Fjala në komemoracionin me rastin e vdekjes së Prof. dr. Sadri Fetiut (1942-2021)

Prof. dr. Hysen Matoshi

Të nderuar familjarë të Profesor Sadri Fetiut, zonja Fetije, të nderuar Shkëlzen, Shqipe dhe e nderuara Jetë,

Familjarë të tjerë, miq, kolegë, bashkëpunëtorë, të gjithë ju që e keni çmuar, e keni dashur dhe e keni nderuar profesorin, shkencëtarin, shkrimtarin, publicistin, përkthyesin, drejtuesin e Institutit Albanologjik në kohë e në rrethana të vështira, Prof. dr. Sadri Fetiun, njeriun i cili bënte më shumë për të tjerët se sa mund të bënim të gjithë ne bashkë për të.

Në shkurtin dhe fillimmarsin e vitit 1994, organet qeverisëse të pushtuesit serb ia kishin drejtuar disa kërcënime Prof. dr. Sadri Fetiut duke e urdhëruar që, me kolegët e tij të asokohshëm, ta dorëzonin objektin e Institutit Albanologjik. Ultimatumeve u ishte përgjigjur qetësisht dhe me vendosmëri: objekti është i Institutit Albanologjik dhe ne nuk e japim. Si drejtues i përgjegjshëm e kishte ofruar provën e parë të një rezistence të organizuar kundër vendimeve arbitrare të pushtuesit. Pavarësisht pasojave të rënda shëndetësore si rezultat i dhunës që u ushtrua mbi të dhe pavarësisht ndihmës që iu ofrua për kurimin e tyre (kujtojmë se si forcat serbe ia thyen dhëmbët dhe nofullën) mbetet lapidare përgjigjja e tij, të cilën kemi nevojë ta dëgjojmë sot e gjithmonë, si një kredo morale e shoqërisë sonë “bukën time e ha vetëm me dhëmbët e mi dhe jo me dhëmbët e shtetit”.

Kështu vijoi gjithë kohën në përpjekje për të mposhtur vështirësitë që iu shfaqën në drejtimin e Institutit Albanologjik, qoftë kur kontestohej ekzistenca, qoftë kur mohohej puna e këtij institucioni. Nën dukjen e një njeriu të qetë e të butë fshihej qëndresa e pathyeshme, konsistenca e pashembull morale, e cila u rikonfirmua në përballje edhe me administratën e UNMIK-ut më 2000 që kërkonte zhbërjen e Institutit Albanologjik. Nuk pranoi të largonte nga puna një pjesë të stafit sikundër i kërkohej nga administrata ndërkombëtare. Padrejtësia për të ishte edhe më e papranueshme veçmas kur cenonte të drejtën kolektive të shqiptarëve për të studiuar të kaluarën dhe kulturën e tyre.

Në mjaft shkrime të Profesor Sadri Fetiut dalin në pah vlera të përgjithshme të rrugës jetësore të intelektualit veprimtar, të etikës së tij të rrallë. Definimi i drejtë i zhvillimeve në botën shqiptare nuk ka qenë thjesht një problem logjik e intelektual; ka qenë, në krye të herës, një problem moral. Vlerat intelektuale të dijetarëve tanë jo gjithnjë bashkëjetuan me ato morale. Për dallim nga pjesa e intelektualëve oportunistë, shëmbëlltyra intelektuale dhe morale e Sadri Fetiut bashkëjeton dhe vepron njëkohshëm. Zëshëm do ta shprehë pikëpamjen e tij në momentet vendimtare për fatin e kombit, madje edhe atëherë kur pikëpamjet e tij shkonin kundër rrjedhës mbizotëruese në opinionin tonë publik e përgjithësisht kundër koncepteve politike vendnumëruese të kohës. 

