Mustafë Krasniqi: – HEROI NË SHPIRTIN E POETIT

Fejtoni.nr. III


Mustafë Krasniqi

   Kur flasim për heroin dhe shpirtin e poetit, lehtë mund ta hetojmë se sa thellë ka hyrë dashuria për heroin dhe në çfarë situatash gjendet pikërisht poeti? Kur vargu krijohet për heroin, nganjëherë është vështirë ta përfundosh atë, sepse në njërën anë janë emocionet dhe në anën tjetër duhet  ruajtur konstruktin e fjalisë, figurës, motivit dhe mbi të gjitha qëllimin. Të gjitha këto kanë një rëndësi të veçantë për shkrimtarin, sepse e çojnë drejt përkushtimit motivues për ta paraqitur të gjallë heroin, qoftë në poezi, apo në prozë

Për këtë motiv kanë shkruar të gjithë poetët kudo qofshin, por me sa duket te disa poetë mërgimtarë e shohim shpirtin e tyre të lidhur ngushtë me motivin e heroit dhe këtë e shohim te poeti Isuf Ismaili, Lebit Murtishti, Hasan Qyqalla, Kadri Gërvalla ,  Sylejman Qyqalla etj.

Në vargjet e veprës “Meditime të përmallshme ”, shpirti i poetit I. Ismailit, shpërthen fuqishëm kur e mbërthen motivi i heroit. Ndaj  një pjesë e madhe e poezive ia kushton heronjve,  këtë e shohim te ciklin i dytë i librit në fjalë.

Ti si shqipe në ballë të atdheut,

Me një vrull çave dhe malet,

Veç për nderin e nënë Shqipërisë,

Në luftë, mu në krye të burrërisë.

O Indrit, o Indrit Cara,

Faqendritur, o ushtar Kavaja.

Gjaku yt s’i duroi ndarjet,

Ndaj i shkule gurët e kufirit.

Ti në themele të ribashkimit,

Roje nderi je përjetësuar,

Se gjithçka më të shtrenjtë,

Për Atdheun e ke dhuruar.

                             (I.Ismaili)

Apo te poezia tjetër  e Isuf Ismailit, po në këtë libër “Komandant i ribashkimit”, po marrim vetëm strofën e fundit se sa me mjeshtri ka thurur poezinë, duke i dhënë të gjitha vlerat e çmuara të ndërtimit të vargjeve, kështu thotë:

………………

Te Ismet, Komandant Kumanova,

Se atje është roje e jonë,

Se dhe gjaku, gjaku i tij,

Shembi gjerdhe dhe kufij.

Pa dyshime se këtyre poetëve të mërgatës si bashkëkohës i takon edhe poeti i dy librave Sylejman Qyqalla, i cili me interes të veçantë i qaset poezisë, dhe atë e trajton bukur me anën ritmike dhe e fuqizon me anën figurative e stilizon dhe e ngjyros sipas kriterit të ndërtimit të poezisë.

  Vargu i këtij poeti është  pothuaj në të gjitha poezitë e tij, varg katërsh, e sidomos te poezia  “Kam një perlë” që përbëhej prej shtatë strofave katërshe, me të cilën poeti ka ruajtur konstruktin, thelbin, rimën dhe melodinë e poezisë.

Me poezinë “Kam një perlë” sikur poeti prek të kaluarën të sotmen dhe këshillon për të ardhmen e popullit të tij, po në fakt përpos porosisë te ky poet shohim një poezi artistike me të gjitha elementet e duhura, e siç na thotë:

“Edhe zotit i jam falë…
Zemrën e kam si inxhi
Por Atdheun e kam të parë:
Një flamur e një Shqipëri!”

Ku ta zbraz vrullin më parë,o vëlla…
Kah t’ia nis në këtë mal të lartë?…
Me shall në popull të thoshim:Mulla;

Në front:”Krahë shqiponje,zemërzjarrtë!”


Ç’i the Selman Rizës,kur e bëtë betimin;
Gjon Serreçit me Ymer Berishën?…
“Është toka jonë,vëlla,ta japim kushtrimin…
Nga Serbia…nuk e duam këmishën!”

Me Hoxhë Kadri Prishtinën,kaherë ishe parë;
Me Vaso Pashë Shkodranin,njiheshe kaherë:
“O,mbi çdo fe,vëllezër…ne jemi shqiptarë…
Pa liri s’do kesh as komb as fe as nder!”

Me Hoxhë Hasan Tahsinin qirinjtë ndezur mbanit;
Me Adem Gllavicën gjoks i vetë rrethimit…
Zemra të çahej,Mulla Idriz,për plagë të vatanit…
“Shqipëri e bukur!”-thoshe me gjuhë të Naimit.

Me Hafëz Ali Korçën po lidhje një mijë ura:
“Është toka jonë…vdesim me gra e me fëmijë…
Përpara,nipër të Gjergjit,vraponi,o burra…
Nuk jemi jetimë,jo…çdo gur është Shqipëri!”

