E papranueshme heshtja e Republikës së Kosovës dhe krerëve të saj për skandalin me Dik Martin dhe planifikimin e vrasjes së tij nga Serbia

Kosova duhet ta sensibilizojë faktorin ndërkombëtar lidhur me

krimin e paramenduar të Serbisë kundër saj

Nga Xhevat Hasani

Në këto dy javët e fundit janë organizuar disa debate televizive lidhur me përpjekjet e shërbimet sekret serb, për ta vrarë Dick Martin me atentat të fshehtë, me qëllim që kjo vepër kriminale t`u mbetej shqiptarëve, përkatësisht që t`i mbetej Kosovës si shtet. Por, këto debate televizive dhe reagimi i Kryeministrit Kurti lidhur me këtë temë në parlament, i mjaftojnë sensibilizimit të brendshëm, por jo edhe sensibilizimit të jashtëm ndërkombëtar.

Mendoj se për ta sensibilizuar faktorin ndërkombëtar lidhur me këtë përpjekje të regjimit serb kundër Dick Martit dhe Kosovës, ishte dashtë që Kryetarja e Republikës, Kryeministri dhe Ministrja e Jashtme e Kosovës, të bëheshin bashkë dhe ta hartonin një letër akuzuese (të bazuar tani më në faktet e bëra publike) kundër Serbisë.  Një letër e tillë ishte dashur t`u dërgohej institucioneve kryesore botërore dhe evropiane si:

  • Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së;
  • Këshillit të Sigurimit të OKB-së;
  • Bashkimit Europian-BE-së;
  • Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-së dhe
  • Ambasadave të vendeve të kuintit në Prishtinë.

Është e vërtetë se lajmi për këtë krim të paramendur të Serbisë ndaj Kosovës tani më ka marr dhenë, dhe se ai ka rënë edhe në veshët e krerëve të institucioneve botërore dhe evropiane të përmendura më lartë. Por, po ashtu është e vërtetë se institucionet e lartpërmendura dhe krerët e tyre, ishte dashur ta kishin në tavolinat e tyre edhe reagimin e shtetit të Kosovës në raport me këtë intrigë të tmerrshme të Serbisë kundër tij. Thuhet se fëmijës që nuk qanë nuk i jep gji (qumësht) as nëna e vet! Pastaj, edhe mund të pyet bota: Ç`na qenka ky shtet shurdhmemec (Kosova) që edhe për një rast si ky nuk reaguaka?! (Nga gazeta „Lëvizja“)