Nga Hasan Ukëhaxha
Hyrje
Çereku i fundit të shekullit të nëntëmbëdhjetë ka hyrë në historinë europiane për dy arsye: E para, Perandoria Osmane, qysh e pat “diagnostifikuar” edhe Sami Frashëri si i sëmuari i Bosforit, e kishte marrë tatëpjeten dhe, e dyta, Rusia cariste e cila synonte për të dalë në Mesdhe përmes Grykës së Bosforit, bashkë me marionetat e saj ballkanike, i shpallen luftë. Meqë synimi i tillë ishte krejtësisht i papranueshem për Anglinë dhe Francen, ia ndalen turrin. Të sapocekurat bashkë me Gjermaninë dhe Austro – Hungarinë palëve ndërluftuese ua imponuan edhe tavolinën. Rusia si fituese e luftës ia preu pazarin anadollakes. Por, kur u publikua marrëveshja e cila në histori njihet si Traktati i Shën Stefanit, Fuqitë e Mëdha europiane ua kundërshtuan duke ua bërë të njohura palëve se lënda do të shqyrtohet në një forum ndërkombëtar.
Ishte pranvera e vitit 1878-të. Europerëndimorët u pajtuan që nenet e atij traktati të shqyrtohen në Kongresin e Berlinit, i cili do të fillonte me 13 qershor. Në dokumentin famëkeq cenoheshin edhe trojet shqiptare, prandaj anëtarët e Komitetit të Stambollit, përveç protestave që i organizuan me veprimntarët anë e kënd trojeve shqiptare, filluan që të përgatiten për t’i dalë zot atdheut për ditët e vështira që priteshin. Ndërkeq, derisa vazhdonte lufta ruso-turke, Sërbia, marioneta standarte e perandorisë së Stepeve në Ballkan, në vjeshten e ’77-es i pat pushtuar trojet shqiptare nga Molla e Kuqe, siç thot populli, duke filluar nga Nishi e për të vazhduar me Pirotin, Kurshumlinë dhe Vranjen e deri në Gjilan. Ushtria e saj barbare vrau e preu mijëra shqiptarë, dogji qindra fshatra. Pra, kreu një spastrim etnik, meqë ata që shpëtuan, u vendosen në Kosovën e sotme e shumë prej tyre nuk u ndalen deri në Anadoll…
I
Hapi i parë që e ndërmori Komiteti i Stambollit ishte organizimi i një Kuvendi gjithëkombëtar i cili do ta përgatiste mbrojtjen e atdheut me pushkë e me pendë. Pas një veprimtarie të pandërprerë e të mundimshme arriti që ta formojë Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, e cila i filloi punimet tri ditë para Kongresit të Berlinit…
Çka kërkuan shqiptarët në rrethanat e pranverës së ’78-es? Atë më të arsyeshmen që ishte e mundshme: “Në vend të pavarësisë së plot kombëtare, ata vendosen të kerkonin bashkimin e trojeve të tyre në një vilajet autonom shqiptar në kuadrin e Perandorisë Osmane”. Arsyeja e atij këmbimi? Se mos shqiptarët shprehnin “vullnetin” e tyre që edhe më tej të jetonin nën kthetrat e pushtuesit?! Jo. Atëherë? Me statusin e asaj “republike” synonin që të ruanin tërësinë e trojeve dhe kompaktësinë etnike të popullit shqiptar. Dhe, përtej kësaj, një zgjidhje e tillë “ do të gjente përkrahës në arenen ndërkombëtare të pakten mbështetjen e atyre Fuqive të Mëdha që nuk e dëshironin shpartallimin e plotë të Perandorisë Osmane ( citimet e mësipërme: Historia e popullit Shqiptar II, Tiranë, 2002, f. 45). Se mos e ndryshoi Lidhja Programin? Jo, studiuesit e kanë vlerësuar atë qendrim si lëvizje të natyrës taktike, e cila do t’i mundësonte asaj përgatitjet në të gjitha aspektet duke përfshirë edhe organizimin e forcave ushtarake ( po aty). Këtu nuk po e kapërcej as aktin e një grupi atdhetarësh shkodranë, i cili Kongresit ia kërkoi Pavarësinë e Shqipërisë. Ajo do të ishte akt i kryer që do t’i menjanonte një varg ngatërresash në Ballkanin e trazuar.
