NË 22 VJETORIN E BETEJËS SË KOSHARES (ll)

IBISH NEZIRI

„Këto janë nisma që garantojnë fitore!“

III

SHKRUAN: IBISH NEZIRI – Në planin ndërkombëtar, gjatë muajve shkurt dhe mars gjërat kishin lëvizur bukur shumë në favor të Kosovës. Ishte thirrur edhe një konferencë ndërkombëtare për Kosovën në Rambuje të Francës me ndërmjetësimin e Grupit të Kontaktit (SHBA-ve, BE-së dhe Federatës Ruse), përfaqësuesit e të cilit kishin hartuar edhe një tekst për marrëveshje. Meqë ishte bërë e qartë se pa përfaqësuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në bisedime, nuk mund të vendosej për paqen, ishin ftuar edhe përfaqësuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila me këtë rast edhe e korri fitoren më të madhe në fushën e diplomacisë. Konferenca i filloi punimet më 6 shkurt të vitit 1999 me një ditë vonesë, meqë Serbia përpiqej ta pengonte fluturimin e përfaqësuesve të UÇK-së nga Aeroporti i Prishtinës. Ato zgjatën për 17 ditë rresht dhe pas 17 ditësh përfunduan pa sukses, për shkak të kërkesave të papranueshme të Serbisë, ani se delegacioni i Kosovës e kishte pranuar në parim propozim-marrëveshjen e Grupit të Kontaktit për zgjidhjen e krizës së Kosovës. Pasi konferenca në Rambuje rezultoi e dështuar, rreth një muaj më vonë, më 15 mars, do të thirret Konferenca në Paris, e cila edhe mund të llogaritet si vazhdim i të parës në Rambuje, por edhe kjo konferencë do të përfundojë pa sukses. Serbia nuk e pranoi propozim-marrëveshjen.

Më 24 mars të vitit 1999, gjatë kohës që reparti përgatitej, aleanca ushtarake veri-atlantike, NATO, do t’i fillojë bombardimet e pozitave ushtarake, paraushtarake dhe policore serbe në Kosovë dhe në Serbi.  Në ndërkohë, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së nuk qëndroi në pozitat e inferioritetit, por më 31 mars mori vendimin historik për mobilizim të përgjithshëm për çlirimin e Kosovës. Duke iu përgjigjur thirrjes për mobilizim, vetëm brenda pak ditësh në zonën kufitare u përqendruan mbi 10 mijë luftëtarë. Për këtë gjenerali Kudusi Lama thotë: „Ne u detyruam të ngrehnim fushime masive në Kolsh të Kukësit, në Kalimash të Kukësit dhe në Helshan. Po në Helshan ishin rreth 3000 luftëtarë, në Kolsh po ashtu, në Kalimash mbi 800. U bënë mbi dhjetëmijë ushtarë në tërësinë e tyre“.  Mobilizimi bëri që të ndryshojë pozicioni i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Shtabi i Përgjithshëm tani më nuk kishte nevojë të depërtonte nëpër kufij për të hyrë në Kosovë. Ai e përpiloi planin për operacionin „Shigjeta“. Qeveria e Përkohshme operacionit i dha rëndësi të madhe.  Para se të jepej urdhri për fillimin e operacionit, ministri i Mbrojtjes, Azem Syla, bashkë me ushtarakë të tjerë të ngarkuar me operacionin dhe me anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, bënë kontrollin dhe inspektimin e hollësishëm të veprimeve përgatitore e pastaj në konsultim të ngushtë me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, kolonel Bislim Zyrapin dhe komandantin e drejtimit të dytë operativ, përkatësisht komandantin e Brigadës 138, Rrustem Berishën, vendosi për fillimin e operacionit.

