VIZITË TEK SHKOLLAT ME MËSIM PLOTËSUES TË GJUHËS SHQIPE NË BAVARI NGA MASHT-I I REPUBLIKËS SË KOSOVËS DHE I KMPGJSH-SË NË BAVARI

Këshilli për Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe në  Bavari, priti për një vizitë triditore delegacionin nga  Ministria e Arsimit të Republikës së Kosovës. Ky delegacion përbëheshe nga Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Heset Sahiti, Këshilltari i Ministrit Z. Fatmir Bytyqi,  Z. Selim Mehmeti dhe përfaqësuesi për media Z. Ismet Osdautaj.

Shkolla në Landau dhe drejtori i shkollës me përfaqësuesit e MASHT-i e KMPGJSH-së

Gjatë vizitës së tyre zyrtare në Gjermani, së bashku me Kryetarin e KMPGJSH-së Z Mustafë Krasniqi, zëvendëskryetarin Z. Tefik Jaha dhe sekretarin e saj Isuf Bytyçi, vizituan disa shkolla, si atë në Nürnberg, Grafingerstr, Dingolfing, Landau dhe Holzkirchen!

Në Nürnberg dhe Landau u mbajtën edhe dy takime me Këshillin e prindërve dhe prindërit. Në këto takime u paraqit puna e mësimdhënësve si dhe kontributi i prindërve. Gjithashtu u debatua për format dhe mundësitë se si t’i informojnë bashkëkombësit për t’i dërguar fëmijët në shkollë. Këtu bëhej fjalë për ata fëmijë të cilët nuk e vijojnë mësimin plotësues të gjuhës shqipe.

Delegacioni i MASHT u nda me përshtypje të kënaqshme përsa i përket punës së  mësimdhënësve me fëmijët, të cilët fjalën shqipe e shqiptonin bukur, me ndjenja. Përveç kësaj fëmijët recituan poezi dhe vallëzuan nën tingujt e bukur të muzikës shqipe valle tradicionale. Fëmijët nuk lanë dhe pa dhënë mesazhe dashamirëse për shokët dhe shoqet e tyre, të cilët deri tani nuk e vijonin mësimin plotësues së gjuhës amtare, që dhe ata t’i bashkëngjiten shkollës shqipe!

Me drejtoreshën e shkollës Grafinger str. dhe përfaqësuesit e MASHT-i, KMPGJSH

Z. Krasniqi ndër të tjera tha: „ angazhimi i KMPGJSH-së, kryesisht është humanitar dhe i përkushtuar për ta çuar më tej procesin e zhvillimit të mësimit“. Ai shtoi që: „jemi duke u përpjekur që ta institucionalizojmë mësimin e gjuhës shqipe me përkrahjen e dy shteteve tona, me qëllim që të mos vije deri te asimilimi i shpejtë i mërgimtarëve“.!

Pavarësisht përpjekjeve të shumta që bën këshilli ynë me ndihmën e këshillit të prindërve dhe aktivistëve, Z. Krasniqi e brengos fakti i pjesëmarrjes së dobët të nxënësve në mësimin plotësues të gjuhës shqipe. Krahasimi i bërë ishte : „një pikë uji në një lumë”.

Ndërsa, në anën tjetër paraqiti shqetësimin për mësimdhënësit, të cilët deri më tani kanë punuar me një pagë simbolike, ndërsa administrata shpesh është e detyruar të nxjerrë nga xhepi paratë për të realizuar objektivat e tyre!

Në këtë drejtim organet tona institucionale përveçse nuk kanë arritur asgjë në lidhje me pagat për mësuesit, por as për të na ndihmuar rreth sensibilizimit të mësimit plotësues, te bashkëkombësit nuk kanë bërë asgjë. Do ishte me domethënie t’i japin hapësirë mërgatës shqiptare të  jetë e pranishme në mediat tona, TV kombëtare, ku ligjërisht na takon rreth 5.7 % e hapësirës së programit në RTK.

