGTIM


Na ikin njerëzit si era- pa u vënë re
Rritur bashkë,shumë vite pa u parë
Malli na gërryen;ne as këtu as atje
Na ikin njerëzit-peng i zjarrti mall.

Na ikin njerëzit,vitet në heshtje treten
Shuhen kaq papritmas,shpejt,si meteorë.
Ne prore vonë zgjohemi:”Vallë,ku mbetën?!”
Dhe na duket sikur s’qemë bashkë një orë.

Njerëzit…vetëm mes njerëzish jemi gjallë…
Ikin njerëzit dhe na duket si një përrallë.

TROKITJE


Hajde,hajde,mori e ngratë
Sërish të bënë fustan të gjatë!
Edhe të gjatë edhe të vjetër
Mos e vish,moj-gjeje një tjetër!

Hajde,hajde,moj shurdhmemece
Unë të trokita e derën s’ma çel!
Sërish të zunë-si zogun në leqe
Të qajnë dhimbshëm lisat në zabel!