HAPMA DERËN, ZONJA MËMË

Letërsi - PERMBLEDHJE POETIKE Vorea Ujko është pseudonimi ...
VOREA UJKO

Vorea Ujko është shkrimtar shumë i njohur. Ai lindi në fshatin arbëresh Frasnita, (Frascineto, italisht) Kalabri më 1918 . Atij iu shua jeta në një aksident automobilistik më 26 janar 1989. Por, ai jeton me veprën e tij sa të rëndësishme letrare, po aq të rëndësishme gjuhësore e atdhetare. Vorea Ujko është poet arbëresh nga Arbëria përtej detit, Arbëria Gadishullore, në Itali. Përndryshe është pseudonim. Emri tij është Domeniko Beliçi. Vorea, përveçse ka qenë prift, ai ka studiuar me zell e dashuri edhe për letërsinë e gjuhën arbëreshe-shqipe dhe kështu ka punuar mësues i letërsisë në Firmo, pastaj ka punuar e vepruar kudo për gjuhën dhe letërsinë arbëreshe-shqiptare me të gjithë forcën e mendjes dhe shpirtit të tij atdhedashës. Ai, gjithashtu, si edhe poetët e rinj arbëreshë, bën përpjekje që, pos kultivimit të gjuhës shqipe, që e ka ruajtur brez pas brezi, të paraqesë edhe një brumë të mirë studimi për gjuhën shqipe. Kështu mund të dalin në dritë edhe punimet shkencore të gjuhëtarëve e historianëve tanë të letërsisë përgjithësisht, duke studiuar veprën e tij. Kjo mundësi tashmë është madhe, sepse ekziston liria e lëvizjes, dhe studimeve nëpërmjet mediave elektronike, por edhe të gazetave e botimeve të shumta shkencore letrare e gjuhësore. Në krijimtarinë e Ujkos vihet re ndjenja e fortë e lidhjes së tij me kulturën dhe paraardhësit. Krijimet e Ujkos janë publikuar në antologji dhe publikime në Itali, Shqipëri dhe Kosovë.

Nga VOREA UJKO
(poet arnbëresh)

HAPMA DERËN, ZONJA MËMË

Edhe sivjet, moj nënë,
nga mërgimi i shkretë
më dogji malli për ty.
Unë e di që ti e pritje
birin tënd të largët,
e qave fshehurazi
kur s’pate mundësi ta përqafoje.
Ndjemë, o e paharruara,
mos qaj pse mjafton sa qave
për bijtë gjatë shekujve.
Tashti duhet të jesh e lumtur.
Ti e di nënë Shqipëri,
që unӓ s’kam faj
nëse jetoj larg teje,
ashtu ka qenë fati i shkretë
e është kot t’i kujtojmë hallet.
Erërat kanë fryrë mbi mua,
dëborërat kanë rënë mbi mua
si edhe mbi kokën tënde,
por mes erërave e dëborërave
fytyra jote e largët
më forcoi e ngushëlloi.
Ti paske qenë dhurata
që nuk e bleva në pazaret
por më vinte nga gjaku,
gjithmonë e kërkuar
te vorbulla e jetës endacake.
U krenova me legjendat e tua,
dashurova me fjalët e tua,
qava me vajtimet e tua.
E tash në buzë të së kaluarës e së ardhmes
i drejtoj ende sytë nga ti
e prej së largu ndjek emrin tënd
dhe orvatem ta mbaj lart.
Lëri dyshimet e mos mendo
që unë do të doja të kisha
një pretendim të padrejtë privilegji,
unë do të doja vetëm të isha
biri yt si të tjerët.
Ashtu unë e di
e i ardhur nga lufta e jetës
unë i bie derës sate:
hapma derën, zonja mëmë,
se yt bir jam unë, o nënë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.