POEMA, “LULET E LATIT” E POETIT MURAT GASHI U SJELL RISI NË VARGËZIMIN E POETIKES SONË

Shkruan: Bekri Murselaj

Poema, “Lulet e Latit” e poetit Murat Gashiu, u botua këtë fillimvit nga SHB PROKULTPRESS, Prishtinë. Kjo poemë fillon me vargjet:

I bëra mburojë atdheut, me jetë Luftova që në këtë tokë të vijë liria I zhgënjyer me njerëzit vetë kam mbet Ngushëllim gjej në lulet e mia.

Që në vargjet e para poeti Murat Gashi, shfaq një vullnet dhe përkushtim të dashurisë atdhetare, duke mos kursyer as përpjekjet e tij personale, ku përmes subjektit lirik i shfaq ato. Bota poetike që pasqyrohet që në fillim të poemës, është një botë që pasqyron gjendjen shoqërore dhe politike në vend. Këtë poemë, mund ta identifikojmë për nga tematika si një “poemë satirike”, për rrethanat shoqërore; ndërsa për nga ana stilistike dhe estetike na del një poemë e mirëfilltë moderne, duke u bazuar ne tematikën dhe figuracionin poetik që e bart.

Titulli i poemës “Lulet e Latit” është një titull figurë, që simbolizon kërkimin e paqes dhe lirisë personale të subjektit lirik në fjalë. Në këtë poemë përmes tematikës, pasqyrohet një ambient në kërkim të lirisë së fjalës, veprimit, dhe njëkohësisht mundësisë së të jetuarit në një botë të qetë dhe pa brenga. Figuracioni që mbizotëron ne këtë poemë, është një figuracion i lidhur mjaft fuqishëm me temën në fjalë, për faktin se figuracioni poetik që e përdorë poeti Murat Gashi, është figuracion që ndërlidhet me tematikën në fjalë.

Poema “Lulet e Latit” është një poemë që lidh “gjeografinë shqiptare”, përmes ndjenjës së dashurisë, duke mos tejkaluar etninë dhe vendlindjen asnjë moment si në vijim: Durrësi, Vlora, Çamëria, Prizreni, Hoça e Qytetit, Dardania dhe shumë toponime të tjera, që e bëjnë këtë poemë me një shtrirje të gjerë, në aspektin toponimik në fjalë. Kur jemi te lidhja tematike e poemës, shohim se kemi të bëjmë me një ndjenjë të veçantë të dashurisë, për faktin se kjo poemë ka të bëjë me dashurinë atdhetare, në aspektin tematik, ndërsa përmes figuracionit përshkruan përfituesit e atdheut. Liria nuk është vetëm dashuri për atdheun Liri është ta duash njeriun Liria nuk është egoizëm Liria s’donë kameleonin, hajnin, faqeziun. Përmes kësaj strofe shfaqet varianti i një lirie që mbizotëron, për një kohë të gjatë shoqërinë tonë.

Porosia poetike që e bart subjekti lirik në këtë rast, është një porosi që askush nuk e dëshiron një liri të tillë. Subjekti lirik shfaq një lloj refuzimi estetik, për lirinë që në një formë e përjeton por me shumë pakënaqësi, dhe pesimizëm. Ndërsa sa i përket figuracionit në këtë strofë shohim se përdoret figura e krahasimit përmes emrave “kameleon”, “hajn”, “faqezi” etj., janë disa prej figurave që pasqyrohen persona me ndikim të fuqishëm në ambientin shoqëror, mjaft fuqishëm, ku përmes kësaj strofe mund të flasim për një liri të ngujuar. Poema “Lulet e Latit” e poetit Gashi, identifikon dashurinë ku përmes figurës së luleve, pasqyrohet bota rinore që është një prej gjeneratave më të rëndësishme të shoqërisë e që përmes luleve, identifikohet fati i fëmijëve dhe rinisë në përgjithësi. Po ashtu brenda poemës nuk mungon as malli dhe dashuria për vendlindjen që njëkohësisht përsëri lidhet me kohën e rinisë. Si në vargjet në vijim: Me trup jam larg, zemra çdo ditë rrit ritmin e mallit. Ëndrra përkundet në djepin e moçëm të vendlindjes, Me ninullat e nënave vërrinase me jehonën e malit.

NË HOÇË TË QYTETIT!!! Nga këto vargje shohim se kemi të bëjmë me një dashuri të veçantë për vendlindjen, që kjo dashuri tashmë përjetohet prej subjektit lirik si dashuri dhe mall për të kaluarën, por pa e humbur në asnjë moment kujtimin për vendlindjen. Por në këtë poemë nuk mungojnë as vargjet meditative (filozofike), që përmes tyre preket realiteti shoqëror dhe kulturor në vend, gjithnjë duke pasur parasysh brengën për shoqërinë. Bota mendimtare e subjektit në këtë poemë është një botë që gjithmonë frymon në bazë të intuitës së tij, dhe asnjëherë nuk i duron imponimet nga jashtë duke mbetur gjithmonë subjekti lirik një subjekt që përfaqëson mendimin, intuitën, qëndrimin dhe përgjithësisht mbetet subjekt me karakter të lartë që përfaqëson vetveten. Në poemë nuk mungon as motivi i përkushtimit që në këtë rast janë fëmijët, ku përkushtimi dhe dashuria për to, nuk mungon në asnjë moment por nuk mungon as brenga që e bart subjekti për fatin, duke shfaqur një kujdes të jashtëzakonshëm e që jo rastësisht identifikohen me lulen dhe lulet, duke pasqyruar ata një botë të pafajshme dhe të padjallëzuar në përgjithësi.

Poema e poetit Gashi, strukturoret në bazë të pjesëve apo cikleve poetike, që këto cikle japin një strukturë të unifikuar tematike. Në këtë poemë përshkruhen qartë temat dhe motivet që e identifikojnë subjektin lirik si një subjekt të veçantë në aspektin e krijimit dhe mendimit poetik. Në poemë mund t’i identifikojmë temat si: tema shoqërore, politike, sociale dhe meditative, që në tërësinë e tyre japin tematikën e unifikuar moderne.