Shkolla në Holzkirchen

Nga KMPGJSH-ja dhe përfaqësuesit e prindërve, organizimi ishte i kordinuar shumë mirë. Z . Bytyçi u shpreh: „kjo viheshe në pah tek krenaria që mësuesit, nxënësit , përfaqësuesit e MASHT-it dhe të KMPGJSH-së ndanin me njëri-tjetrin. Ky takim ishte inkurajues, mbase edhe shpresues, ngaqë bashkë me institucionet tona, konkretisht të MASHT-it, u trajtuan një seri problematikash rreth arsimit tek fëmijët tanë mërgimtarë. Kjo bëri që prindërit, mësimdhënësit dhe kryesia e KMPGJSH-së të ndjehen të kënaqur me premtimet përkrahëse dhe vlerësimin e konsiderueshëm që morën nga përfaqësuesit e MASHT-it, konkretisht  nga zëvendës Ministri, z. Sahiti, tha Krasniqi.

Zv/ministri Sahiti, pasi pa nga afër punën e mësimdhënësve dhe  përkushtimin e jashtëzakonshëm të  KMPGJSH-së për realizimin e mësimit plotësues, i përgëzoi për kontributin vullnetar që kanë dhënë!

Ndër të tjera ai tha:“MASHT-i, është i angazhuar ta mbështesë projektin tuaj dhe përfshirjen sa më të madhe të fëmijëve në mësimin plotësues, sepse mësimi i gjuhës shqipe dhe historisë janë jetike për ruajtjen e traditës dhe të rrezikut nga asimilimi”. MASHT-i në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit të Shqipërisë do të angazhohet akoma më tepër për sigurimin e teksteve dhe mjeteve të nevojshme mësimore, si dhe kurrikulën 2018 për diasporën, e cila është përpiluar bashkarisht.

Kryetari i KMPGJSH-së në Bavari z. Mustafë Krasniqi shprehu nevojën e domosdoshme dhe të ngutshme për bashkëpunim me institucionet tona përkatëse, si dhe angazhimin rreth procesit mësimor të mësimit plotësues në Bavari.

Ai shprehu keqardhjen që institucionet e dy shteteve tona shqiptare nuk janë të pranishme sa duhet të jenë afër bashkëkombasve të tyre. KMPGJSH-ja procesin e mësimit plotësues e ka ngritur për dy vite radhazi në të gjitha instancat e larta të dy shteteve shqiptare, ku dhe shpesh jemi takuar dhe kemi iniciuar takime rreth gjetjes së modaliteteve të mundshme, për ruajtjen e gjuhës te fëmijët tanë mërgimtarë, tha Krasniqi. Krasniqi  theksoi,  se jemi në përpjekje për një rrjetëzim me përfaqësues të shoqatave të ndryshme, biznese dhe fondacionin “ Besa”- që shpesh na ka ndihmuar me mjete financiare, me qëllim që të sigurojmë pagën e mësimdhënësit, si dhe procesi i mësimit plotësues të shkojë sa më mirë e në mënyrë profesionale. Krasniqi shprehu besimin se në të ardhmen, nga institucionet e Kosovës dhe Shqipërisë, do të kemi përgjegjësi institucionale, konkretisht në pagën dhe certifikimin e mësimdhënësve.  I këtij mendimi ishte dhe nënkryetari, Tefik Jaha, ku ndër të tjera tha: „gjatë datave 24, 25 dhe 26, të vizitave të përfaqësuesve të MASHT-it, nëpër shkolla, ku mbahet mësimi plotësues, ishte një inkurajim i nxënësve dhe i qytetarëve mërgimtarë, të shpresonin se tashmë nuk janë të vetëm, pasi kemi shtetin nga pas“. Jaha e vlerësoi si shumë të rëndësishme praninë e përfaqësuesve të MASHT-it  dhe vizitën nëpër shkollat, Nürnberg, Graflingerstr, Dingolfing, Landau dhe Holzkirchen, ku dhe theksoi se përfshirja e nxënësve nuk është e kënaqshme! I këtij mendimi ishte edhe sekretari i KMPGJSH-së, Z. Isuf Bytyçi, ku ndër të tjera shtoi: „vështirësitë janë edhe për administratën e Këshillit, e cila po ballafaqohet me shumë probleme, ku ajo më e rëndësishmja është financimi dhe zyra, e cila do të na ndihmonte shumë për të realizuar më lehtë aktivitetet tona“. Ai tha se do të ishte mirë që ne edhe ju bashkarisht ta bëjmë një strategji të përbashkët organizimi, për forcimin e mësimit plotësues në Bavari, por edhe kudo që ka shqiptarë!

