Tufë poezish nga publicisti, gazetari, politikani, poeti dhe ish i burgosuri i ndërgjegjes kombëtare, ushtari i UÇK-së, Berat Luzha.

Berat Luzha

Berat LUZHA (1953) Gazetar, politikan, publicist, poet. Lindi në Begracë, komuna Kaçanik. Shkollën fillore e kreu në vendlindje dhe në Kaçanik të Vjetër, gjimnazin në Kaçanik. Studioi për letërsi dhe gjuhë shqipe në Universitetin e Prishtinës.

Ka punuar në gazetën “Rilindja” që nga viti 1976 si gazetar, redaktor dhe kryeredaktor. Gjithashtu, ka qenë i angazhuar në gazetën ilegale “Liria” (1980 – 1981), në gazetën “Bashkimi” (1991) dhe në gazetën “Bashkimi sindikal” (1997 – 1998). Gjatë luftës udhëhoqi Drejtorinë për Informim Publik në kuadër të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Ishte nga themeluesit e medieve të luftës; agjencisë shtetërore informative “Kosovapress” dhe radios “Kosova e lirë” dhe drejtor i agjencisë “Kosovapress”.

Katër herë ishte i zgjedhur deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës: 1992, 2001, 2004 dhe 2007. Në vitin 1996 themeloi Shoqatën e të Burgosurve Politikë të Kosovës, kryetar i të cilës ishte deri në vitin 2001. Në vitet 1997 – 1998 kreu detyrën e zv/kryetarit të Kuvendit të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës. Ishte zv/ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe anëtar i Këshillit Ekonomik – Social.

Ka qenë veprimtar ilegal (1996 – 1981), pjesëmarrës i demonstratave të vitit 1981, i burgosur politik (i dënuar dy herë me gjithsej 22 vjet burg, i ka mbajtur nëntë), pjesëmarrës i luftës çlirimtare të UÇK-së, nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë. Për kontribut të jashtëzakonshëm në luftë, Qeveria e Përkohshme e Kosovës i ka ndarë Urdhrin ”Adem Jashari”.

Ka botuar librin poetik “Këngë burgu – Këngë lirie” dhe librin monografik “Një histori për Sylë Durmishin” (marr nga interneti).

Një tufë poezi nga publicisti, gazetari, politikani, poet dhe ish i burgosuri, Berat Luzha.

KUSHTRIMI I SKËNDERBEUT

…Dhe Ti u ngrite
Në Atdhe

Pesëqind e pesëdhjetë vite
I godite
Mbi bedenat e kalasë
Dhe u nise 
Për Mitrovicë, Preshevë, Tetovë
Për në veri e në lindje
Se Vatani s’ishte i tëri
Se shekujt e kishin kafshuar
Se armiqtë e kishin sunduar

Atdheu po ecte tatëpjetës
Atdheu po cfilitej
Edhe vetëvetes
Shpesh po i vërtitej

Dhe ti u ngrite…
E bërtite:
Dilni shqiptarë në mejdan
Kush është trim
Ejani në luftë 
Për Vatan
Se unë jam te guri në kufi
Se unë jam te pragu në shtëpi
Se unë i gjallë jam
Për të mbrojtë vatan

MOTIV BURGU

Gjendem prapa grilave
Dhe jam i gëzuar,
Brengat te unë s’kanë vend,
Brenga – brengën e mund
Dhe gëzimit i lëshon rend.

Muret e mbyllin oborrin
Dhe gjembat i mbysin ndërgjegjet,
Grilat copëtojnë atmosferën
Copë – copë e bëjnë jetën
Dhe mendja fluturon me erën.
                                       (1986, Nish)

URIMET NGA QELIA

(Cikël i poezive për Vitin e Ri, shkruar në burg)

Në mesin e natës, kur motet ndërrojnë
E loti nga syri në tokë kur pikon
Rreth vatrës në kullë, tok me miq e shokë
Një puhizë hareje shpirtrat i freskon.

Në këtë natë të zezë, me borë e acar
Të ndarë dysh nga motet që vijnë e kalojnë
Uroj fatbardhësi nga qeli e errët 
në zemrat tona të buzëqesh pranverë

Të gjithëve ju dua të gjitha të mirat
Të gjithëve ju dua të gjitha dëshirat
Të gjithëve ju dua fat e shëndet
Për njerëzit e urtë lumturi të ketë!
(Burgu i Nishit, 1983)

Dimri e rrapi

Edhe një vit shkoi nga dera e kohës në ecje për amshim,
Dimri tkurrë natyrën me cingërimë motit në kalim,
Frynë erë e fortë, rrapit i vërtitet për rrëzim,
Rrapit degë e gjethe i bëhen flamuj në valim.

Motet ndërrohen, shkon viti i vjetër, radhitet në histori,
Thesar i tij – dimri që ngrinë zemrat në kullat me sy,
Ooo, kjo cingërimë sa herë rrapin ka dashur për ta ngrirë
Muzgun dëshmi e ka pasur dhe është dehur duke pirë.

