Kënga e trimërisë në margjinat e historisë ( Halil Arnauti dhe Musliu- Musa dhe Halili) II

Ahmet Qeriqi

Nga Ahmet Qeriqi

Kryengritësi i Stambollit, Halil Patrona, Halil Arnauti nga Huprishti i Manastirit të Maqedonisë
Megjithatë, besoj se kujtesa e popullit nuk e ka anashkaluar Halil Patronën ndërsa ka shënuar në memorie edhe një këngë për dy personalitete historike, për kryengritësin më të madh shqiptar të kohës së Perandorisë turke, Halil Patrona dhe veteranin e jeniçerëve në Stamboll, Musli Beshi, të dy shqiptarë, (arnautë) nga Hurpishti i Manastirit. Hurpishti ishte një kaza, në kohën kur e ka prezantuar në Enciklopedinë e tij, Sami Frashësri, ndërsa sot nuk gjenden dot jo vetëm gjurmët e fshatit por as Kazaja e Hurpishtit. Shkaqet e vërteta nuk i dimë, por e marrim me mend se pas dështimit të kryengritjes dhe prerjes pabesisht të kokave të Halil Patronës, Musli Beshit dhe mijëra jeniçerëve shqiptarë, të njëjtin fat e kishin pësuar edhe hurpeshtalinjtë.


Pas shuarjes së kryengritjes së Stambollit të vitit 1730, emri dhe nami i i Halil Patronës dhe i Musli Bashës doemos se ishte përhapur edhe në viset e Arnautistanit.
Për t’i ndjekur kryengritësit kudo në Shqipëri në pranverë të viti 1732 nga Stambolli ishte nisur një ekspeditë ndëshkuese ne krye me Osman Topall Pashën e Moresë. Historiani i madh austriak Jozef von Hammer thotë se Osman Topall Pasha ishte inkuizitori i madh, i cili kishte marrë përsipër detyrën që të zinte dhe të vriste çdo jeniçer shqiptar që kishte marrë pjesë në kryengritje dhe kishte arritur të ikte nga Stambolli. Ai kishte marrë për detyrë nga Sulltan Mahmudi që t’i ndiqte dhe t’i vriste të gjithë kryengritësit shqiptarë, jeniçerët që kishin shpëtuar pas shuarjes me gjak kryengritjes së 22 shtatorit të vitit 1730.
Duke analizuar të vërtetat historike për kryengritjen e Stambollit të vitit 1730 dhe variantet e shumta të ciklit të këngëve për Halilin e Musën, doemos se vërehen shumë elemente të përbashkëta në sinkroni dhe diakroni, por edhe në kohë dhe hapësirë.
Në radhë të parë kemi të bëjmë me motivin e njëjtë dhe që është prerja e mikut në besë, një akt i shëmtuar i dënuar ashpër në Kanunin e Maleve, në Kanunin e Skënderbeut dhe në kanunin e Lekë Dukagjinit.
Halilin dhe Musën i mashtron dhe i pret në besë miku i tyre, Bejta syla, i shtyrë nga Avdi Pasha, apo Avdi Aga.
Halil Patronën dhe Musli Beshin i vret tradhtisht Sulltan Muahmudi, i cili fillimisht jo vetëm që ua kishte falur kokat Halil Patronës dhe Musli Beshit, por në fillim të nëntorit të vitit 1730, u kishte caktuar edhe detyrat më të larta në komandën e kreut të luftës së jeniçerëve. Ai urdhëron që Halili, Muliu dhe 24 jeniçerët më të zë të shkojnë në pallatin Perandorak për t u veshur me rrobat prej lëkure. Aty, ndodhet një i quajtur Halil Pehlivani, rival i Halil Patronës, i cili prapa shpine vret një nga një të gjithë jeniçerët.

