NË 22 VJETORIN E BETEJËS SË KOSHARES (l)

IBISH NEZIRI

„Këto janë nisma që garantojnë fitore!“

Pjesa e parë

Shkruan: Ibish Neziri – Këtë kohë edhe në zonën e Tropojës, ku vazhdonin të ishin funksionale njësitet e furnizimit dhe të grumbullimit, kishin ndodhur ndryshime të shumta për mirë. Njësitet ushtarake ishin ristrukturuar si GO-3 (Grupi Operativ i tri Brigadave) dhe ishin futur në komandë të përbashkët, pas marrëveshjes për bashkim që ishte bërë mes Nasim Haradinajt, si përfaqësues i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, i nxitur dhe i ndihmuar shumë edhe nga Xhemajl Fetahaj, dhe nga Naim Haradinaj, Agim Ramadani dhe Rrustem Berisha. Ristrukturimi dhe hyrja në kuadër të komandës së përbashkët kishte dalë si rezultat i bisedave të filluara qysh në vjeshtën e vitit 1998 dhe të përfunduara në vitin 1999 nga Nasim Haradinaj, nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së dhe Sali Çekaj e Rrustem Berisha nga FARK-u. Për arritjen e kësaj marrëveshjeje, njëri ndër ata që kishte ndihmuar shumë ishte edhe gjenerali Kudusi Lama, i cili duke e shprehur gëzimin e tij, sapo e merr lajmin, i thotë Nasim Haradinajt:

„Këto janë nisma që garantojnë fitore!“

Njësitet e Brigadave të ashtuquajtura „131“, “134“ dhe BDV (Batalioni Diversanto Vëzhgues) ishin në kulmin e përgatitjeve për fillimin e operacionit luftarak, i emërtuar nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së.

„Shigjeta“, që për qëllim kishte heqjen e kufirit në regjionin e gjerë të Koshares dhe vendeve tjera përgjatë kufirit, regjion ky përmes të cilit njësitë e UÇK-së brenda Kosovës furnizoheshin, dhe të cilin njësitet ushtarake, paraushtarake dhe mercenare serbe përpiqeshin ta mbanin të mbyllur. Edhe përkundër faktit se plani për operacionin mbahej në fshehtësi të madhe, të gjithë ushtarakët e kuptonin se po përgatitej një operacion kompleks në përmasa të gjëra dhe i cili mund të ndikojë në ndryshimin e rrjedhës së luftimeve brenda Kosovës, ku zhvilloheshin luftime për jetë a vdekje.

„Marrëdhëniet ndërnjerzore dhe ndërushtarake ishin shumë të mira.  Morali dhe disiplina në shkallën më të lartë. Përgatitja profesionale vazhdonte, me theks të veçantë në përgatitjen e kuadrove komanduese për skuadër dhe togë si dhe në përgatitjen e njësiteve për taktika dhe operacione të veçanta.

Përkundër atmosferës pozitive, komanda e GO-3 ende përballej me disa vështirësi, për të cilat kërkoheshin zgjidhje si: mungesa e kuadrove komanduse, mungesa e armëve kolektive dhe pajisjeve tjera ushtarake dhe, në fund, nevoja për ndërtimin e marrëdhënieve dhe komunikimit të mirë me SHP të UÇK-së dhe Komandën e Zonës Operative të Dukagjinit“, – thotë kolonel Anton Çuni.

Në këto rrethana, në muajin shkurt në Komandën e GO-3 u paraqitën shumë ushtarakë dhe luftëtarë të udhëhequr nga Nasim Haradinaj, mes të cilëve ishte edhe Xhemajl Fetahaj. Duke e pasur parasysh përgatitjen e tij, punën në ilegalitet, qëndrimin stoik në burgjet e Serbisë, aktivitetet kombëtare në Perëndim, Xhemajli ngarkohet me detyrën e oficerit të zbulimit në kuadër të sektorit për zbulim dhe kundërzbulim (G-2).  Edhe pse në shikim të parë kjo detyrë dukej atraktive, ishte detyrë me përgjegjësi, sepse mbulonte një spektër të gjerë të veprimeve si:

  • Grumbullimin, përpunimin, nxjerrjen dhe shpërndarjen e të dhënave të zbulimit;
  • Përshkrimin e ndikimeve të mjedisit të fushëbetejës në mundësitë e UÇK-së dhe të armikut;
  • Bashkërendimin me të gjithë sektorët e Shtabit për çështje të personelit, operacioneve, logjistikës, komunikimit, trajnimit, marrëdhënieve civilo – ushtarake etj.;
  • Sigurimin e informatave për armikun: numrin, radhitjen, teknikën, moralin, objektivat, dobësitë etj.;
  • Plasimin e informatës në kohën e duhur;
  • Mundësitë e armikut për zbulim;
  • Masat për mbrojtjen e informacionit etj.

