MAJA E LUGJE MOJ KËSHTJELLË!

Sali Ceka dhe Ramadan Kosova

Këngë të popullit, vargje të krijuara nga populli i zonës së Labërisë – Borsh, Sarandë

Maja e Lugje, moj kështjellë,
Lumthi ti ç’djema ke pjellë,
Ju trima qe majën mbroni,
Kini fjetur, a përgjoni ?
Nuk i shihni, pse nuk shtini ?
Të gjallë a te vdekur jini ?
Një zë i çjerrë bërtiti :
“Kato armët, Arvaniti !”,
Dy pushkë flakë lëshuan,
Grekët token e kafshuan,
Kush shtiu mbi grekë i pari ?
Thonë se shtiu komandari,
Dan trim Kosovari,
Kush shtiu mbi grekë i dyti ?
Sali Ceka si petriti,
Maja e Lugje e trimërisë,
Qaj e vish rrobat e zisë,
Se trimat e vijës parë,
Për Atdheun kane rarë,
Trimi Kosovës ne ballë,
Ramadani shqipe mali,
I ushtrisë kumandari,
Për Atdheun jetën fali,
Qan për të Smail Qemali…

1) Maja e Lugje: Maje mali mbi fshatin Borsh.
2) Ramadan Kosova, oficer i ushtrisë Shqiptare, i dërguar nga Ismail Qemali, për të mbrojtur këtë front nga andartët grekë.

Këtu lufton me trimëri, në ballë të forcave tona, gjersa mbetet i plagosur rënde dhe vdes.
Përkrah tij vriten edhe Sali Ceka, Daut Vasili, Xhafer Saliu, të tre nga Borshi.
Kënga flet për përplasjet e para me andartët grekë, në vitin 1913-1914. Kur u dërguan forca të tjera pushtuese shoviniste greke të ashtuquajtura “kompanitë e shenjta”, te mbushura me plaçkitës ordinerë, vjen nga Vlora për në Borsh me urdhër të Ismail Qemalit një togë me xhandarë komanduar nga komandanti i saj trimi, Ramadan Kosova (Pjesa e shkrimit nga Teri Hoxha).