“Edhe zotit i jam falë…
Kam një perlë që ruaj në gji
Në zemrën time,e kam të parë:
Një flamur e një Shqipëri!”
           (“Kam një Perlë”S.Qyqalla)

Gjithë ky angazhim dhe kërkim i poetit, sidomos në përcaktimin për-kushtues për heroin, na bënë të qartë se rima, muzikaliteti buron thjesht nga shpirti, siç e ndjen poeti. por kanë forcën ideore dhe mjete të plotësuese artistike. Megjithëkëtë, kritika letrare sikur fle dhe nuk shqetësohet për t`i ardhur në ndihmë sidomos krijuesve të rinj.

 Për heroin, poeti Sylejman Qyqalla, na shkruan me një mjeshtëri të rrallë artistike, ai i qaset poezisë seriozisht dhe pasqyron fuqishëm idenë e poezisë në çdo varg dhe strofë. Lirshëm mund të them se poeti në fjalë, është në mesin e poetëve të kohës, poetëve të cilët kanë arritur sigurinë e të shkruarit, gjetjen e vargut pa u emocionuar dhe stresuar. Që nga vetë titulli e deri te vargu i fundit këtë poezi e përfshin vlera artistike dhe melodia e lidhshmërisë së vargjeve, po njëkohësisht edhe funksioni i fuqisë së tyre, ku në çdo varg gjen histori, thirrje, kushtrim. Pra, këtu e shohim qartë motivin e dashurisë për heroin dhe na thotë:

Çohu Jusuf merr kitarën
Pentagramin nis shfleto
Vjenë kanjushë me pranverën
Të gjithë zogjtë nga gjumi zgjo…!
                                 (S.Qyqall)

Te kjo poezi, poeti  ka një porosi të veçantë, ku forcën e gjen vetëm te heroi, i cili pranë heroit, kërkon fuqinë e tij për ta shpëtuar kombin, popullin.

Këtë dashuri për heroin e gjejmë edhe te autori i librit “Trëndafila maji”,  tek poezia “Pushkës i Besoj”

…………….

Ata besuan dhe u betuan:

Në pushkën e gjatë

Me fat…!

Apo te poezia “Komandanti”

……………………….

As shtrojë s’doje,as mbulojë

Mitralozin e rëndë e kishte

Shokun më të mirë e të pandarë

Për liri të atdheut qëndrove

Luftove duke kënduar!

Vdekjen e munde me këngë

Lotin e ktheve në shpresë

Trimat i bashkove me kushtrim

Për atdhe e flamur me forcën e Anteut

Qëndron kurdoherë

“Roje e atdheut”. (M.Beslimi)

Këtë motiv e trajton edhe poeti Sadik Krasniqi dhe Fran Tanushi, sidomos  te poezia “Varri i Humbur” i S. Krasniqit shohim përmes katër vargjeve të tij se si e ka trajtuar fuqishëm figurën e heroit, të Micit.

   Edhe pas vdekjes tënde

Prapë do të ketë fushë të blertë

Lulet do të lulëzojnë zjarr

E unë do t’i prek me zemër.

                      Sdik Krasniqi

FIGURA DHE RIMA NË POEZINË

E MËRGATËS

    Kur flasim për krijimtarinë e mërgatës, te kjo pjesë krijuese jashtë atdheut, shohim se sa me përkushtim dhe përgjegjësi të plotë ju kanë qasur letërsisë krijuese, veçanërisht në krijimtarinë poetike. Zakonisht kur bëhet fjalë për krijuesit e mërgatës shohim, se sa me kujdes i janë përveshur vargëzimit artistik. Ata e ruajnë origjinalitetin e kulturës shqiptare, por edhe kanë marrë të mira të shumta nga kulturat e vendeve ku jetojnë, ndërsa asnjëherë nuk kanë rënë në batakun e asaj pjese të shëmtive që paraqiten sot në botën  zhvillimeve globale.

Ana më e përparuar, njerëzore e atdhetare, thjesht shihet në krijimtarinë e tyre shpirtërore, e cila është vënë në shërbim të krijimtarisë ideale të kombit, duke mos marr trajta negative, por duke ruajtur në esencë qëllimin, kulturën shqiptare, thjesht me një vargëzim, vlerë shqiptare e njerëzore.

  Kur flasim për rimën, kjo reflektohet me anën  ideo-emocionale në poezinë e krijuesve të diasporës, gjë që rima ka qenë dhe është e lidhur gusht me poezinë popullore, por kjo ka marr edhe një trajtesë të fuqishme e artistike edhe tek poezia e shkruar.

  Rimën dhe figurën, simbolin, krahasimin e shohim te të shumë poetë që e kanë përdorur dhe kanë pasuruar krijimtarinë e tyre, e këtë do ta shohim në vargjet e poezisë “U përkula para Teje” të poetit Hasan Qyqaqlla:

“Shqiponjë në këngë Kosove
Gjergj epokal i trungut të ri
Baladë shekulli hyre prore
Kandil kombi i brezit të ri”.

