Pena e shkëlqyer e profesor Vaxhid Sejdiut dhe përkushtimi i tij në Shkollën Shqipe

Isuf Ismaili

Shkruan: Isuf Ismaili – Puna e veprimtaria kulturore, arsimore, letrare, shkencore, filologjike, në përgjithësi është në radhë të parë një lidhje e fuqishme shpirtërore e njerëzve të ndërgjegjshëm me zhvillimet e përparimin e shoqërisë. Njerëzit e tillë me një përkushtim të madh e me aftësi të mëdha i qasen punës e veprimtarisë për ta bërë botën tonë njerëzore sa më të mirë, sa më të drejtë e sa më humane.

Në këtë kurorë krijuesish e veprimtarësh të denjë është radhitur emri, puna, vepra, përkushtimi dhe gjithë krijimtaria e profesor dr. Vaxhid Sejdiut.

Profesor Vaxhidi është, ta themi, si ajo bleta që shkon në vende të ndryshme të pasura e pastra duke mbledhur nektarin më të mirë. Ai duke punuar e vepruar në Zvicër së bashku me veprimtarë e mësimdhënës të denjë shqiptarë, për ta përhapur sa më shumë e sa më mirë dritën e diturisë dhe ëmbëlsinë e gjuhës shqipe, është shquar jo vetëm si mësimdhënës, por edhe si organizator e veprimtar pa pushuar fare e i përkushtuar në kuptimin e përkryer të veprimtarisë arsimore. Mbi të gjitha atë e shquan atdhedashuria   e  pastër e lidhur ngushtësisht me veprimtarinë e shëndoshë arsimore e letrare.

Ai është lindur në Kumanovë, në atë vatër të shquar shqiptare, e cila ka dhënë shumë atdhedashës të shquar, të cilët pa hezitim i kanë shërbyer atdheut e shqiptarisë përgjithësisht. Aty edhe Vaxhidi mori hapat e parë të dijes e  dashurisë atdhetare e shoqërore. Kështu ai hap pas hapi arriti në Universitetin e Prishtinës dhe atje me nota të shkëlqyera i përfundoi studimet në degën Letërsi  dhe Gjuhë Shqipe, më pas mori titullin magjistër e më vonë mori edhe gradën shkencore të doktorit.

Ai që  herët ka rënë në kontakt me veprimtarët e çështjes kombëtare, që ishin grupuar në organizatat e grupet atdhetare, të cilët patën synimet e vepruan për çlirimin e pavarësinë e trevave shqiptare që qenë nën Jugosllavi, si dhe për bashkimin e tyre e bërjen e Shqipërisë në kufijtë e saj të natyrshëm.

Por në valët dhe dallgët e mërgimit Vaxhid Sejdiu, duke qenë një mësimdhënës i shkëlqyer, ka ditur të gjendet shumë mirë, të kuvendojë me bashkatdhetarët tanë në mënyrë të përkryer dhe tehun e punës dhe veprimtarisë e ka drejtuar nga fushat e rëndësishme të kulturës  e dijes, të ndërgjegjësimit e arsimimit të fëmijëve shqiptarë në Zvicër.

Kështu ai i është përkushtuar besnikërisht veprimtarisë për të gjallëruar ndjenjën e dashurisë për gjuhën shqipe, letërsinë, historinë e lëndët të tjera që e ndihmojnë, ta themi, atë jetësinë e shqiptarësisë, të njerëzve tanë e sidomos të fëmijëve të tyre në mërgim.

Në psikologji radhiten  tre faktorë më të rëndësishëm  në formimin e edukimin e fëmijëve. Së pari, është familja ajo që do t’ia japë hapat e parë fëmijës për gjuhën, kulturën, edukimin dhe formimin e personalitetit, së dyti është shkolla si një nga faktorët tepër të rëndësishëm, prej së cilës fëmija do të marrë edhe një profesion të caktuar, dijet e përgjithshme, por edhe të veçanta etj., së treti është shoqëria, aktiviteti e ndikimi i shoqërisë në formimin dhe edukimin e fëmijës. Ky faktor  është më i fuqishëm se dy faktorët të tjerë, sidomos kur ata dy faktorë nuk arrijnë të kenë ndikimin e duhur te fëmija, prandaj organizimi i mirëfilltë i edukimit të fëmijës në familje e në shkollë duhet të jetë i fuqishëm i saktë dhe efektiv.