Po vjen një vit i ri me shpresa të pambarim,
Rrapi qëndron krenar, si kullë në syrin tim,
Shkon zogu lajmëtar, në kurorë qerdhe ndërton,
Bilbili këndon, pranverën e sjellë në vatrën tonë.

1984, Burgu i Nishit

Fotografia e Berat Luzha

Ngrejmë dolli për ardhmëri

Në këtë festë të Vitit të Ri
Kur gjithkund ngritën dolli
Ne e ngrejmë që nga larg
Për vitin tetëdhjetë e gjashtë!

Re e zezë sot është shpërndarë
Dhe natyrën mbështjellë e ka
Muzgu ka zbritur ndër ne
Asgjë syri nuk na sheh.

Porse gëzim na mbushet zemra
Po mbaron kjo jetë me brenga
Ngrejmë dolli për ardhmëri
Gëzuar, gëzuar Viti i Ri!
(Burgu i Nishit, 1985)

Të dërgon babi urime

Vajza ime, e urtë dhe trime
Të dërgon babi urime
Për suksesin shembullor
Dhe shëndetin si një mollë!

Nga burgu i zi në kurbet
Babi ty të çon shëndet
Gëzuar, gëzuar Viti i Ri
Babadimri a ka mbërri?!

Se pas dimrit vjen pranverë
Kur do t’gëzohemi ne përherë
Në rrugë të dritës përgjithmonë
Rrjedhë e lumit nuk ndalon.
(Burgu i Nishit, 1985)

Gëzuar, gëzuar Viti i Ri

Gëzuar Labe Viti i Ri
Të uron sot babi ty
Ti paç jetë për lakmi
Dhe të mbarë këtë fëmijëri

Shkon në shkollë – shembullore
Për çdo ditë pesshe n’fletore
Prapa grilave në kurbet
Babi ty të çon shëndet

Jeta me fëmijë është fitore
Fëmijët sjellin gëzime prore,
Të shkoftë jeta me libër në dorë
Moj mollëkuqe, luleborë!

Se pranvera shpejt po vjenë
Dhe agimi do do t’shkëlqen
Dielli rrezet i shpërndan
Kush nga puna nuk na ndalë.
                       (Burgu i Nishit, 1986)

URIME NGA QELIA PËR VITIN E RI

Oh, sa shumë kam dëshiruar
Çupën time për ta uruar!
Përgëzime e fatime
Këngë, hare e përqafime.

Po kështu sivjet s’do të jetë
Babi ndodhet në galerë,
Gëzimin do ta shkruaj në letër
Fjalët e ëmbla një vit tjetër!

Ti e sheh se gëzimi ynë
S’bëhet dot kur hamë e pimë,
Bëhet n’ecje nëpër tufan
Në qeli kur gjumë sytë s’kanë!
(Burgu i Nishit, 1987)

Babadimri

Babadimër, mirë se ke ardhë
Me acar, nëpër borë të bardhë,
Të gjithë ne, djem dhe vajza
Të pritëm të gëzuar kur ra nata
Se na sjellë shumë dhurata
Plot urime e urata
Edhe shpresa
Sa të jetë jeta
Mërzi as për ilaq
Vetëm fat, dashuri dhe paqe!

Iku Babadimri

Iku babadimri me shkopin në dorë
Në mesnatë mbeti në borë,
Thesin me dhurata ia vodhi nata.

Kaçaniku ‘81

(Në 35-vjetorin e demonstratës së vitit 1981 në Kaçanik)

Tek Duket Shehri po thërriste Goca
Jehonte thekshëm Përroni i Cucës

Në Dushkajë
Toka nuk kishte rrëshqitur kaherë
Shtëpitë
Si kërpudhat gufonin në pranverë

Ja, Idrizi
Mbi Gurin e Shpuem po e jep kushtrimin
– Kush asht trim le të dalë në Grykë
Me dushmanin fyt-për-fyt

Kosova po buçiste anembanë
U ngrit dhe ra n’Kaçanik

Mbi Urën e Konakut nisi demonstrata
Kaçaniku kishte dalë në qarshi
Malet kishin zbritur në Kaçanik
Hej Kaçanik, me këngën në gji

Lybeteni bënte roje përmbi
Lepenci gjëmonte tutje me krenari
Që nga Lagjja e Re e deri në Bob
Përplasej një shkëndijë

Ishte 5 Maj ‘81
Ishte ditë e madhe, ishte histori

SKËNDERBEU

Valon Shqipja mbi bedena
Flet Skënderi, qesh kështjella
Lirinë unë nuk ua kam pru’
Lirinë e gjeta këtu, ndër ju

Dora-dorës është shtrënguar
Burrat në Lezhë janë betuar
Për Atdhe e për liri
Ti në luftë ke me na pri

Hidhet shqipja në furtunë
Sulet arbri, bie në Krujë
Torviolli, Albulena
E Skënderit është beteja

Sot u hap një lajm i zi
Mbuloj qiellin mbi Arbëri
Mbi bedena thirri Leka
Skënderbenë më nuk e kena

Skënderbeu nuk ka vdekur
Nëpër kohëra ai ka mbetur
Kryetrim e legjendar
Zemrat tona i bën zjarr
              (1984, Burgu i Nishit).

(Marr nga fb)