Apo:

Ndez oxhak e shtrojmë sofër
Kuvendojmë urti burri
Baba dredh cigaren në vatër
Presim kafen me ujë biluri!

                         (Oxhaku)

Tek këto vargje kemi të bëjmë me vargje të rimuara dhe sipas metrikës shkojnë me ndërtimin  AABB, ndërsa në poezinë tjetër kemi ABAB. Ky ndërtim i vargut vërehet thuajse te një pjesë e poetëve të mërgatës, po rimën e muzikalitetin  e gjejmë edhe te poeti tjetër Isuf Ismaili:

Valle e këngë në Kosovë,

Shqiponjë në fluturim,

Bashkë dhe me fustanellë,

Në Labëri e në Çamëri.

Edhe te kjo poezi, por edhe të poezitë të tjera është ruajtur muzikaliteti i këndshëm i gërshetuar me ndjeshmërinë ideore, por edhe me rimën që vjen natyrshëm si një pjesë që e plotëson tërësinë e vlerave artistike.

Hidhet vallja pa pushim

Dhe në Strugë e Preshevë,

Hapi krahët shqipja jonë,

Në Ulqin me plis të bardhë.

                            Isuf Ismaili

E, te poeti Fran Tanushi në poezinë e atdhedashurisë e gjejmë një krijimtari të fuqishme që ka përdorur rimën, si te poezia:

Të ledhatojë faqet

Nën sytë e tu magjik

Aty ku loti i kthjellët dikur

Rrëshqiti pa dëshirë.

Apo

Më je herë engjëll

herë zanë

që ndihem kaq djalë

pranë kur më je

Po si të poetët tjerë e gjejmë edhe te Skënderi rimën, figurën dhe mund të themi si më të veçuar se te poetët të tjerë, sidomos në poezinë “SHQIPËRIA ´97”


Qava kur s´të pashë
Qava kur të pashë
Qava si të lashë
………

Ndërsa te poezia tjetër “Urdhri” poeti ka përçuar një qëndresë militante e heroike të popullit të tij, e siç thotë:

Në qelinë nr. 3
Mos e lejoni gjumin
se djaloshi i pabindur
sheh në ëndërr lirinë
puthë vashën që e pret
dhe çmallet me nënën

Kjo poezi padyshim ngërthen në vete një pjesë të mirë të gjurmëve të çmendura historike, sidomos në vargun e parë dhe pikërisht në pjesën e dytë të këtij vargu qëndron  epiqendra e poezisë, rrëfim historik, kurse fuqinë e arrin në vargun e tretë te pjesa e dytë, “i pabindur”, sikur në tri vargjet e fundit  shpërthen hapur poeti duke mbërritur qëllimin.

Fare i sigurt them se poezia e Skënderit do një qasje përkushtimi nga lexuesi dhe vetë kritika për ta zbërthyer të plotë vargun e tij, meqë është një varg i përsosur me të gjithë larminë artistike.

MOTIVI I DASHURISË DHE I SATIRËS

Motivin e satirës, por edhe atë të dashurisë e gjejmë me një mjeshtëri të rrallë edhe te poetët e mërgatës, të cilët si gdhendës të mirë të vargjeve iu përkushtuan këtyre motiveve. Shpesh te ta shohim që përmes imtësive të dashurisë emocionuese prek realen e poezisë. Këtë motiv, sidomos motivin e dashurisë  poetët e mërgatës e kultivojnë shumë, sikur të japin përshtypjen se do të mbyten në lumë, por prapë befas dalin si petrita dhe kapen mu aty te imtësia e dashurisë që e nxisin lexuesin që sa ma parë ta kuptojë se ç`po ndodhë me vargjet vijuese apo me përfundimin e poezisë. Po ashtu edhe satira ka një ngritje të dukshme edhe te poetët e diasporës.

Këtë poezi me motiv të dashurisë si më të shprehur e gjejmë te poeti Hasan Qyqalla, Fran Tanushi, Sylejman Qyqalla, e të tjerët, ndërsa Satirën e gjejmë te poetika e Mehmet Beslimi, Sylejman Qyqalla, etj.

Poezia me motivë dashurie:

Të putha në buzë,të putha në ata sy

E ti më buzëqeshje si zanë,ëmbël

Sa me afsh duheshim, si zogj, unë e ti…

Po, në djall të vejë, paskësha qenë në ëndërr!

                                               (Në ëndërr-S.Q)

Apo

Uau!Të putha “pa dashje”…më fal!

Bëra mëkat,mike…si thua ti?

-Puthmë sa të duash…mos u ndal…

Po të mos më puthje,s’do rrija me ty!

                                     ( Puthëm-S.Q)”

Apo me motiv satire:

Xha Lushi më tha një ditë

He,bre birë që ky djalë

Si u ba ma i madhi i vendit…!?

Po lum Xha Lushi

Një natë kërciti topi

Në loto u hodh shorti

Nga xhokeri erdhi nami

ministri  e deputeti

Morën titullin e doktorit.

                                     (Xha Lushi…M.K)