Vaxhid Sejdiu i bindur se kështu duhet të organizohet puna me përkushtim e me përpikëri, ka vepruar pa u ndalur fare dhe në shumë qytete e vendbanime të tjera në Zvicër, ku jetojnë shqiptarët, ka çelur dyert e dritës dhe diturisë për  përvetësimin  e bukurisë dhe ëmbëlsisë së gjuhës shqipe, për kulturën shqiptare e gjallërinë e shpirtit atdhetar të nxënëseve e prindërve shqiptarë.

Një punë e veprimtari e tillë atë e jo vetëm e bën krenar, por i jep edhe kënaqësi, sepse e sheh që jo vetëm ai e një pjesë e vogël njerëzish, por edhe të gjithë ata e ato që e shohin, e ndjejnë dhe i qasen me dashamirësi arsimimit dhe vazhdimësisë shqiptare në Zvicër, kanë nderin të jenë vazhdimisht përkrahës të të gjithë kësaj pune e veprimtarie sa arsimore e kulturore aq edhe atdhetare e shoqërore, që e bën e ka bërë profesor Vaxhid Sejdiu me shokë e kolegë dhe bashkëpunëtorë e bashkatdhetarë. Kjo nuk është punë e veprimtari e vogël, por përkushtim i madh i tërësishëm, në kuptimin më të mirë të qenësisë shqiptare në dhe të huaj dhe edukimit me kulturën e mirëfilltë, përgjithësisht.

Në dritën e kësaj pune e veprimtarie të shkëlqyer, profesor Vaxhid Sejdiu e ka shkruar dhe e ka përgatitur për botim librin e tij : “ Shkolla Shqipe në Kantonin e St. Gallenit – vatër e bashkimit kombëtar”, libër ky që i kushtohet tërësisht arsimit dhe edukimit të fëmijëve shqiptarë në mërgim e në veçanti  punës dhe aktivitetit arsimor e kulturor të shqiptarëve në kantonin St. Gallen dhe përmes kësaj veprimtarie ai do ta shtjellojë mrekullisht edhe rolin e ndikimin e saj në shumësinë e aktiviteteve, punëve e veprimtarive që janë bërë në drejtim të jetësimit të bashkimit kombëtar. Ky është edhe ai kulmimi i mirësisë e funksionit të kësaj veprimtarie. Ai që nga fillimi i librit ka bërë përshkrime të qarta e të mirëfillta për sa i takon diasporës dhe ndihmesës që ka dhënë ajo për çështjen shqiptare përgjithësisht, por edhe  për shtrirjen e funksionimin  e  saj në dhe të huaj dhe në veçanti për St. Gallenin e rrethin e tij! Vlen të theksohet shpjegimi që e bënë profesor Vaxhidi, për titullin e librit. Ai thotë : “Thënë shkurt pa marrë parasysh se nxënësit, prindërit, mësuesit dhe veprimtarët e saj vijnë nga të gjitha trojet shqiptare (nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, nga Mali i Zi, nga Kosova Lindore, pra nga Presheva, Bujanoci e Metvegja), përpjekjet e tyre bashkohen në shërbim të gjuhës dhe shkollës shqipe. Për të gjithë, pa dallim gjuha dhe kombi janë një. Ata edhe pse jetojnë me mijëra km. larg vendlindjes, larg atdheut, dhe të ndarë në disa shtete duke poseduar edhe dokumente të ndryshme personale, ata kanë një gjuhë dhe një komb.” Kështu na e bën të qartë profesor Vaxhidi,  se ata, pra mërgimtarët, jo vetëm dëshirojnë, por edhe punojnë e veprojnë për bashkimin Atdheut.

 Ai na ka sjellë shumë shembuj, e mendime të vyera e shumë të çmuara të mendimtarëve e shkrimtarëve të shquar si Sami Frashëri.