Ndërkaq, Kongresi nuk e pranoi as të paren se të dytën nuk e vuri fare në kandar. Madje, përgjigjja që Avdy Frashëri e mori nga Bismarku, në takimin që e pat me të, në cilësinë e Kryetarit të Kongresit se “ Nuk ka një komb shqiptar” ( Vep. E cit. F. 162). Ishte një fyerje sui generis. Ai sadist e dinte që ka, por nuk donte ta dinte, se për shqiptarët nuk mund të mos kishte lexuar diçka nga titanet e kombit që i përkiste, ndër të cilët po i përmendi Laibnicin, Hahnin, Bopin, e Kreçmerin – “njërin nga nënshkruesit e diplomes së gjuhëtarit tonë” ( Shaban Demiraj: Eçrem Çabej, Tiranë, 1990 f. 14) e ndonjë tjeter. Po se ka ende shqiptarë, para së gjithash, i tregoi populli nën udhëheqjen e Lidhjes me Epopetë që i shkroi me gjak, gjatë atyre tridhjetegjashtë muajve kundër hordhive osmane, greke,dhe serbo-malazeze, bashkë me kërcënimet europiane…
II
Lidhja u shtyp nga barbarët e sapo cekur, por pa të “…rrjedha e historisë mund të kishte qenë detyruar të merrte tjeter rrugë e të ç’bënte çka kishin ndertuar vitet e shekujt… atë situatë krize vërtetë tragjike që rrezikoi ta shpiente popullin në “pikën zero” të rrugës së tij” ( Aleks Buda: Konferenca Kombëtare e Studime për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit 1878- 1881, Tiranë, f, 10/11). “ … e pa lëvizjen kombëtare shqiptare që atë e pasoi, ndoshta Shqipëria që doli nga Konferenca e Ambasadorëve, do të ishte katandisur në një provincë lilipute si ajo që u formulua në Traktatin e fshehtë të Londrës në vitin 1915” (Kristo Frashëri: Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Tiranë, 1997, f. 425).
Citimeve të mësipërme do t’ua shtoj edhe një, përmes të cilit togfjalëshi “ Çështja shqiptare” zbërthehet me gjuhë matematikore: “… dalja e problemit shqiptar në planin diplomatik i përket … periudhes së Krizes Lindore … dhe që pati kulminacionin e vet në Kongresin e Berlinit… Në historinë e brendshme të Shqipërisë u korrespondon viteve të Lidhjes Shqiptare… me të cilen Lëvizja Kombëtare Shqiptare arriti apogjenë e saj në shekullin ’19-të (Arben Puto: “Pavarësia shqiptare dhe Diplomacia e Fuqive të Mëdha, Tiranë 1978 f, 12). A ka të tjerë që në këtë rast nuk mund të kapërcehen? Po: ndër ta, madje nga më të dalluarit është edhe Ukshin Hoti, të cilin po e citoj në mënyrë që komenti të jetë sa më i çartë. “… Nga ky aspekt mund të thuhet se çështjen shqiptare e krijuan Fuqitë e mëdha dhe se ato, normalisht, edhe do të duhej ta zgjidhnin. Mirëpo Fuqitë e Mëdha nuk merren me zgjidhjen e çështjeve të tilla pa patur interesa të veta dhe sidomos jo pa u bërë inicimi i zgjidhjes së një çështjeje të tillë nga vet faktori politik shqiptar. Në të kaluaren, duke qenë prezent në vetëdijen politike shqiptare, por edhe objektiv i kombinimeve të ndryshme të strategjisë politike të Fuqive të Mëdha, zgjidhja e kësaj çështjeje u aktualizua herë pas here, por akoma mbeti për t’u zgjidhur” (Filozofia Politike e Çështjes Shqiptare, Tiranë, 1995 f. 60).
Për të më sipërmet disa rreshta i konsideroj të pashmangshëm: Dy citimet e para dëshmojnë se baballarë, gjyshë e stërgjyshë na kanë mësuar se mbrojtja e atdheut nuk ka çmim. I treti, për të gjithë ata që i dinë 36 shkronja të alfabetit të gjuhës shqipe mund t’i kuptojnë pa vështirësi dy anët e medaljes që i kishte çështja jonë kombëtare, binarët e së cilës nuk kanë arritur ende në cakun ku i vihet pikë. E për të katertin do të zgjatem pak më shumë: Mendimi i studiuesit U. Hoti se “çështjen shqiptare” e krijuan Fuqitë e mëdha prandaj ato edhe do të duhej ta zgjidhnin, është i pakontestueshëm, por ajo duhet inicuar nga populli shqiptar. Së dyti se djepi i Çështjes Shqiptare është Konferenca e Londrës është pjesërisht i saktë, për arsye se me vendimet e saj, ajo hyri në një fazë të re. E cili është djepi i mirëfilltë, u tha më lart.
Tani rreth inicimeve, të cilat U. Hoti i konsideron parakusht për zgjidhjen e çështjes sonë kombëtare, disa rreshta: Duke i përfshirë edhe vitet e Lidhjes Shqiptare, respektivisht mandatin e Kongresit të Berlinit e deri në prag të Konferencës së Londrës, populli shqiptar me udhëheqësit e vet shkruan epope të njëpasnjëshme. Në betejat që i zhvilloi kundër pushtuesit turk dhe fqinjëve shovenistë, të cilat u kurorëzuan me shpalljen e Pavarësisë së atdheut me 28 Nëntor të vitit 1912, të cilën e pranoi i dyti auditorium i cekur pak më lart. Mendoj se gjatë atyre 34 viteve me heroizmin e tij për lirinë e vendit, siç e thash pak më lart termi i studiuesit tonë inicime nuk është adekuat.
Po, ç’Shqipëri njihte Londra? Gjysmën e trojeve që njiheshin me atë emer. Pjesën tjeter ua pjestoi të sapo cekurve më lart, të cilët të nxitur nga Rusia, iu vërsulën Turqisë, prandaj kërkonin shpërblimin. Edhe shqiptarët, shëmbëllyeshëm viteve të Lidhjes shkruan epope me gjakun e tyre në betejat e njëpasnjishme kundër pushtuesve. Prandaj, Vendimet e Konferencës së Londrës, kush të dojë e kushdo qoftë le t’i pagëzojë me çfarëdo eufemizmash, ato janë kriminale, pavarësisht se me rreshtat e saj Europes i shtohej një shtet që nuk ekzistonte më parë…
III
Vendimet e Konferencës ua bëri të njohura Kryetari i saj – ministri i punëve të jashtme të Mretërisë së Bashkuar, i cili e pranonte aktin kriminal, por e arsyetonte me kushtin nëse ishte mënjanuar lufta në përmasa europiane. Por, siç dihet, lufta qe parandaluar për aq kohë “sa u qendron bryma rrezeve të diellit në mëngjesin e një dite vjeshte”. Shqipërisë neutrale kobe të reja – ushtritë e të dy kampeve kundërshtare kalëronin anë e kënd territorit të saj. Këtu nuk e shoh të arsyeshme të ndalem në plaget e viteve të Luftës së Parë Botërore, por nuk mund të mos theksoj se ajo shpëtoi nga copëtimi edhe më i trishtë, sikur në Konferencën e Paqes Presidenti Amerikan Uillson të mos ua bënte me dije europianëve se nuk do të pranojë asnjë vendim që rezulton nga ndonjë marrëveshje e fshehtë. E, siç dihet, e tillë ishte Traktati i fshehtë i Londrës ( HPSH III, Tiranë, 2007, f. 79/129).
IV
Si nga aktet heroike, mund të mësohet edhe nga të turpshmet, për t’mos i përsëritur. Nga fillimi i çerekut të dytë të shek. 20, Shqipëria e pavarur dhe anëtare e Lidhjes së Kombëve ishte më teper se pretoktorat i Italisë fashiste, e cila në prillin e ’39-es pas dezertimit të monarkut, përkundër rezistencës së popullit që e organizuan atdhetarët, e pushtoi brenda disa ditësh. Asambleja Kushtetuese konstituimin e së cilës e porositi Konti Çiano vendosi “ që Shqipëria t’i bashkohej Italisë. Për këtë qellim iu kërkua mbretit Viktor Emanuel III që të pranonte kuroren e Shqipërisë. Në këtë mënyrë Shqipëria e humbiste pavarësin dhe identitetin shtetëror” (HPSH IV, Tiranë, 2008 f. 24/25). Ky turp nuk ishte rastësi, ishte epilogu i veprimtarisë antikombëtare të Ahmet Zogut që e filloi me Pashiqin, i cili e ktheu në Tiranë me bajonetat e tij (shpërblimi dihet), ishte çmimi që duhej t’ia paguante Musolinit që e mbajti në pushtet më teper se një dekadë…
V
Duke e organizuar luftën antifashiste, Shqipëria u radhit në anën e duhur të historisë, si pjesë e koalicionit në krye të të cilit ishin tri Fuqitë e Mëdha – SHBA, Anglia dhe BRSS-ja, të cilat, përmes Kartes së Atlantikut u bënin thirrje që t’u bashkoheshin duke u premtuar se mosmarrëveshjet midis fqinjëve, qofshin ato edhe të karakterit territorial, do të zgjisheshin sipas parimit të vetëvendosjes pas përfundimit të luftës…
Populli shqiptar, siç u tha pak më sipër thirrjes iu përgjegj jo vetëm me fjalë. Prandaj, në bazë të premtimeve e organizoi Konferencën e Bujanit, e cila përmes Rezolutes e shprehte vullnetin që pas luftës Kosova t’i bashkangjitej Shqipërisë, sepse pjesë e saj ishte, por Konferenca e Londres ia pat dhënë peshqesh Beogradit.
VI
Këtu nuk mund të mos theksohet se në Konferencë ishte i pranishëm edhe “ përfaqësuesi i Misionit Anglez, i cili pas përshëndetjes i vlerësoi përpjekjet e popullit të Kosovës në radhet e Lëvizjes Antifashiste” (HPSH IV, Tiranë, 2008 f. 142). Se mos e legjitimoi oficeri anglez Konferencën edhe në rrafshin politik, meqë ky segment ishte strumbullari i saj?! Ndërkaq Titoja, pas tre a katër muajve i shpalli të pavlefshme votat pro Rezolutes… E, siç do të shihet më tej, ai qendrim ishte vetëm prologu i sjelljeve të tij antishqiptare. Rrugën ia trasuan Çurçilli e Stalini në Moskë, të cilët në tetorin e ’44-es vendosën që “ Jugosllavia të restaurohej në kufijtë e vjetër të Mbretësisë së Karagjorgjeviçëve… ( Konferenca e Jaltes, Tiranë, 1996, f.9). Të tretit, Presidentit Rusvelt, në shkurtin e ’45-es në Jaltë ia komunikuan ciklin e marrëveshjeve për Ballkanin, ndër të cilat ishte edhe e mësipërmja. I përgëzoi… pas aminit Titoja e dergoi ushtrinë në Kosovë; dihet se ç’ndodhi.
