PËRMBYLLET ME SUKSES TURNEU I SHAHUT “ARBËRIA OPEN 2019” NË VJENË

Besim Xhelili

shkruan: Besim Xhelili-Përgjatë javës nga 21-27 tetor 2019, nën organizimin e Klubit të Shahut “Arbëria” nga Vjena dhe në bashkëpunim me Federatën e Shahut të Vjenës u mbajt turneu ndërkombëtar i shahut “Arbëria Open 2019 – Edicioni I”. Klubi ka për synim që ky aktivitet të bëhet tradicional, duke pasur parasysh interesimin dhe pjesëmarrjen e madhe të dashamirëve të shahut qysh në këtë turneun e parë.

57 lojtarë të shahut nga 14 nacionalitete të ndryshme u grumbulluan në turneun e shahut “Arbëria Open 2019 – Edicioni I”, nga të cilët 12 ishin lojtarë të vetë klubit. Në një atmosferë të qetë dhe të këndshme shoqërore, garuesit në shah kaluan javën sportive, duke bërë 7 raunde lojërash, të cilat sipas gjyqtarit nga Federata e Shahut të Vjenës, Gregor Neff, kaluan pa ndonjë ngatërresë apo incident. Ai tha se është i kënaqur nga mbarëvajtja e turneut, lojëtarët ishin shumë të përgatitur dhe pjesëmarrësit e tjerë që shoqëruan lojërat gjetën gjithashtu një argëtim të mirë përgjatë turneut.

Mirëpo, si në çdo garë tjetër, më të mirët marrin vendet e para dhe shpërblimet më të shtrenjta. Kështu, vendi i parë i takoi mjeshtrit Nikolaus Stanec me 6 pikë, i dyti Konstantin Peyrer me 5,5 pikë, i treti Johannes Steindl me 5,5 pikë, i katërti Ekaterina Nikanova me 5 pikë dhe i pesti Franziskus Leopold Wagner gjithashtu me 5 pikë. Pastaj u dha çmimi më i mirë për zonjat, i cili i takoi znj. Irina Ivanyuk, çmimi seniori më i mirë i takoi Werner Reif dhe çmimi më i mirë për të rinjtë U 18 i takoi Nathan Cabala. Gjithashtu u ndanë edhe dy kategori çmimesh, për treshen e parë nën 2000 pikë (elo), vendi i parë për Adrian Pirvulescu, i dyti Agron Çika dhe i treti Faruk Mohamed Sayadi, si dhe treshja e parë nën 1800 pikë (elo), vendi i parë Tobias Englisch, i dyti Robert Ernst dhe i treti Peter Meixner. Për të gjithë pjesëmarrësit e tjerë u ndanë mirënjohje dhe çmime të tjera në gjësende si: libra, ëmbëlsira, fruta, shishe të verës etj.

Në fund të këtij aktiviteti u realizua një turne i shpejtë në shah, ku për 5 vendet e para gjithashtu u ndanë çmimet e parapara. Të pranishmit u ndanë të gëzuar, me shpresën që vitin e ardhshëm takohen përsëri në edicionin e dytë të turneut ndërkombëtar që do të realizojë Klubi i Shahut ”Arbëria” nga Vjena. Klubi uron lojtarët për suksese në turne të tjera dhe falënderon përzemërsisht mbështetësit dhe financuesit e këtij tunreut si Rrjetin e Bizneseve të Diasporës Shqiptare për Austri, në krye me z. Yll Blakaj, pastaj ndërrmarjet “Albakopie”, “Blakaj Fenster & Türen, “Timi Trans”, “Alushaj”, “Gashi Fenster & Türen”,  Këshillin Koordinues të Shoqatave Shqiptare në Austri, si dhe të gjithë anëtarët, që me punën e tyre dhe angazhimin vullnetar e bënë të mundshme mbarëvajtjen e shkëlqyer të këtij aktiviteti kulturor dhe sportiv.B