Në shkollën e Nyrnbergut

Duke marrë shembull popujt edhe shtetet tjera, të cilat kanë strategji për ruajtjen e kulturës dhe gjuhës së tyre, po kaq të aftë jemi dhe ne për ruajtjen e kulturës, gjuhës dhe identitetit tonë shqiptar. Kështu që ne jemi duke e punuar një plan strategjik për zhvillimin e mësimit plotësues në Bavari dhe shpresojmë që të jetë model për të gjithë Diasporën shqiptare. Të mos i lëmë punët të shkojnë spontanisht, por ta rrisim dinamikën e aktivitetit.

Gjatë tri ditëve, zv/ministri Sahiti, me delegacionin e MASHT-it, i shoqëruar nga Mustafë Krasniqi, kryetari i KMPGJSH-së në Bavari, me bashkëpunëtorë, vizituan disa shkolla, ku po mbahej mësimi plotësues, në “Grafinger Str 71”- Munchen. Në këtë shkollë u pritën nga drejtoresha z. Wutzgar, e cila ka falënderuar zv/ministrin Sahiti dhe Krasniqin, me bashkëpunëtorët e tyre, ku ndër të tjera theksoi se është jashtëzakonisht me rëndësi të madhe që fëmijët ta njohin dhe ta mësojnë gjuhën amtare. Ndërsa Këshilltari i ministrit Z. Fatmir Bytyqi, nxënësve u foli për rëndësinë e mësimit dhe për ruajtjen e traditës e kulturës sonë kombëtare, ku dhe i këshilloi ata, që t’i ftojnë moshatarët e tyre ta vijojnë mësimin e gjuhës shqipe.

Pas shkollës “Grafinger Str 71” morën rrugën për të vizituar shkollën e Dingolfing dhe të Landaus. Në Landau, delegacionin e MASHT dhe KMPGJSH-së e priti drejtori i shkollës së Landau, Z.Erenreicher Christian, ku ndër të tjera tha: në shkollën tonë vijojnë mësimin nxënës të 25 nacionaliteteve të ndryshme dhe jemi shumë të kënaqur me sjelljet dhe mbarëvajtjen e nxënësve shqiptarë gjithashtu. Ai nuk la pa përmendur mësuesit/et e asaj shkolle të cilët janë të angazhuar, ku përveç mësimit, të pranishme janë ndjenjat, harmonia në mes nxënësve, i vënë në dukje tek mbishkrimi:  „jeto, harmoni buzëqeshje!

Për gjatë tri ditëve, vizitave në shkollë dhe dy tubimeve me prindërit, Zëvendësministri Sahiti, me bashkëpunëtorët u zotuan se të gjitha shqetësimet e KMPGJSH-së do t’i përcjellim te Ministri Bytyçi, ku dhe do të insistojmë që ta njoftojmë për shqetësimin edhe Kryeministrin. Po ashtu Zëvendësministri përshëndeti mësueset: Lume Daci Hoti, Fahrie Bashën, Ismije Demolli, Mervete Ismaili dhe Blerina Shabani, si dhe nxënësit të cilët i inkurajuan që ta mësojnë dhe ta duan gjuhën shqipe.

shkolla në Dingolfing

Mbledhja e parë e këtij viti e KMPGJSH-së me përfaqësuesit e MASHT-it

Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Heset Sahiti, me shoqëruesit e tij, morën pjesë në mbledhjen e ftuar nga Këshillit i Mësimit Plotësues në Gjuhën Shqipe në Bavari (KMPGJSHB). Në këtë takim ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e Konsullatave të Kosovës dhe Shqipërisë të akredituara në Munih : Konsulli i Republikës së Shqipërisë, z. Dashnor Ibra, Konzulli, z. Zenel Gashi dhe z. Labinot Ngucati nga Konsullata e Republikës së Kosovës. Gjithashtu në këtë takim morën pjesë mësimdhënësit e angazhuar në mësimin plotësues, përfaqësuesit e disa shoqatave dhe  bizneseve si dhe Këshillat e Prindërve.