Ky operacion do të kishte një front në Koshare, nga do të depërtonte dhe do të hapte linjën në bashkëpunim me njësitet tjera të Zonës Operative të Dukagjinit. Këtë front do ta përballonte Brigada 138 si njësi e ZOD, që me fillimin e luftës do të ishte në varësi të komandantit të ZOD, Ramush Haradinajt, me vendim të Shtabit të Përgjithshëm.  Pjesë e përgatitjeve ishte edhe Xhemajl Fetahaj, i cili nuk dinte të pushonte. Pasditet e vonshme, pas ushtrimeve të lodhshme, i kalonte duke biseduar me ushtarët për jetën private, për të kaluarën e tyre dhe për ëndrrat për të ardhmen. Edhe mbrëmjeve biseda të tilla zhvilloheshin mes komanduesve. Bisedat kryesisht zhvilloheshin në mes Sali Çekajt, Agim Ramadanit, Xhemës, Nasim Haradinajt etj. dhe temat ishin nga më të ndryshmet. Ishte e pamundur të anashkaloheshin temat për angazhimin e partive politike në përkrahjen dhe organizimin e UÇK-së, posaçërisht për LDK-në dhe LPK-në. „Edhe pse bindjet ishin të ndryshme rreth meritave për organizimin e luftës, dallimet tejkaloheshin me lehtësi falë ambientit të mirë të krijuar, komunikimit të mirë mes nesh dhe realitetit përballë të cilit gjendeshim. Ne përpiqeshim që njësitë t’i mbanim në nivelin më të lartë profesional, të zhveshura nga të gjitha ideologjitë dhe ndikimet e politikës ditore“, – thonë Nasim Haradinaj dhe Anton Çuni.  Në ndërkohë Xhemajli për së afërmi i kishte përcjellë të gjitha aktivitetet e BDV – Forcave Komando „Delta“. Ishte i kënaqur me të arriturat e njësisë. Po ashtu duke e ditur rolin e „Delta“-s dhe planin për operacionin, kërkoi që funksionin e oficerit të zbulimit për nevojat Shtabit të GO-3 ta realizojë në kuadër të Forcave Komando „Delta“.  „Kërkesa e Xhemajlit u miratua nga Komanda e GO-3 dhe u mirëprit nga të gjithë djemtë e ‘Delta“-s’”, – thotë Kolonel Çuni.

IV

Shtabi i Përgjithshëm e përfundoi përpunimin e planit të operacionit.

Sulmet do të fillojnë me rreth 300 veta, pastaj do të furnizohen sipas kërkesave të komandantit të operacionit, Rrustem Berishës, me nga një kompani çdo ditë. Njësitet ishin shumë mirë të përgatitura. I kishin përgatitur oficerët e ushtrisë shqiptare, të cilët Gjeneral Lama i kishte vënë në shërbim të GO 3-shit. Ata tanimë ishin të gatshëm për gjuajtje me armë të ndryshme, sidomos me topa kalibrash të ndryshëm dhe armë tjera të rënda.

Secili ushtar kishte paketën individuale kundërkimike, paketën individuale mjekësore, helmetën dhe maskën kundër gazit. Ishin të pajisur me granatahedhës e me topa kundërtanksë, me mortaja 60 milimetërshe dhe 82 milimetërshe si dhe me mortaja 120 milimetërshe edhe 160 milimetërshe, pastaj me topa 122 milimetërsh për gjuajtje deri në 30 km largësi. Një ushtri klasike në kuptimin e plotë të fjalës.  Edhe pse të përgatitur mirë në çdo aspekt, prapë ekzistonin mëdyshje nëse do të funksionojë çdo gjë sipas planit apo jo. Batalioni kufitar i armikut ishte vëzhguar me muaj të tërë dhe ishin mësuar edhe detajet më të vogla si: numri, struktura, pozicionet, radhitja, armatimi dhe pajisjet, fortifikimet dhe fushat e minuara, procedurat e alarmimit dhe reagimit, mënyrat e komunikimit, pozicionet rezervë dhe marrja e ndihmës nga thellësia, rezervat dhe mbështetja logjistike, mbështetja me zjarr artilerik nga thellësia, mundësitë e lëvizjes së mjeteve të blinduara, bashkëpunimi me njësitet fqinje, morali dhe marrëdhëniet ndërnjerëzore mes tyre e shumë elemente të tjera.

Bazuar në këto të dhëna, të siguruara nga G-2 shi (Sektori i Inteligjencës) pjesë e të cilit ishte edhe Xhema, ishte hartuar strategjia e futjes në veprim të këtij njësiti.

Erdhi edhe 8 prilli dhe kaloi. Këtë mbrëmje në Koshare arrin edhe Cenë Aliçkaj, i cili qysh verën e fundit ishte kalitur nëpër beteja në Zonën Operative të Dukagjinit dhe i bashkohet shokut të vetë të fëmijërisë dhe të të gjitha kohërave deri këtë ditë, Xhemajl Fetahajt (vijon në numrin e ardhshëm).