PLAVA – QYTETI I TJETËRSUAR SHQIPTAR

Nga Berat Luzha

Shtegtime nëpër Atdhe

Qyteti i Plavës me rreth 7000 banorë shqiptarë, boshnjakë, malazezë, është njëra nga qendrat komunale të Malit të Zi. Ndodhet në brigjet e Liqenit të Plavës dhe mes Alpeve Shqiptare, në pjesën lindore të Malit të Zi dhe në kufi me R. e Kosovës. Që nga viti 1953 e deri në vitin 2014 në përbërje të komunës së Plavës ishte edhe Gucia me rrethinë, por, pas një referendumi në Guci, u formua komuna e re e Gucisë. Krahina e Plavë – Gucisë është vend strategjik në trekufirin dhe në mes të Shqipërisë, Kosovës e Malit të Zi. Dikur e kishte një derë, nga lidhej me Pejën përmes Çakorit, por sot kjo derë është e mbyllur. Deri para pak vjetëve lidhjen e vetme e kishte përmes Andrijevicës, kurse tash e ka edhe një, atë drejt Shkodrës.

Komuna e Plavës ka kërkuar përsëri hapjen e vendkalimit kufitar në Çakor, kurse planifikon që shpejt të lidhet edhe me Deçanin.Plava dikur ishte tërësisht qytet shqiptar, por me vendimet e Kongresit të Berlinit (1878), iu dha Malit të Zi. Shqiptarët nuk ia dorëzuan Plavën e Gucinë malazezëve, mirëpo, në vitin 1912 ushtritë serbomalazeze e pushtuan këtë krahinë. Kur u pushtua ishte krahinë e pastër shqiptare, kurse sot shqiptarët janë pakicë, kurse shumicë janë të deklaruarit si boshnjakë apo myslimanë, në fakt, janë shqiptarët e asimiluar. Si pakicë, shqiptarët edhe sot nuk i gëzojnë të drejtat e tyre, siç është përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe në institucione, mësimi nëpër shkolla etj. Shpopullzimit të qytetit dhe të zonës nga shqiptarët, pos asimilimit, i kanë ndihmuar edhe emigrimi masiv i popullsisë shqiptare jashtë shtetit. Shpërnguljet e shqiptarëve në krahinën e Plavë – Gucisë janë më të lartat në Mal të Zi. Më shumë se gjysma e popullsisë së kësaj treve tashmë gjendet në botën e jashtme, kryesisht në SHBA. Këtë shpërngulje e ka shkaktuar gjendja e vështirë ekonomike e popullsisë, papunësia e lartë, paperspektiva jetësore, pabarazia, presioni dhe ndjekjet politike, si dhe mungesa e investimeve nga qeveria qendrore. Përmes luginës së Plavë – Gucisë, e banuar në lashtësi nga fiset ilire, kanë kaluar karvanet nga Raguza në Konstandinopojë, shtek që ka lidhur edhe Kosovën me Shkodrën. Fiset ilire kanë lënë gjurmë të kulturës materiale, siç janë fortifikimet e shumta, sot në gërmadha. Sipas K. Jeriçekut, në Plavë ka gjurmë të vjetra të një vendbanimi, copa të shtyllave e skulpturave dhe themele shtëpish. Kjo zonë ndodhej në kufirin mes dy perandorive të mëdha të lashtësisë; romake dhe bizantine. Në dokumente të shkruara nga koha e sundimit romak, Plava përmendet vetëm si një trevë, me emrin Flavius (Phlavius), kurse si vendbanim, në shek. XV. Thuhet se edhe emri i Plavës lidhet me emrin e perandorit romak, Titus Flavius, sepse aty kishte bërë pushime. Krahina e Plavë – Gucisë është një luginë me bukuri mahnitëse, e rrethuar nga të gjitha anët me male të larta. Është e strukur, e ndrojtur dhe e braktisur nga shqipot e saj. Krahina ia pa sherrin bukurisë së saj, ndaj serbomalazezët i kishin rënë në qafë për ta grabitur, sikur grabitet një vashë e bukur. E kaluara e saj është edhe e lavdishme, edhe shumë e dhembshme. Në atë krahinë të vogël u zhvilluan ngjarje të mëdha dramatike, por, me Marrëveshjen e Shën Stefanit (1878) dhe me Kongresin e Berlinit (1878) fuqitë e mëdha të asaj kohe ia njohin Malit të Zi! Kral Nikola, duke parë se Plava e Gucia nuk mund të merret pa luftë, në vitin 1879 vendosi t’u