Mbledhjen e hapi kryetari i KMPGJSH-së z. Mustafë Krasniqi, ku i përshëndeti të pranishmit dhe elaburoi qëllimin e thirrjes së këtij takimi, që  ndër të tjera tha: „është nevojë e  domosdoshme bashkëpunimi me përfaqësues të shoqatave, bizneseve , prindër , që së bashku të gjejnë mundësin për sigurimin e pagave për mësimdhënësin, të cilët janë të angazhuar në procesin mësimor. Ndërsa shprehu besimin se në të ardhmen kjo do bëhet nga institucionet e Kosovës dhe Shqipërisë, sepse kemi marrë premtime se do të institucionalizohet mësimi plotësues.

Mbledhja e organizuar nga KMPGJSH-ja

Më pas zëvendës ministri i Arsimit, z. Heset Sahitit, pasi i përshëndeti të pranishmit, falenderoi Z.Krasniqi për tërë punën  vullnetare që ka bërë për mësimin shqip me bashkëpunëtorë. Ai i përgëzoi mësimdhënësit për një punë fisnike që po e bëjnë ku dhe theksoi: “ mësimi i gjuhës shqipe dhe historisë është me rëndësi jetike për ruajtjen e traditës dhe minimizimin e rrezikun nga asimilimi. Ndërsa MASHT-i në bashkëpunim, me Ministrinë e Arsimit të Shqipërisë, do të ju sigurojë tekstet dhe mjetet e nevojshme mësimore. Të përbashkët e kemi hartimin e kurrikulës për diasporën 2018 Tiranë-Prishtinë . Të pranishmit i përshëndeti edhe Konsulli i Shqipërisë, Z. Dashnor Ibra, i cili shtoi duke thënë se ne jemi duke e përcjellur nga afër punën e mësimit plotësues dhe herë pas here edhe jemi involvuar drejtpërsëdrejti. Një ndër propozimet e tij ishte, që Këshilli për mësimin plotësues t’ua dërgojë te dyja konsullatave shqiptare në Munih të gjitha informatat për numrin e nxënësve me emra e mbiemra, numrin e arsimtarëve për mësim plotësues, emrat e shkollave. Në këtë mënyrë arrijmë një transparencë e cila na ndihmon në bashkëpunim e komunikim, e cila do të çojë në lehtësimin e një pune kaq fisnike.

Këshilltari i Ministrit të MASHT-it, Z. Fatmir Bytyqi i përshëndeti organizatorët edhe mysafirët dhe i njoftoi se me gjithë vështirësitë që i keni momentalisht, ne do t’ua dërgojmë organeve tona më të larta të gjitha informatat dhe do të përpiqemi, që sëbashku t’i trajtojmë dhe t’i zgjidhim problemet. Konsulli i Republikës së Kosovës z. Zenel Gashi, i përshëndeti të pranishmit në emër te Konsullit te Përgjithshëm te RKS ne Mynih, z. Afrim Nura, po ashtu dhe në emrin tij, ku ndër të tjera tha: „falënderojmë Këshillin e Mësimit Plotësues të Gjuhës Shqipe në Bavari, për ftesën dhe respektin që na kanë bërë. Po ashtu i përgëzoi edhe për punën të cilën po e bëjnë lidhur me mbajtjen e mësimit plotësues, me gjithë vështirësitë dhe sfidat të cilat i kanë para vetes. Falënderim i veçantë po ashtu shkon edhe për mësimdhënësit, të cilët bëjnë punë të palodhshme e humane për fëmijët tanë jashtë atdheut. Dua të veçoj që ky është një mision shumë i shenjtë dhe në baza vullnetare i mësuesve tanë. Natyrisht shpresojmë që me konsolidimin e marrëveshjeve Shqipëri – Kosovë të arrihet që të zyrtarizohet edhe çështja e honorarit të mësuesve, të cilët janë të angazhuar në procesin e mësimit plotësues në Diasporë. Natyrisht përsa i përket angazhimit të Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës, në Mynih, ne do të jemi edhe më tutje të përkushtuar në të gjitha aspektet dhe do të vazhdojmë t’ju mbështesim shtoi ai.

