Greqi / Oficerja koordinuese për Diasporën: Do të flasë puna për ne

Nga Ira Londo

Veprimtaria vullnetare e Aurela Kondurit ka impakt të thellë në mbarë komunitetin shqiptar jo vetëm në Selanik, po në mbarë Greqinë. Paralelisht, nuk ka rreshtur kurrë të ofrojë kontribut shkencor në një sërë programesh studiuese, hulumtime, si dhe projekte akademike të sferës së Pedagogjisë, ku është përkushtuar me devotshmëri.

Rutina e mësueses së papërtuar, siç e njohin të gjithë në Greqi e jo vetëm, përfshin orë të tëra mësimi të gjuhës amtare, me fëmijët e emigrantëve, pikërisht në ambjentet e Universitetit të Aristotelit, në Selanik, kërkime e studime për praktikat e aplikuara dhe metodologjitë bashkëkohore mësimore, pjesëmarrje dhe fjalime në seminare apo konferenca të shumta, për të evidentuar specifikën e sferës mësimore.

Gjithashtu, është pjesë e grupit themelues akademik grek të revistës multikulturore “Polidhromos”, falë Aurela Kondurit elementi shqiptar është përherë i pranueshëm, me analiza të detajuara, tepër informative për lexuesin, në greqisht dhe shqip.

Shpesh herë, në takimet tona të shumta virtuale e ato të pakta fizike, i transmetoj me adhurim por edhe habi se si i përballon të gjitha? Entuziazmi dhe pasioni pushtojnë zërin e butë të një gruaje që në pamje të parë duket kaq paqësore, me tone të ulta.

Dinamika, vullneti dhe fokusimi në objektivat që shpesh herë rinovon me sy kritik e vendosmëri, janë pak nga armët e suksesit të Oficeres Koordinuese për Diasporën në Selanik, tashmë, pas vendimit suprizë të kryeministrit shqiptar.

Duhet pranuar se pavarësisht bujës që shkaktoi lajmi në të dy vendet me komunitetin më të madh emigrant, Greqi e Itali, si një vendim ekspres, i pakomunikuar, i konsideruar dhe pa transparencë e një sërë komentesh, në rastin e Selanikut mbizotëroi një konsensus thuajse i plotë. Komuniteti ynë e përshëndeti emërimin e mësueses vullnetare Aurela Konduri në postin e diplomatit, me një rol kritik në evidentimin dhe zgjidhjen e problematikave, njëkohësisht edhe në ruajtjen e gjuhës, kulturës e traditave në brezat e ardhshëm.

Personalisht, siç e njoh nga vitet që ne këtu referohemi si “të egra”, nga hapat e para të organizimit të emigrantëve, të zgjimit të nevojës për aktivizim, të orëve të para të mësimeve të gjuhës shqipe, kur çdo fundjavë udhëtonte nga qyteti i largët Janica për Selanik, dimër-verë, drejt auditoreve të universitetit ku e prisnin vogëlushat e saj të mësonin me kaq sakrifica pak shqip, kur rikthehej orët e vona, gjithmonë me shpenzimet e veta, pa u ndjerë, pa hezituar të ofrojë këshilla, ndihmë, informacion, sa e si mundej, ky vendim vetëm hare mund të më shkaktonte, vetëm i drejtë mund të konsiderohet!

Para se të pyes Oficeren Koordinuese për Diasporën, le të flasim për Aurelën, nga hapat e para në emigracion deri në rolin e konsoliduar aktual…

Fieri është qyteti ku kam lindur, ku jam rritur dhe ku punova 6 vjet si mësuese. Prej 20 vitesh jetoj në Greqi bashkë me familjen time, bashkëshortin dhe vajzën tonë. Një nga momentet më të vështira, me peshë të veçantë emocionale të cilin nuk mund ta harroj ishte ndarja nga nxënësit e mi në Shqipëri, me një dilemë të madhe brenda vetes: A do më jepej ndonjëherë mundësia të gjendesha sërish pranë nxënësve, me ardhjen në Greqi?