shpallë luftë shqiptarëve. Nga ana tjetër Lidhja Shqiptare, në bashkëveprim me krerët e Lidhjes të Krahinës, shpalli gjendje të luftës në Plavë – Guci. Për ta mbrojtur tokën e tyre, pos mobilizimit të të gjithë burrave, atje shkuan edhe mijëra burra të armatosur nga Gjakova, Rugova etj. Më 4 dhjetor 1879 dhe në janar 1880 u zhvilluan beteja të përgjakshme të fituara nga shqiptarët. Kështu, për ta marrë krahinën, Mali i Zi është dashur të pres edhe plot 33 vjet, sepse populli i Plavës e Gucisë, nën komandën e Ali Pashës, Jakup Ferrit, Çelë Shabanit, Adem Mekulit me shtatë vëllezërit e tij etj., dhe me ndihmën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit nuk lejuan të futet ushtria malazeze në tokat e tyre. Ushtria serbomalazeze mundi të futet në krahinën e Plavë – Gucisë vetëm në vjeshtën e vitit tragjik për shqiptarët – 1912. Pas okupimit, në korrik të vitit 1913, forcat malazeze mblodhën 12 mijë shqiptarë për t’i futur me forcë në një kishë me qëllim për t’ua ndërruar kombin dhe fenë. Kur shqiptarët refuzuan, i zgjodhën 700 burra, gra e fëmijë, i detyruan t’i hapnin vet varret e tyre, dhe i pushkatuan të gjithë. Kjo ngjarje në histori njihet si Masakra e Previsë, të cilën padrejtësisht sot e shënojnë boshnjakët, si një masakër gjoja kundër boshnjakëve, kur dihet se atëherë boshnjakë nuk ka pas kjo trevë. Lugina e bukur e Plavë – Gucisë përshkohet nga burime e lumenj të pasur me ujë kristal, që derdhet, përmes lumit Luça, në Liqenin e Plavës. Lumi Luça formohet në dalje të Gucisë nga lumenjtë e vegjël Skafkaç e Vruja, që vijnë nga Vuthajt dhe nga Gërçari, që vjen nga Vermoshi, tej kufirit. Nga liqeni i Plavës rrugën e merr lumi Lim, që është njëri nga degët e mëdha të lumit Drina. Veçanërisht, janë interesante atraksionet e mëdha dhe shumë të bukura ujore, siç është burimi i Skavicës, krojet e Ali Pashës, ujëvara dhe kanioni i Gërles etj. Në lartësi mbidetare prej 1970 metra ndodhet Liqeni i Hidrit. Thuhet se këtë liqen e kanë krijuar perënditë që në të tëlahen zanat larg syve të njerëzve. Në mes të një pylli halor gjendet Liqeni i Visitorit me ujëra të qeta. Por hapësira më e rëndësishme natyrore për zhvillimin e turizmit është Liqeni i Plavës, që konsiderohej si liqeni më i bukur në ish-Jugosllavi. Liqeni i Plavës shtrihet në 900 metra lartësi mbidetare, ka sipërfaqe prej rreth 2 km2 dhe thellësi deri 9,5 metra. Liqeni është një zonë turistike, që ofron mundësi për pushim e rekreacion, për notim, lundrim e peshkim. Qyteti dhe krahina janë të pasura me objekte të trashëgimisë sonë kulturore, me kulla tipike që identifikojnë Plavën si qytet shqiptar. Kulla më e njohur, monument i trashëgimisë kulturore, e cila ndodhet në qendër të qytetit, është Kulla e Rexhepagiqëve, e ndërtuar në vitin 1671. Kjo kullë tash është një muze etnografik dhe pikë e rëndësishme turistike e qytetit. Pastaj, janë edhe kullat e Ramë Demë Beut (1894), e Shaqir Beut (1899), kullat e Ferrajve, ndër to edhe kulla e Jakup Ferrit. Xhamia Mbretnore e Plavës është nga viti 1471, kurse janë edhe disa xhami tjera shumë të vjetra në Plavë e Guci. Padyshim, krahina gjeografike e Plavë – Gucisë, e rrethuar me male mbi 2000 metra, është hapësira më e bukur, më e begatshme dhe me vlera më të mëdha natyrore në Mal të Zi, me mundësi për zhvillim ekonomik e turistik. Megjithatë, komuna e Plavës, bashkë me komunën e re të Gucisë, është komuna më e pazhvilluar e Malit të Zi. Turizmi është, tash për tash, mundësia e vetme e zhvillimit të qytetit dhe të zonës.