PERSHTYPJE TË FILLUARA E TË PAMBARUARA PËR LIBRIN E EMIN Z. EMINIT ,,NJË MOIRË DHE NJË TREGIM ME TRI SONETE“

Qëmoti nuk kam lexuar perla poetike, të stisura me aq mjeshtri, ndjesi e dashuri nga poeti Emin Z. Emini. Libri i tij ,,Një Moirë dhe një tregim me tri sonete” me erdhi si një puhizë e lehtë, ku vargjet ,,kalërojnë” të lira në sfondin e blertë, ku imagjinata e skajshme e poetit u jep rrugë drejtimeshtëndryshme, por që në fund gjejnë një pikëtakim të kryepersonazhi Moirë, që herë na shfaqet si fiksion, herë si realitet e herë herë imagjinata e poetit na shperfaqë në trajtën metafizike. Megjithatë ajo është kudo në çdo shtrydhje vargu, duke nxjerrur mushtin e mjaltit për të mjaltosur çdo germë, çdo fjalë. Imagjinata e poetit shtegton hapësirave të pafundta të qiellnajes poetike, por edhe gërmon si një gjeolog i pasionuar që nxjerr mineralet me të çmueshme (Një kritikë mbi poezin e Emin Z. Eminit dhënë Izet Abdyli).

Dy poezi nga Emin Z. Emini

HARRIMI DHE RITUALI

me frymën e fundit të ditës së djeshme
pak para se nata të lëshonte shpatën e zezë mbi qytet
diellit plak iu sosën bateritë

me pendesë prej prifti
mëkatshëm zhveshi lëkurën e djegur
reve shtrydhi mynxyrshëm gjakun e portokalltë
therror thela-thela ra
detin përflaku
detin

ti nuk erdhe dje me diellin

të prita me shpirt
frymë më frymë bashkë të shihnim
aktin e flijimit të përbotshëm
për dashuri

kur isha harruar pas harrimit për ty
dielli i ringjallur sipas ritualit të rrotës
kandilat prapë kishte ndezur në minarenë e qiellit

ti dje kishe vdekur

sot
rituali hyjnor qe
që lule portokalle të çeli para vjeshtës sime
përballë katedrales nënë tereza
në prishtinë

SYQIELLTA

nuk di pse i kishte sytë blu
të çelur e të thellë
ka mundur t’i ketë të zinj të blertë të ullinjtë

as sot nuk e mësova
nga ç’qiej zbriti ai shikim

dielli nga ç’dorë u modelua
rrufeja përflakja
cila vetëtimë i lindi vrasjet ikanake
ato të bukurat
e shikemeve që shitojnë e shkojnë

rastësisht prej kur në bregdet e pashë
krejt çfarë njoh në këtë botë
janë sall sytë e saj

gjë tjetër mos më pyetni
ua thashë sa herë
nuk di ç’është xhehnemi i tejjetës
as ajo që e quajmë parajsë
as që dua ta di
udha e luleve dhe hirit është këtu tani

dhe një e fundit enigmë
që kurrë s’do ta kuptoj
si bëhet si
e kaltra e syve të ujtë
të flasë me gjuhën e gacave

fjalën peng po e lë
do t’ua tregoj fshehtësinë
në ditën më të bukur të jetës
kur të kem vdekur
në detet e syqielltës