Format e sigurimit të informatave janë të ndryshme, por më e sigurta është informata e siguruar drejtpërdrejt nga afërsia dhe nga kontakti i vazhdueshëm me armikun. Kjo formë e sigurimit të informatave kërkonte përgatitje psiko-fizike, profesionale, shkathtësi luftarake etj., dhe nga natyra është veprimtari që mund të ballafaqohet me situata të paparashikueshme dhe nivel të lartë të rrezikshmërisë. „Për të gjitha këto Xhemajli ishte shumë i vetëdijshëm dhe i ndërgjegjshëm, kështu që menjëherë u kyç në punimet e stafit për përgatitjen e operacionit“, – kujton Anton Çuni.

„Duke i njohur mirë Xhemajl Fetahajn dhe Cenë Aliçkajn, e kam ndjerë domosdoshmërinë që në këtë luftë, pra në Koshare, gjithsesi të jenë edhe këta dy. Cena më është dashur, sepse e kam njohur nga lufta, brenda, në Dukagjin. Ai ka qenë në luftë edhe në Junik bashkë me Rrustemin dhe Agimin. Kështu që edhe këta nga lufta në Junik janë njohur mes veti.  Ndërkaq Xhemajlin e kam njohur si një njeri që afron dhe bashkon, por edhe Milazim Shalën, të cilin e kam njohur në luftë në Baballoq“, – thotë Nasim Haradinaj.

II

Për një kohë të shkurtër Xhemajli, falë kulturës së tij të komunikimit, edukatës dhe mirësjelljes ushtarake, modestisë, shprehive dhe metodës së punës, arrin të familjarizohet me ushtarët e njësive në Papaj.  „Bisedat tona në kohën e lirë kryesisht ishin biseda për ngjarjet politiko-ushtarake dhe parashikimin e situatave. Ndonjëherë bisedonim për jetën private. Marrëdhëniet tona kolegjiale ishin vendosur në rrugë dhe bazament të shëndoshë. Dallimet në moshë, regjion, bindje politike, arsimim, religjion etj. ishin të parëndësishme krah gjërave që na bashkonin si kombi, gjuha, flamuri dhe, në fund, vullneti për ta mposhtur armikun e përbashkët“, -thotë kolonel Çuni, deri sa i kujton ato ditë.  Këtu Xhemajli shumicën e kohës e kalonte me ushtarët e Batalionit Diversanto-Vëzhgues (më vonë Forcat Komando „Delta“) si njësi më atraktive dhe e supozuar për realizimin e aksioneve dhe operacioneve të ndërlikuara me përdorimin e taktikave të veçanta dhe që ngushtë lidhej me afrimin e shërbimeve për G-2. Për të mbajtur hapin me këtë njësit, Xhemajli filloi të investojë kohë në përgatitjen psiko-fizike, në taktikat e luftës dhe përdorimin e mjeteve ushtarake. Shumë shpejt do të përvetësojë njohuri në leximin e hartave, përdorimin e busullës, maskim, kalim të pengesave, ndihmën e parë, mbrojtjen nga helmet luftarake, sistemet e ndërlidhjes, manipulimin me armë dhe qitjet, taktikat e luftës, punët e shtabit, komandimin dhe drejtimin etj.

Njësi të shumta i kishin kryer trajnimet e nevojshme dhe kishin filluar realizimin e detyrave luftarake. Numri i vullnetarëve çdo ditë e më shumë shënonte rritje. Ata sapo arrinin në njësite, i nënshtroheshin programit intensiv të përgatitjes për kryerjen e detyrave luftarake. Njësia u furnizua me armatim të konsiderueshëm dhe pajisje të nevojshme ushtarake.

Komandanti i Divizionit të Kukësit, Gjenerali Kudusi Lama, thotë:

