Në Birr të kantonit Aargau mësohet shqip

Shkruan: Isuf Ismaili

Në Zvicër gjithnjë e më shumë po hapen klasat e shumta për mësimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare. Kështu edhe në Birr të kantonit Argau, “Shkolla Shqipe” hapi një paralele, ku fëmijët shqiptarë me shkëlqimin e tyre të natyrshëm, me harenë në shpirt e me dashurinë për gjuhën e kulturën shqiptare filluan të mësojnë e të marrin nektarin e ëmbëlsisë së gjuhës sonë.

Çdo herë kur veprimtarët dhe mësuesit shqiptarë i bashkojnë forcat, rezultatet nuk mungojnë. Vlen të përmendet si shembulli më i mirë mësuesja Nuraj Iljasi së bashku me prindërit e Birrit dhe veprimtarët Riza Demaj dhe Prof. Dr. Vaxhid Sejdiun. Kështu mund të themi pa hezitim se në bazë të gjithë punës e veprimtarisë së shumanshme, në bazë të këmbënguljes dhe përkushtimit të pashoq shoqëror, kulturor, atdhetar, administrativ, në bazë të të gjithë veprimtarisë mësimdhënësit shqiptarë kanë hedhur dritë jo vetëm kësaj kohe por edhe ardhmërisë së procesit mësimor e edukativ të nxënësve shqiptarë.

Siç e kemi theksuar edhe më parë gjuha shqipe është dritëhedhëse e shpirtit dhe identitetit të çdo shqiptari të ndershëm. Me gjuhën shqipe lidhen fijet e historisë, gjeografisë, e shkencës, por edhe të qëndresës e frymëzimeve  dhe të gjithë veprimtarisë së tërësishme shqiptare.

Në këtë hulli, në këtë shkëlqim të veprimtarisë atdhetare e kulturore radhitet edhe çelja e klasës për nxënës në Birr të kantonit Argau, ku fëmijët shqiptarë kanë filluar të mësojnë me hare, siç cicërojnë zogjtë e bukur në natyrë.

Nxënësit shqiptarë në këtë pikë shkollore kanë mësuesen e nderuar me përvojë e përkushtim të madh Nuraj Ilasi. Mësimi mbahet çdo të premte nga ora   15:00-17:50

Nxënësit e dashur Ryve , Jara, Tara A, Tara V, Viviana, Denisa,Denisi, Erina, Leoni, Eldioni, Florenti do të mësojnë me zell e dashuri gjuhën e kulturën shqiptare

Për ne është një gëzim i pa përshkruar, sepse jemi të përkushtuar që krahas gjuhës të mbajmë të ngrohtë e të pacenuar shqiptarësinë tonë

Urojmë që këta fëmijë të kenë suksese e ardhmëri të ndritur!