KRYENGRITJA E MALËSISË SË MADHE E VITIT 1911

Gjatë kryengritjes së Malësisë së Madhe për udhëheqjen e luftës u formuan një grup ose këshill drejtues prej krerëve të krahinave përkatëse në krye të të cilave u vunë patriotët dhe luftëtarët e shquar Ded Gjon Luli, Gjek Marash Gjeloshi, Zenel Shabani, Prend Marashi, Dedë Nikaj, Mehmet Shpendi, etj. Drejtimi i çetave e grupeve luftarake realizohej nga krerët malësorë dhe prijsat popullorë me cilësi të larta morale, me autoritet e përvojë luftarake të pasuar dhe nga aftësi ushtarake.

Nga Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Memorandum për Fuqitë e Mëdha

Kryengritja filloi më 24 mars të vitit 1911 kur malësorët e Hotit, të udhëhequr nga Ded Gjo Luli, Gjek Marash Gjeloshi e të tjerë, filluan veprimet e armatosura dhe sulmuan fortifikatën kufitare të Rapshës. Lëvizja u shtri shumë shpejt në Grudë, në Kelmend dhe në Kastrat. Shpërthimi i kryengritjes shkaktoi panik tek autoritetet xhonturke në Shkodër. Autoritetet osmane menduan të përdornin si mjet për ta penguar kryengritjen fanatizmin fetar, duke synuar të nxisnin përçarjet e grindjet fetare ndërmjet shqiptarëve myslimanë e katolikë. Në të njëjtën kohë xhonturqit hapën fjalë në të katër anët, se malësorët kryengritës ishin veglat e krajlit të Malit të Zi, domethënë të një shteti të krishterë. Për të nxitur konfliktin ndërmjet shqiptarëve, autoritetet osmane u shpërndanë myslimanëve të qytetit dhe të rajoneve përreth 4.000 armë. Por popullsia myslimane e priti me shpërfillje këtë propagandë. Vetëm një pjesë e vogël e atyre që morën armë luftuan kundër malësorëve. Edhe këta nuk i shqetësonte përkatësia fetare e Malit të Zi, por synimet e tij tashmë të njohura ndaj trevave shqiptare dhe vetë qytetit të Shkodrës.

Kryengritja përfshiu menjëherë krahinat e Malësisë së Madhe. Numri i kryengritësve arriti brenda pak ditësh në 3.000 luftëtarë. Më 28 mars kryengritësit morën qytezën e Tuzit. Garnizonl i vogël ushtarak dhe qeveritarët u detyruan të mbylleshin në kalanë e quajtur Shipshanik, që ndodhej në krye të saj. Më 30 mars 400 malësorë sulmuan Koplikun, por u tërhoqën për mungesë armësh e municionesh. Më 30 mars u bë në Cetinë mbledhja e udhëheqësve të kryengritjes, e cila miratoi një memorandum drejtuar Fuqive të Mëdha. Në këtë dokument kërkohej paprekshmëria e territoreve shqiptare; të njihej gjuha shqipe si gjuhë zyrtare në të katër vilajetet, në zyra e gjyqe dhe si gjuhë mësimi në shkolla; të gjithë nëpunësit në Shqipëri të ishin shqiptarë dhe të njihej zyrtarisht kombësia shqiptare; të ardhurat buxhetore të shpenzoheshin në dobi të vendit; ushtarët shqiptarë të mos shërbenin jashtë trojeve shqiptare, me përjashtim të rasteve të luftës. Memorandumi ishte nënshkruar nga Muharrem Bushati, Isa Boletini, Sokol Baci, Dedë Gjo Luli, Abdulla Aga, Preng Kola dhe Mehmet Shpendi. Shtypi i kohës theksonte se, megjithëse kryengritja zhvillohej në një trevë të ngushtë, të banuar kryesisht nga katolikë, kryengritësit dolën me kërkesa kombëtare. Ata në thelb kërkuan autonominë e Shqipërisë. Kryengritja u zhvillua vetëm në zonën e Malësisë së Madhe, në kuadrin e kryengritjeve shqiptare të viteve 1910-1912. Kryengritja përfshiu dy momente të rëndësishme të veprimeve luftarake. Në momentin e parë nisi faza e nismës, e sulmeve dhe moment i luftimeve mbrojtëse. Momenti i nismës nuk vazhdoi gjatë, nuk i kapërcyen kufijtë e zonës ku shpërthyen kryengritjet dhe brenda disa mujave, kryengritësit u gjendën përballë forcave të shumta turke të ardhura nga Rumelia, Anadolli e pjesë të tjera të Perandorisë Osmane. Me gjithë qëndresën dhe këmbënguljen shumë të madhe që treguan kryengritësit, në fund u thyen.

