PAJË NUSE E PËRGJAKUR

Përmbledhje poezish nga Gazmend Dashi

VITI I DHEMBJES

Viti i ikur, vit i dhembjes
Viti i mërzisë
Vit pikëllues
Me lot trishtues të fëmijës.

Humbje të familjarëve
Njerëzve të shtëpisë
Humbje e vullnetit
Humbje edhe e shoqërisë

Zhgënjim fatal i popullatës
Me premtime të zbrazta
U largohen të rinjtë
Nënave të ngrata.

Ato qajnë e rënkojnë
Me lotët rrëke
Pushtetarët festojnë
Dolli festive ngrehin

Asnjë pikë gjaku
Nuk u derdh,
Që të shkelet
Nga injorantët sot!

Do t’i vrajë zoti
Mëkatarët e tanishëm
Që shkelin gjakun e dëshmorit
E shesin nderin e kombit.

PAJË NUSE E PËRGJAKUR

Se çka u bë me kohën sotit
Të kthehen mbrapshtë ditët e motmotit

I zë nuse nëna djalit
Me tradita nga të parit

Gëzohet nëna , gëzohet shtëpia
Gumëzhinë daullja, shtohen fëmija

Shkurt e mbrapshtë qenka kjo jetë
Djali me nuse diku janë tretë

Seç i mori lumi e u largun
Diku larg shumë larg shkuan

Qeleshja e dhëndrrit që nga ajo ditë
Mbi dollap i pluhurosur rri e soditë

Nëna e mjerë rreth oxhaku
Në qoshe t ‘shtëpisë vajton plaku

Dy të mjerë e të pafuqi
Pa përkujdesje në pleqëri

Ëndërron nëna mbesa e nipa
Për dhe të huaj nuk ju rrita

Këtë botë e paska mallkuar zoti
Mjerë i ligshti e lum i forti

Kush këtë kasolle do ta pastrojë
Bar e ferra t‘mos e mbulojë

Hambarin me grurë kush do ta mbushë
Kur s’ka kush t’punojë n‘fushë

Bagëtia e çoroditur andej maleve
U ka humbur edhe themeli staneve

Ujqërit e uritur ulërojnë pa frikë
Se s’ka kush t’u dalë në pritë

Sulmojnë kopetë e rudinave
Gjak qengjash kudo lëndinave

Paja e nuseve të harruara
Çatitë e shtëpive tërësisht të shkrumbuara

Lumenj të tharë e pa jetë
Uji i turbullt, vapë e nxehtë

Kukama plakash pa ndërprerë
Njerëz pa koka, fëmijë të prerë

Foshnje të mbetura nëpër ferra
Nënat e dhunuara e të therura

Dushku i pranverës i skuqur nga gjaku
Burra pleq të thyer nga dajaku

Oborret e shtëpive përplot kufoma
Në këtë shekull ndodh akoma

Puset në oborr përplot të mbushur
Me gjymtyrë njerëzish e me gjak të skuqur

Mbi rrethojë të shtëpisë
Ende ndihen klithmat e fëmijës

Në prehër të nënës së copëtuar
Bija e vrarë e përdhunuar

Çfarë gjelati i këtij shekulli
Prej trishtimi ngrihet edhe i vdekuri

Zgjohet nga varri i çuditur
Me njerëzinë e çoroditur

Nuk e lanë as në varr të pushojë
Se edhe varrin ia trazoi.

UNË JAM ATY

Unë jam aty
Ku je edhe ti
Të bashkuar
Rreth një trungu
Nga botë e harruar

Do të jemi gjithmonë
Me mendje e trup
Si mrizi me trung

Do të rrimë
Në borë e shi
përballë murrlanit
unë edhe ti…

NËN HIJE LISI

( Kushtuat vëllaut, Malësor Dashit)

Nën hije lisi
Me mallë të priti fisi
Na erdhe faqebardhë
Pas pesë motrash
I vetmi djalë!

Gumëzhinte shtëpia, oxhaku
Se u ngjallë konaku

Një Malësor pushke
Një Malësor vatani
Na erdhi gëzimi
Si stuhi murrlani.

Të rritëm e u bëre burrë
N’shërbim të atdheut
Në popull kudo ishe ti.

Te prisnim si gjithëherë
Në të ngrohtin shtrat
Nëna humbi durimin
Tha: ku e kam Malësor trimin?

Nënë mbahu e fortë
Një zë tha: Malësori
Ka ikur për në amshim.

KU MBETE

Ku mbete, ku u trete
Vajzë e bukur borëbardhë
Lugjeve e shpateve
Eja moj sorkadhë

E stolisur për bukuri
Moj e lumtura belhollë
Ku mbete, ku u trete
Lozonjare fjollëbore

Ku shkove, pse na harrove
Moj e bukura e kësaj shpije
Moj e mira dorëlira
Pajë e bukur nusërie.

KÇANIKU

Ura e konakut
Simbol i karadakut

Gryka e gurit t‘shpuar
Republikë e përuruar

Gryka e Kaçanikut
Varr i mynafikut

Kalaja e fortifikuar
Shumë stuhive
U ka përballuar.

Përroi Rakocit valë -valë
Me gjak pafajësie larë e shpërlarë

Idriz Seferi grykës luftoi si burrë
Bjeshkëve të sharrit
Trimëria e Avdyl Durës ndiehej.

Kaçaniku i historisë
çerdhë e mëvetësisë.

FSHATI IM

Bukuri e rrallë e rrethuar me mal
Me fusha të gjera, troje të lashta
Me lumi që valëzon valë-valë
Brigje të bukura të dheut tim.

Shtëpitë e bukura katesh të stolisura
Me shkolla, shtëpi shëndeti, bibliotekë,
Me treni e autobusi
Zbukurojnë fshatin tim

Në mbrëmje hija e Sharrit
Stolisur me bardhësi bore
Rri i shtrirë e kokën lartë
Përball fshatit tim krenarë!

Me fusha pjellore, ara të mbjellura
Me djem e vasha shtathedhura
Me këngë valle e burimore
Rritet bukuria e fshati tim.