Tufë poezi nga Berat Luzha

Tufë poezi nga poeti, autori i disa librave, ish i burgosur i ndërgjegjes, ushtar i UÇK-së, veprimtar i palodhur i kauzës shqiptare, Berat Luzha.
Autorin e këtyre vargjeve e shohim kudo e gjithkund, sidomos kur flitej dhe veprohej për atdheun, popullin e tij shqiptar.
Ajo që në vete ngërthen tek krijimtaria e tij është shtrirja e temës me motive të ndryshme, ideve dhe ngjarjeve që i trajton me një ndjesi shpirtërore, thjeshtë paraqitet me një kulturë të lartë poetike tek lexuesi.
Vargu i Beratit, në krijimtarinë e tij poetike, është joshës dhe shpërthen fuqishëm te lexuesi me një varg që jap vlerë artistike, përmes figurave, metaforës dhe shprehjeve stilistik.
Berati është një poet që me përkushtim të madh shkruan poezi, ndaj na vjen me vargje të goditura artistikisht, duke goditur aty ku i dhemb edhe shpirti, tek motivi i atdhedashurisë. Në veçanti, në këtë tufë poezish, trajton tematika të larmishme me motivin të ndryshme, si me motive patriotike dhe me motive të dashurisë. Të dashurisë për atdheun, heroin, qytetet e Shqipërisë etnike (Shqipërinë, Kosovën), për Beratin, Prishtinën, Kaçanikun, ku dhe thotë:
“…Me ty gjithçka
Dje, sot, nesër
Përjetësi
Me liri”

Autori, përveç shprehjeve dhe dashurisë për atdheun që ka, ai nuk largohet nga sakrifica, që është i gatshëm kurdoherë që e kërkon atdheu, ku dhe thotë:

Shqipëri
Për ty
Në ferr
Dhe –
N’(I)liri

Redaksia

Berat Luzha - Home | Facebook

Poezi nga autori Berat Luzha

ATDHEU

Për ty kurdo
Me ty kudo
Pa ty asgjë
Me ty gjithëçka
Dje, sot, nesër
Përjetësi
Me liri

SHQIPËRI

Shqipëri
Për ty
Në ferr
Dhe –
N’(I)liri

KOSOVA

Kosova e plagosur
Shtatë varrë në trup i ka
Në këtë natë të zezë
Ngrihet për t’i la

Drejt lumit po ecën
Lumë ajo u bë
Në gurgullimë valësh
Flet me gjysëm zë

Kosova me varrë
Trupin me gjerdanë
Plagët lëshojnë kushtrimin
Lumit i shkojnë pranë

Kosova me plagë
Nënëlokja me varrë
Kurrë nuk do të vdes
Ka për t’u ringjallë

Tok me nënë Kosovën
Në male e fusha
Jemi lumë i madh
Jemi log për lufta
(1993)

KAÇANIKU

Të pata thënë
qysh atëherë,
kur e kafshoi Ismailin
se gjarprin duhet goditur
në kokë,
por ti heshte
i ngrysur shikove Lybetenin përpjetë!

Kush të tha se gjarprin duhet ledhatuar
të të mos kafshojë?!

Gjarpri sot e zuri edhe Agimin, Xhelën, Besnikun…
do të na helmojë të gjithëve
derisa kokën nuk ia shtypim
e trupin nuk ia hedhim me neveri në përrua.

Kaçanik,
Përse meditohesh kaq shumë
e heziton ta mbysësh gjarprin?

Lepenci gjarpëron me ujin e skuqur,
gjerdan i gjakosur!

Lotët të zbresin rrëke
faqeve të Përronit të Cucës.
E ti prapë heshtë!

Nuk mundesh
apo s’di ç’të bësh!?

Ahhh…
gjarpri më zuri përsëri,
gjarprin duhej goditur
në kokë.
gjarprin duhej mbytur
me kohë.
(Drenicë, shtator 1998)

PRISHTINA

E strukur
pret fortunën
e ujqit të kanë rënë në vathë
të ta ruajnë kopenë.

Ti ende shpreson
në marrëveshjen mes ujkut e deles!

Kur ujqit e ruajnë kopenë
dihet se çka i gjen kecërit!

E di përrallën e kecërve mitarë
dhe të ujkut këmbëbardhë?!

Prishtinë,
Pse ia hape derën mashtrimit
e ujqit i le të hyjnë në vathë?

Paqe me ujkun nuk ka.
Ujkun duhet vrarë,
në daç ta kesh kopenë,
në daç paqe në vathë!

E ujqit ulërijnë anembanë
e ujqit bëjnë kërdinë në vathë
e ti Prishtinë
ende shpreson në paqe!

E strukur matanë
numëron kecërit e përlarë!

Kur do të ardhësh në log
që kopesë t’i dalësh zot?
Apo do të shkosh në mal
Apo mali te ti do të dal!?

(Drenicë, shtator 1998)

Berat Luzha - Photos | Facebook
Portreti i Berat Luzhës, në Burg

BERATI

Të erdha sot
Me ndjenjën e emnakut,
Duke të adhuruar
Kërceva për ta gjetur buzmin
Në Osum.

U ula këmbëkryq
Në sheshin e kalasë,
Kalanë e pushtova unë
Vëllezërit mëkot
U përlanë.

Vasha mbeti e Beratit
Përgjithmonë,
Të sakatosur edhe sot
Tomori e Shpiragu nga larg
Shikojnë.

Ja Myzeqeja, ja Skrapari
Fusha, male,
Mangalemi e Gorica
Si në valle
Faqebardhat beratare.

Margarita e Kristaqi
Në altar,
Me Babë Dudën
Me Astritin
Kuvëndojnë.

U ngrita me ofshamë
Iu afrova Onufrit pranë
Në muze,
Sa i bukur Mëmëdheu
Ngjyra – ngjyra si ylberi.

Si e lamë
Me Skënderbenë,
Ah sa rëndë
E kishim ne
Thikën në palcë.

Komandant Zylyftari,
Vigjilenti po thërret:
Hej, jam këtu
Ligj e rend
Në këtë vend.

Hedhim ngjyra në histori
Vigjilojmë për ardhmëri,
Plagë e lot
Qyteti i Bardhë
Me liri.

Ditë të zeza
Faqe e bardhë
Janë dëshmorët dëshmitarë,
Rrjedhë rrëke e nuk ndalon
Gjaku ynë arbëror.

Mëmëdhenë nga këtu e pashë
Në lashtësi kur rënkonte
Historinë si e përshkonte,
Se si ndrit kjo dritësi
Me stoli.