Përgatiti. Sevi Lami Agolli
Ndonjëherë përdorimi i gabuar i një presjeje në të shkruar i prish kuptimin të gjithë fjalisë ose i jep kuptim krejtësisht tjetër, nga ai që duam të shprehim! Ndaj duhet të kemi shumë kujdes me përdorimin e presjes në të shkruar.
A e dini se një presje shpëtoi Leninin nga pushkatimi?
(Të lirohet, e pamundur të pushkatohet/
Të lirohet e pamundur, të pushkatohet!)
Përdorimi i presjes në të shkruar (apo pushimit në të folur) është një ndër çështjet më të vështira të gramatikës së gjuhës shqipe. Duke hasur përditë, kemi shkëputur dhe përmbledhur këtu 10 rregulla bazë të përdorimit të presjes në fjali.
Si ta përdorim saktë presjen në fjali?
Kur duhet dhe kur nuk duhet të vëmë presje në fjali?
PRESJA ( , ) ndan ose veçon gjymtyrë të një fjalie ose të një periudhe. Presja i përgjigjet një pushimi të shkurtër në ligjërimin e folur.
________________________________________
1. Presja përdoret për të ndarë gjymtyrë homogjene (p.sh.: kryefjalë, kundrina, përcaktorë etj.), që bashkohen pa lidhëza. Kufijtë midis gjymtyrëve të tilla, të cilat mund të jenë edhe të zgjeruara me gjymtyrë të tjera, në ligjërimin e folur dallohen me pushime të shkurtra:
/Mikpritja është një nga zakonet më të lashta, më bujare, më njerëzore të popullit tonë./
2. Vihet presje para fjalëve që paralajmërojnë numërimin dhe ndiqen nga një varg gjymtyrësh homogjene: /Atë e thërresin me epitete të ndryshme, si: kuqo, bardho, kuqal, balash, dhe asnjeri nuk ia di emrin e vërtetë./
3. Ndahen me presje gjymtyrët homogjene që bashkohen me lidhëzën kundërshtore “po (por)” dhe me lidhëzën këpujore “as”: /E keqja njeriut nuk i vjen nga urtësia, por nga mendjemadhësia./
4. Ndahen me presje gjymtyrët homogjene që bashkohen me lidhëzat këpujore “si edhe”, “si dhe”, “ashtu si edhe”: /Figura e tij tek unë, si edhe te shumë moshatarë të mitë, u shndërrua pak nga pak në një simbol./
5. Ndahen me presje gjymtyrët homogjene që bashkohen me lidhëza të përsëritura: edhe…, edhe … ; dhe…, dhe… ; as…, as… ; si …, si… ; ose…, ose… ; o…, o … ; qoftë…, qoftë… ; herë …, herë etj.
