Tufë Poezi nga autori Sahit Shala

Fotografia e Sahit Shala
Sahit Shala

PËR TY, ATDHE

Po kush m’bën t’ndihem krenar
Kush më ndrit porsi fanar
Kush ma bën ditën të lehtë
Kush më bën të flij i qetë

Tek ti i kam trojet gjyshnore
Ballëlarta e hyjnore
Tek ato pllajat përrallore
Zura hapin, e pashë rrëzën
Mësova fjalën edhe besën

Atje kam unë fis e farë
Ku këndon shqip flladi i bardhë
Ku me ëndje i puq puhiza
Kodra, fusha, gërxhe, mriza

Hirësi e butë, si rreze
Që na dha Nënën Terezë
Shtatë miliardë bota që di
Ia thonë emrin me lakmi

Atje kemi fis e farë
Me njëmijë heronj kombëtarë
Që veç Zoti di e i falë
Veç drangoj e engjëj t ‘bardhë

Skënderbeu, Fishta e Noli
Bacë Ademi e Mic Sokoli
Shtigjeve t ‘luftës, në gjinj t ‘martinës
Oso Kuka i V’raninës
Njëqind vjet t’i kem me rend
Nuk do t ‘mundem t’i përmend
Po kush është ai burrë, shkua burrit
Që i afrohet Bajram Currit
Sa kem shumë trima, shkua trimit
Legjendar Isë Buletini

Ismail Beu, Hasan Prishtina
Mendjemprehtë si vetëtima
Por për fund, ju kam rixhanë
Bijve t’ shqipes kudo janë
-Me një gjë, kurrë mos nxitoni
Vatrat tuaja mos i lëshoni

Lum ai shpirt që rri pranë kokës
T’ varrit t’gjyshit e të lokes
Ku ka vdekje më hyjnore
Se të shtrihesh n’tokën arbnore

DO TË VIJ

Si në përrallë, përmbi valë deti,
Mbi petale ‘do të sjellë vesë,
Ré pa shi, më mbajnë mbi veti,
Më kanë dhënë fjalë edhe besë!

Luta hënën për shumë vjet,
Le të marrë dhe ujin e detit,
Ta përdorë si ngjyrë për penë,
Plot fjalë zemre m ‘vijnë prej vetit!

Sa shumë lule e manushaqe,
Gjithandej, t‟i bëj kurorë,
Mbledh në kodra, fusha, male,
Tufë më tufë t‟i sjellë në dorë!

Zëri i zogjve ç‟ na përkëdhel,
Gjersa t‟ ikim dorë për dorë,
T‟na bëjnë rojë yjet në qiell,
E n‟atë çast të vëjmë kurorë!

Kësaj dashnije i falë krahë Zoti,
E bën t‟ sillet n ‘fluturim,
Gaz e shpresë le t’i mbledhë loti,
Jo për t’ keqe, por për gëzim!

POEZIA

Niset thellë në embrion
Si një grimcë e një qelize
Për t’ shpërthyer me pasion
Duke marrë rrugën e nismës

Fjalë pas fjale një pranë tjetrës
Bëhen shprehje edhe fraza
Me dashni i ngjeshen letrës
Vargje, strofa vijnë nga prapa

E lexuesve porsi bleta
U shpërndan pak nga nektari
Plot kënaqësi i sjellin vetes
Kur lexojnë çka shkruan shkrimtari

NXËNËSIT …

Janë si dikur të dashur, të dëlirë
Ashtu si dua t’i shoh njerëzit tanë
Me ato shpirtra xhevahirë
Tashmë janë bërë babë e nanë

Atëherë mësonim për shqiptarët
Duke u folur nga historia
Flisnim për tokën ku i kishim të parët
Në fytyrë ndriste veç krenaria

Me shumë respekt dhe dashuri
Më flasin ëmbël, ma shtrëngojnë dorën
Ata dikur, nxënësit e mi
Ma bëjnë të lumtur çastin dhe orën

Shpeshherë për ta i gëzohem jetës
Se këta të rinj kanë bërë shumë t’mira
Pasqyrë e kombit dhe e vetvetes
Zemra të pastra, e shumë të dëlira

SORKADHES

N’cep t’shamisë ta vura syrin
Kur vërtiteshe porsi flutur
M’vishe butë si këngë bilbili
Ditë e natë më bëshe t’lumtur

Për pak hise në zemrën tënde
Mos më fal rrudha në ballë
Për shumë vjet të kam në mendje
Me krahë t’hapur t’pres për t’ardhë

Se po erdhe të pret kurora
Njëmijëngjyrëshe sa ka lule
Në mos ardhësh moj të zëntë bora
Shtatin tënd ta bëftë me crule

S’të mallkoj se të do zemra
Por kam qejf për të parë ty
T’i kam vënë më t’bukurit emra
Mos më bëj të t’kem’ zili

A S’MË THUA?!


A s’më thua, moj hënë e plotë
ku perëndon ai nuri i saj
as në ëndërr s’më del dot
si të cmallem unë pastaji?!

Ikën çaste, ditë dhe vite
me kujtime s’knaqem dot
në këtë jetë si përrallë biblike
po dyshoj mos jemi kot?!

E në ardhtë ai çast i bardhë
të të zë në përqafim
një mijë jetë t’i kem me radhë
do t’i falja pa përtim!