Karakteri masiv i kryengritjes

Kryengritja e Malësisë së Madhe shpërtheu në fund të marsit dhe vazhdoi deri në korrik 1911. Në të morën pjesë të gjitha forcat e mundshme luftarake të Malësisë së Madhe, rreth 4.000 luftëtarë. Momenti i nismës ishte 24 marsi e që vazhdoi deri më 10 prill. Gjatë kësaj periudhe kryengritësit në fillim në çeta dhe më vonë të bashkuar në dy grupe, të Hotit e Grudës dhe të Kastratit e Shkrelit mësymë përkatësisht në drejtimet Hot-Tuz dhe Kastrat-Koplik. Duke sulmuar befasisht, me veprime të shpejta, kryengritësit brenda tre-katër ditëve të para çliruan krejt Malësinë e Madhe, duke përfshirë Tuzin, Fushën e Krajës, Fushën e Koplikut dhe Vermoshin. Gjatë gjithë muajt prill, si rezultat i ardhjes të forcave të shumta turke, afërsisht 30.000 veta, kryengritësit kaluan në mbrojtje. Në muajt prill-maj deri nga mesi i qershorit u zhvilluan një varg luftimesh të përgjakshme kundra katër divizioneve turke që zhvilluan mësymjen bashkëqendrore. Kryengritësit luftuan me një vendosmëri dhe energji të rrallë, e thuajse i gozhduan në vend forcat turke, duke i zbrapsur shumë herë e në shumë drejtime, sulmet e tyre me gjithë epërsinë e madhe që ata kishin 7-8 herë, më shumë se e kryengritësve. Nga mesi i muajit korrik luftimet morën karakter pozicional, ndërsa më tej erdhën duke rënë derisa në fillim të gushtit në bazë të një marrëveshje dypalëshe u bë armëpushimi.

Strategjia e kryengritjes

Detyrat strategjike kjo kryengritje i zgjidhi dhe i plotësoi duke u mbështetur në forcat e popullit shqiptar dhe në përputhje me mundësitë e rrethanat konkrete të zonës. Metoda bazë ishte kryengritje masive, shpërthim të luftës dhe veprimeve luftarake në të gjithë krahinën. Plani strategjik i kryengritjes përshkohej nga ideja e çlirimit dhe mbështetej në zhvillimin e veprimeve masive luftarake, në vijimësi, duke shfrytëzuar luftën për një kohë të gjatë, të zhvillohej mësymja që të arrihej dëmtimi i rëndë i taborëve ushtarak turke dhe pastaj të detyroheshin ato të kapitullonin dhe të largoheshin nga zona dhe prej Shqipërisë. Njësia bazë e formacioneve ishin çetat patriotike, të cilat me thirrjen për t’u hedhur në kryengritje u bashkuan dhe krijuan grupe të mëdha me efektiv nga 2.000-3.000 luftëtarë, Grupimet, kryengritësve ishin formacione luftarake vullnetare të përkohshme dhe nuk kishin strukturë ushtarake të rregullt. Gjatë veprimeve luftarake ruajtën kompaktësinë, realizuan mirë bashkëveprimin me njeri-tjetrin etj. Problemin e armatosjes dhe të furnizimit me ushqim të kryengritësve, udhëheqësit kryengritës e mbështetën kryesisht në popull. U bënë dhe disa përpjekje për blerjen dhe marrjen e armëve, por ato qenë fare të parëndësishme kundrejt nevojave që kishin kryengritësit. Tipar dalluese i kryengritjes ishte lufta për kapjen dhe zotërimin e nyjeve dhe pozitave më të forta, nga mbrojtja e të cilave varej mbarëvajtje e saj. Një nga çështjet e strategjisë së kryengritjeve ishte sigurimi i udhëheqjes dhe drejtuesve ushtarak të kryengritjeve. Gjatë kryengritjes së Malësisë së Madhe për udhëheqjen e luftës u formuan një grup ose këshill drejtues prej krerëve të krahinave përkatëse në krye të të cilave u vunë patriotët dhe luftëtarët e shquar Ded Gjon Luli, Gjek Marash Gjeloshi, Zenel Shabani, Prend Marashi, Dedë Nikaj, Mehmet Shpendi, etj. Drejtimi i çetave e grupeve luftarake realizohej nga krerët malësorë dhe prijsat popullorë me cilësi të larta morale, me autoritet e përvojë luftarake të pasuar dhe nga aftësi ushtarake.