Cili është historiku yt drejt integrimit në një tjetër vend, e si arrite të mbash gjallë vullnetin për të ushtruar të njëjtin profesion, pavarësisht pengesave të shumta?

Mënyra më e suksesshme e integrimit fshihej gjithmonë në profesionin tim, që për mua është një funksion, mënyrë jetese. Ishte tetori i vitit 2011 kur u shfaq sërish mundësia për t’u rikthyer në klasë, mes nxënësve. Që atëherë e deri më sot jap mësim si mësuese vullnetare e gjuhës shqipe në Selanik, pranë shoqatës së emigrantëve shqiptarë “Nënë Tereza” ku mbaj edhe pozicionin e përgjegjëses për mësimin e gjuhës shqipe dhe aktivitetet kulturore.

Gjithashtu, për 3 vite kam qenë mësuese njëkohësisht në dy qytete, çdo të shtunë në Janica, qytetin ku banoj dhe çdo të diel udhëtoja rreth 60 km me autobus për të dhënë mësim tek fëmijet në Selanik. Besoj thellë se çdo gjë arrihet me vullnet të palëkundur e fokusim të plotë në objektivat që vendos, në realizimin e tyre.

Aktiviste, mësuese, nënë, një njeri mëse i kompletuar në të gjitha aspektet. Le të ndalemi tek disa stacione, disa nga momentet më të veçanta, më të paharruara si dhe më të vyera të viteve në Shqipëri e në Greqi?  

Momentet më të vyera, e dashur Ira, siç i kam ndarë shpesh herë me ty këto vite, janë me nxënësit që me pafajësinë e dlirësinë e moshës, fshehin surprizat më të arta. Meritojnë të gjitha sakrificat dhe do i përsërisja pa e menduar, sa herë të shfaqej nevoja. Por, për historikun, kam patur fatin të përjetoj disa vlerësime që më kanë ofruar sadisfaksion të rrallë e më kanë emocionuar së tepërmi.                                                                                                                                                                                                                                              Një moment i paharruar ishte vlerësimi me Trofeun “Shqiponja e Artë” në kategorinë “Mësoj gjuhën shqipe” në Samitin e Parë të Diasporës Shqiptare mbajtur në Tiranë.

Tjetër ditë emocionuese, madje surprizë për mua ishte vlerësimi në qytetin e lindjes Fier me çmimin “Aktivistja e Vitit 2018” nga Fondacioni “HARPA”, me motivacion: “Ka dhënë ndihmesë të madhe në përhapjen dhe ruajtjen e gjuhës shqipe në shtetin grek”.

Stacion i rëndësishëm në jetën dhe ecurinë time profesionale në Greqi është dhe bashkëpunimi nga viti 2013 me grupin shkencor ndëruniversitar “Polidhromo”, pjesëmarrja ne projekte evropiane dhe hulumtime shkencore akademike të cilat kishin si qëllim promovimin e gjuhëve dhe kulturave të komuniteteve emigrante në Greqi.

E le të mos harrojmë dhe rolin 4-vjeçar si nënkryetare e Lidhjes së Mësuesve Vullnetarë Shqiptarë në Greqi, tashmë kam postin e anëtares së Këshillit Drejtues.

Përsa i përket shoqatave emigrante, në format e ndryshme që aktivizohen në Greqi, bazuar në eksperiencën e gjatë që disponon, cilat mendon se janë anët pozitive dhe arritjet e këtyre organizmave, duke lënë në kopetencat e rolit të ri që ke ndërhyrjet, propozimet apo sugjerimet për rrugëzgjidhje në problemet, të metat apo vështirësitë që kanë?

Komuniteti shqiptar është i organizuar në shoqata, apo të themi organizata të cilat prej vitesh kanë marrë përsipër organizimin e mësimit të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare, tek fëmijët e emigrantëve. Janë këto organizma që përmes aktiviteteve mbajnë urat lidhëse me vendin e origjinës, duke përcjellë gjuhën, kulturën traditat dhe vlerat më të mira.

