MANASTIRI – QYTETI I ALFABETIT DHE I MASAKRËS MBI PARËSINË SHQIPTARE

Shtegtime nëpër Atdhe trenbolone buy (CCII)

Shkruan: Berat Luzha

Manastiri (Bitoli) është qyteti më i madh, pas Shkupit, në Republikën e Maqedonisë Veriore dhe njëri ndër qytetet më të mëdha të Ilirikut jugor. Ky qytet, qendër komunale edhe për 65 fshatra, shtrihet në fushën e Pellagonisë, rrëzë malit të Pelisterit dhe vetëm 15 km nga vija kufitare me Greqinë. Manastiri është qendër e rëndësishme ekonomike, administrative, kulturore, arsimore në lartësi mbidetare 630 metra, 175 km nga Shkupi, 200 km nga Tirana dhe Selaniku, 100 km nga Korça. Në qytetin e Manastirit është mbajtur Kongresi i Manastirit dhe ishte kryeqendra e njërit ndër katër vilajetet shqiptare të Perandorisë Osmane, Vilajetit të Manastirit me sipërfaqe prej rreth 22 mijë km2.

Manastiri është qytet mesjetar, i themeluar në shek. X, kur ishte i banuar nga popullsia arbërore dhe ishte bërë qendër tregtare e karvanëve lindje – perëndim. Në mesjetë ishte qytet i fortifikuar, qendër kishtare dhe peshkopale, kurse në shek. XIX mori rëndësi të veçantë në Perandorinë Osmane, duke u bërë i njohur edhe si “qytet i konsullatave”, pasi shumë shtete këtu i kishin hapur konsullatat e tyre. Konsullatën e parë në Manastir e ka hapur Perandoria Austro-Hungareze në vitin 1851 e pas saj edhe Hungaria, Britania e Madhe, Franca, Greqia, Rusia, Italia, Serbia, Bullgaria, Rumania. Edhe sot, pas pavarësimit të Republikës së Maqedonisë, në Manastir janë hapur shumë konsullata të shteteve të ndryshme, si Franca, Turqia, Mbretëria e Bashkuar, Rusia, Shqipëria etj.

Në Perandorinë Osmane, nga viti 1874 e deri në vitin 1912, Manastiri ishte kryeqendër e Vilajetit të Manastirit. Pas Luftërave Ballkanike, Manastiri u pushtua nga ushtria serbe, e cila bëri masakra mbi popullsinë e pambrojtur shqiptare, kurse territori i Vilajetit u nda mes Serbisë, Greqisë e Shqipërisë. Gjatë viteve 1912 – 1913 ushtria serbe shkatërroi 80 për qind të fshatrave të këtij vilajeti.

Qyteti i Manastirit ka pas rëndësi të veçantë në historinë shqiptare. Në fillim të shek. XX Manastiri ishte bërë vatër e atdhetarëve, e klubeve shqiptare dhe e shtypshkronjës me qëllim të përhapjes së arsimit dhe të botimit të librave shqip. Këtu ka jetuar dhe ka vepruar familja atdhetare Qiriazi, familje me pesë intelektualë, e cila kishte një shtypshkronjë, me të cilën u shtypën abetarja dhe libra në gjuhën shqipe. Këtu janë takuar dhe kanë vepruar atdhetarët Çerçiz Topulli, Bajo Topulli, Mihal Grameno, Ahmet Resnja, vëllezërit Qiriazi, Petro Nini Luarasi e shumë të tjerë. Ndërsa, në Manastir janë shkolluar Migjeni, Lasgushi e atdhetarë të tjerë.

Në Manastir, nga 14 – 22 nëntor 1908, është mbajtur Kongresi i Manastirit ose Kongresi i Alfabetit, ku u njësua alfabeti i gjuhës shqipe. Të 32 delegatët e Kongresit, me të drejtë vote dhe 18 delegatët, pa të drejtë vote, të ardhur nga qytete e shoqëri shqiptare brenda e jashtë atdheut, ishin personalitete të larta politike e kulturore. Kongresi, i organizuar nga shoqëria “Bashkimi”, është mbajtur në shtëpinë e Fehim Zavalanit, ku ndodhej selia e shoqërisë “Bashkimi”. Sot kjo shtëpi është Muze i Alfabetit, me një ekspozitë të përhershme, brenda tij.

Rreth dy kilometra nga Manastiri, në rrugën antike Via Egnatia, ndodhet qyteti i hershëm i Herakleas, i themeluar në shek. IV p.e.r. nga Filipi II, dhe i ruajtur e i mbijetuar deri tash. Qyteti i Heraklesë, si zona më e madhe arkeologjike në R. e Maqedonisë V., njihet për mozaikët shkëlqyes, për teatrin antik, për banjat romake. Veçanërisht, janë interesant katër mozaikët, që zënë sipërfaqe prej 160 metrash katrorë. Teatri është ndërtuar nga perandori romak, Adriani. Emri i qytetit është marrë nga heroi i mitologjisë greke, Herakliu. Qyteti është zbuluar në vitin 1931, kurse teatri në vitin 1968. Sot Heraklea është lokalitet i rëndësishëm arkeologjik, kulturor dhe turistik.