Ja një thënie e bukur, një shprehje e mençur e shumë domethënëse: “Viktimat e gjuhës janë më të shumta se ato të shpatës”. Ta analizojmë këtë shprehje të mendjendriturit, filozofit e shkrimtarit, veprimtarit të shquar të Rilindjes sonë kombëtare Sami Frashëri.

Luftërat kudo e kurdoherë janë të dhembshme, sepse marrin jetë njerëzish, bëhen shkatërrime e sjellin pasoja të mëdha e të rënda materiale e shoqërore, por kur janë të domosdoshme për t’i bërë për liri, drejtësi, për vetëvendosje e bashkimin e atdheut, ato patjetër ndodhin dhe janë të pashmangshme. Por humbjet në luftëra janë më të vogla në krahasim me humbjet e mëdha që ndodhin me të mërguarit në dhera të huaja, në qoftë se këta të mërguar e humbin gjuhën e tyre, gjallërinë e shpirtit atdhetar. Natyrshëm për të ruajtur, për të mbajtur të gjallë gjuhën, e shpirtin atdhetar është nevojë shumë e madhe të kemi shkolla, ku kultivohen ato dhe ku e pasurohen njerëzit me këto veti të rrënjëve nga kanë ardhur dhe janë vendosur në vende të huaja.

Pa zhvillimin, pa përvetësimin, pa dashurinë ndaj gjuhës, kulturës dhe vendit prej nga i kemi rrënjët, jo vetëm të mërguarit, por edhe bashkatdhetarët tanë viset e tërësishme shqiptare janë të humbur, si njerëz me përcaktime të shëndosha, si veçori popullore e si pasuri etnike ilire, arbërore e shqiptare.  

Kjo është një trokitje e fuqishme në ndërgjegjen e secilit shqiptar e sidomos atyre në mërgim. Këtë mësim dhe këto këshilla ka ditur mirëfilli e me profesionalizëm t’i pasqyrojë e shtjellojë profesor Vaxhid Sejdiu në librin e tij: “ Shkolla Shqipe në Kantonin e St. Gallenit – vatër e bashkimit kombëtar”

Kështu ai do të vazhdojë të theksojë edhe emrat e veprimtarëve në atë kanton që punuan dhe realizuan një gjendje të përshtatshme për mbarëvajtjen e shkollës shqipe në Sant Gallen. Por, natyrisht kjo punë, ky aktivitet, kjo veprimtari ka pasur vështirësi e pengesa, por njeriu i përballon me durim e këmbëngulje të gjitha vështirësitë e pengesat dhe kur vepron me ndërgjegje të pastër do të gjejë hapësirë, por edhe  ndihmë nga të tjerët, siç janë edhe mësuesit zviceranë të cilët e ndihmuan shkollën shqipe. Kështu profesor Vaxhidi e ka përmbledhur materialin e përgjithshëm dhe ka përgatitur faqe për faqe librin me një përkushtim të theksuar, duke mos harruar për të paraqitur çdo detaj që ka ndikuar në mirëvajtjen e shkollës shqipe.

Gjuha është shtylla kryesore që mbanë një popull. Përvetësimi i saj, dashuria ndaj saj dhe ruajtja e saj siguron vazhdimësinë e kulturës dhe qenësisë si një popull të përbashkuar.

Në rrethana të caktuara gjuha merr edhe më shumë atë peshën e madhe të zhvillimeve e të suksesit  në ngjarjet e rëndësishme që ndodhin në zhvillimin e një populli.

Shembulli më konkret janë vëllezërit e motrat arbëreshe që e kanë mbajtur të gjallë gjuhën arbëreshe në zemrat e tyre dhe kjo ua ka siguruar vazhdimësinë, por edhe lidhjet e natyrshme vëllazërore me ne shqiptarët.

