– XHAVIT HAZIRI NË BRONZ

Ismet Sylejmani

Në bronz është derdhur dhe është vendosur për të qëndruar përgjithmonë madhështorë, truimfatorë e vertikalisht në sytë e çdo shqiptari patriot e atdhetar, liribërës e çlirimtarë, në sytë çdo pjestari të rëndomtë të  popullit shqiptar, në sytë e çdo qytetari të Obiliqit në veçanti e të Kosovës në përgjithësi.

Përpara pallatit të kulturës në Obiliq, që e mban emrin e Tij, 20 vjet pas çlirimit të Kosovës nga Serbia pushtuese, është zbuluar shtatorja e derdhur në bronz e patriotit të madh, veprimtarit të dalluar e ish-të burgosurit politik, të paharruarit dhe të pavdekshmit Xhavit Haziri!

Xhavit Haziri

Xhavit Haziri ishte figurë e madhe dhe e shquar atdhetare e radhëve të organizuara politiko-patriotike ilegale të Kosovës dhe Viseve të saja!

Ishte anëtar i Komitetit Drejtues, anëtar i Sekretariatit të Komitetit Drejtues, Sekretar Politik i Komitetit Drejtues të OMLK-së e Kryetar i LPRK-së brenda vendit!

Xhavit Haziri, ishte veprimtar i dalluar i çështjes kombëtare, ishte politikan atdhetar aktiv ilegal!

Anëtar i devotshëm, prijës i madh e besnik i lëvizjes politike ilegale atdhetare në Kosovë e vise!

Xhavit Haziri i takon gjeneratës së jashtëzakonshme të popullit shqiptar, të veprimtarisë politike atdhetare ilegale, që kishin fatin e madh dhe përgjegjësinë historike të ishin nismëtarët e fundit të fillimit të  përgaditjeve njëshekullore për luftë të armatosur çlirimtare të Kosovës dhe viseve të saja për çlirim nga Serbia pushtuese!

Xhavit Haziri ishte niveli më i lartë politiko-patriotik nga lëvizja ilegale atdhetare nga Kosova, që ishte për vizitë zyrtare në Shqipëri në Shtator të vitit 1991 dhe bashkë me delegacionin e OMLK-LPRK në përbërje Xhavit Haziri, Ahmet Haxhiu, Arif Seferi dhe Ismet Sylejmani nga Kosova dhe viset dhe Xhavit Haliti nga Dega Jashtë Vendit e LPRK-së, zhvilloi takime të nivelit më të lartë në Tiranë dhe në mes tjerash u realizua takimi historik me Presidentin e Shqipërisë Ramiz Alia!

Në atë takim u arrit marrëveshja historike e fillimit të ushtrimeve ushtarake të rinisë shqiptare nga Kosova e viset e saja dhe përgaditja e tyre për luftë të armatosur çlirimtare kundër pushtuesve!

Xhavit Haziri me atë udhetim historik bashkë me delegacionin që e shoqëronte u bë figura më e madhe çlirimtare e historike, e cila në pallatin presidncial të Shqiperisë, në krye të delegacionit arriti vendimin e madh, realizoi ëndrrën historike të gjyshërve e stërgjyshërve nga Kosova e viset e saja, për fillimin e përgaditjeve ushtarake për luftë të armatosur çlirimtare e frontale kundër Serbisë pushtuese!

Në atë takim delegacioni në përbërje të ngushtë nga Kosova për  te presidenti shoqërohej nga personaliteti i shquar, atdhetari i madh e përfaqësuesi i lartë i Shtetit e i PPSH-së i nderuari Kristaq Porodini!

Delegacionin përpos Presidentit Ramiz Alia në atë takim e kishte shoqëruar me prezencë  edhe dyshja e këshilltarëve  Agron Çobani dhe Shaban Sinani!

Rroli i madh e aktiv, prej atdhetari e çlirimtari të Xhavit Hazirit, gjithmonë ishte në rritje, kishte kreativitet kombëtar ishte krijues e kishte inisiativë të  madhe!

Xhavit Hazirit i takon merita e madhe e afrimit dhe lidhjes së marrveshjes për bashkpunim në mes të LPRK-se dhe  Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës dhe Kryetarit të saj Prof. Dr. Hajrullah Gorani!

Gjithashtu Xhavit Hazirit i takon merita e madhe e afrimit dhe mbajtjes afër e në bashkpunim të plotë me LPRK-në, të Klubit Demokratik Shqiptar dhe Kryetarit të saj Prof. Dr. Muhamet Mehmeti!

Te figura e personaliteti i Tij,  qysh moti ishin të shkrira e të harmonizuara, të skalitura e të gdhendura dashuria ndaj Atdheut e ndaj kombit, për pavarësinë e të cilave ishte i gatshëm të shkrihej në çdo çast!

Vlera të tilla e cilësi të larta prej udhëheqësi e drejtuesi të kalibrit e frymës skebderbegiane dhe enveriane, manifestoi kudo në tërë trajkëtoren e aktivitetit të tij të bujshëm, nëper tërë kalvarin e mundimshëm të jetës e frymës me peshë të rëndë mbi supe që bartëte, duke përmbledhur brenda këtij kuadri  edhe ngjarjet e medha të Lëvizjes,  mbledhjet historike të saj në Prapashticë, në Ujmir, në Kollare e në Kodrën e Trimave në Prishtinë!

Pushtuesit e riburgosën dhe e denuan me vite të shumta burg, por shpirtin kryengritës, revolucionar e të vendosur për çlirim, nuk ia nënshtruan e nuk ia thyen kurrë!

Xhavit Haziri mbetet njëra ndër figurat me emblematike të luftëtarit kombëtar, i cili kishte fatin e madh te ishte i pari në ballë të delegacionit nga Kosova, që solemnisht arriti marreveshje historike me Presidentin e Shqipërisë Ramiz Alia për fillimin e madh të aftësimit profesional, ushtarak e çlirimtarë të njësiteve të para të popullit shqiptar të Kosovës e viseve të saja nën ish-Jugosllavi, për luftë kundër Serbisë!

UÇK me ndihmën e SHBA dhe të aleateve të tjerë dhe të aleancës veriatlantike NATO e bëri realitet çlirimin e Kosovës nga Serbia!

Por lirisë së munguar, të shumëpritur e të merituar të Kosovës, për të cilën u derdh shumë gjak nga heronjtë dhe dëshmorët e kombit e nga populli shqiptar, i mungon fizikisht i madhi dhe i pavdekshmi Heroi i Kosovës Xhavit Haziri!

Ardhja e Tij i shkrirë  në bronz, e zëvendëson ndonëse shumë pak, mungesën edhe të varrit të  Tij!

Tani familja e ngushtë dhe e gjerë, farefisi dhe miqtë, ne shokët e bashkëveprimtarët kemi ku të shkojmë  e të nderojmë Heroin e Kosovës Xhavit Haziri!

Faqet e lavdishme të popullit shqiptar do ta  mbajnë me krenari të madhe brenda tyre, emrin e pavdekshëm të Xhavit Hazirit!

Lavdi e përjetshme!

(Autori ka qenë anëtar i Komitetit Drejtues, shok e bashkëveprimtar me Heroin e Kosovës Xhavit, Haziri!)