Popullsia e Vilajetit, sipas një konsulli rus në vitin 1897, ishte rreth 800 mijë banorë, kurse në vitin 1912 kishte rreth 900 mijë banorë. Kurse qyteti i Manastirit në vitin 1953 kishte 40 mijë banorë, në vitin 2002 rreth 75 mijë banorë. Të theksojmë se në qytetin e Manastirit dhe në rrethinat e tij, deri në vitin 1912, ka jetuar një numër i madh i popullsisë shqiptare. Popullsia shqiptare ka emigruar sidomos gjatë dy luftërave ballkanike, por edhe pas dy luftërave botërore, duke pësuar rënie të madhe në numër për shkak të shpërnguljeve në masë në Turqi, por edhe në vendet tjera. Edhe pas LDB, nga shtypja, presioni e diskriminimi, kanë vazhduar shpërnguljet e shqiptarëve në Turqi, gjithmonë të trajtuar si popullsi turke. Sipas regjistrimit të vitit 2011 në komunën e Manastirit kanë jetuar mbi 105 mijë banorë, nga të cilët vetëm 4200 u deklaruan shqiptarë. Përveç shpërnguljeve të detyrueshme, shqiptarët i janë nënshtruar edhe një politike shtetërore me qëllim të asimilimit, sidomos të shqiptarëve të besimit ortodoks, si dhe ata të besimit islam të asimiluar në turq. Nga ana tjetër, në Manastir kanë ardhur popullsi sllave nga viset lindore të shtetit, ku kanë gjetur vende pune dhe të mira tjera materiale. Megjithatë, edhe sot disa fshatra shqiptare të kësaj komune dhe pak banorë të qytetit e flasin gjuhën shqipe.

Në Manastir, si objekte të trashëgimisë kulturore ndodhen ndërtesa e Kongresit të Alfabetit, shtëpia e Bajo Topullit, dhoma përkujtimore e Mustafa Qemal Ataturkut, Shkolla Ushtarake, ku është shkolluar kadeti Ataturku (sot muze), Kulla e Sahatit, Bezistani i Madh etj. Në një dhomë të katit të dytë të ish-shkollës ushtarake, në vitin 1994, është hapur ekspozita e përhershme për Ataturkun. Evlija Çelebia thotë se në shek. XVII Manastiri kishte 70 xhamia e mesxhide. Sot është funksionale, në qendër të qytetit, vetëm Xhamia e Ishak Çelebiut. Afër kësaj xhamie ndodhet edhe Xhamia Kadi Mahmut ose Xhamia e Re e shek. XVI. Nga periudha e sundimit osman ka ngelur, në qendër të qytetit, Kulla e Sahatit, të cilës në maje i është vendosur një kryq.

Në vitin 1830 Porta e Lartë organizoi dhe zhvilloi në qytetin e Manastirit njërën ndër masakrat më të veçanta në botë, masakrën gjakatare e të pabesë me qëllim të vendosjes së një sundimi të hekurt në trojet shqiptare. Ajo dërgoi në Manastir një ushtri të madhe, që komandohej nga valiu i Rumelisë, Mehmet Reshid Pasha, që kishte prejardhje nga Gjeorgjia. Ky pasha hapi fjalë se, sipas porosisë së Sulltanit, do të bisedonte me shqiptarët e pakënaqur, ndaj i ftoi prijësit apo bejlerët e Toskërisë në Manastir që të merrnin pjesë në një ceremoni ushtarake, ku do t’i merrnin edhe pagat e prapambetura dhe dekretet për faljen e tyre. Ftesës së Pashait i ishin përgjigjur më shumë se 500 prijës shqiptarë, të cilët, gjatë ceremonisë, ishin vendosur veçmas në tribunën e ngritur në qendër të qytetit. Gjatë parakalimit të ushtarëve turq, përnjëherë dhe befasisht ushtria turke kishte qëlluar mbi feudalët shqiptarë, duke i vrarë që të gjithë brenda pak minutave. Pastaj, kokat e tyre ua prenë dhe ia dërguan Sulltan Mahmutit II në Stamboll. Të njëjtën ditë, me skenar të njëjtë, Emin Pasha, djali i Mehmet Reshit Pashës, edhe në Janinë kishte përgatitur një masakër të tillë, por krejt pak prijës i kishin besuar dhe nuk kishin shkuar në “ceremoninë ushtarake”.

Manastiri është një qytet i bukur i traditës dhe qytet bashkëkohor, ku pak apo aspak nuk flitet gjuha shqipe. Qyteti dhe rrethina e tij kanë natyrë të bukur e të shëndoshë (afër qytetit ndodhet Parku Kombëtar i Peristerit me dy liqene të bukura akullnajore). Është qytet që duhet të vizitohet, jo vetëm për Muzeun e Kongresit të Manastirit. Në Manastir mund të mësojmë shumëçka për të djeshmen dhe të sotmen tonë.