MUSTAFË KRASNIQI- ANTOLOGJI E POEZISË MODERNE SHQIPE

Nga portali: www.sa.krach
Mustafë Krasniqi
 Hyrje             
 
Autori, Mustafë Krasniqi, u lind në vitin 1966 në fshatin Shipitullë, Komuna e Kastriotit. Mësimet e para i mbaroi në vendlindje, të mesmen dhe studimet universitare në Prishtinë.
  Mustafë Krasniqi, rrjedh nga një familje atdhedashëse, ku më 1920 stërgjyshi i tij ekzekutohet nga makineria serbo-sllave.
  Si i ri hyri në radhët e grupeve ilegale dhe më pas dha tërë kontributin për lindjen dhe suksesin e UÇK-së, po ashtu ishte dhe mbeti i angazhuar në çështjen e bashkimit kombëtar, për Shqipërinë Etnike.
    Autori, Mustafë Krasniqi, pati fatin të vepronte me shumë atdhetarë – dëshmorë të kombit, si me Afrim Zhitinë, Fadil Vatën, Xhavit Hazirin e shumë atdhetar tjerë.  Po ashtu ishte edhe njëri nga drejtuesit e demonstratës së vjeshtës së vitit 1989 dhe i shumë proceseve të rëndësishme të ilegales dhe të luftës së fundit të UÇK-së.
   Si nxënës filloi të merret me krijimtari letrare, Poezinë, prozën, essen, po ashtu edhe me histografinë, si dhe me shkrime gazetarie, analiza, kritikë dhe intervista.
 
         Librat:
         – “Gjarpërinjtë e zinj edhe atje…”
         – “Lumëgjaku”
         – “Faqe të panjohura të historisë së NDSH-së” (Ramiz Qyqalla dhe
bashkëluftëtarët e tij)
         – “Lojë Thikash”
         – “Gjarpërinjtë e zinj edhe atje…” (ribotim)
         – “Vështrim kritik për poetikën e krijuesve të diasporës”
         – “Mbrëmja e fundit”
– “Eshtrat Pezull”

  Autori, Mustafë Krasniqi, përpos librave të botuara është i pranishë dhe në tetë libra tjerë si bashkautorë, antologji, ndërsa në dorëshkrim ka edhe katër libra tjerë:  “Unë Jam…”,“Cikloni i qytetit tim”, monografinë  për heroin e kombit Xhavit Haziri, “ATDHETARI I SHTIGJEVE TË LIRISË, XHAVIT HAZIRI” si dhe librin  historik “Për Shqipërinë Etnike”. 
Për portalin: www.sa-kra.ch 
përgatiti: Adem Zaplluzha
 

Shkruan: Mustafë Krasniqi

ME ESHTRA TË MI
(Isa Buletinit)
 
Dheu i im
Peshë eshtrat i kam
 
Nëpër copa- copa
Gojë hienash
Shqipëria ende më rri.
 
Ta fala gjakun
Kur kërkove Ti
 
Eshtrat më mbeten
Rrugës për në kthim
 
Kulla e vjetër
më kërkon pa pushim.
 
Me koburen time
Lordit plak i thash:
 
Kam një atdhe
Një Shqipëri
Mu në Vlorë
Një shqiponjë
E mbi te
gjithë Etninë!…
 
E ti Mitrovicë,
Te lindja ime
Eshtrat le të më sillen-
 
Prehem i qetë
Në tokën Shqipe!
 
Këtu është Shqipëria,
E kush po luan
Me eshtrat e mi?!…
 
 LAJME PËR DËSHMORËT 

Të kujtova amanetin 
erdha t`u them 
burrat po grinden 
dikush flet për trimërinë 
tjetri fsheh tradhtinë. 

Dikush me emrin tuaj 
hip në kullë të Afelit 
atje i përjargur lutet 
për harrimin tuaj. 