Mramori i Gollakut apo Deti Marmara?
E kësaj kohe mund dhe duhet të jetë kënga e Halilit dhe Musës, këngë kjo që gjatë shekujve është kënduar nga këngëtarët anonimë, të cilët për shkaqe dhe arsye të kuptueshme ua kanë ndërruar kohën e vendin në kushte dhe rrethana specifike, Ndodh që në një kohë të caktuar këngëtarët anonimë e kanë përshtatur, në analogji me ndodhi apo ngjarje të tjera. Prejardhja e Mustës e Halilit, sipas të gjitha varianteve që janë shënuar në Kosovë thuhet se kanë qenë nga Mramori, një fshat i njohur në Malësinë e Gollakut. Në brigjet e Stambollit, ndodhet Deti Marmara, ku banonte “admirali” Halil Arnauti, me flotën e tij të dikurshme, derisa ishte zënë rob në Budapest dhe nga atje kishte ikur me Musli Beshin për t’ u vendosur në qytetin e Nishit, ku kishte zhvilluar një kryengritje, për të cilën dihet fare pak. Enciklopedia angleze.
Yskydari i Stambollit apo Shkodra jonë?
Kënga e Musës dhe Halilit, të cilët thuhet se i kishte prerë në besë Veziri i Shkodrës, sjellë disa fragmente që na bëjmë të besojnë se kjo këngë ka ndërruar përmbajtjen, por jo edhe emrat e dy trimave si dhe disa nga emrat e vendeve. Kryengritja e Halil Patronës është zhvilluar në Stamboll, në vendin e quajtur “Sheshi për Mish” aty ku tuboheshin jeniçerët sa herë që revoltoheshin. Ata u mëshonin kazanëve të mishit si një paralajmërim për zemërimin dhe pakënaqësinë e tyre. Në Stamboll ndodhet edhe Sheshi i Yskydarit, atje ku qëndronin vezirët dhe kreu i luftës. Shkodra e Shqipërisë, turqisht quhet Yskydar, latinisht Scutari, sllavisht Skadar).
Kënga e Halilit dhe e Musës, në variante Kënga e Musës dhe e Halilit, apo Kënga e Hajrie Garrisë, flet për prerjen në besë të dy vëllezërve nga miku i tyre, nga dhëndri, Betash aga, herë Bejta Syla, një nëpunës apo çaush në pallatin e Vezirit të Shkodrës. Në tekstet e historisë turke Avdi Agai ishte veziri i Flotës Perandorake të Sulltan Admedit të Parë, në vitin 1730. Pozita e tij ishte Kapudan Pasha, njëri ndër katër vezirët e kreut perandorak, kokat e të cilëve i merr Halil Patrona gjatë kryengritjes në Stamboll.

Prerja në besë e Halil Patronës dhe Musli Beshit
Më 25 nëntor të vitit 1730, Sulltan Mahmudi i Parë, edhe pse kishte premtuar se nuk do të ndëshkohej Halil Patrona dhe asnjë nga kryengritësit pas arritjes së Marrëveshjes, e cila kishte plotësuar kushtet e kryengritësve, pas postimit të tij në vend të Sulltan Ahmedit të Parë, Sulltani i ri i nxitur nge vezirët kishte organizuar prerjen e kokave të Halil Patronës, Musli Beshit dhe tërë kreut kryengritës. Nuk ishte prerë miku në besë, por ishte prerë komandanti i Jeniçerëve i cili kishte rrëzuar nga froni Sulltan Ahmedin e Parë dhe kishte vendosur Sulltan Mahmudin. Ai kishte kthyer fronin e babait të vrarë 30 vjet më parë nga Sulltan Ahmedi, vëllai i tij. Sulltan Mahmudi kishte përfituar në kryengritjen e Halil Patronës dhe kishte përgatitur e kishte parë me sy prerjen e kokave të tyre pabesisht.
Duket se stigmatizimi i një Sulltani, në kohën kur është krijuar varianti i parë i këngës, ka qenë temë krejtësisht tabu, andaj edhe këngëtari duket se ka ndërhyrë me qëllim që kënga të mos e përmend Sulltanin gjakatar, i cili kishte urdhëruar vrasjen e 12.000 jeniçerëve shqiptarë, pesë mijë prej të cilëve kishin arritur të iknin nga Stambolli dhe ishin vendosur në viset e thella malore të Maqedonisë dhe Shqipërisë.
Kënga e trimërisë për Halilin e Musën fillon me vargjet më të njohura të folklorit shqiptar:

Fryni era u çil taraba,
çohu Halil se Avdi aga.
Me treqind sejmenë për mbrapa
Të tanë në opinga, pa çorapa.

