Kosova nuk ka pse të merret me Dick Marty, ai po e luan rolin e Pontije Pilatit!

Nga KMDLNJ

Njeriu që gënjeu botën kundër UÇK-së

Më në fund u deklarua falsifikuesi i raportit politik të Këshillit të Evropës pas së cilës, me aktivitete zinxhirore, të kurdisura dhe të koordinuara u imponua themelimi i një Gjykate Speciale kundër luftës së UÇK-së dhe bartësve kryesorë të kësaj lufte që tash janë të paraburgosur në Njësinë e Paraburgimit në Hagë.

Dick Marty, si Pont Pilati po mundohet t’i lajë duart nga përgjegjësia për arrestimin e ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve sikur edhe atyre që së shpejti do të arrestohen nga kjo Gjykatë njëetnike, si nga mentaliteti i veprimit ashtu edhe veshja me fakte krejtësisht në baza etnike, si të një kategorie të viktimave ashtu edhe të akuzuarve. Askush nuk e ka fajësuar Dick Marty alias Pont Pilati për arrestimin e drejtuesve dhe ish ushtarëve politikë dhe ushtarakë të UÇK-së e pas luftës edhe bartës të posteve më të larta institucionale dhe shtetërore por fajësohet dhe duhet të përgjigjet për një raport që strategjikisht e dëmton Kosovën, qytetarët e saj dhe luftën e drejtë për çlirim ku pika kryesore ishte pohimi se: “ndaj të ndaluarve në disa lokacione të Shqipërisë janë hequr në mënyrë të kundërligjshme organet e të cilat pastaj janë trafikuar për transplatim në vendet e treta…”.

Ky spekulim i paramenduar, pa e mbështetur me asnjë fakt e ka vënë Këshillin e Evropës para një akti të kryer siç ishte miratimi i këtij raporti, me këto akuza të pambështetura dhe të tmerrshme pas së cilës themelimi i kësaj gjykate u shndërrua në çështje teknike. Nuk është aspak i rëndësishëm pohimi se nuk ka përgjegjësi për arrestimin e Hashim Thaçit dhe të tjerëve sa do të kishte rëndësi të tregojë të vërtetën se e ka manipuluar heqjen e organeve dhe trafikimin për qëllim transplantimi për faktin se kjo akuzë tashmë nuk përmendet në asnjërën nga akuzat e konfirmuara e që e forcon faktin se qëllimi i Dick Martyt ishte materializim i angazhimit të Rusisë dhe Serbisë për ta luftuar politikisht dhe jo vetëm politikisht Kosovën.

Tash, çdo përpjekje nga ana e Kosovës që të merret me “kërcënimet për jetën e Dick Martyt” është e tepërt dhe e panevojshme. Është joserioze politikisht që të kërkohen sqarime nga Zvicra për kërcënimet që i bëhen këtij manipuluesi të së vërtetës nga Serbia për faktin se kjo është çështje e brendshme e Zvicrës që duhet të zgjidhë me Serbinë. Dick Marty e ka përfunduar misionin në çastin kur e ka dorëzuar një raport politik të sajuar e që pastaj është votuar në Këshillin e Evropës. Është krejtësisht e parëndësishme nëse Dick Marty do të thirret si dëshmitarë në Gjykatën Speciale aq më parë që ai nuk flet asgjë për prapavijën dhe qëllimin e kurdisur të këtij raporti por për kërcënimet që i bëhen nga Serbia.

Dëshmia eventuale para Gjykatës Speciale e që KMDLNj mendon se nuk do të ndodhë, në kontekstin e shpalimit të frikës nga kërcënimet për jetë nga Serbia, pa e sqaruar prapavijën e akuzave dhe motivet që e kanë shtyrë që në raport të fusë heqjen e organeve me qëllim të trafikimit, pa asnjë provë konkrete, përveç se nuk i ndihmon fare të paraburgosurve në Hagë dhe Kosovës, përkundrazi e legjitimon raportin spekulativ të Dick Martyt, Pont Pilatit. Dick Marty asnjëherë nuk ka qenë dhe nuk është i rrezikuar nga Kosova, mund të rrezikohet nga ndërgjegjja e tij dhe mungesës së ndershmërisë profesionale sepse e ka damkosur rëndë Kosovën, qytetarët e saj, UÇK-në dhe luftën çlirimtare, në dobi që vetëm ai e din për ç’arsye, të një shteti që ka bërë krime monstruoze në Kosovë.

Nëse Dick Marty është i gatshëm ta japë sqarime për akuzat monstruoze në raportin e tij që e ka bërë bashkë me Karla del Ponten, Hose Pablo Barajabar dhe sponsorisuesin që tashmë po e kërcënojnë me jetë BIA dhe Serbia, atëherë do të ishte në interes të Kosovës. Mos e popullarizoni një mashtrues dhe keqbërës që me bindje dhe paramendim ka bërë një raport që sjellë akuza të tmerrshme për heqje të kundërligjshme të organeve e që nuk i ka mbështetur me asnjë fakt dhe të cilat as Gjykata Speciale nuk i përmend në asnjërën aktakuzë të konfirmuar. Kosova nuk ka përgjegjësi ta ruaj jetën apo shëndetin e një raportuesi të manipuluar apo manipulanti të vetëdijshëm që i ka bërë dëme strategjike dhe thuaja të pariparueshme Kosovës, qytetarëve të saj, të lirë, gjysmë të lirë apo që po mbahen në Hagë.

Dick Marty nuk e ka hallin për të drejtat e viktimave e as Gjykata Speciale, ndryshe do të kërkonin përgjegjësi për ata që bënë krime në Kosovë kundër civilëve të pafajshëm sepse është e drejtë e njeriut të sigurohet drejtësia për viktimat dhe përgjegjësia për kriminelët, pa bërë asnjë dallim dhe në asnjë bazë!(Nga radio Kosova e lirë)