MBI LUMIN E TRAZUAR

Shkruan: Mustafë Krasniqi

Mbi lumin e trazuar
rrëshqet një histori,
e vjetra thërret të ren,
ende me plagë thikash jemi.

Mos i besoni kohës, ajo…
na theri në emër të drejtësisë,
bëri copë zonjën Shqipëri,
me gota të krisura për miqësi…

Mos u besoni miqve të armiqve,
ata… paturp tradhtuan drejtësinë,
hodhën gur mbi lumin ndezur flakë,
për pak sa s’u shter lumi, t ‘thahet kulla.

Miqtë e armiqve t’shtirur në drejtësi,
erdhën me kurora për “nderim varresh”,
mbi Drinin plak ndërtuan mur mbi urë,
prapë me thika mbi plagët e vjetra.

Mos u besoni miqve të armiqve, ata…
dikur, na bënë copë nëpër konferenca,
sot mbi Drinin plak hije e fshehur
mbyllin ura, ndërton mure!

E ti Kulla e Aifelit, që prek lart qiellin
pse nuk flet, heshtur mbyt drejtësinë,
Drinit plak ia zë frymën, si dikur
që ma copëtove zonjën Shqipëri?!

Drini plak mos m’rri i heshtur
dallgët tuaja ta marrin dhen
me miqtë e përjetshëm
t’i hapim urat e bashkimit!