Nga Jehona Gashi
Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore po realizon një turne historik në qytetet e Kosovës. Në vijim të koncerteve një natë më parë artistët e ansamblit ishin në qytetin e Gjilanit dhe sot në Luginën e Preshevës.
Aktiviteti zhvillohet në ciklin e një turneu disa ditor në disa qytete të Kosovës si Prizren, Gjakovë, Gjilan, Lugina e Preshevës dhe në Shkup të Maqedonisë së Veriut.
Ky turne rikthehet pas më shumë se 30 vjetësh në qytetet e Kosovës, duke na rikthyer kështu edhe njëherë jehonën dhe suksesin e Ansamblit Kombëtar në mbarë trevat shqiptare.
Më datë 25 prill ansambli ishte në Prizren, në 26 në Gjakovë, në 27 Gjilan, për të vijuar dhe në datën 28 në Luginën e Preshevës dhe më datë 29 të këtij muaji në Shkup. Drejtori artistik i Ansamblit Popullor Sokol Marsi më parë është shprehur se e kanë quajtur turi historik i ansamblit. Me rëndësi në këtë tur që po zhvillon Ansambli Popullor për drejtorin artistik Sokol Marsi është dhe pjesëmarrja e artistëve të rinj.
“E veçanta e këtij turi është sepse trupës artistike i bashkohet dhe një pjesë e artistëve të rinj dhe e kanë për herë të parë që prekin skenat e Kosovës dhe janë për herë të parë në një organizim të tillë”, ka pohuar më parë ai.
Sipas tij, programi artistik bazohet në krijimet më të bukura të muzikës së kultivuar nga të gjitha trevat shqiptare, si edhe në folklorin e pasur kombëtar. Ky tur realizohet në kuadër të kalendarit të përbashkët kulturor me Republikën e Kosovës, Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Ministrinë e Kulturës së Republikës së Kosovës, Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut.
Ansambli i Këngëve e Valleve Popullore (AKVP) ose Ansambli Shtetëror, është krijuar në vitin 1957 si ansambël profesionist. Ky Ansambël përbëhet nga solistët këngëtarë, orkestrina, grupi i valleve dhe kori. (Nga PROINTEGRA.CH)