Taktika e luftimeve

Taktika, si nga forma dhe përmbajtja ishte orgjinale e mbështetur kryesisht në tabanin kombëtar dhe në përvojën luftarake shekullore. Taktika e kësaj kryengritje arriti zhvillimin më të madh në krahasim me të gjitha format e përdorura më parë në luftën e armatosur të popullit shqiptar kundër sundimit otoman. Në kompleksitetin e veprimtarisë luftarake në këtë kryengritje u shfaqën forma të larmishme luftimi mësymës dhe mbrojtës. Luftimi mësymës u zhvillua thujase gjatë gjithë periudhës së kryengritjes. Tipari i përgjithshëm i mësymjes ishte se ato fillonin nga rajone fshatare e zona malore dhe drejtoheshin mbi forcat turke në qytete dhe zona të ulta. Si rregull, pas dhënies së sinjalit ose lajmërimit disa çeta dhe grupe niseshin për luftë. Në rrugë e sipër ato bashkoheshin, ndanin e përcaktonin detyrat, i afroheshin objektivit dhe pastaj në kordinim me njera-tjetrën hidheshin në sulm. Pas kësaj në ndihmë të tyre shkonin edhe vullnetarë të tjerë të rrethinës së qytetit ose çeta e grupe krahinash të afërta. Si rrjedhojë e shpejtësisë, befasisë, shtimit gradual të forcave dhe sulmeve të shpeshta ato në shumë raste i detyruan forcat turke të tërhiqen.

Mësymja dhe sulmet e kryengritësve të Malësisë së Madhe patën zhvillime tepër të shpejtë, ishin të befasishëm, lëvizja e forcave u bë natën dhe fillimisht në më pak forca se ato të armikut që ishte objekt i mësymjes së tyre. Sulmet filluan natën në 24 mars nga një çetë prej 10 luftëtarë që kishte shtatë pushkë kundër postës turke që kishte 30 ushtarë. Po këtë ditë u hodh në sulm dhe një çetë tjetër po kaq e vogël, ndërsa deri në mbrëmje, numëri i luftëtarëve të këtyre çetave arriti në rreth 100 luftëtarë. Deri në mëngjezin e 26 marsit ishin formuar shumë çeta me rreth 800 luftëtarë, të cilët sulmuan të gjitha postat kufitare dhe repartet turke. Në kuadrin e këtyre sulmeve pak malësorë sulmuan natën afërsisht 350 ushtarë turq në fortifikatat e Malit të Deçiçit dhe u shkaktuan dëme të rënda e i detyruan të tërhiqen prej andej. Mbi bazën e sukseseve të sulmeve të para dhe të epërsisë numerike që arritën kryengritësit e Malësisë së Madhe formuan dy grupe të mëdha më 1.000 luftëtarë secili dhe zhvilluan mësymje prej Hotit e Grudës në drejtim të Tuzit e Krajës dhe prej Kastratit të Sipërm e Shkrelit drejt Koplikut. Ndërkaq në drejtimin e Vermosh-Selcë u kalua në mbrojtje ndaj forcave të shumta turke, afërsisht një divizion, të ardhura prej Rrafshit të Dukagjinit. Pasi çliruan rajonet e mësipërme u planëzua mësymja në drejtim të qytetit të Shkodrës.

