Shkruan: Brat Luzha
Kalojnë vite, kalojnë edhe shekuj e kujtimi për dëshmorët prore mbetet i freskët në mendjet tona, në kujtesën tonë historike. Brezat që vijnë do t’i mbajnë në zemër dëshmorët, për t’i bërë ata flamuj në valim rrugëve e shesheve tona të lirisë
Liria ndërtohet me jetëra, ndërtohet me gjak, ndërtohet me dëshmorë. Kurse, dëshmorët janë nderi dhe krenaria e popullit tonë martir. E atij populli që synon ta fitojë lirinë shekuj me radhë. E popullit, që do e di ta ndërtojë lirinë.
Dëshmorët janë ndërgjegjja më sublime dhe vetëdija, e ngritur lart, deri në piedestalin e vetëflijimit.
Dëshmorët jetuan për ne. I kemi prore, gjithkund e gjithherë. Me një diell në gji, me një rreze në ballë. Lundrojnë ata mbi detin e gjakut të flijuar për liri. Në paqe e në luftë, në fushë e në mal.
I ke atje, i ke këtu…
Një varr, një gurë, një lapidar, një përmendore. Lapidarë të lirisë ishin vetë ata, ata që u bënë flakadanë të përjetësuar. Diell me rreze të lira, me dritë pranëlirie.
Liria po vjen. Sa shumë krushq që paska për dasmën e madhe të lirisë. Dasmë madhështore, e paparë. Liria bashkohet me Atdheun. Gëzim e hare në çdo anë. Dritësim diellor, rrezegjak.
Dëshmorët u ngjallën sot dhe po festojnë bashkë me ne.
Dëshmorët janë vetë liria jonë.