VËSHTRIM PËR ROMANIN “JETA NË PRANGA”, TË AUTORIT ISMAIL ALIU

FMIR HALIMI

Shkruan: FATMIR HALIMI

Nëntitull: (SHB ProkultPress, Prishtine ka përgatit romanin “Jeta në pranga” te shkrimtarit te njohur Ismail Aliut per botim, por për shkak te CORONAVIRUSIT edhe ne Kosove nuk mundi te shtypet dhe te dale para lexuesve.
Për kundër kësaj ne librin do tua ofertojmë lexuesve edhe onlline ne faqen tone.
Për ketë pune ne distance ne falënderojmë bashkëpunëtorët tanë:
Prof. Abdullah Troshupen, per lekturim
Krenar Aliun, per dizajn te kopertinës
Venera Alshiqin , për faqosjen e librit.)

Romani “Jeta në pranga”, i shkrimtarit Aliu vjen para lexuesve të tij të shumtë si një prurje e re në letërsinë tonë, si nga aspekti tematik, ideor dhe stilistik.                                                                                             

 Themi tematik, pasi që është ndër shkrimtarët e rrallë që trajton temën e të burgosurve politik në ish-Maqedoninë e Jugosllavisë së dikurshme, si dhe temën e mërgimit, e cila është plagë e moçme e shqiptarëve përgjithësisht. Romani ka vlera të larta ideore e stilistike, pasi që autori në romanin ”Jeta në pranga” ka përdorë një gjuhë të rrjedhshme, të kuptueshme për të gjitha shtresat, me një stil të pasur leksikor e semantikë të fuqishme. Temën “Të burgosurit politik” autori Aliu na e paraqet përmes ngjarjeve të shumta që lidhen me jetën e Dardanit, personazhit kryesor.

 Shkrimtari Aliu jetën e Dardanit na e jep nga momentet e burgosjes së tij prej forcave shoviniste policore, sllavo-maqedonase, pasi që ai mori pjesë në një nga demonstratat të organizuara nga shqiptarët për liri më të madhe prej pushteti maqedonas. Autori Aliu jetën e Dardanit, por edhe të të burgosurve të tjerë shqiptarë në burgun famëkeq Idrizovës na e jep deri në imtësi të të gjithave detajeve jetësore, si të detajeve psikike, por edhe të atyre fizike, pasi që këta të burgosur shqiptarë maltretohen, torturohen dhe keqtrajtohen nga policët maqedonas me metodat më çnjerëzore. Disa nga të burgosurit duke mos i përballuar torturat edhe vdesin, kurse Dardani edhe pse disa herë ishte në zgrip të jetës dhe disa herë u alivanos, prapë mbijetoi dhe i shpëtoi vdekjes. Përmes bisedave që zhvillojnë hetuesit policorë me Dardanin e kuptojnë se këto burgosje janë procese të montuara politike. Dardani pas tridhjetë muajve burgim lirohet, por jeta e tij në qytetin e Tetovës më nuk ka kuptim, sepse vazhdimisht është në përcjellje nga pushteti për çdo veprim që ai e zhvillon.       

    Mund të them se i tërë rrëfimi në romanin “jeta në pranga” është një rrugëtim i pandalshëm i individit të pakënaqur me shoqërinë në të cilën jeton, derisa Dardani definitivisht largohet nga Tetova dhe do të vendosët në një nga vendet më të zhvilluara të Evropës, në Gjermani. Por as këtu nuk ndalet rrugëtimi i jetës së tij, i jetës fatkeqe, pasi që gjatë rrugës bashkë me shokun e tij të ngushtë Batonin pësojnë një aksident të rëndë. Batoni shërohet shumë shpejtë, kurse Dardani tre ditë do të qëndroj në komë, pa vetëdije, në spitalin e Rozenhainit. Aty do të qëndroj dy javë të plota, ku edhe do të njoftohet me infermieren e bukur gjermane, zonjën Rita. Gjatë kësaj kohe të qëndrimit të Dardanit në spitalin e Rosenhajmit, ne si lexues do të mësojmë se ai ishte i martuar me Doruntinën dhe se ajo i kishte vdekur në vendlindje gjatë lindjes së fëmijës së tyre. Dardani që nga atëherë më nuk ishte dashuruar në ndonjë femër tjetër. Por këtu në spitalin e Rozenhajmit, ndjenjat dhe dëshirën  për të pasur një person pranë vetës ia ngjalli Rita e bukur. Tash jeta e tij në Gjermani ndryshon rrënjësisht. Ai shërohet, vendoset në Berlin, gjen një punë dhe është shumë i lumtur për lidhjen e tij që ka krijuar me Ritën, të cilën e dashuron marrëzisht, e cila nganjëherë ia kujton edhe Doruntinën e vendlindjes së tij.    

 Dardanit edhe këtu nuk i ec fati, pasi që Rita ka një vajzë të paralizuar dhe kur vije në pyetje martesa e tyre, dhe që Rita të shpërngulet nga Rozenhajmi në Berlin, ajo assesi nuk pranon. Kështu që vije në krizë edhe dashuria e tyre. Dardani pas një grindje me Ritën, nervozohet shumë dhe për tu larguar nga ajo e nget veturën e tij si i çmendur, pastaj diku rrugës nga Rozenhajmi për në Berlin bën aksident fatal, e vdes.      

  Shkrimtari Ismail Aliu rrëfimin e tij për ngjarjet, të bëmat dhe episodet e shumta të jetës ia kalon njëfarë narratorit, që në këtë tekst romanor është i padukshëm, por edhe kryepersonazhit Dardanit, si dhe personazheve të tjerë siç janë; gjyshi dhe gjyshja e tij në Tetovë, mandej Ritës, Diterit-babait të Ritës, Melanisë-vajzës së Ritës dhe Batonit, në Gjermani, si dhe disa korrespodencave në formë të letrave që i zhvillojnë Dardani e Rita. Të gjitha këto forma të rrëfimit, të shkrimit janë kategori stilistike letrare, që me shumë sukses i ka përdorë autori, si metatekstin, shkallën e shkrimit, toposin, kronotopinë e të tjera. Të gjitha këto kategori stilistike romanit i japin vlera të larta artistike në letërsi.    

  Si përfundim mund të them se ky vështrim analitik për romanin “Jeta në pranga” nuk i mbyll apo nuk i shteron studimet mbi të, por përkundrazi i hap dhe se është vetëm një dritare e vogël për tu futur më thellë në diskursin kritik letrar, që ky roman studiuesve të tjerë u ofron mundësi të mëdha interpretimi.