Gjuha Shqipe, është një prej faktorëve më të rëndësishëm të ruajtjes së identitetit kombëtar dhe kulturor. Për shkak të emigrimit jashtë vendlindjes, gjuha është faktor kyç për mbijetesën e komunitetit shqiptar, në ekzistencën e tij dhe mosasimilimin. Diaspora shqiptare e në veçanti arsimi shqip jashtë vendit përballet me shumë sfida dhe vështirësi. Padyshim se ekzistojnë shumë faktorë që janë të ndërlidhur me këtë gjendje, por problemet më të mëdha janë të lidhura me faktorin njeri. Kur e themi këtë, i drejtohemi prindërve të cilët duhet të ndjehen përgjegjës  për ruajtjen e identitetit kombëtar, ti kultivojnë fëmijëve të tyre gjuhën shqipe.

Pra, Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Mynih, do të jetë gjithmonë përkrah jush në çdo kohë dhe moment brenda mundësive dhe kompetencave që i kemi! Ata shtuan se  gjithashtu besojmë që në javët që vijnë, do ta organizojmë një takim me Këshillin e Mësimit Plotësues të Gjuhës Shqipe në Bavari në ambientet e Konsullatës sonë, në mënyrë që të shkëmbejmë mendime dhe ta çojmë proçesin e mësimit plotësues sa më përpara.

Fjalën e mori, sekretari Isuf Bytyçi, I cili e përsëriti se ne jemi duke e punuar një plan strategjik, në lidhje me organizimin dhe financimin e qëndrueshëm për mësimin plotësues të gjuhës shqipe në Bavari, që ndoshta do të jetë model për gjithë Diasporën shqiptare. Pse, jo? Kur, popujt e shtetet tjera, bëjnë projekte organizative e shpenzojnë shuma të mëdha parash për ruajtjen e kulturave të tyre, ne do të investojmë në ruajtjen dhe zhvillimin e kulturës sonë. Ndërsa Z. Rexhep Nikçi dhe z. Anton Krasniqi, që të dy përfaqësues të Fondacionit BESA, i dhanë vërejtjet e tyre dhe sugjerimet, në lidhje me ecurinë e mësimit plotësues në gjuhën shqipe në Bavari dhe u zotuan se, me të gjitha forcat do ta përkrahin këtë mision kaq fisnik! Ndërsa, rendin e ditës, e lexoi znj. Anila Xhani, e, Z. Mustafë Krasniqi e shpalosi ecurinë e aktiviteteve, nëpërmjet një incizimi të cilin e kishte përgatitur. Takimi u mbyll në rregull, me shpresë se do të intensifikohet dinamika e punës, më mësimin plotësues në Bavari. Mësimdhënësit të trajtohen si mësimdhënës, sepse deri tani kanë qenë më tepër vullnetare

Ndërsa në emër të KMPGJSH-së, rreth ligjit për pagesat të landin e Bavarisë foli Agron Ibrahimi, ku trajtoj në detaje ligjshmërinë dhe të drejtën që e kemi, kurse në emër të Mësueseve foli Anila Xhani e cila kërkoj që paga normale të jetë 20 ero për orë mësimi.

Fran Tanushi, paraqiti vështirësitë për administratën e KMPGJSH, ku kërkoj që të paktën disa shpenzime të saj të mbulohen.

Folën dhe për modalitetet e përfshirjes së fëmijëve shqiptarë në mësimin plotësues si dhe për mbështetjen financiare. Krasniqi shtoi che njëherë: „pa një mbështetje të sigurtë ne nuk do të kemi një mësim cilësor dhe me përgjegjësi, sado që deri më tani ka qenë mirë. Në vullnetarizmi dikur nuk stimulohet, atëherë ai shteron dhe mbi të gjitha nuk presim cilësi dhe nuk kemi mundësi t’i kërkojmë përgjegjësi mësimdhënësve. Krasniqi kërkoj certifikimin e mësimdhënësve si dhe dëftesa e notave dhe  ditari i punës të shqyrtohet.

Mbledhja u përmbyll me premtimin e Krasniqit se: në të ardhmen, së bashku me shoqatat, bizneset dhe Konsullatat tona në Mynih si dhe me ministrit përkatëse të dy shteteve tona shqiptare, do të realizojmë objektivat për Mësimin Plotësues të Gjuhës Shqipe në Bavari. Ne do jemi në vazhdimësi të kërkesës për sa më shumë bashkëpunim dhe institucionalizim.

Redaksia