VII
Duhej të kapërdihej e pakapërdishmja, respektivisht t’i thuhej edhe për pak kohë thiut dajë. Prandaj, rrugës për në Konferencën e Paqes që mbahej në Paris Enver Hoxha i tha Titos në Beograd “Kosova është shqiptare, i përket Shqipërisë dhe duhet t’i kthehet Shqipërisë…” (Kosova është Shqipëri, Tiranë, 1999 f.53). Konverzacionin e mëtejshëm midis dy “miqve” të përbetuar po e kapërcej. E atje për ku ishte nisur Enver Hoxha ua dha përgjigjen shovenistëve grekë që kërkonin ta ndanin Shqipërinë me Jugosllavinë. Anglo-amerikanet e mbështetnin, po fqinji verior, Jugosllavia, e kundërshtonte sepse e donte te tëren për veti. Mosha Piade, kryetari i delegacionit e njëri nga bashkëpunëtorët e Titos kishte propozuar që “ Kancelaria e Republikes Federative të Jugosllavisë në Beograd të mos i kishte gjashtë por shtatë kabinete dhe kabineti i shtatë “ t’i përkiste Republikës Jugosllave të Shqipërisë. ( Xhelal Xheçovi: Shteti shqiptar dhe shteti i Kosovës, Tiranë, 1998, f.130). Përpjekjet e bëra këtu nuk mund t’i trajtoj më gjatë për shkak se hapësira është e kufizuar.
Ndërkaq, pas ndërprerjes së marrëdhënieve midis BRSS-së dhe Jugosllavisë, Shqipëria ia ktheu shpinden fqinjit dinak, ndonëse tjetri të cilit i drejtohej e kapërcente shumëfish. Prandaj, në rrethanat e reja E. Hoxha përmes një letre ia përkujtoi edhe Moskës vullnetin dhe vendosmërinë e popullit shqiptar që jetonte në trojet e veta, për t’u bashkuar me Shqipërinë: “ Kurrfarë zgjidhjeje tjeter popullsia shqiptare e Kosovës nuk deshiron ta pranojë dhe çdo zgjidhje tjeter ajo e quan të padrejtë; të padrejtë e quajmë edhe ne” ( Leter e panjohur e Enver Hoxhës mbi Kosovën, Tiranë, 2002, f.25).
VIII
Pas vitit ’48-të dhuna dhe terrori titisto-rankoviçist ndaj shqiptarëve vazhdonte në të njejtat përmasa. Mjafton të ceket shpërngulja e mijëra shqiptarëve për në Turqi dhe aksioni famëkeq për mbledhjen e armëve si pretekst. Megjithatë, atdhetarët e gatshem edhe për sakrifica të paimagjinuara, e inaguruan rrugën e re, realisht e vetmja që u kishte mbetur: Organizimin e veprimtarisë ilegale. Pas NDSH-së organizatat e themeluara nga Kadri Halimi, Metush Krasniqi dhe Adem Demaçi ishin ato që i vunë bazat e saj. A-ja e programit të secilës ishte bashkimi i trojeve shqiptare me shtetin amë. I treti nga të përmendurit në saje të veprimtarisë që e zhvilloi konsiderohej si ideologu i Lëvizjes Kombëtare.
Në demonstratat e ’68-es alternativa për bashkimin kombëtar mbeti pak a shumë nën hije; u brohorit e reja “Kosova Republikë”. Por organizatat që u formuan në vitet e ’70-ta (nuk po ndalem në emrat e tyre e as të protagonistëve) e rehabilituan të paren. Ndërkaq, në demonstratat e Pranverës së vitit ’81-jë, bashkë me blerimin e stinës, si krahtë e shqiponjës, valoi sërish e dyta. Por, duhet thënë se ai komplementarizëm nuk ishte antagonist i përmasave shqetësuese.
Serbia nuk arriti ta qetësoi gjendjen në Kosovë nëpër vitet e asaj dekade, falë veprimtarëve të ilegales, disa prej të cilëve ranë deshmorë, organizatorëve dhe pjesëmarrësve në demonstratat e ’89-es e ’90-es, në të cilat ranë gjithashtu dëshmorë.