Në tekstet e historisë turke prezantohet fakti se Avdi Agai ishte Kapidani i Flotës Perandorake të Sulltan Admedit të Parë, në vitin 1730. Pozita e tij ishte Kapudan Pasha, njëri ndër katër vezirët e kreut perandorak, i cili kishte shfaqur gatishmëri për ta shuar me gjak kryengritjen, me ushtarët e florës së tij, por ndërhyrjen e tillë nuk e kishte pranuar Sulltan Ahmedi. Avdi agai, ishte në mesin e katër vezirëve të mëdhenj, së bashku me vezirin e Madh, Damad Ibrahaim, myftiun e Stambollit dhe kryeqehajanë, kokat e të cilëve i kishte kërkuar dhe i kishte marrë Halil Patrona.
Treqind sejmenët e Avdi Pashait, nuk ishin nisur në rrethim të dy vetave, aq më tepër këmbëzbathur, meqë nuk kishin pasur kohë të mbatheshin.
Këtë fakt e përforcon edhe një element tjetër. Të gjithë jeniçerët e Hail Patronës ishin këmbëzbathur, jo sepse nuk kishin këpucë, por ishte ky një shenj i solidarësisë së tyre me turmat e varfra të Stambollit, të cilët në kryengritjet e tyre mbështetnin jeniçerët, për të thyer e për të plaçkitur të kamurit e Stambollit. Edhe në kohë kur Halil Patrona fill i vetëm shkon për ta uruar hipjen në fron të Sulltan Mahmudit, sipas kronikave të Stambollit të vitit 1730 dhe historianit, Jeozef Von Hammer, ai kishte shkuar këmbëzbathur, madje edhe pa shpatë, pa shpresë se do të kthehej gjallë. Sulltani jo vetëm e kishte pranuar por ia kishte plotësuar kushtet për heqjen e tatimeve të përjetshme, “malikaneve” dhe prishjen e plaçkitjen e 130 shtëpive të kurvërisë në Stamboll të cilat i kishin ndërtuar inxhinierët e Francës, në kohën e Sulltan Ahmedit të Parë, epshtar dhe degjenerik.
Kjo këngë shumë e njohur në traditën e dasmave shqiptare është kënduar si “këngë majekrahi” po thuajse në të gjitha trevat e Shqipërisë veriore dhe verilindore deri në kazanë e Nishit.
Këngën e këndonin dy apo tre krushq, ose këngëtarë, pikërisht në kohën kur krushqit i afroheshin shtëpisë, ku do ta merrnin nusen. Kënga kishte një mesazh të qartë dhe shumë kuptimplotë. Ajo i përkujtonte mikut se në rast tradhtie, në rast të prerjes së mikut në besë, ishte vetë nusja, ajo që do të duhej të merrte gjak për vëllezërit, duke mos e ndalur dorën as në pjellën e tradhtisë, në bijtë e saj.
Kjo këngë ka mbijetuar deri në fillim të viteve 70 të shekullit të kaluar, kur qerret e nuses, “kerri i kuq” ishte zëvendësuar me automobilin e nuses dhe kur krushqit nuk shkonin këmbë apo hipur mbi kuaj, për ta marrë nusen por shkonin hipur në vetura e traktorë. (Nuk ka shqiptarë që të ketë kaluar moshën 50-60-vjeçare dhe të mos e ketë dëgjuar këngën “majekrahi”, “Fryni era u çil taraba”, të kënduar nga krushqit dasmorë, e sidomos nga këngëtarët, këngë kjo që këndohet edhe sot e kësaj dite kudo në Kosovë e në treva të tjera të Shqipërisë.
U ndala në këtë motiv për të konstatuar se prerja e mikut në konak, në besë, ishte akti më i pafalshëm, më i papranueshëm dhe më i ndëshkueshëm për moralin dhe traditën e shqiptarit. Nëse kënga e Halilit dhe Musës, dikur kishte të bënte me Halil Patronën e Musli Beshin, stigmatizimi që i bëhej tradhtisë, doemos se prekte fronin perandorak, Sulltan Mahmudin, i cili kishte prerë në besë, Halil Patronën dhe Musliun dhe mbase pikërisht për këtë hartuesi i parë i këngës, ndonjë dervish bektashi shqiptar, këngën e kishte konvertuar dhe ngjarjen e kishte vendosur jo në Stamboll, ku kishte ndodhur kryengritja por në Kosovë dhe në Shkodër.
Nuk përjashtohet as mundësia e një koincidence në emrat e heronjve, por nuk mund të kemi koincidenca në emrat e tjerë të personazheve, as në emrat e vendeve, Yskydar-Shkodër, Marmara-Mramor etj.

Vijon

Leave a Reply

Your email address will not be published.