„Kur Nasim Haradinaj dha garanci se ky grup djemsh duan të luftojnë, atëherë është thirrur tek unë Rrustem Berisha, komandant i njësisë në Papaj. A vërtet don t’luftosh, – e kam pyetur. Ai ka thënë „Po, unë dua t’luftojë!“ Atëherë unë i kam thënë shko se unë do të vi ta inspektoj repartin tënd dhe pastaj do të marrim një vendim. Unë pas ca ditësh kam shkuar në repart. Kuadrot janë mbledhur nga Rrustemi në një dhomë në katin e dytë të një godine. Pasi jemi përshëndetur, m’është paraqitur situata në repart dhe në kufi. Paraqitjen edhe me gojë edhe me hartë e ka bërë Agim Ramadani, një oficer simpatik, elastik, shumë i zgjuar, i aftë profesionalisht, i cili në atë kohë kryente detyrën e shefit të Shtabit, siç e kishin emërtuar ata, të Brigadës, pavarësisht se kishte diku 40 veta.  Pasi jam njohur me gjendjen e armatimit të dëmtuar komplet, rreth 38 armë, nja dy mortaja 60-she, dy 82-she, dy topa 75-sh, dy granatahedhës pa optikë dhe jashtë gatishmërie, jam kthyer në divizion dhe kam dërguar shefin e armatimit, Shahin Toçillën, kapiten në ushtrinë shqiptare, shef armatimi i divizionit, për ta verifikuar se si ishte gjendja e armatimit.  Ai ka shkuar, e ka inspektuar armatimin dhe ka shënuar për çdo armë se çfarë nevojash ka për t’u vënë në gatishmëri, çfarë optike duhet dhe ka ardhur në Kukës, ku e ka marrë brigadën e riparimit të armatimit nga ofiçina ose, të them më mirë ofiçinën, se kështu e emërtonim ne, dhe nga depot e divizionit, pajisjet që i nevojiteshin dhe ka shkuar dhe e ka vënë në gjendje gatishmërie armatimin“.

Pas kësaj, në Papaj janë paraqitur mjaft veprimtarë dhe luftëtarë, të cilët kishin shkuar për të luftuar. Kudusi Lama bashkë me Xheladin Gashin, komandant i gjithë asaj zone, i ka marrë ushtarët që ishin në procesin e stërvitjes në qendra të ndryshme stërvitore dhe i ka dërguar në Papaj.  Nga Vlahna janë marrë 60 ushtarë, nga Cahani 40, nga Kalimashi 75, 76 dhe janë dërguar në Papaj për ta krijuar një repart më të fuqishëm që do të futej në Kosovë për të luftuar, duke hapur edhe një shteg furnizimi.  Disa pjesëtarë të komandës u vendosen në Padesh (500 m nga kufiri Shqipëri-Kosovë), ku intensivisht merreshin me kryerjen e detyrave ushtarake deri në detajet më të vogla. Çdo mbrëmje luftëtarët nën masat e rrepta të maskimit bartnin municion, predha dhe material tjetër luftarak, të cilat deponoheshin pranë kufirit.

Në të gjitha këto aktivitete vërehej prezenca aktive e Xhemës në role të ndryshme, herë si ushtar, oficer, zbulues, vëzhgues, ndërlidhës, snajperist, e herë si shënjues i minahedhësit 60 milimetërsh etj., por mbi të gjitha, ai ishte një koleg dhe shok i mirë i të gjithëve, pa marrë parasysh rangun dhe funksionin. „Xhema dhe Nasimi ishin ata që pos që rrinin vazhdimisht me ne, shumë shpesh edhe flinin në të njëjtin vend me ne, ushtarët e thjeshtë“, – thotë Frashër Oseku. „Xhemajli ishte njeri, i cili gjithnjë kishte humor të mirë. Shpesh na bënte të qeshnim dhe hapte edhe tema nga jeta private. Shumë i afërt me ushtarët“, – thotë më tutje Frashëri.

Xhemajli, apo Xhema siç e quanin bashkëluftëtarët, ishte më së i kënaqur me ecurinë e punëve dhe kjo vërehej në çdo moment tek ai.  Përkundër përgatitjeve dinamike dhe rraskapitëse ai kërkonte edhe më shumë duke u bërë vetë shembull për të tjerët. „Ai shembull ishte bërë edhe për të gjithë ushtarët duke mos pranuar asnjë lloj page për punën e tij prej ushtari dhe komandanti, gjë që nuk ka ndodhur me disa të tjerë“, – thotë Nasim Haradinaj. „Atë e brengoste kjo, jo pse nuk merrte pagë, por se nuk donte të kishte dallim mes ushtarësh dhe komandantësh“, – shton më tutje Nasimi. Të njëjtën gjë për Xhemajlin e thotë edhe Frashër Oseku, i cili herë kishte qenë në Koshare e herë në Komandën e Divizionit të Kukësit, te Gjenerali Kudusi Lama. „Kam punuar në zyrën e Babushit në Kukës. Kam punuar edhe në zyrën e Sali Çekajt në Koshare. E kam pasur edhe kodin e kompjuterit të Salih Çekajt. Kur Nasim Haradinaj dhe oficerët e FARK-ut kanë arritur marrëveshjen për bashkim dhe hyrje nën komandën e përbashkët, njeriu i parë që ka kërkuar t’ia heq logon e FARK-ut nga kompjuteri ka qenë Salih Çekaj. Kur ai më ka thënë hiqe logon prej kompjuterit, e kam shikuar Agim Ramadanin dhe ai ma ka bërë me kokë, në shenjë aprovimi“, – thotë Frashër Oseku.

Marrë nga libri „Këtu jam për t’i luftuar armiqtë”, monografi për dëshmorin e kombit Xhemajl Fetahaj)