Vitet e sapocekura e tjetri pas tyre kanë hyrë në faqet e historisë europiane: me bashkimin e Gjermanisë, shpartallimin e Bashkimit Sovjetik dhe të Jugosllavisë, panorama jo vetëm politike e Europes ndryshoi. Po i çasem të tretës sepse shtatë dekada në të vjetren e të renë, gjysma e kombit tonë e përjetoi gjenocidin e saj. Në dhjetorin e ’90-es Sllovenia e shpalli Pavarësinë e në muajtë e vitit tjetër Kroacia, Maqedonia, Bosnja e Hercegovina dhe Kosova pas tyre (Platformë për zgjidhjen e çështjes Kombëtare, AKSH, 1998, f.28).
IX
Serbia, Kosovës së pavarur vendosi t’i përgjigjej më vonë se për të ishte më e poshtmja vrimë e kavallit, prandaj pushteti paralel funksiononte për mrekulli. Por, Lëvizja ilegale vazhdonte veprimtarinë e saj, e bindur se liria nuk fitohet pa luftë. Për çmimin ishte e përgatitur sepse vazhdimisht e paguante, por asnjëherë nuk u gjunjëzua. Këtu një parantezë të shkurtër: intelektualet e të gjitha trojeve etnike ( jo më pak se 250 pjesëmarrës) i shprehen preokupimet e tyre për zgjidhjen e çështjes kombëtare në Kuvendin e mbajtur në Stamboll nga 24 deri me 28 nëntor 1995. Kësaj rradhe vetëm kaç sepse alternativat e debatuara meritojnë më tepër se një kumtesë.
Pasardhësi i Rankoviçit u kthye nga Kemp Dejvidi fitimtar: Republiken titiste të Bosnjë-Hercegovinës arriti ta coptojë në tri pjesë, njëren prej të cilave e shndërroi në Republika Serbska, e cila sot po u shkakton dhembje koke instancave politike në të dy anët e Atlantikut përmes nënës Serbi e gjyshës Rusi. Prandaj, i krekosur në marsin e ’99-es i tregoi Kosovës se “muajtë e mjaltit” – as luftë as paqe përfunduan. Po, edhe Jasharët e Prekazit të Drenicës i thanë mos t’qofshim falë. Heroizmi mitik i familjes së sapo cekur ishte kushtrimi i paimagjinueshëm… Lirinë Kosovës ia solli gjaku i dëshmorëve e i martirëve, në llogore e istikame. Pra, Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte dhe mbeti sinonimi i të gjitha përpjekjeve të popullit shqiptar të organizuar në organizata ilegale e cila në fund i dha grushtin vdekjeprurës pushtuesit shekullor. Është alternativa e vetme që kombi nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit ja rriti fitoret e njëpasnjëshme.
Dihet se Çështja Shqiptare është e pazgjidhur edhe në ditët tona. Prandaj për realizimin e aspiratave kombëtare mund të mësojmë nga e kaluara të cilën duhet sinkronizuar me rrjedhat që na presin. Pra, në asnjë rrethanë nuk duhet të heqim dorë nga ajo që është e jona.
LITERATURA KRYESORE
- Historia e Popullit Shqiptar II, Tiranë, 2002
- Shaban Demiraj: Eçrem Çabej, Tiranë,1990
- Konferenca Kombëtare e Studimeve për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, Tiranë, 1979
- Kristo Frashëri: Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Tiranë 1997
- Arben Puto: Pavarësia Shqiptare dhe Diplomacia e Fuqive të Mëdha, Tiranë,1978
- Ukshin Hoti: Filozofia Politike e Çështjes Shqiptare, Tiranë, 1995
- Historia e Popullit Shqiptar III, Tiranë, 2007
- Historia e popullit Shqiptar IV, Tiranë, 2008
- Konferenca e Jaltes, Tiran., 1996
- Ilir Hoxha: Kosova është Shqipëri, Tiranë, 1999
- Xhelal Xheçovi: Shteti Shqiptar dhe Çështja e Kosovës, Tiranë, 1998
- Platformë për zgjidhjen e Çështjes Shqiptare, Tiranë, 1998
- Letër e panjohur e Enver Hoxhës mbi Kosovën, Tiranë, 200 (Marrë nga Gazeta “Lëvizja)