12-VJETORIN E PAVARËSISË SË KOSOVËS KREMTUAN EDHE SHUMË SHKOLLA TË LAPSH-IT NË BAVARI TË GJERMANISË.

Mustafë Krasniqi

Shkruan: Mustafë Krasniqi – Mërgata shqiptare kudo që është ka një krenari për datat historike e ato kombëtare, konkretisht për ato data që dëshmojnë se gjaku i dëshmorëve u bë rreze e lirisë së atdheut. Kjo traditë e manifestimeve u manifestua në atdhe edhe jashtë tij! Këtë vit si vitet e mëparshme u kremtua dymbëdhjetë vjetori i Pavarësisë së Kosovës, 17 Shkurti, në disa qytete të Bavarisë: Në Kaufbeuren, Deggendorf, Abensberg, Holzkirchen dhe Nürnberg të Gjermanisë, në bashkëpunim me shkollat funksionale të LAPSH-it në  Bavari.

Fotografia e Shqiponjat e Bayernit

   Në të gjitha këto aktivitete e pranishme ishte edhe kryesia e LAPSH-it në Bavari, me qëndrimet e saja tashmë të ditura me moto, të gjithë për shkollën shqipe! Me përpjekjet e mëdha për ta sensibilizuar çështjen e mësimit plotësues në gjuhën shqipe te bashkëkombësi ynë mërgimtar. Gjë që me një shqetësim prek të ndjeshmen, përmes letrave dërguar institucioneve të atdheut, aktiviteteve të ndryshme që përcjellin porosinë edhe përmes medieva elektronike e ato të shkruara, qoftë edhe përmes tubimeve dhe manifestimeve të ndryshme, duke pasqyruar tek bashkëkombësi ynë mërgimtar përballjen me një rrezik të mundshëm, që po  hasim me belbëzimi dhe harrimin e gjuhës shqipe te fëmijët tanë!

   Kjo dukuri shqetësuese nuk duhet të jetë vetëm brengë e kryesisë së LAPSH-it, këshillave të prindërve dhe i prindërve, të cilët i dërgojnë fëmijët në shkollë. Por, duhet të jetë shqetësim për gjithë mërgatën shqiptare, aq më tepër për shoqatat dhe bizneset që veprojnë në këtë land, të cilat shumë nga to as që e vrasin mendjen se duhet investuar dhe ndihmuar shkollën shqipe. Po ashtu ky shqetësim duhet të jetë më tepër edhe i institucioneve tona të atdheut dhe i përfaqësuesve diplomatikë, e cila kjo e fundit është shtëpia e bashkëkombësve mërgimtarë-shqiptare. Prandaj shfrytëzoj rastin nga qyteti i Eggenfeldenit, që në bashkëpunim me Klubin Letrar „Martin Camaj“ dhe të shoqatës „Shqiponjat në Bavari“, që po e kremtojmë 17 Shkurtin, ditën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, ta thërras tërë komunitetin e mërgatës shqiptare, që të mos e injorojmë gjuhën e bukur-shqipe! Por, të jemi me një vetëdije të lartë njerëzore e kombëtare dhe të mos shikojmë se çka bën shteti për ne, por ne çka po i ofrojmë fëmijëve tanë. Nëse ne nuk ua ofrojmë mundësinë për shkollën shqipe në mërgim, ai nesër jo vetëm që do ta belbëzojë, gjuhën e mëmëdheut,  por edhe do ta harrojë në tërësi, për të mos thënë do të asimilohet, thotë koordinatori i LAPSH-it në Bavari, Mustafë Krasniqi.

Festimet vazhdojnë, me flamuj kombëtarë e atij shtetërorë, me këngë valle e recitime nga nxënësit e shkollave shqipe, që bukur shqiptojnë fjalën shqipe, hedhin valle dhe këndojnë shqip. Kjo atmosferë u zhvillua edhe në Kaufbeuren, nën organizimin e shoqatës „Iliria“, në prani të mbi 300 bashkëkombësve dhe të aktivistëve që po e përkrahin shkollën shqipe.

Në këtë eveniment kremtues, i pranishëm ishte edhe kryetari i LAPSH-it Milazim Ukaj, i cili shpalosi programin e shkollës shqipe për Bavari dhe ftoi të gjithë bashkëkombësit, që t‘i sjellin fëmijët e tyre në mësimin plotësues në gjuhën shqipe, në mënyrë që edhe në këtë qytet, si në qytete tjera të Bavarisë, të mësohet gjuha e bukur dhe e ëmbël, gjuha shqipe!

