VËSHTRIM PËR LIBRIN POETIK “LULJA NË GUR”, TË POETIT NAIM SALIHUT

Ma. Sc. Fatmir HALIMI

Shkruan: Ma. Sc. Fatmir HALIMI – Poeti i talentuar Naim Salihu, gjatë këtij fillim viti para lexuesve tanë po paraqitet me veprën tjetër poetike “Lulja në gur”.

Libri”Lulja në gur”, si vepër poetike në vete ngërthen motive e ndjesi të ndryshme, me një larushi të ideve dhe ngjarjeve që trajton, përmes së cilave është paraqit gjendja sociale e njeriut të sotëm në e këto hapësira shqiptare, por edhe jeta e shqiptarit në mërgim. Marrë në tërësi si një vepër poetike me një ndjesi të hollë shpirtërore, është e mbështjell me ngjarje të ndryshme, të cilat e rrethojnë individin tonë të pasluftës, mllefin e tij për dukuritë negative, për ngecjen e zhvillimit të jetës, për oportunizmin, e për shume e shumë dukuri të tjera.
Te libri “Lulja në gur”, poeti Salihu shpëtimin dhe ngushëllimin e vetëm të jetës e gjen te lulja. Lulja për të, së pari është mbretëreshë e natyrës, sepse pa lule nuk ka kuptim pranvera, nuk ka kuptim as gjelbërimi i krejt natyrës tokësore, pra lulja gjithsesi dhe domosdoshmërisht duhet të jetë prezente në çdo hapësirë të planetit tonë të quajtur Tokë.

Përdorimi i figurave dhe tropeve stilistike
Sa i përket figuracionit poetik të veprës “Lulja në gur” përgjithësisht ka një figuracion të mjaftueshëm, që ajo të trajtohet si libër me vlera të larta letrare artistike. Me ketë rast dua të them se poeti Salihu ka edhe tendencë të krijimit të figurave dhe tropeve stilistike të reja, për të cilat ndoshta edhe nuk i kemi hasur deri më sot te poetët tanë që po e zhvillojnë poezinë bashkëkohore, ku do të përmendi këto trope stilistike si: Lulja (lulet), varr, livadh, , hënë, ylli qiell, era, lisi, vetulla, dora, syri, të cilat varësisht nga përdorimin marrin fuqi dhe vlera te caktuara artistike. Kurse sa i përket fjalëve të ndërtuara si figura stilistike do të veçoj këto si: natë, errësirë, bubullimë shtëllung, tym, gjumë këmbëkryq etj.

Poeti Salihu për nga stili i ndërtimit të vargjeve dhe për nga përdorimi i figurave stilistike është shumë modern dhe bashkëkohor, por në qasje dhe trajtim na e krijon përshtypjen se nganjëherë përgjason me Lasgushin, pasi që e dimë se ta ai figurë dominate e tij ishte ylli, kurse te poeti Salihu figurë domionate është lulja, e cila merr edhe konotacionet e një metafore të fuqishme në libër. Përveç metaforës vijnë në shprehje edhe figurat e tjera si; metonimia, simboli, alegoria, epiteti, krahasim, e shumë të tjera.
Poezia e Naimit përgjithësisht mund të trajtohet në tri motive, si motivi patriotik, motivi social dhe ai i dashurisë.
Te motivi patriotik vlen të përmenden poezitë si: Baci, Jeta hapëron, etj, ku poeti veçon se kur e do nevoja, shqiptarët kudo që janë dinë të jenë të bashkuar e t’i ndihmojnë njëri-tjetrit, “hatanë e shporrin/e në krah shqiponje e ndërtojnë kalanë”. Kurse te motivi social do të përmendja baladën Në tokën time, e cila është një baladë satirike, por me një përfundim ngazëllues e shpresëdhënës, për një të ardhme më të mirë në tokën e poetit, ose më mirë të thosha për ditë më të mira në atdheun tonë të shenjtë, të larë me gjak përgjatë gjithë historisë e deri në luftën e fundit, kur edhe e fituam lirinë.
Poeti Salihu, përveç shprehjeve më të bukura që i gjen për trimërinë e popullit tonë, e sidomos për heronjtë, siç është poezia për Adem Jasharin BACI; mandej disa poezi për nënën e tij në Prishtinë, dhe disa të tjera për dashurinë e madhe që autori e ndjen ai për Shqipërinë, si atdheu i përbashkët i të gjithë shqiptareve kudo që janë, por mbi të gjitha penda e tij shkëlqen te poezitë erotike ose të dashurisë, siç janë: Drithërimë, Dashuri e egër, Gaca në zemër, Nga zabeli, Shtriga e dashurisë, Më kujtohet, etj.
Pra poeti nuk e lë anash temën e dashurisë, të cilën e trajton mjaftë bukur me një gjuhë shumë të zgjedhur poetike. Tema e dashurisë te poezitë e Salihut është e ndërtuar mbi motivet idilike e bukolike, e ndërtuara me figura stilistike si këto; livadhi, lëndina, mali, kumbulla rrushi, qershia e shumë të tjera, për mes të cilave poeti lexuesit e moshës së mesme, apo të vjetër i kthen prapa në kujtesë, kurse të rinjtë i fut në andralla, se si mund të jetë një dashuri plot ndjenja dhe plot sinqeritet. Te motivi i dashurisë përveç poezive bukolike, poeti shkëlqyeshëm thurë edhe elegji për dashurinë, për vdekjen e të dashurës. Kjo shprehet shumë fuqishëm te elegjia Drithërimë, ku autori e kujton me nostalgji bukurinë e saj, por për lajmin e vdekjes shprehet kështu:

DRITHËRIMË
“Përbirova gjerdanin Dhe u ula në mendime
Ankthi mu bë duq
në zemrën time

Tani ajo mbylli sytë
në atë botën e gjatë drithërimat më përqafojnë e dita mu bë natë”

Autorit Salihu i uroj të mos ndalet së shkruari, që edhe në të ardhme të na sjellë vargje të veçanta, me kaq ndjesi e frymëzim të ri.