Kur i dëgjojmë ata, ne menjëherë krijojmë lidhjen e natyrshme mes nesh dhe ajo na kthen në kohëra të lashta, duke parafytyruar se si  kanë qenë të parët tanë, si kanë folur, se si i kanë pasur traditat e si kanë zhvilluar jetën. Por, ajo që po ashtu është e tepër e rëndësishme janë lidhjet dhe mbështetjet  te njëri- tjetrin për siguruar vazhdimësinë tonë të natyrshme edhe në të ardhmen.

Edhe diaspora jonë e më vonshme qoftë në Evropë, në Amerikë , apo vende të tjera duhet të marrë shembull nga ngulimet arbëreshe në Itali. Por, ajo që e bën të domosdoshme madje të qëndrueshme qenësinë tonë, është shkolla dhe mësimi e përvetësimi i natyrshëm i gjuhës dhe dijeve shqiptare në të.

Profesor Vaxhidi i vetëdijshëm për të gjitha këto ia doli ta shkruajë librin e tij: “ Shkolla Shqipe në Kantonin e St. Gallenit – vatër e bashkimit kombëtar” dhe me këtë ai do të paraqesë edhe mundin, por edhe kënaqësinë e të suksesit të nxënësve shqiptarë duke përthithur nga shkolla edhe vitalitetin e gjuhës shqipe.  

Një veçanti tjetër e këtij libri është, se krahas mësimit të gjuhës shqipe, janë theksuar e janë përshkruar shumë ngjarje të tjera festive nga historia e popullit shqiptar, shumë ngjarje të cilat aktivistët, mësuesit e nxënësit i kanë organizuar duke shfaqur programe të këndshme artistike, përkujtimore, por edhe ngjarjet të tjera si vizitat e takimet e nxënësve dhe mësuesve nga vendbanimet e shumta të Zvicrës janë shpjeguar mirë e me një gjuhë të qartë e të kapshme për të gjitha moshat e nxënësve e njerëzve të rritur.

Ngjarjet e situatat, vështirësitë e zhvillimit të arsimit në Kosovë e në trojet të tjera shqiptare si ato nën Maqedoninë e nën Serbinë janë shpjeguar qartë e bindshëm, janë shpjeguar metodat çnjerëzore e antishqiptare që pushtuesit serbë e maqedonas i kanë përdorur për të na shuar arsimin e kulturën për të mbjellë errësirën e paditurisë.  

Ka shumë ngjarje e shumë përshkrime, shumë detaje të tjera për t’i theksuar, por këto do t’ia lëmë lexuesit t’i mësojë.

Në fund do të doja të thosha se ky libër është e do të jetë një nga librat më interesat e me shumë vlerë jo vetëm për shqiptarët e mërguar, por edhe për të gjithë njerëzit që duan të mësojnë më shumë për shqiptarët në Zvicër, për gjuhën shqipe e për shqiptarësinë tonë që gjallëron fuqishëm, si dhe  për punët e veprimtaritë e shkëlqyera arsimore, kulturore e atdhetare që bëhen në Zvicër, një pjesë të madhe e së cilave i ka përshkruar me shumë ndjenjë atdhedashurie, me gjuhë profesionale e aftësi shkencore, profesor dr. Vaxhid Sejdiu.

Punët e mira, veprat e mira, që rrezatojnë e shkëlqejnë në mendjen e në zemrën e shqiptarëve janë e do të jenë taban i fuqishëm për të mbajtur të gjallë e të fuqishme jo vetëm ndjenjën e dashurisë atdhetare, por janë edhe një ngrohtësi shpirtërore për vazhdimin e më tejmë të gjallërisë e të jetësimeve tona gjithë-shqiptare. Pikërisht, kështu ka vepruar e punuar, vepron e punon profesor Vaxhid Sejdiu, me mësimdhënës, shokë e bashkatdhetarë të shumtë.

Në fund dua t’i uroj nga zemra profesor Vaxhid Sejdiut, punë e veprimtari të mbarë, shëndet e sukses të plota në misionin e veprimtarinë e tij sa kulturore, shoqërore shkencore, letrare e artistike, arsimore aq edhe atdhetare! I uroj të mos i pushojë mendja, dora e pena për të na dhuruar edhe libra të tjerë që pasurojnë kulturën e dijet tona!