E pranishme ishte edhe mësuesja, z. Eva Krypca dhe kryetari i Fondacionit „Besa“, Anton Krasniqi etj. Gjatë kësaj dite u zhvilluan edhe disa aktivitete tjera, si në qytetin e Deggendorfit, ku i pranishëm ishin sekretari i LAPSH-it z. Avdi Kolukaj, ku Shoqata “Mërgimtarët” e Deggendorfit, për nder të 12-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, mbajti një program kulturo-artistik, me këngë e valle dhe recitime nga anëtarët e shoqatës dhe nxënësit e kësaj shkolle, të përgatitur nga mësuesja Shqipe Kolukaj. Të pranishmit, me një fjalë rasti, i  përshëndeti kryetari i shoqatës “Mërgimtarët” në këtë qytet Dr.Med. Edmond Skenderaj.

shtypni foton për të përcjellë programin

Po ashtu ky manifestim kremtues u mbaj edhe në Abensberg nën përkujdesjen e mësuesit Hamëz Dakaj së bashku me kryetarin, Nuhi Bytyçi, të shoqatës „Nazmi Ukësmajli“ në Abensberg. Me Moderim dhe përzgjedhjen të poezive nga Artola Dakaj dhe Koreografin Leonora Dakaj.

Jehona e manifestimit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, ishte e pranishme edhe në shkollën e Holzkirchenit, nën udhëheqjen e mësueses së palodhshme, Blerina Shabani-Morina në bashkëpunim me Këshillin e Prindërve, kremtuan festën e 17 Shkurtit nën zërin e ëmbël të nxënësve, të cilët shfaqen talentin e tyre para të pranishmëve dhe prindërve, me programin kulturo-artistik: Recitime, valle, këngë dhe me përformancën e tyre, zgjuan emocione te të pranishmit, që kishin ardhur për të qenë pjesë e kremtimit të 17 Shkurtit.

Ky manifestim u përmbyll suksesshëm, më 16.02.2020, në Nyrnberg, ku ishin të pranishëm mbi 500 Bashkatdhetarë, Ministrit të Punëve të Jashtme dhe të Diasporës z, Glauk Konjufca, përfaqësuesit diplomatikë të Konsullatës së përgjithshëm të Republikës së Kosovës në Mynih z. Afrim Nura, z. Hamdi Reçica, z. Zenel Gashi dhe z. Labinot Gucati. Aty ishin edhe kryetari i LAPSH-it për Bavari z. Milazim Ukaj, sekretari z. Avdi Kolukaj etj. dhe shumë Mësimdhënëse të LAPSH-it dhe kryetari i Fondacionit „Besa“, Anton Krasniqi.

Programi manifestues u hap me himnin kombëtar dhe atë të Republikës së Kosovës, për të vazhduar më tutje me programin kulturo-artistik, me valle, këngë dhe recitime nga nxënësit e kësaj e shkolle, të përgatitur nga mësuesja Lume Daci Hoti, së bashku me bashkëshortin Selim Hoti, i cili dhe është nënkryetar i LAPSH-it në Bavari! I tëri ky aktivitet  u shfaq në Bashkëpunim me Këshillin e Prindërve dhe të prindërve të nxënësve që vijojmë mësimin plotësues në gjuhën shqipe në shkollën e Nyrnbergut.

Shtypni mbi foto për ta par programin në tërësi nga RTK-ja

Përgatitja e nxënësve të kësaj shkolle u bë, nën përkujdesjen e mësueses Lume, që u prezantuan një program i shkëlqyer, i cili u prezantua, para, ministrit, konsujve dhe personaliteteve tjera politike dhe shoqërore! Shkolla shqipe me organizatoren e saj LAPSH-in  dha mesazhin se është përherë e gatshme dhe vepron, për ta ngritur në nivel sa më të lartë vetëdijen e bashkëkombësve mërgimtarë, që t’i sjellin fëmijët në shkollën shqipe, me mësim plotësues.

Pra, pas gjithë këtyre aktivitete, LAPSH-i është në detyrën e shenjtë dhe të pandalshme, e cila përpos angazhimin për hapjen e klasave të reja që ka, krijon besim të shtuar te mërgata, që t’i sjellin fëmijët e tyre në shkollën shqipe.

Me të gjitha këto përpjekje LAPSH-i, më 7 Mars 2020, do ta mbajë një manifestim kremtues, për nder të ditës së Mësuesit, „7 Marsi“. Ky manifestim do të mbahet vetëm nga nxënësit e shkollave shqipe nga mbarë Bavaria, nën përkujdesjen e LAPSH-it dhe të mësimdhënësve shqiptar-e/ë. Në këtë manifestim do të kemi të ftuar nga institucionet e atdheut, përfaqësuesit diplomatikë, shoqata e biznese e bashkëkombës, që jetojnë dhe veprojnë në landin e Bavarisë. Do të kemi program kulturo-artistik, me këngë e valle dhe recitime, nga nxënësit e të gjitha shkollave dhe më vonë do të na shoqërojnë edhe tingujt e muzikës profesionale.