Kur shpërthen muza n’damarë
Është mëkat atë që ta ndalësh
Sa shumë ndjenja zbresin zvarrë
Mrekulli është t’i përshfaqësh.

TË IKIM

Të ikim me vrap prej hasmërisë-
Një nga të ligat që të bëjnë për t‟ qarë!
Ne jemi bij të Shqipërisë.
Është kohë e fundit, mos t ‘presim më!

Përse nuk ikim nga xhelozia,
Që na mbërthen e na zë n‟ grykë?
Ta lëmë dhe tjetrin me halle të tija
E mos t‟i rrimë pas shpine- thikë!

T‟kim nga shpifjet e thashethënat,
Që n‟ jetë na sjellin vetëm prapësira!
Të shohim pakëz prapa nga rrënjët,
Nëse do shohim ditë më të mira?!

Ta pastrojmë shpirtin duke qeshë si duhet,
Siçi i ka hije kombit Shqiptarë!
E mbase fati për mbarë na shkruhet,
Apo nuk duam të na dalë mbarë?!

Qeshni, siç qeshim në festa e gëzime,
Se nuk na mbetet ndoj tjetër shpresë!
T‟ikim prej rrugës, që sjell mallkime,
Apo do vdesim pa lënë ndoj mbresë?!

MA RUAJ

Ma ruaj moj zemër ndonjë qershi
E kur të vij t’i mbledhim bashkë
Se për këto vite që jam pa ty
Tash po e shoh sa të kam dashtë

Ma ruaj moj engjëll ndonjë zambak
E bashkë me ty t’i marrim erë
E në mos ardhsha, u bëfsha plak
Mos paça jetë në këtë pranverë

Ma ruaj moj ,xhanë ndoji kokërr molle
E kur të vijë vjeshta t’i vjelim bashkë
Sa shumë buzëqeshjet mua m’i vodhe
Unë kurrë nuk ika, kurrë vetëm s’t’lashë

Më ruaj buzëqeshjet kur t’vijë acari
Që t’i shkrijmë bashkë buzët me buzë
Se kur pranë teje është kurbetçari
Na vijnë k’to vargje përplot me muzë

FJALË E LIRË
Fjalë e lirë është si puhizë
fllad i lehtë, që të përshkon
Gojë me gojë, shëtit me vlerë
Lum si ai që e kupton

Fjalë e lirë, e dëlirë si fëmija
Kur buzëqesh e kur belbëzon
Është e butë si djalëria
Që çdo zemër e gëzon

Fjalë e lirë, e pastër si loti
Kur mbi faqe rrjedh rrëkajë
Nuk është thënë kurrë për së koti
Ar e mjaltë është vlerë e saj

Fjalë e lirë të bën për vete
Pa dallim në kombe e fe
Na bashkon si zgjua bletësh
Vlerë të re lëshon mbi dhé

Po mjerë ai, që s’e lë t ‘dalë
A e ndalë n’gjoks, e mban me zori
Një shoqëri nuk ka të mbarë
Fjalën e lirë, mjerë kush e mori

KUQ E ZI

Zotë i madh na ka bekuar
Jemi komb, i shenjtëruar
Kush na sheh, na ka lakmi
Se ne jemi KUQ E ZI

Shqipe nëna ne na rriti
N ‘strofkë mbi kreshta na kaliti
Po ku ka me mrekulli
shpirt e zemër, Kuq e Zi

Jemi bijtë e nënëmadhes
Ne përkrahje te kombëtares
Brohorasim me kërshëri
Kuq e zi, KUQ E ZI

Besë e lidhur’, dorë për dore
Nga fitorja në fitore
Klithma jonë porsi tërmeti
Shumë milion, i kem mbas veti
Eja vëlla me mu dhe ti
Bashkë te ja themi, KUQ E ZI!

NËNË
Në sytë e tu i shihja të gjithë yjet, bashkë me hënën
Çdo çast ti më falje buzëqeshje pa mbarim
Për këtë nuk del gjë të ma ndërroj mendjen
Gjersa të kem frymë, deri në amshim

Ne gugatjen e parë si fëmijë ta thashë emrin tënd
Gjithnjë ajo më tingëllon edhe sot si një fjalë më e mbarë
Të falja përqafimet nga më të ëmblat në çdo cep e kënd
Unë të ngatërrohesha nga shtati dhe ti bëje punë, bashkë me mua zvarrë

Kush mund t’i harrojë ato duar magjike, kur ti më ledhatoje
E fjalët të rridhnin butë, si dritë, si margaritarë
Unë kurrë nuk ngopesha, doja vetëm ti të më shtrëngoje
Më fal, nëse shpesh edhe pa dashje paskam qarë

Po ja që atëherë unë nuk dija ndryshe,
Se veç doja të të kem të tërën për vete
Dhe tash shumë shpesh kur mendoj, zemra më bëhet dyshe
Eh, sa shumë uratë më paske falë gjatë gjithë një jete

Kujtimet për ty s’mblidhen dot me fjalë
Edhe po ta mbushja një mal të tërë
Janë ato që më mbërthejnë porsi dallgë e valë
Sa fatlum që jam, se kështu TI më kë bërë

Dhe nëse më rrjedh ndonjë lot, e di se do më falësh
Unë këtu, e ti diku larg, atje ku prehesh në amshim
Unë tash në jete, e ti në varr, prapa kodrash e malesh
S’ta them dot me fjalë, o nënë, o shpirti IM