Ndonëse në fjalë të këtilla është e udhës të sillen të dhëna biografike e quaj më me vend të ndalem te puna madhore në fushën e studimeve albanologjike dhe  te kontributet e tjera me të cilat identidikohet veprimtaria profesionale e intelektuale e Sadri Fetiut. Është autor i disa monografive, përgatitës i përmbledhjeve me materiale albanologjike, kryesisht folklorike, autor i dhjetëra punimeve studimore, kumtimeve dhe recensioneve shkencore të botuara në periodikun gjegjës të vendit dhe të rajonit. Pjesa më e madhe e këtyre kontributeve janë botuar në 17 vëllime, duke përfshirë edhe vepra letrare e publicistike. Kishte filluar studimet me romanin shqiptar, por pas fillimit të punës në Institutin Albanologjik më 1977 ishte përqendruar te studimi i baladës popullore shqiptare dhe kundrimi i saj në një kontekst krahasimor. Marrë parasysh qasjet shteruese dhe veçmas studimin e thelluar të baladës popullore shqiptare shprehim bindjen se rezultatet e arrira e bëjnë Sadri Fetiun studiuesin më kompetent të kësaj materieje. Me rëndësi janë edhe përmbledhjet me studime folkloristike, e përgjithësisht albanologjike, në të cilat ka trajtuar çështje të ndryshme me interes për kulturën dhe historinë shqiptare. Megjithatë, kontributin më të madh Prof. dr. Sadri Fetiu e ka dhënë duke mbledhur, përgatitur dhe botuar materiale të shumta folklorike. Në makroprojektin e botimit të folklorit shqiptar prej 28 vëllimesh sa kanë dalë në dritë, Sadri Fetiu, si autor projekti ose bashkautor, shfaqet në 10 prej tyre. Janë rreth 4000 faqe punë e jashtëzakonshme e mbledhjes, e redaktimit dhe e botimit shkencor të materialeve, duke nisur që nga ninullat, këngët dhe lojërat e fëmijve, këngët kreshnike, këngët historike, këngët e Lidhjes së Prizrenit e deri te repertori dyvëllimësh i Rizah Bllacës. Një vlerë tjetër e shtuar është edhe puna e tij në projekte grupore me kolegë e bashkëpunëtorë të Institutit Albanologjik, sikundër janë: Rrustem Berisha, Fazli Syla, Shefqet Pllana, Adem Zejnullahu dhe Jahir Ahmeti.

Sadri Fetiu e kishte një dhunti të jashtëzakonshme të shpërfaqjes së ligjërimit kritik në vargje. Përmbledhja “Vargje satirike” përbën oponencën më interesante artistike në raport me zhvillimet e kohës, të cilat ai i shihte ndryshe nga konceptimi euforik që u bëhej atëbotë. Po në lidhje me artin me rëndësi të madhe janë edhe përkthimet që ua bëri poetëve Radovan Zogoviq dhe Izet Sarajliq. Kur jemi te përkthimet do thënë se më 2012 Profesor Sadriu e bëri të fliste shqip veprën e fundit të ilirologut Aleksandër Stipçeviq, i cili ishte mahnitur nga përkthimi i shkëlqyeshën që iu bë veprës së tij “Kultura tradicionale e Arbëneshëve të Zarës”. Me sekretarin e Institutit, z. Sylë Kasumaj, e patën lutur që ta merrte këtë barrë mbi vete. Ishim të bindur se përkthimin mund ta bënte vetëm dikush që e njihte mirë materien e librit e njëkohshëm edhe gjuhën e origjinalit. Këto dy kritere i plotësonte si ashkush tjetër Profesor Sadriu.

Përtej arritjeve personale që janë të shumta, nuk duhet lënë anash edhe faktin se botimet e Institutit Albanologjik të periudhës së apartejdit në Kosovë janë realizuar kryesisht falë përkushtimit dhe autoritetit që e kishte si njeri dhe si drejtor i Institutit. Të mbetur pa financim, pa pothuajse asnjë përkrahje institucionale në fushë të botimeve, Sadri Fetiu iu drejtua shumë shpesh bashkëvendësve të tij, kryesisht nga fshatra të Suharekës, që ta ndihmonin daljen në dritë të revistës “Gjurmime albanologjike” dhe edhe të ndonjë botimi të veçantë. Me korrektësi maksimale është kujdesur që kjo mbështetje të faktohet në secilin prej botimeve.