/Kjo çështje duhet biseduar shtruar dhe me punëtorët, dhe me specialistët./
/As në sjelljen, as në fytyrën, as në fjalët e tij nuk vëreheshin shenja tronditjeje./
/Qoftë fatkeqësia, qoftë lumturia, kur vijnë papandehur, të tronditin njësoj./
6. Presja përdoret për të veçuar gjymtyrë të ndryshme të fjalisë (përcaktorë, ndajshtime, rrethanorë, kundrina me parafjalë, përcaktorë kallëzuesorë), për shkak të nuancave kuptimore që fitojnë, për shkak të zgjerimit, të rendit jo të zakonshëm të tyre ose për shkaqe thjesht stilistike. Në ligjërimin e folur pushimet e shkurtra dhe ulja e tonit i veçojnë këto gjymtyrë nga pjesa tjetër e fjalisë për t’i vënë më shumë në dukje. Gjymtyrë të tilla ndahen me presje kur janë në fillim e në fund të fjalisë, vihen midis presjes kur janë në mes të saj:
a) përcaktorë të veçuar: /Ky popull, i sulmuar shumë herë në befasi, e ka të mprehtë ndjenjën e përgjimit./ Ai, i thithur nga hijet e të fshehtat e pyllit, po hynte gjithnjë e më thellë./
Mbi shtyllën e lartë, ngritur me blloqe gurësh cilindrikë, digjej ylli i mbrëmjes./
b) ndajshtime të veçuara: /Flladi i lehtë, fllad dehës vjeshte, lëvrinte mbi zallishtë si një puhizë jetëdhënëse./
c) rrethanorë të veçuar: /Tej, nga perëndimi, mbi kurorën e pishës së vetmuar po varej dielli./ Ajri dridhej ngadalë, si një rrjetë e hollë, e ndritshme, e endur me filigran./
ç) përcaktorë kallëzuesorë të veçuar: /Më tutje dukej bregu dhe prapa tij, i lartë e madhështor, ngrihej mali./
dh) Format e pashtjelluara, ose edhe ndërtimet të pashtjelluara që lidhen me foljen, ndahen me presje kur ndodhen në fillim të fjalisë: /Për të përjetësuar këtë ngjarje, këtu u ngrit kjo përmendore. /Duke qenë natyrë ëndërruese, ajo nisi të përfytyronte si të bëhej ajo ndërtesë pas një viti./
Shënim. Forma e pashtjelluar vihen midis presjesh kur ndodhen në mes të fjalisë, sidomos para kallëzuesit /Dhe, pa pritur përgjigje, mora rrugën e vilës./ Vajzës, me të parë djalin atje në prag të derës, iu çel fytyra./
7. Forma e përcjellores dhe forma e pashtjelluar mohore, si edhe ndërtimet me këto forma, kur vijnë në fund të fjalisë, ndahen me presje:
-«I marri!» – belbëzoi me vete gjithë gaz e qejf, pa harruar që farën e marrosjes ia pati shtënë ajo.
– Ç’pata për të thënë, i thashë, – u përgjigj ai me një fije zëri, pa e vështruar në sy.
8. Thirrori ndahet me presje kur ndodhet në fillim a në fund të fjalisë; vihet në mes presjesh kur ndodhet në mes të saj:
/O male, dëgjojeni këngën time! / Shpërthe, o tym i zi! / Dhe ti buçit, o këngë e punës…/
– Po kështu do të vihet presje pas fjalëve që shënojnë personin a sendin të cilit i drejtohemi (formulat e mirësjelljes), në letra etj.
Të dashur miq,
Po marr penën t’ju shkruaj…
Shënim. Në shkresa, letra, relacione, botime etj. presja përdoret për të ndarë emrin e vendit ku shkruhet ose botohet diçka, nga data ose nga viti kur është shkruar a botuar:
Tiranë, 28.8.1970
Tiranë, 1978
9. Fjalët dhe togjet e fjalëve të ndërmjetme ndahen me presje kur ndodhen në fillim a në fund të fjalisë; vihen midis presjesh kur ndodhen në mes të saj:
/Sidoqoftë, ty të shkon më shumë fjala. Madje, ishin të bindur për këtë që po bënin..
Me sa më kujtohet, ti ke qenë me ta atë ditë. Unë, të them të drejtën, kisha dëshirë të rrija me të.
Dhe, ç’është e vërteta, asnjë njeri nuk dinte. Mua më vinte keq, ç’është e drejta./
10. Pasthirrmat që hyjnë në përbërjen e një fjalie, ndahen me presje kur ndodhen në fillim e në fund të saj; vihen midis presjesh kur ndodhen në mes të fjalisë:
/Oh, sa kohë kisha pa e dëgjuar atë këngë! Eu, po për mua e keni therur atë ftujak?
Oi, kaq e lodhur paske ardhur, moj nuse? Qyqja, ç’bëra unë kështu, qyqja!/
(Më pëlqimin e Sevi Lami Agolli, marrë nga portali shkollor Albas)