Luftimet mbrojtëse

Luftimet mbrojtëse patën karakter të qëndrueshëm dhe aktivitet të madh. Mbrojtja në këto kryengritje synoi të ndalonte përparimin e armikut, ta dëmtonte rëndë atë, madje dhe ta azgjësonte. Në përshtatje me këtë qëllim ajo u organizua me forca të mëdha, u shfrytëzua me mjeshtëri terreni, u përdor mashtrimi i armikut, futja e tij në kurth etj. Luftimet mbrojtëse të Malësisë së Madhe patën karakter të qëndrueshëm dhe veprues. Si rregull kryengritësit mbronin të gjitha drejtimet e kalueshme që çonin thellë në Malësi duke i dhënë mbrojtjes formë rrethore. Vija e parë e mbrojtjes së tyre kalonte prej Tuzit, në Helm, gjatë bregut lindor të liqenit të Shkodrës, gjatë përroit të Thatë-Koplik dhe përpara Vermoshit. Në pamundësi që të zinin të gjithë këtë vijë, kryengritësit u mbështetën në përqëndrimin me grupe secili prej disa qindra luftëtarësh në pika të caktuara si Deçiç, Dinosh-Millesh, Brizha, Bajzë, Vukëpalaj, Koplik, Selcë etj. Me dukjen e armikut në një drejtim, një ose disa grupe së bashku zinin një vijë mbrojtjeje të caktuar ose hidheshin menjëherë në kundërsulm dhe i vinin përpara forcat armike. Luftimet më të përgjakshme u bënë sidomos për Malin e Deçiçit, ku zakonisht 200 luftëtarë dhe vetëm në raste të rralla arritën në 500-600, përballonin dhe thyenin sulmet e njëpasnjëshme të disa batalioneve turke. Gjatë luftimeve në vijën e parë të mbrojtjes, kryengritësit thyen disa herë edhe përpjekjet për zbarkim të reparteve të veçuara turke të ardhura nëpërmjet liqenit.

Kundërsulmet e goditjet e befasishme ditën e veçanërisht natën, kryengritësit dhanë pasi forcat turke u futën në rajonin e Hotit të Sipërm, thellë në Kastrat Shkrel e Selcë. Gjatë organizimit të luftimeve mbrojtëse, kryengritësit shfrytëzuan mirë terrenin si në pikëpamje të ruajtjes së forcave të veta, por edhe për të dëmtuar sa më rëndë e për të thyer armikun. Në Kaçanik-Caralevë dhe Jezercë, pozicionet e mbrojtjes së kryengritësve ishin në lartësi zotëruese ndaj rajoneve të mësymjes së forcave turke. Pozicionet e tyre ishin në pyje të fshehta e të maskuara. Po kështu edhe në Qafën e Morinës, Qafën e Kaloshit e të Kolosianit, ata ishin në pika më dominuese se armiku. Në Qafën e Agrit, në Selcë, Kastrat të Sipërm ata zunë shtigjet e vetme në kreshtat malore e shkëmbore ku ishin të detyruara të kalonin forcat turke. Formacioni i luftimit të kryengritësve për mbrojtje i përmbahej idesë për ta bërë mbrojtjen sa më të qëndrueshme dhe sa më dëmtuese për armikun. Forcat përgjithësisht vendoseshin në një vijë e mbanin rezervë. Në krahë ose dhe më përpara tyre vepronin çeta në formën e nënreparteve të sigurimit. Gjatë zhvillimit të luftimit, formacioni bëhej shumë elastik dhe pranonte ndryshime. Njësitë e dedashmentet e ndryshme manovronin sa në një krah në tjetrin nga thellësia në front e anasjelltas, zëvendësonin njeri tjetrin etj. Pasi thyheshin në një vijë kryengritësit në tërësi përhapeshin ose shpërndaheshin, tërhiqeshin me urdhër e të organizuar me grupe, duke e bërë kështu të pamundur ndjekjen nga ana e armikut. Në një dokument thuhet se duke parë këmbënguljen me të cilën mbronin pozicionet kryengritësit, trupat turke u detyruan të përdornin artilerinë. Atëherë mbi kryengritësit ra një shi i vërtetë predhash. Këta, dhe kjo është një hollësi e çuditshme, nuk iknin në mënyrë të çrregullt, por u tërhoqën progresivisht, duke u mbrojtur me të shtëna pushkësh. Gjatë kryengritjeve të mëdha pati përpjekje edhe për koordinimin e veprimeve mësymëse të malësorëve me forcat popullore të qyteteve që mbaheshin nga forcat turke.

Lufta e armatosur e popullit tonë gjatë kryengritjeve të mëdha 1910-1912, për nga fuqia dhe mjeshtëria shënoi shkallën më të lartë të organizimit dhe të zhvillimit të veprimeve luftarake në krahasim me etapa e mëparshme. Këto kryengritje përmbajnë vlera të artit ushtarak original shqiptar, dukuri dhe karakteristika që herë pas here ja vlen që t’u shkohet në thellësi të elementeve cilësorë të tyre (Nga Pashtriku).

Leave a Reply

Your email address will not be published.