Nëse do të përpiqeshim të bënim një sintezë them se profilin e tij jetësor e shquajnë tri veçori kryesore. Së pari, bibliografia e tij e pasur do ta veçojë ndër studiuesit më të dalluar të trashëgimisë sonë shpirtërore, si autor monografish, studimesh shkencore, si mbledhës, përgatitës profesional dhe botues të letërsisë sonë popullore, si njohës të mirë edhe të krijimtarisë sonë autoriale letrare (madje edhe si autor letrar), vlerësues kritik të problemeve e të proceseve kulturore ndër ne (duke e vënë theksin veçmas te deformimet si rezultat i ndryshimeve shoqërore dhe si rezultat i qasjes tendencioze e joprofesionale të qarqeve të caktuara), gjithnjë duke e shtrirë harkun kohor të studimit nga tradita e lashtë popullore te vlerat e sotme që krijohen në kulturën shqiptare, nga vlerat tona kolektive tek ato individuale; së dyti, aktiviteti shkencor do ta bëjë të dallueshëm në mesin e albanologëve, përveçse si dijetar me kontributet vetjake studimore, edhe si organizator të rrallë të jetës shkencore në Kosovë, qoftë për faktin se arriti ta organizonte vijimësinë e suksesshme të punës kërkimore-shkencore në Institutin Albanologjik të Prishtinës për 16 vjet si drejtues i tij në kohët më të vështira (1991-2007), qoftë për faktin se shumica e aktiviteteve shkencore të organizuara, duke filluar nga vitet 90 të shek. të kaluar e deri më 2007, mbajnë vulën e tij të padiskutueshme si kontribuues kryesor për organizimin dhe mbarëvajtjen e tyre; dhe, së treti, Sadri Fetiu bëhet emër i përveçëm në historinë tonë më të re sidomos për jetëshkrimin e tij, i cili është rezultat i zbatimit të parimësisë së tij intelektuale e morale: atë që e mendonte e thoshte pa ngurrim dhe atë që e thoshte e zbatonte me konsekuencë në jetën e tij, në përballjet me vështirësitë nuk i mësonte të tjerët si të bënin, por vepronte me kohë që të tjerët të mësonin nga shembulli i qëndrimit dhe i sakrificës së tij. Në këtë pikëpamje, mund të thuhet se ai ishte shndërruar në një autoritet që në asnjë rast nuk buron nga çfarëdo mendësie autoritare.

Krahas gjithë këtyre punëve e angazhimeve të shumta, Sadri Fetiun do ta mbajmë mend edhe për përkushtimin e madh ndaj familjes së tij. Sot ai lë pas vetes trashëgimtarë të cilët me vlerat profesionale e njerëzore e nderojnë kudo që janë prindin e tyre. Prandaj, këtë dhimbje të natyrshme, familja, farefisi dhe të afërmit e tjerë, do ta kalojnë më lehtë me faktin se patën pranë tyre një njeri emri i të cilit i  nderon përjetësisht.

Edhe Instituti Albanologjik, të them kushtimisht familja e tij e dytë, krahas dhembjes, te trashëgimia e begatë profesionale, etike e intelektuale e Profesor Sadri Fetiut identifikon pikën më të fortë ngushëlluese. Jemi krenarë që patëm një koleg, një drejtues, një njeri, i cili kujdesin kolegjial jo rrallëherë e shndërroi në kujdes prindëror. I ka ditur dhe është marrë me hallet tona personale, madje ka bërë përpjekje të na ofronte zgjidhje e mbështetje sa herë kjo ka qenë në mundësitë e tij.

Duke e përmbyllur këtë fjalë, në emër të Institutit Albanologjik u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, miqve, ish-nxënësve, ish-studentëve, kolegëve, bashkëpunëtorëve të shumtë dhe të gjithë atyre që e kanë njohur Prof. dr. Sadri Fetiun, që e kanë nderuar punën e tij si albanolog, si intelektual dhe si veprimtar. 

Qoftë i përjetshëm kujtimi për jetën, veprën dhe veprimtarinë e Profesor Sadri Fetiut!

Prishtinë, më 11 maj 2021