Mësuesi i gjuhës shqipe në Greqi përherë ishte dhe mbetet një sfidë e vërtetë. Çfarë ka ndryshuar në problematikën e këto sfida, si paraqitet situata e sotme dhe a është Greqia rast unik, apo ecim paralelisht me komunitetet e vendeve të tjera?

Për ne mësuesit e mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Greqi, çdo vit mësimor së pari është një sfidë me veten. Problematikat dhe sfidat kanë qenë të shumta, sigurimi i ambienteve mësimore, mungesa e mjeteve të nevojshme për të mbështetur procesin mësimor, mungesa e mbështetjes teknike, e materialit didaktik të përshtatshëm për nxënësit dygjuhësh, ndërgjegjësimi i familjes për rëndësinë e mësimit të gjuhës së vendit të origjinës te fëmijët e tyre.

Sivjet për vitin shkollor 2020 -21 nga Qendra e Botimeve për Diasporën u dërguan në kohë në përfaqësitë diplomatike në Greqi. Kështu, u pajisëm me rreth 2600 tekste shkollore dhe për herë të parë edhe materiale plotësuese botime dygjuhëshe. Situata sot për shkak të pandemisë i ka vënë mësuesit para një sfide të re që është mësimi në distancë, aftësimi në përdorimin sa më efikas të teknologjisë në funksion të mësimdhënies.

Greqia nuk është rast unik! Me të njëjtat problematika dhe sfida përballen mësuesit dhe në Itali. Në këto dy vende ndodhen komunitetet më të mëdha emigrante shqiptare dhe problematikat janë të shumta dhe kërkojnë dhe njohje të gjendjes dhe specifikave të vendeve pritëse.

Ndaj dhe komunitetet në Greqi dhe Itali për herë të parë do të kenë oficerë koordinues të cilët do të merren me çështjet e Diasporës në fushën e arsimit, kulturës, financës dhe drejtësisë.

Pas shpalljes së vendimit me firmën e kryeministrit ku Aurela Konduri emërohet në një post diplomatik të rëndësisë së lartë, komuniteti, aktivistë apo individë, intelektualë apo punëtorë, reagojnë në radhë të parë të habitur për ngjarjen, në vijim me eufori për mësuese Aurelën. Megjithatë, mendoj se për hir të transparencës, meritojmë një shpjegim se çfarë ndodhi konkretisht? E theksoj këtë, pasi ndërsa në Ambasadën e Shqipërisë në Athinë u shpallën vende vakante për punësim të përkohshëm për përballimin e fluksit të aplikimit të pasaportave në konsullatë, nuk ekzistonte asnjë informacion për këtë emërim! Nuk ishte e padrejtë që asnjë nga intelektualët e rinj dhe jo aq të rinj, me studime, eksperiencë, kontribut, të mund të shpalosnin vizionin e tyre për të nesërmen e komunitetit, të aplikonin apo konkurronin?

Emërimi im ishte një bashkëpropozim i Ministrit të Shtetit për Diasporën dhe Ministres së Arsimit, Sportit dhe Rinisë për caktimin e oficerit koordinues për diasporën në konsullatën e përgjithshme të RSh-së në Selanik, Greqi me VKM nr.780, datë 06.11.2019, “Për caktimin e Oficerëve Koordinues për çështjet e diasporës shqiptare në Konsullatat shqiptare në Itali dhe Greqi”, i ndryshuar me VKM nr. 345, datë 29.04.2020, “Për procedurat për emërimin dhe trajnimin financiar të nëpunësve të emëruar nga institucione të tjera në misionet diplomatike të Republikës së Shqipërisë. Duhet të theksoj se kjo procedurë emërimi ndodhi në kohë pandemie, dhe besoj se duhet të përqendrohemi më shumë në këtë proces që ka nisur, në krijimin e këtyre posteve pranë njësive diplomatike shqiptare për të mbuluar çështjet e diasporës (Marrë nga Gazeta “Diaspora Shqiptare).