Erdha t`u them 
Lokja është lodhur 
komeditë nuk i duron dot 
burrat presin kot 
kullës i vjen ndot. 
  JU… (Jusufi, Kadriu e Bardhi) 

Ju… 
Jeni mes nesh, 
Bataretë e rrëmujshme 
Nuk ju tremben 

E gjithmonë 
U kthyet në shtatore, 
Në mijëra faqe 
Po u gjejmë, 

Më të ndritur 
Se drita!… 

Flatruat 
si shqiponja 

Koha 
Nuk ua thau gjakun 

Jeni fillesa e dritës 
Ringjallje e Etnisë 
Përherë të njomë 

E vet ndërgjegjja 
E kësaj Toke!…   

MURI 

Muri më ndau mua 
dhe preku qiellin 
gjysmë shekulli peng 
zuri diellin 

Në vend të dritës 
flamujt e kuq 
ndal i thanë rritës 
gjaku shkoi huq!? 

Zana bëri be erdh e lindi 
Te Berlini 
Dragoi i natës e mbyti 
Bajlozin e zi. 

  AI QË MA SOLLI DRITËN 
(Komandant Kumanovës) 

Në kuvend fole : s’ka më ëndrra 
vetëm Fëmijët flenë me përralla . 
nata ikën, lind dielli 
lisi rritet nga rrënjët , nga qielli. 

Në sytë e tu pashë guximin 
kur ti në Prizren dhe kushtrimin 
në tokën e Sylejmanit e Ymerit 
që ajo mos t’i nënshtrohej ferrit. 

 MOS IKNI NGA VLERAT! 

E çuditshme 
ikja pas shëmtimit 
lakuriqësia 
perçja e zezë 
ndjell vetëm zi… 

Ata… 
me megafon 
të harbuarit 
mendje shkurtër 
me lesh dreqi 
duan të na e vrasin 
ndërgjegjen. 
Vëlla thonë kemi dreqin 
me mjekër deri në kërthizë 

Modë thonë kemi zhveshjen 
të tjerat betohen në vdekje 
me çarçafët e zi. 

Ju… mos merrni malin 
n’kultura e huaja 
vlerë e jona është 
Teuta si Princeshë. 

Ajo s’deshi zhveshjen 
gjinjtë në lëndinë 
po as çarçafët e zi 
t’ia mbulojnë bukurinë. 

Për ne…., etninë 
porosi nga princesha 
të mos ikim nga vlerat. 
 
JU VRAFSHIN ZANAT!… 

Shkuat dasmorë 
Në ëndrrën e lirisë 
Në një dasmë të madhe të bëheni valltar, 
Diku, në lagjen e trimave, 

E në atë valle shqiponjash 
Dikush korbin papritmas e ndjelltë, 
Të qeshur ishit, por tradhtia u priste. 

Zanat e malit mbi ju u lutën 
Me fustanella të bardhë 
E plagët ua lidhnin vetëm me lot. 

Nga djepi i Pirros-Burrë i Shqipes 
erdhët si engjëj të buzëqeshur, 
të pushoni pak u ulët në Iliridë 
e Dardanisë së vjetër ia hodhët krahun! 

Nuk e di pse u thanë 
Mirëserdhët ju o shqipe, 
Kot u presin të gjallë loket në vatra 
Me duar të hapura e të thata. 

Ju vrafshin ju zanat e maleve 
Që pas shpine engjëjt na i vratë! 


ËNDRRËS SË GJATË
(Mërgimtarët e inkuadruar në UÇK) 

Për ta thithë gjirin e bardhë
Fluturimthi ëndrrës së gjatë,
Lumenjtë derdhen plot me mall
Për ta prekur dheun e shpirtit. 

E të parët me xhaketa gjaku
U puthitën me afsh në përqafim,
Bjeshkët u kallën nga zjarri në vete
E koha u zhyt në pelinin e hirit.

 Në shtatë breza kohe u skuqen
Nëpër shtigjet e vdekjes për jetë,
Vdekja përmallshëm edhe ne na preku
Nëpër kthetrat e ngulura nëpër tokë. 

Kështu na degdisi edhe njëherë jeta
Dhe loti u shtjerr nëpër luftëra,
Kushtrimit ju përgjigjëm burrërisht
Me plagë shpirti për At-Dheun e lirë.

 Nëpër shkëmbinj e nëpër beteja
Për liri ne u bëmë burra,
Nuk ke si ta thithësh gjirin e bardhë
Në një ëndërr-zhgjëndërr të gjatë… 

(Marr nga portali www.sa-kra.ch )

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *