Shkruan: Prof. Ass. Dr. Sabri Kiçmari

I nderuar ish Kryeministër, z. Bajram Kosumi,
I nderuar z. Hydajet Hyseni, deputet i Kuvendit të Kosovës,
I nderuar z. Konsull Imer Lladrovci,
I nderuar z. Bardhyl Mahmuti, bashkëveprimtar dhe mik prej deceniesh,
Të nderuar bashkëveprimtarë, Baca Hasan, Ramadan, Afrim dhe të gjithë ju bashkëveprimtarë të pranishëm këtu në sallë dhe në lidhje online,
Të nderuar përfaqësues të subjekteve politike, shoqatave shqiptare,
Të dashur studente dhe studentë,
Më lejoni që fillimisht t’ju uroj mirëseardhje në cilësinë e kryetarit të Këshillit të Organizimit. E falënderoj Konsullin Lladrovci dhe zyrtarët e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës, studentët shqiptarë në Stuttgart dhe Asociacionit Shqiptar për Kulturë dhe Integrim për bashkëpunimin korrekt në shënimin e 40 vjetorit të Demonstratave Studentore me simpoziumin „Pranvera e madhe shqiptare – demonstratat e vitit 1981.“
Të nderuar pjesëmarrës,
250 vite më parë në këtë qytet të bukur, në Stuttgart, ka lindur një nga filozofët më të njohur gjerman Georg Wilhelm Friedrich Hegel. Ai konsiderohet një nga mendimtarët më të ndritur të idealizmit gjerman që ka influencuar estetikën, ontologjinë dhe politikën në filozofinë perëndimore. Ndër të tjera Hegeli e përmbledh mendimin e tij filozofik mbi historinë në një sentencë të tillë: ”Historia është një përparim në vetëdije të lirisë – një përparim, të cilin ne duhet ta njohim në domosdoshmërinë e tij….Historinë duhet ta kuptojmë, ashtu siç ajo është.”
Ky mendim hegelian mbi historinë përshkruan në mënyrë të shkëlqyer rëndësinë e demonstratave të vitit 1981. Historia bëhet me qëllim të arritjes së lirisë dhe përmban në vete anën e saj të domosdoshme, të paevitueshme. Pra, proceset e fitimit të lirisë janë procese të pandalshme. Dhe, shumë i rëndësishëm është, krahas bërjes së historisë, edhe projekti për ta shkruar atë, ashtu siç ajo është: e pambuluar me vellon e mistifikimit, por as të modestisë së tepruar.
Çfarë lidhje kanë demonstratat e vitit 1981 me diplomacinë?
Në rrafshin teorik dhe praktik përfaqësuesit diplomatikë kanë pesë detyra themelore: përfaqësimin e shtetit, mbrojtjen e interesave, informimin dhe raportimin, negocimin dhe thellimin e marrëdhënieve diplomatike me vendet e tjera. Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka, Bardhosh Gërvalla dhe shumë veprimtarë të tjerë, disa prej të cilëve janë mes nesh këtu, kanë luajtur rolin e përfaqësuesve diplomatikë. Ata kanë përfaqësuar mendimin politik të qytetarëve të Kosovës para opinionit publik ndërkombëtar, ata i kanë mbrojtur të drejtat e popullit tonë për liri dhe Republikë, ata kanë informuar publikën ndërkombëtare për dhunën në Kosovë dhe në të njëjtën kohë përmes gazetave “Liria”, “Zëri i Kosovës” dhe “Bashkimi” i kanë informuar bashkatdhetarët tanë dhe popullin e Kosovës në lidhje me kërkesat e drejta për Liri dhe Republikë. Ata kanë qenë diplomatët e vërtetë të Kosovës, pa kartë diplomati dhe imunitet diplomatik, por me një vullnet të madh për të thënë të vërtetën për Kosovën dhe me një angazhim të pashoq për ta fituar lirinë.
Të dashur miq,
Gjatë Luftës së Ftohtë ka pasur tri momente, të cilat i dëshmuan opinionit publik ndërkombëtar, se raportet sociale, nacionale dhe ndërshtetërore në dhe mes shteteve të Bllokut të Lindjes, përkatësisht shteteve socialiste, nuk ishin të drejta. Dy nga këto momente i ka identifikuar si të tilla teoria politike bashkëkohore ndërkombëtare:

- Pranverën e Pragës të vitit 1968, e cila vlen si dëshmi se raportet në mes të shteteve të Bllokut Lindor ishin paternaliste, përkatësisht Ushtria Sovjetike vepronte si ushtri pushtuese;
- Lëvizja e Solidarnoshçit e vitit 1980, e cila vlen si dëshmi se problemi social në shtetet e ish Bllokut Lindor nuk ishte zgjidhur siç proklamohej; dhe
- Demonstratat e Studentëve të Universitetit të Prishtinës në vitin 1981, të cilat vlejnë si dëshmi se çështja nacionale nuk ishte zgjidhur në shtetet ish-socialiste.
Momentin e tretë nuk e ka identifikuar si të tillë shkenca politike bashkëkohore, me gjithë faktin se ky ishte një shenjë e parë e një lëvizjeje për liri të shumë kombeve nga ish-RSFJ dhe ish-Bashkimi Sovjetik. Në përfundim të këtij procesi lirie u krijuan një numër i konsiderueshëm shtetesh të reja.
Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë paraqesin një nga momentet më të rëndësishme në historinë tonë të re. Viti 1981 prandaj për botën shqiptare mund të konsiderohet si vit me histori, ose edhe më qartë: vit i kthesës historike. Në literaturën shkencore politikologjike si momente të kthesës historike konsiderohen ato ngjarje, të cilat ravijëzojnë një ndryshim rrënjësor të sistemit politiko-shoqëror më të përparuar se sa ai i mëparmi.
Kam nderin që të shpallë të hapur këtë simpozium dhe të gjithë referuesve dhe pjesëmarrësve t’ju uroj shumë sukses!
Ju faleminderit!